Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Loja luftash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Loja luftash

Që humbja e zgjedhjeve nga Partia Socialiste ishte një dramë e madhe, kjo është e vërtetë, por puna tani është të mos bëhemi karagjozë. Plot katër vjet rresht luajtëm luftash me njëri-tjetrin, bëmë zgjedhje partie në bazë e mbi bazë, zgjedhje për asamblenë, për kongresin, zgjedhje për kryetarët e organizatave, të njësive vendore, e plot të tjera. Fletë votimi, komisione, rregulla, kontrolle, të deleguar (unë vetë kam qenë i deleguar në një komunë të Gramshit dhe në Pogradec).

Pasi luajtëm e u stërvitëm katër vjet luftash me njëri-tjetrin, ditën që erdhi beteja e vërtetë, humbëm. Tani që luftën prej vërteti e humbëm, që të mos mbetemi pa punë, fillojmë të luajmë prapë luftash me njëri-tjetrin, duke sajuar prapë zgjedhje brenda partisë. Katër vjet rresht prita që kryetari im të dilte në debat e ta bënte copë Saliun. Pasi e pritëm të dilte e t‘i numëronte dhëmbët Saliut dhe nuk doli, tani del të bëjë debat me Maqon!!!. Prapë luajmë luftash me njëri-tjetrin.

Si të mos mjaftojnë këto, tani do luajmë edhe bojkotash. Ne do bëjmë sikur s‘do hyjmë, ju do bëni sikur s‘na qasni, ata do bëjnë sikur na luten. Vetëm kujdes se mos gërvishtet njeri, megjithëse po luajmë me shpata druri.

Shokë të mi deputetë, që s‘jeni bërë ende deputetë, a doni vërtet t‘i vini kushte Saliut për të hyrë në Parlament? Nëse po, kushte që u hyjnë në punë njerëzve janë kushtet për reformat. Kusht është t‘i thoni Saliut që ne socialistët s‘hyjmë në Parlament nëse nuk ndalen privatizimet familjare të atyre pak copërave që kanë mbetur ende pa u privatizuar në këtë vend. Ne socialistët nuk hyjmë në Parlament, nëse nuk ulemi të zgjidhim njëherë e mirë reformën e pronave. Nëse nuk bëjmë një pakt palësh për ndalimin e shkatërrimit të mjedisit; nëse nuk ndalim ndërtimet pa leje me pakt të përbashkët; nëse nuk ndalim shkatërrimin e tokës bujqësore, se toka s‘është as socialiste e as demokrate, por shqiptare. Ne socialistët nuk hyjmë në Parlament, nëse nuk bëjmë një pakt të përbashkët për të reformuar gjyqësorin që është shndërruar nga vendi ku zgjidhen hallet, në vendin ku fillojnë hallet e njerëzve.

Këto e ca të tjera si këto janë kushte bojkoti prej vërteti që u duhen shqiptarëve dhe jo filmi i kutisë së Fierit apo komisioni i komisionit. Nëse pastaj ju mendoni se çështjen e shkatërrimit të mjedisit do ta zgjidhë Fatmir Mediu; tokën bujqësore do ta shpëtojë Genc Ruli dhe hallin e gjyqësorit do ta zgjidhë Nishani, ndërsa ju do rini prapa derës të bëni kotbojkot me shpata druri, ahere vazhdoni djema, vetëm se do ngjani si atëherë kur, për 45 vjet luajtëm luftash me njëri-tjetrin, duke pritur ditën kur do bënim copë imperializmin në luftën e vërtetë. Mirëpo, desh Zoti, që imperializmi as që na e vërshëlleu, se kush e di si do na kish vajtur halli.

QEVERIA

E patë qeverinë e re? Besoj se po, dhe besoj se edhe analizat për përbërjen, tendencat, skenat e prapaskenat e saj, ju kanë ardhur në majë të hundës, ndaj s‘po i bie fare asaj ane. Tjetër gjë dua t‘u them. Midis atyre 15 burrave që kishte mbledhur Saliu përreth, mbi gjysmën syresh, në kohë të ndryshme, ai i kish pasur armiq të betuar e për kokë. Dhe tani, pikërisht ai që kemi 15 vjet që i themi se s‘kthen nga e tija, i gëlltiti të gjitha dhe i bëri ministra. Ndërsa ne, ne socialistët që me këto zgjedhje do bënim bashkimin e madh, e s‘e bëmë dot se u shkoqëm kashtë e koqe.

Për ca prej atyre të 15-ve që u bënë ministra, në këta vjet unë mund të kem shkrojtur kushedi sa artikuj, ku herë i kam sharë e herë i kam denoncuar, herë të tjera i kam kërdisur e s‘u kam lënë llaf pa thënë. Si unë edhe shumë të tjerë shkrojtës, analistë e gazetarë. Dy prej tyre, për shkrimet që u kam bërë më kanë hapur gjyq e me njërin jam akoma në gjyq. Mirëpo, midis atyre të pesëmbëdhjetëve, nuk gjeni asnjë që Saliu ta ketë marrë dje nga rruga e ta ketë bërë sot ministër a deputet. Të gjithë kanë kush 5, kush 10 e kush edhe 18 vjet, që i shërben Partisë së tyre, që i bëjnë hyzmetin punës së vet, që kanë ngjitur një nga një me durim shkallët e karrierës politike, pavarësisht se sa jemi dakord a kundër me ato që kanë bërë e thënë.

Po ne, ne le që bashkimin s‘e bëmë dot, por i mbushëm listat me njerëz që, edhe në qofshin djem e vajza të mira, këtë ua di vetëm mami dhe babi, se tjatër njeri s‘i njihte. Ndonja dy muaj para zgjedhjeve, del në një debat televiziv një vajzë që drejtuesi i emisionit e prezantoi si përfaqësuese të Partisë Socialiste. E shihja për herë të parë. I dërgoj një mesazh dikujt në parti që të më thosh se kush ish kjo, pastaj edhe një tjetër mesazh, dhe një tjetër. Në fund, u dërgova mesazhe dhjetë vetëve dhe askush s‘e njihte dhe ndërkaq më erdhën mesazhe edhe nga nja dhjetë të tjerë që më pyesnin mua se mos e njihja dhe në fund, askush s‘e mori vesh se nga vinte kjo vajza.

LIMUZINA XHAME-HAPUR

Limuzina nuk është makinë, është status. Makina shërben për të çuar njerëzit nga një vend në tjetrin, ndërsa limuzina bën të njëjtën punë, por jo për njerëzit e zakonshëm, por për të mëdhenjtë e botës. Vdektarët përdorin makina të mëdha a të vogla, të lira a të shtrenjta, sipas xhepit e ekonomisë që kanë, por jo limuzina. Limuzina jo vetëm që është e shtrenjtë sa s‘ka më, por ka edhe një tjetër veçanti. I ka xhamat e zinj. Kjo është bërë se ata që janë brenda, presidentë, sheikë a miliarderë, mbretër, princër a biznesmenë, kravata të zeza apo dekolte të bollshme, përgjithësisht nuk duan që t‘i shohë njeri e të fusë hundët në punët e tyre. Më thotë mëndja se, megjithëse në dyert e limuzinës është butoni që i ul e i ngre xhamat, zor se u bie radha që të përdoren. Se ja si mejtoni, a mund të ketë arsye ai sheiku a Presidenti që është ulur brenda, në ajër të kondicionuar, prapa xhameve të errëta, që ta hapë xhamin e t‘i hyjë brenda pluhuri era e keqe dhe, veç këtyre, ta shohë edhe gjithë dynjaja e ta marrë inat. Megjithatë, ndoshta butonin e xhamit e kanë lënë për ndonjë rast emergjence, në ka hyrë brenda ndonjë mizë apo nëse afendikoi ka shkuar më ndonjë vend të veçuar jashtë qytetit dhe ul xhamat që në vetmi të shijojë bukuritë e natyrës.

Kohët e fundit edhe në Tiranë janë shfaqur nja dy a tri limuzina. Rrinë në bulevard të parkuara rresht, në pritje që ndonjë zengjin i ri që martohet të bëjë me to ndonjë xhiro poshtë e përpjetë bulevardit. Ca ditë të shkuara, shoh njërën syresh të bënte varavingo bulevardit Skënderbe-Universitet. Kur më kalon përkrah, shoh që i ka xhamat të gjithë të ulur. Brenda qëndrojnë ca fytyra djemsh ca me tuta e ca me varëse. Po janë edhe nja dy a tri vajza edhe ato veshura pak a shumë njëlloj. Si të mos mjaftojë që kanë hapur xhamat, janë afruar sa më jashtë dritareve për t‘u dukur sa më shumë, duke duruar erën që u fryn e u shpupurit flokët. Që zëri i manjetofonit të limuzinës ishte në kupë të qiellit, besoj se ua ka marrë mëndja vetë, pa ua thënë unë.

Kishin bërë ca para, dreqi e di se si, është punë e tyre. Duhej t‘ia tregonin botës këtë fakt dhe, në Tiranë paratë nuk tregohen duke shkuar në teatër dhe afirmimi në shoqëri nuk vjen duke shkuar në bibliotekë, por duke bredhur me limuzinë xhame-hapur, paçka se ajo e shkretë është bërë që t‘i mbajë xhamat mbyllur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama