Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fitorja e parë e LSI

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Fitorja e parë e LSI

Dalja e parë e dy ish-kryeministrave Berisha dhe Meta, në rolin e partnerëve në qeverinë e re, shënoi disa momente interesantë, që meritojnë vëmendje jo thjesht për pazakontësinë e çiftit në fjalë. Për shkak të kësaj pazakontësie, d.m.th përfshirjes së një partie të konsideruar deri para zgjedhjeve si parti e majtë (jo e qendrës së majtë, por e majtë), në një koalicion me të djathtën, kreu i LSI-së, Meta, rikonfirmoi me forcë qenien e tij socialiste, ndërsa shpotiste Edi Ramën, kryetarin e PS-së. Me shpotitje për rivalin e tij vijoi dhe kreu i PD-së, Berisha, në një vepër diversive jo aq të zakontë për një ceremoni nënshkrimi marrëveshjeje për një koalicion qeverisës.
Por dalja e para dy ditëve e Metës me Berishën nuk ishte vetëm kaq - përpjekje për të nxitur vëmendjen e opinionit publik në zhvillimet brenda Partisë Socialiste.

Ajo shënoi njëlloj fitore të parë të Metës në bashkëjetesën me Berishën, që nëse nisesh nga shkëlqimi i syve të palëve, nga shpejtësia me të cilën harmonizonin pardje mesazhet verbale, por dhe më parë, nga optimizmi që kanë shfaqur dhe para se të dilnin bashkë para kamerave, nga përmbajtja e marrëveshjes, nga pragmatizmi shembullor dhe unikal i Berishës, duket se do të jetë një bashkëjetesë e gjatë. Dy figurat politike që kanë patur mes tyre momente të rënda dhe distensioni, u dukën se janë të lumtur që rigjetën njëri-tjetrin. Por pse themi se përmbajtja e marrëveshjes dhe mesazhet e takimit të djeshëm shënuan një fitore taktike të Metës?

Takimi i djeshëm vetëm shpalli rezultatet e negociatave midis Berishës dhe Metës të zhvilluara kush e di se ku, apo dhe nëpërmjet telefonatave. Praktikisht dalja e përbashkët e dy liderëve pati si mesazhin e vet më të rëndësishëm përfitimet e LSI nga koalicioni me PD. Dhe që janë shumë nëse nisemi nga përmasat e grupit parlamentar të LSI-së, apo dhe numri i votave në nivel absolut. Diçka më shumë se 20% i kabinetit, diçka më shumë se 25% i zëvendësministrave, 20% të përbërjes së administratës politike, drejtimi i një sërë entesh publike, pavarësisht garancive se nuk do të prekeshin anëtarët e shërbimit civil, nuk janë pak në planin numerik. Është e tepërt të përmendësh rëndësinë e tre ministrive të marra nga LSI-ja nga shumë pikëpamje-fondeve, vendeve të punës që disponojnë apo prestigjit, siç është Ministria e Jashtme.

 Por mbi të gjitha LSI-ja mori saktësisht atë që donte, në pikëpamje të emërtesës së dikastereve, asgjë më shumë, asgjë më pak. Edhe marrja e prefektëve në dy qarqe të dominuara nga e majta, dhe ku LSI-ja ka numër të madh votuesish si Fieri dhe Berati, nuk janë pak në pikëpamje të ndërtimit të një strategjie rritjeje elektorale që nis nga punësimi i mbështetësve, zgjerimi i numrit të tyre, fitimi i një pozite kushtëzuese në zhvillimet jo thjesht urbane të atyre qarqeve. Nuk janë pak as angazhimet e PD-së ndaj LSI-së, në planin politik. Angazhimi për ndryshimet kushtetuese, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, si dhe angazhime të tjera programore të LSI-së, janë një kartë në favor të LSI-së, që, duhet të tregonte para publikut njëlloj koherence në raport me zotimet e fushatës përkundër inkoherencës që ajo dëfteu në zgjedhjen e aleancës.

Por jo vetëm kaq...

Takimi Meta-Berisha ishte gjithashtu fitore taktike e LSI-së, jo thjesht për fatin se negociatat e PD-së me simotrat publikisht nisin me këtë parti, që realisht përfaqëson aleatin më të madh të PD-së në pushtet. E ashtuquajtura kartë e transparencës që u luajt nëpërmjet leximit të marrëveshjes dhe shpalljes solemne të angazhimeve të saj, dukej diçka e imponuar nga Ilir Meta. Me siguri kreu i LSI-së ka kërkuar që këto detyrime tashmë, veçanërisht në planin e madhësisë së fetës së pushtetit destinuar LSI-së, të shpalleshin në mënyrë solemne pikërisht tani. Një shpallje e tillë do të qetësojë mbështetësit e LSI-së në të gjithë nivelet, megjithëse duke i futur ata në një garë për të zënë vendet që do t’u vihen në dispozicion prej PD-së, qoftë duke larguar njerëzit e saj, qoftë duke larguar të tjerë. Kjo shpallje do të moderojë skrupujt e atyre që mund të mos jenë ndjerë mirë nga aleanca e panatyrshme e LSI-së, me Berishën.

Të gjithë këto avantazhe taktike të LSI-së, shfaqura në takimin e fundit Berisha–Meta, dëftejnë se praktikisht ndaç ballë për ballë, ndaç në forma të tjera, Meta ka diktuar në negociatat me Berishën. Pra, ai duket se ka marrë praktikisht çfarë ka dashur dhe duket e çuditshme pse s’ka kërkuar pak më shumë. Koncesione të tilla për partinë e Metës nisur nga përmasa e tyre, janë në një farë mënyre në dëm të PD-së, por duket se kemi mbërritur në një fazë të tillë, ku Berishës i intereson më shumë vetja në pushtet, sesa mbrojtja e të gjitha interesave të partisë së vet. D.m.th, në emër të këtij përfitimi personal dhe shmangies së rreziqeve personale nëse do të ikte nga pushteti, ai ka sakrifikuar pa asnjë lloj problemi, dikastere dhe njerëz të afërt të tij relativisht të suksesshëm në krye të tyre, ashtu si dhe ka toleruar humbjen e vendeve kyç të punës për militantët e vet në nivele të ndryshme të administratës.

Ai ka arritur sërish të dalë mbi ujë elektoralisht pas shumë skandaleve apo tragjedive si e Gërdecit pikërisht prej mbështetjes jetike të LSI-së, e cila jo thjesht i krijon një mazhorancë të qëndrueshme për katër vjet. Aleanca me LSI-në synon të përmirësojë dhe më imazhin ndërkombëtar të Berishës, si njeri i hapur për koalicione dhe me armiq të vet, ndaj Berishës i ka pëlqyer shumë ta ketë Metën në ministri të Jashtme dhe zëvendës të vetin.

Përmasa e fetës së pushtetit që u rezervua për LSI-në, tregon sesa e pamëshirshme është lufta për pushtet. Nuk dihet se ç’ka kërkuar Meta në negociatat e hershme me PS-në, po sigurisht mendja të shkon në skenarin alternativ: sikur PS-ja t’i garantonte LSI-së një pjesë të kësaj fete pushteti, ndoshta në krah të Metës mund të ishte Rama... Ashtu siç mund të mendosh skenarë të tjerë alternativë: po sikur Meta të kishte ndejtur me të majtën duke imponuar largimin e Ramës, a mund të ishte ai në vend të Berishës? Politika e pamëshirshme reale megjithatë nuk ka sikur-e.

Ndërkohë dhe diçka tjetër. Avantazhet e LSI-së që u verifikuan në takimin e fundit midis dy kryeministrave, janë me natyrë taktike. Avantazhet taktike nuk përkthehen gjithnjë në rezultate strategjike: a do të sjellin ato në rikonfirmim të LSI-së në pushtet, kjo mbetet për t’u parë. Do kemi dobësim të peshës elektorale të LSI-së si pasojë e inkoherencës në aleanca, apo rikonfirmim të kësaj peshe dhe rritje eventuale? Historia e partive të përmasave të ngjashme me LSI-në që i janë afruar partive të mëdha flet për zvogëlim të peshës së këtyre partive. Po sigurisht Meta nuk është si gjithë të tjerët....

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama