Ndërkohë, vlen të analizohet se si do të ndikonin këta faktorë në një qeverisje të ardhshme të së djathtës, në rast se ajo do t'i fitonte zgjedhjet. Një analizë e tillë mund t'i vlejë në veçanti votuesve të lëkundur që anojnë nga e djathta, por që, për shkak të rezervave që kanë ndaj udhëheqësit të PD-së, e kanë të vështirë të votojnë për koalicionin e udhëhequr nga ajo. Duke gjykuar nga struktura aktuale e së djathës shqiptare, mund të konstatohet se gjasat janë të mëdha që qeveria e krijuar prej saj (pas një fitoreje të mundshme) të jetë një qeveri koalicioni e të gjithë forcave që e përbëjnë atë. Dhe do të ishte e natyrshme që ministrat dhe zv. ministrat e një qeverie të tillë të përzgjidheshin nga udhëheqja tradicionale e PD-së, KOP-i, të rikthyerit në PD, LZHK-ja, dhe partitë e vogla të djathta. Ndërsa në qoftë se LZHK-ja do të arrinte të krijonte një grup relativisht të madh parlamentar (p.sh., prej 10 deputetësh), dhe në qoftë se votat e saj do të ishin të domosdoshme për krijimin e qeverisë, është më se normale të mendohet se ajo do të kërkonte që qeveria të kryesohej nga çdo udhëheqës tjetër i PD-së përveç Berishës. Po të konsiderohet si i mirëqënë krijimi pas zgjedhjeve i një qeverie të tillë, pyetja që lind natyrshëm pas këtij presupozimi është se sa efektive do të ishte ajo. Që një ekip qeveritar të jetë efektiv në një republikë parlamentare, duhet të jetë i përbërë nga njerëz të dedikuar për zhvillimin e vendit, të aftë për të drejtuar dhe, ç'është më e rëndësishme, të mbështetur fuqimisht nga forcat parlamentare që i kanë propozuar. Ndër kandidatët e mundshëm të së djathtës për ministra e zv. ministra spikasin politikanë të afrimuar tashmë, si dhe teknicienë të aftë që janë futur rishtas në politikë. Pa i numëruar një për një të gjithë ata, mund të thuhet pa frikë se koalicioni i djathtë do të jetë në gjendje të nxjerrë një ekip prej 45-50 ministrash e zv. ministrash të dedikuar e të aftë, ndër të cilët, disa nuk do të jenë ushtarë të bindur të Berishës. Dhe do të jetë pikërisht prezenca e këtyre të fundit në ekipin qeverisës që do të vërë në dyshim mbështetjen e fuqishme parlamentare ndaj tij; mbështetje kjo që përbën kushtin e domosdoshëm për një qeverisje efektive në një republikë si e jona. Berisha, i privuar nga ëndrra për të qënë në krye të qeverisë, ta do mendja se do të përpiqet të dominojë qeverisjen nga pozicioni i kryetarit të shumicës paralmentare. Në këto kushte, është e natyrshme të lindin divergjenca midis ekzekutivit dhe grupit parlamentar të PD-së. Se sa të aftë do të jenë anëtarët antikonformistë të ekzekutivit të neutralizojnë diversionet e mundshme parlamentare të Berishës, do të varet nga kohezioni midis tyre. Në qoftë se ata do ta mbështesin njëri-tjetrin në përballjet e ekzekutivit me parlamentin, Berishës nuk do t'i mbetet tjetër kartë në dorë veç rrëzimit të qeverisë dhe zhvillimit të zgjedhjeve të parakohëshme. Por ky do të ishte një çmim shumë i lartë për një udhëheqës që ka lënguar tetë vjet në opozitë. Duke u kthyer tek votuesit e lëkundur që anojnë djathtas, por që kanë rezerva ndaj Berishës, analiza e mësipërme demonstron se ndoshta do të jetë me vlerë për ta që votat partiake t'ia japin LZHK-së, ndërsa votat e drejtpërdrejta t'ia japin kandidatit të PD-së në zonën e tyre. Në të kundërtën, votat e drejtëpërdrejta për kandidatin e LZHK-së mund të shërbejnë për t'i siguruar fitoren kandidatit socialist në atë zonë. Dhe në qoftë se kjo gjë ndodh në të paktën 60 zona, PS-ja dhe aleatët e saj dushkorë, do të jenë në gjendje ta kalojnë pa vështirësi numrin magjik të 70 deputetëve. Ndërsa duke ia dhënë votën e drejtpërdrejtë kandidatit të PD-së dhe votën partiake LZHK-së, votuesit e lëkundur që anojnë djathtas shtojnë shanset për krijimin e një qeverie të djathtë, e cila, në kushtet kur LZHK-ja do të nxirrte 10 a më tepër deputetë nga proporcionali, nuk do të kishte Berishën në krye. Kuptohet që analiza e mësipërme ka vlerë simetrike edhe për votuesit e lëkundur që anojnë majtas, por që kanë rezerva ndaj Nanos. Për të rritur shanset e krijimit të një qeverie të majtë pa Nanon në krye, ata, në zonat ku kandidatët e LSI-së nuk kanë shpresë të fitojnë drejpërdrejti, mund t'ia japin votën kandidatit të PS-së, ndërsa votën partiake LSI-së. Në qoftë se sistemi zgjedhor do të ishte proporcional, qoftë kombëtar apo rajonal, votuesve të lëkundur nuk do t'iu lindëte nevoja të bënin xhonglime të tilla me votat. Por me sistemin zgjedhor hibrid që është në fuqi, të cilin e kanë peshqesh nga hartuesit e kushtetutës, atyre ndoshta do t'iu duhet ta bëjnë këtë gjë për hir të preferencave politike që kanë.