Që të mos mbetet me aq ww.adrinurellari.com Botuar tek gazeta Shqip Tanimë në kohë krize deflacioni, shteti ka hedhur sytë te këto prona si një ndër gomonet e shpëtimit për buxhetin e vënë në rrezik. Një masë e ngjashme që synonte ta bënte të shëndetshëm buxhetin ishte edhe heqja e makinave që janë në dispozicion të zyrtarëve të lartë. Po kështu vlen të përmendet edhe nisma për të privatizuar tokën ku janë ndërtuar fshatrat turistikë, tokë kjo që fillimisht ishte lënë me qira. Edhe mënyra e ndërtimit apo lënies më qira të tokës për këto fshatra turistikë është ngjashmërisht jotransparente dhe e mbushur me parregullsi e abuzime. Mirëpo në këto rrethana dalin dy çështje apo probleme që meritojnë vëmendje. Pikësëpari si do të përdoren paratë e nxjerra prej privatizimit të ambienteve të sindikatave dhe fshatrave turistikë? Së dyti, përderisa shtetit po i djeg xhani për nikoqirllëkun me fondet e pronat publike si dhe është vetëdijesuar për nevojën e kompensimit të ish-pronarëve, përse nuk privatizon apo kthen te pronarët edhe rezidencat qeveritare? Rreziku i parë është që paratë e nxjerra prej privatizimit të tokës së fshatrave turistikë apo shtëpive të pushimit të sindikatave do të përdoren për të mbyllur vrimat e buxhetit shtetëror, të shkaktuara nga planifikimi apo administrimi i papërgjegjshëm e joefikas i tyre; dhe jo për investime të rëndësishme publike në infrastrukturë apo për të kompensuar denjësisht ish-pronarët. Gjithashtu problematike është edhe destinacioni i privatizimit dhe procesi, deri tani është vënë re që prona publike e privatizuar është shtënë në dorë nga kompani të cilat kanë pasur lidhje politike ose kanë paguar ryshfetin më të majmë. Pasi i kanë marrë në dorë këto kompani nuk kanë sjellë ndonjë shfrytëzim cilësor të këtyre pronave, nuk kanë bërë investime domethënëse tek to, por thjesht i kanë blerë me çmime më të ulëta sesa tregu e i kanë mjelë pa mëshirë. Më e arsyeshme do të ishte që këto prona shtetërore të privatizoheshin, duke pasur parasysh investitorë potencialë prestigjiozë ndërkombëtarë siç janë rrjetet ndërkombëtare hoteliere si Marriot, Hilton, Sofitel, Meridien etj., të cilat jo vetëm do mund të sillnim mjaftueshëm kapital që të bëhej diçka e mirë me to, por do mund të aplikonin te ne përvojën më të mirë ndërkombëtare e do na fusnin fuqishëm në hartat ndërkombëtare të turizmit cilësor. Megjithatë në kushtet kur kriza globale e ka dërrmuar rëndë turizmin dhe ndërtimin dhe ka minimizuar likuiditetin që qarkullon, kjo është periudhë shumë e keqe për të bërë privatizime, sepse do siguronte oferta shumë të ulëta blerjeje. Së dyti duhet vënë në dukje që, ashtu sikurse sindikatat kanë penguar zhvillimin e turizmit në disa prej vendeve apo plazheve më të bukura të vendit tonë, të njëjtën gjë është duke bërë mbajtja në dorë të shtetit të rezidencave qeveritare, që dikur i shërbenin nomenklaturës komuniste. Qeveria është duke hequr përdorimin e makinave nga zyrtarë të lartë, mirëpo vijon që të lërë në dispozicion të këtyre qeveritarëve rezidencat e pozicionuara në disa prej pikave më panoramike të vendit. Këto rezidenca, qeveria jo vetëm që nuk i privatizon apo nuk i kthen në duart e ish-pronarëve, por harxhon shumë para për t‘i mirëmbajtur dhe për t‘i pajisur me punëtorë, madje së fundmi janë vënë në dispozicion të tyre miliarda lekë për t‘i modernizuar e bërë më luksoze. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka një staf dhe buxhet të konsiderueshëm dhe ka nën administrim dhjetëra hektarë tokë, si dhe një mori ndërtesash në Tiranë, Durrës, Pogradec, Korçë, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Lushnjë, Gjirokastër e Sarandë. Në Durrës hapësira e vilave zyrtare buzë plazhit vërtitet diku te 40 hektarë, kurse në Rrethin e Vlorës diku te 15 hektarë tokë. Për të mos folur pastaj për dhjetëra mijëra metra katrorë ambiente hotelerie, zbavitjeje, restorante e terrene sportive të vëna në shërbim të pushimit të zyrtarëve tonë të lartë për të marrë veten pas "punës së lodhshme, të përkushtuar e të ndershme" që bëjnë gjatë vitit. Dhe kuptohet që ish-paria komuniste nuk ishte aspak modeste me përzgjedhjen e vendeve ku kalonin pushimet, që do të thotë se këto vila gjenden në pika si Uji i Ftohtë, Parku i Dajtit, Dhërmiu, blloku e plazhi i Durrësit, ku fare mirë mund të ndërtoheshin hotele luksoze të markave ndërkombëtare që do të ndillnin turistë elitarë e do të punësonin një numër të madh njerëzish të zonave përreth. Një ose dy vila rezidenciale për nevojat ceremoniale të shtetit apo të tjera rrethana mbase mund të ishin të pranueshme në sistemin e sotshëm liberal demokratik, edhe pse hotelet apo ambientet e tjera private dalin e teprojnë për rastet e pakta për të cilat do të ishin të nevojshme këto vila. Mirëpo është e papranueshme që qeveritarët të kenë në dorë gjithë këtë pasuri të madhe në perlat e vendit tonë, duke vazhduar çuarjen dëm të parave të taksapaguesve për mirëmbajtjen e tyre. Prandaj nëse qeveria me të vërtetë ka vendosur të tregohet më kursimtare me pronën publike, sikurse po pretendon të motivohet për rimarrjen në dorë të pronave të sindikatave. Nëse ka dëshirë të kufizojë shpërdorimin e qeveritarëve sikurse ka vendosur me heqjen e makinave, atëherë hapi tjetër i arsyeshëm patjetër që duhet të jetë privatizimi i rezidencave qeveritare.