Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një arsye tjetër përse PSSH është në opozitë...

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 16 vite më parë

Kastriot Islami
Një arsye tjetër përse PSSH është në opozitë...

Ka 2 faktorë kryesorë që kanë përcaktuar rezultatin legal (PSSH ka vlerësim dhe qëndrim tjetër përsa i përket këtij rezultati politikisht) të këtyre zgjedhjeve për PD, PS dhe LSI po t’i referohemi hapësirave që lejon sistemi zgjedhor i) përçarja e së majtës, dhe ii) efikasiteti i koalicioneve.  Gjithçka tjetër nga sistemi zgjedhor ka qenë i njohur dhe përcaktuar paraprakisht në formën e rregullave të lojës, të cilat nuk janë kontestuar asnjëherë paraprakisht në asnjë nivel, as partiak dhe as në Kuvend nga PS e PD. Nga këto rregulla loje kanë qenë të njohura dhe fikse para fillimit të garës elektorale këto të dhëna: a) sistemi është proporcional: b) sistemi është rajonal sipas ndarjeve administrative të qarqeve; c) ka prag legal në nivel qarku prej 3 për qind për partitë dhe 5 për qind për koalicionet d) lejon koalicionet klasike dhe te përbëra, e) formula e shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve bazuar në shifrat e popullsisë dhe f) formula e llogaritjes së mandateve për subjektet zgjedhore bëhet sipas metodës së d’Hondt dhe sipas metodës Saint Laguerre për partitë brenda koalicioneve zgjedhore. Është shumë e thjeshtë të arrihet në përfundimin se rezultati real i PSSH ndër të tjera është përcaktuar nga dy faktorët që përmenda më lart i) dalja veças e BPN dhe ASI, ose më thjeshtë PS e LSI të përçara; dhe ii) efikasiteti relativ më i ulët i koalicionit të PS krahasuar me atë të PD dhe jo nga parametrat fikse të sistemit.

Paranoja e kurtheve të vetëngritura nga naiviteti dhe/ose klientelizmi...

Është minimalisht naive të mendosh që duke bërë arsyetime a posteriori të arrish përmes teknikash empirike e një qasje metafizike në përfundimin se këto parametra fikse janë përkthyer në kurthe (aq më tepër tiranike) që kanë defavorizuar PS apo kanë favorizuar PD. Kjo thjesht për klientelizëm ndaj liderit, por që në thelb do ta dëmtonte rëndë edhe vetë liderin. Imagjinoni sikur kjo të ishte e vërtetë dhe këtë ta besonte edhe Edi Rama dhe akoma më keq Berisha, atëherë këtë lloj atuje Berisha do ta përdorte pikërisht për të mos ndryshuar sistemin në fuqi thjesht nga fakti që ai e favorizoka apriori. Kjo është miopi për të mos thënë verbëri, që të gjithë i percepton të vendosur në errësirë.  Votat për çdo mandat sipas qarqeve...

Kam shpjeguar në një artikull të mëparshëm se PSSH në 7 qarqe duke mos realizuar objektivat e saj elektorale (të përcaktuar me realizëm nga rezultatet e 2005, 2007, sondazhet dhe të dhënat e sistemit të patronazhit) nuk ka munduar të fitojë 72-73 deputetë. Nëse llogaritjet e numrit të votave për çdo mandat për të 12 qarqet do të bëheshin mbi bazën e votave dhe mandateve sipas objektivit që kishte vendosur PS, por që nuk u realizuan, atëherë shifrat me të cilat lodhet në labirintet e kurtheve të vetëngritura do të dilnin në favor të PS. E thënë ndryshe, nëse PSSH nuk ka ditur të optimizojë raportin vota/mandate, ky nuk është “faji” i sistemit...
“Çudia” që sistemi ka penguar frymën...

Lidhur me përfundimin se ky sistem zgjedhor ka penguar që fryma e PSSH të përkthehet në mandate, lind pyetja normale se cila pikë në sistemin zgjedhor ka penguar koalicionin e PS të grumbullojë vota sa më shumë dhe paska favorizuar koalicionin e PD të grumbullojë rreth 25 mijë vota më shumë sesa koalicioni i PS?

Eklektizëm vetëm nga padija...

Të flasësh për eklektizëm për marrëdhëniet vota/mandate, për partitë e mëdha dhe partitë e vogla, kur aplikohen dy metodat d’Hondt dhe Saint Laguerre e mirëkuptoj autorin, sepse ky është ushtrim i “rëndë” matematik dhe që përmban një mekanizëm dinamik të pakuptueshëm për një qasje metafizike. Nëse partitë e mëdha “privilegjohen” nga d’Hondt dhe të voglat nga Saint Laguerre, kjo është bërë për të nxitur partitë e vogla të futen në koalicione, por pa barë presion mbi partitë e mëdha. Kaq e thjeshtë është kjo marrëdhënie.

Mbi sistemin mazhoritar...

Po ashtu preferohet sistemi mazhoritar duke arritur në disa përfundime të pakuptueshme nga të dhënat e ZAZ, që janë zona të administrimit zgjedhor dhe aspak të barabarta midis tyre. Rruga për të arritur në këtë përfundim është e çuditshme dhe, për  rrjedhojë përfundimi për fitoren hipotetike të PS është krejtësisht i gabuar. Ndërkohë që debati për sistemin mazhoritar është tanimë i bërë. 
Strategjistët dhe takticientët

Së fundmi flitet për humbjet në 2005 dhe 2009. Në të dyja rastet humbja e PSSH ka ardhur nga të dy faktorët i) përçarja PS–LSI dhe ii) mos efikasiteti i koalicionit të drejtuar nga PS. Për 2005 rekomandoj të lexohet intervista e Ramës në 2005. Kurse për 2009 po e njëjta intervistë se janë të njëjtat arsye. Dhe thjesht për dijeni të publikut strategjisti edhe në 2005 edhe në 2009 ka qenë një ekspert i huaj, por nuk është faji i tij që PS dhe LSI nuk u morën vesh etj., etj...

Ky ishte një artikull që e kisha përgatitur më parë (për ta botuar në një kohë të përshtatshme më të ftohtë për analiza) ndërkohë që hyrjen m’u desh ta modifikoja në funksion të një “sulmi të ri fajësimi” që iu bë sistemit para dy ditëve. Në vijim të shpjegimeve që ndihmojnë për të kuptuar përse PS është në opozitë (ky arsyetim nuk e pengon aspak betejën e PS për të evidentuar të gjithë mangësitë apo parregullsitë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009) po jap një këndvështrim tjetër që ndihmon për të kuptuar “pafajësinë” e sistemit zgjedhor dhe çfarë duhet të përmirësojë PS në të ardhmen. Përndryshe nëse PS do të mbetej në kurthin e “fajësisë” së sistemit, ky do të ishte një argument i fuqishëm për PD për të mos e ndryshuar sistemin.  

Pjesëmarrja në votime, e Majta, e Djathta, Qeveria dhe Opozita....

Në zgjedhjet e 28 qershorit është arritur pjesëmarrje rekord me mbi 1.5 milion votues dhe kjo shënon një rritje me rreth 153 mijë votues krahasuar me zgjedhjet e vitit 2005. E majta parlamentare, pra aleanca e drejtuar nga PSSH plus aleanca e drejtuar nga LSI, pavarësisht se nuk dolën bashkë në zgjedhje apo nuk formuan koalicion pas zgjedhjeve, mund të supozohet se në shumicë kanë marrë vota të majta, prandaj po e definoj e “majta kuvendore”. Ato, kanë grumbulluar rreth 773 mijë vota, ndërkohë që e “djathta kuvendore” e përfaqësuar nga aleanca e drejtuar nga PD, ka grumbulluar rreth 713 mijë vota, duke qenë rreth 60 mijë vota më pak se e majta kuvendore. Kurse në një kombinim tjetër, dy aleancat që kanë krijuar Qeverinë aktuale, APN e drejtuar nga PD dhe ASI e drejtuar nga LSI kanë së bashku rreth 798 mijë vota, duke qenë rreth 108 mijë vota mbi opozitën kuvendore (që mbetet vetëm aleanca Bashkimi për Ndryshim i drejtuar nga PSSH). Dy aleancat kryesore në Kuvend, APN dhe BPN duke pasur vetëm një diferencë rreth 24 mijë vota në favor të aleancës së djathtë, është pikërisht aleanca ASI e drejtuar nga LSI me rreth 84 mijë vota, që vendos në cilin krah do të peshonte maxhoranca qeverisëse, në vota dhe mandate.

Performanca e aleatëve të PS dhe PD...

Suksesi elektoral u përcaktua në këto zgjedhje edhe nga maksimalizimi i votave përmes aleatëve në koalicionet e drejtuara nga PS e PD. Aleatët e PS sollën në koalicion rreth 68 mijë vota, ndërkohë që aleatët e PD sollën rreth 102 mijë, pra rreth 34  mijë vota më shumë, që përafërsisht mund të përkthehen në tre mandate, që përbën edhe diferencën në mandate midis dy koalicioneve APN dhe BPN. Ndërkohë aleatët i sollën LSI vetëm rreth 11 mijë vota. Shihet qartë që aleatët e PD kanë sjellë rreth 1.5 herë më shumë vota në koalicionin APN sesa sollën aleatët e PS në koalicionin BPN. 

Vetëm në tre qarqe aleatët e PS sollën më shumë vota se aleatët e PD...

Nga 12 qarqe vetëm në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër aleatët e PS sollën më shumë vota sesa aleatët e PD. 

Në Gjirokastër aleatët e PS arritën të grumbullojnë rreth 2700 vota më shumë sesa aleatët e PD. Kjo i dedikohet faktit që në koalicion me PS ishte PBDNJ, e cila grumbulloi në këtë qark rreth 2600 vota, aq sa është edhe diferenca me aleatët e PD.

Në Kukës aleatët e PS sollën rreth 4900 vota, ndërkohë që aleatët e PD sollën rreth 2800 vota, pra rreth 2000 vota më shumë sollën aleatët e PS. Duhet patur parasysh se në këtë qark PSD kishte një kandidat nga biznesi, i cili mori rreth 4470 vota dhe kjo shpjegon përse aleatët e PS ishin më të suksesshëm se aleatët e PD, ndërkohë që performanca e PS në këtë qark ishte larg objektivit dhe bile në regres me vitin 2005 me rreth 4700 vota. Duhet sqaruar nëse futja e një biznesmeni nga PSD shkaktoi me sa duket vetëm një lëvizje të socialistëve në enën komunikuese PSSH-PSD dhe jo zgjerim të “thesit” të votave të majta. Një analizë në nivel mikro do të sqaronte më mirë çfarë ka ndodhur në këtë rast.

Në Vlorë aleatët e PS arritën të grumbullojnë rreth 1500 vota më shumë sesa aleatët e PD. Edhe në këtë qark ky sukses i dedikohet PBDNJ, e cila ka grumbulluar në këtë qark rreth 6070 vota, pa të cilat aleatët e PS do të kishin rreth 4500 vota më pak se ata të PD. Aleati PDI i PD nuk arriti të baraspeshonte PBDNJ në këtë qark.
Një konkluzion i thjeshtë nxirret nga analiza: PS ka qenë e suksesshme në këto qarqe përsa i përket parametrit të ndërtimit të koalicionit i) nga ndërtimi i koalicionit me PBDNJ dhe ii) nga kandidimi në listat e aleatëve e një biznesmeni (ky rast duhet analizuar më thellë se është më kompleks).

Në 9 qarqe aleatët e PD kanë qenë më të suksesshëm sesa aleatët e PS...

Në 8 qarqe aleatët e PD kanë grumbulluar në mënyrë të dukshme më shumë vota sesa aleatët e PS, ndërkohë që në Berat diferenca prej 79 votave është e papërfillshme. Në këto 9 qarqe aleatët e PD kanë grumbulluar mbi 40 mijë vota sesa aleatët e PS. Më pak vota aleatët e PS kanë grumbulluar në Dibër (rreth 1400 vota) dhe Durrës (rreth 2800 vota). Konkretisht sipas qarqeve situata është si më poshtë:
Në Fier aleatët e PD kanë arritur vlerën rekord duke grumbulluar rreth 8900 vota më shumë sesa aleatët e PS. Kjo ka ardhur nga suksesi i dy partive i) i PDI, partisë së çamëve, e cila ka grumbulluar rreth 4700 vota dhe e PR, e cila ka grumbulluar rreth 3800 vota, të dyja gjithsej 8500 vota. Ndërkohë që të gjithë aleatët e PS kanë grumbulluar gjithsej rreth 6000 vota.

Në Elbasan performanca e aleatëve të PD është dy herë më e lartë sesa e atyre të PS. Aleatët e PD kanë grumbulluar rreth 6500 vota më shumë sesa aleatët e PS, të cilët kanë grumbulluar gjithsej 5600 vota. Kjo ka ardhur kryesisht nga performanca e PR, PAA dhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat.

Tirana është qarku i tretë në renditjen sipas performancës ku aleatët e PD kanë grumbulluar rreth 5800 vota më shumë sesa aleatët e PS. Vetëm PR ka grumbulluar rreth 6100 vota duke arritur të jetë partia aleate me rezultatin më të lartë dhe mundësuar marrjen e një mandati.

Në qarqet Durrës, Dibër, Shkodër dhe Lezhë aleatët e PD kanë marrë rreth 4100-5100 vota më shumë sesa aleatët e PS.
“Thërrimet elektorale” të partive jashtëparlamentare vendimtare për fitoren e PD

Është për të shënuar se aleatët e PD që nuk ishin në kuvendin e mëparshëm kanë arritur secila të grumbullojë “thërrime elektorale”, por duke qenë në numër të madh, 11 parti të vogla, ndikimi i tyre ka qenë vendimtar në fitoren e PD.

Në Tiranë 11 parti të vogla aleate të PD kanë grumbulluar mbi 7200 vota dhe kjo ka qenë vendimtare për fitimin e një mandati më shumë nga aleanca e PD. Dihet që në Tiranë aleanca e drejtuar nga PD grumbulloi vetëm 4357 vota më shumë sesa aleanca e drejtuar nga PS dhe kjo përmbysje rezultati mund t’i dedikohet 7200 votave (“thërrimeve elektorale”) të grumbulluar nga 11 partitë e vogla aleate të PD. Pra, në Tiranë një mandat i dedikohet vetëm aleatëve të vegjël që në sesionin 2005-2009 nuk ishin në Kuvend.

Në Vlorë 11 parti që nuk ishin në Kuvend gjatë viteve 2005-2009 kanë grumbulluar rreth 7000 vota, duke ndikuar në pengimin e PS për të fituar mandatin e tetë dhe kaluar nga diferenca 7 me 5 në diferencën 8 me 4 midis dy aleancave.

Aleatët e vegjël jashtëparlamentarë të PD kanë grumbulluar gjithsej në të 12 qarqet rreth 50 mijë vota, ose afërsisht kontributi i tyre ka qenë i barabartë për 4-5 mandate, duke zhvendosur balancën nga APN=70 e BPN=66 mandate në APN=65-66  mandate dhe BPN=70-71 mandate. Përfundimi është i qartë: vetëm nga 11 aleatët e “parëndësishëm” mund të thuhet se PD është forca e parë me të drejtën kushtetuese për të negociuar qeverinë e koalicionit. Ky do të ishte një këndvështrim tjetër i analizës së rezultatit të zgjedhjeve.

Një “leksion” numerik dhe politik për të ardhmen...

Këto janë tregues të rëndësishëm për të kuptuar përse PSSH është forcë opozitare, përse PD arriti të fitonte të drejtën kushtetuese për të formuar qeverinë. Dhe përse LSI u kthye në “king maker” (faktor përcaktues) për përcaktimin e maxhorancës përcaktuese. Por mbi të gjitha, këto shifra janë të rëndësishme  për të gjykuar mbi sfidën e përballjes Qeveri-Opozitë në zgjedhjet e ardhshme vendore (nëse kjo përballje do të ndodhë? Me shumë gjasa duket se do të ndodhë...). Dhe akoma më shumë për të ndërtuar platformën e fitores në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Kjo në planin thjesht numerik, që është vetëm një plan i vlerësimit politik të situatës. Kurse në planin politik, situata natyrisht do të ishte më komplekse dhe nga eksperiencat e viteve 2005 dhe 2009 përfundimisht del mësimi se nuk mund të ketë sukses elektoral të së majtës (kam parasysh këtu elektoratin e majtë) i) pa integrimin e të gjithë socialistëve pa përjashtim (larg frymës së përjashtimeve e relativizmit) në një shtëpi të përbashkët që të perceptohej nga votuesit e saj me identitet të qartë social-demokrat, 2) pa afruar realisht aleatët e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe integruar ata në një projekt bashkimi efikas, por edhe 3) pa gjetur një mekanizëm sinteze me të gjithë të majtët, përfshi veçanërisht LSI nëse do të vazhdojë të ruajë të njëjtin pozicion në spektrin e majtë politik dhe 4) pse jo edhe aleatë, që në mënyrë pragmatike do të bashkoheshin për të ndryshuar sensin e maxhorancës aktuale. E majta mund të fitojë vetëm e bashkuar dhe me frymë kolegjiale e realizuar në tri rrathë a) identitet e sinteze e brendshme, b) integrim (bashkim i së majtës) dhe c) pragmatizëm (ftesë për të gjithë me përjashtim të PD në një front ndryshimi)...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama