Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Minoritare si partnere opozitare

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Minoritare si partnere opozitare

Sherri i ditëve të fundit, mes krerëve politikë të pakicës greke në Shqipëri, nuk është thjesht një përplasje provincialësh. Shumëkush, me mendje të qetë në minoritet, e sheh këtë si rrjedhojë të një dasie të filluar herët në udhëheqësinë e lartë të dy organizatave politike, ndonëse njëra parti (PBDNJ) dhe tjetra shoqatë (OMONIA). Kjo dasi e ardhur për motive të ndryshme dhe nga një gjendje dekredibilizuese brenda udhëheqësisë, mesa duket u shfaq flagrante gjatë dhe sidomos pas 28 qershorit, datës së zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Nuk janë thjesht diferencat në qëndrimet politike që dallojnë kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, nga kryesuesi i OMONIA-s, Vasil Bollano. Në dukje të parë, ata vijojnë të shfaqen solidarë dhe të mirëmarrëveshur, secili në pozicionin e vet.

Problemet në të vërtetë janë shfaqur dhe mbeten matanë, në çështje dhe interesa të pazgjidhura minoritarësh dhe grekësish. Njëherazi këto probleme zbulohen rishtazi, mes tyre dhe krerëve të tjerë të zgjedhur në të dyja njësitë politike ose edhe në raport me pushtetin qendror politik të vendit.

Kur Vangjel Dule vijoi mbështetjen konsistente të opozitës socialiste të kryesuar prej Edi Ramës, kryeomonisti Bollano, edhe pse i shumëshfaqur si partner i përkëdhelur i Kryeministrit Berisha, kurrë nuk shprehu opinion e qëndrim oponent. Mes tyre vijoi sjellja klasike, ndonëse Bollano duke përdorur deklarimet separato-nacionaliste, të pretendonte afirmimin si zë prioritar dhe monopërfaqësues të linjës nacionaliste të minoritetit grek, edhe pse rezidencën dhe pushtetin më të madh e mbante nën kostumin e kryebashkiakut të një njësie me shumë grekësidashës. Në këtë pistë afirmimi, pak kohë më vonë u përfshi edhe ish-prefekti i Gjirokastrës, njëherësh drejtues i lartë i OMONIA-s, tashmë deputet dhe ministër i Partisë Demokratike, zoti Spiro Ksera. Madje sjellja e këtyre dy protagonistëve politikë të minoritetit, në katër vjetëshin e fundit, krijoi për një moment përshtypjen se minoriteti po kryente promovime të reja në elitën e vet politike. Për këtë arsye, diferenca mes zotit Ksera dhe zotit Dule, në një farë kuptimi prej shumëkujt që njeh historinë politike postkomuniste të minoritetit, ngjante si një reminishencë me dasinë e dikurshme antagoniste mes zotit Dule dhe deputetit socialist minoritar, Vangjel Tavo. Fushata zgjedhore e 28 qershorit 2009 riktheu në minoritet polemika dhe replikime politike mes zotit Dule dhe zotit Ksera, të ngjashme me ato të zgjedhjeve në 2001, 2003, 2005 etj., por ato nuk u ngritën në një akt konfliktual, siç po ngjet këto ditë.

Tashmë gjendja në marrëdhëniet e kësaj udhëheqësie të mpleksur në diversitet dhe dasi përfaqësuesish, duket se agravohet në varësi edhe të zhvillimeve politike në skenën e Athinës dhe sidomos në këtë tonën, në Tiranë.

Organizimi i mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të OMONIA-s nën drejtimin e nënkryetarit të OMONIA-s, zotit Ksera, njëherësh ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, sekretarit të Përgjithshëm të shkarkuar prej zotit Dule, pra zotit Thoma Miço, apo edhe të ish-ministrit Kosta Barka, duke shpërfillur dyshen Dule-Bollano, befas krijon një kontekst të ri tensioni në kryesimin e minoritetit, por edhe në relacionet mes dy grupe mbështetësish të Kryeministrit Berisha. Tashmë zotërinjtë Ksera, Barka dhe Miço janë emra të njohur në nivele të ndryshme të administratës, por edhe si mbështetës të linjës për një koalicion me Kryeministrin Berisha, opsion që kryetari i PBDNJ-së, zoti Dule, e ka refuzuar në mënyrë të përsëritshme. Ndërsa kreu omonist ka zgjedhur një heshtje konformiste. Akti i treshes pro-Berishë ka riaktivizuar solidaritetin mes dy të ndryshmëve Dule-Bollano. Deklarata denoncuese e kryeomonistit Bollano se "ai ishte akt i një bande qeverisësish…" duket se siluron indirekt edhe vetë Kryeministrin Berisha, i cili këtë zhurmë minoritarësh e njeh si lajm vetëm mediatikisht, për shkak të udhëtimit në SHBA.

Sidoqoftë, ky sherr minoritarësh nuk është thjesht një zënkë radhe e as një marrëdhënie e njohur përfaqësuesish politikë të minoritetit.

Linja zyrtare e njësive politike të minoritetit grek është vendosur në aleancë me opozitën zyrtare të vendit. Kjo linjë, ndonëse ka pasuar diversitet dhe dekredibilitet në bazë, te qytetarët e kësaj pakice etnike, në një farë mënyre, po lexohet si rrjedhojë e një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë interesi mes pushtetit qendror politik dhe përfaqësuesve të ofertuar të minoritetit. Kjo zgjedhje e ka bërë të pashmangshëm diversitetin minoritar, por njëkohësisht edhe ka krijuar premisën për një ndërhyrje të afërt të politikës zyrtare të Athinës.

Greqia këto ditë është në kulmin e fushatës së vet zgjedhore dhe protagonistët që po zhvillojnë një fushatë intensive në rrethana të një krize polivalente, u janë adresuar emigrantëve dhe atyre që ata i quajnë homogjenë, pra minoritarëve grekë që kanë vatrat në Shqipëri, ndryshe nga turret e këtyre 20 viteve të fundit, në një kontratë të re. Statusi i tyre në Greqi për shumë arsye dhe rrethana ka ndryshuar. Kjo e bën edhe më preventive influencën e politikës zyrtare greke në minoritetin grek në Shqipëri. Parashikimet brenda dhe jashtë Greqie flasin për ardhje të pashmangshme në pushtet të PASOK-ut të kryesuar nga socialisti Jorgos Papandreu. Ky rrotacion, sipas parashikimeve, e bën edhe më të justifikuar qëndrimin prej opozitari të Vangjel Dules, ndonëse popullariteti i tij në parti dhe në komunitetin e kësaj pakice ka pësuar rënie. Në këtë fqinjësi qëndrimi politik, duket se ka preferuar të mbetet edhe kryesuesi i OMONIA-s, Bollano, ndonëse për shumë arsye ai nuk do të arrijë në artikulim publik të tij. Deri tani, Bollano është afishuar, madje edhe në kulmin e fushatës elektorale, si partner i Kryeministrit Berisha jo vetëm në Himarë, por për llogari të përfaqësimit të pakicës greke në kontekstin bilateral greko-shqiptar. Në situatën e rrotacionit të afërt politik në Athinë, Bollano kurrsesi nuk mund ta ketë më vlerën e kontributorit apo të kallauzit që mund të vlejë në kontaktet dhe dialogimin mes qeverisë së re të Athinës dhe qeverisë së riformuluar të Kryeministrit Berisha. Për këtë arsye, dhe sidomos për shkak të rrethanave të pritshme në skenën politike të vendit dhe në atë të shtetit fqinj, kryeminoritarët zyrtarë janë partnerë opozitarë me Kryeministrin Berisha.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama