Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Matanë sheshit

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Matanë sheshit

Para pak kohësh, moderatori i famshëm televiziv, amerikani Glen Beck, i emisionit me emrin e vet në "Fox News Television", duke komentuar për Shqipërinë tha: "A është vërtet vend ky, apo e kemi sajuar ne mediat?!" I njohuri tjetër, John Bolton, iu përgjigj: "Jo është vend me shumicë myslimane po shumë i moderuar". Kjo batutë ironike që u pasua prej një përgjigjeje serioze, duket se shëmbëllen me riaktualizimin e informacionit për rikthimin e politikës konfliktuale në Shqipëri, pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. Prej disa kohësh në kancelaritë e BE-së dhe sidomos në Uashington, Shqipëria është përcaktuar si një vend që jo vetëm ka fituar sfidat e stabilizimit, por që mund të gjenerojë partneritet dhe sidomos mbështetje gjeopolitike. Në Shqipëri, konformizmi integrues, mund të konsiderohet arritja më e madhe në favor të interesit komunitar dhe pse jo, edhe global, prej diplomacisë politike. Ekspertë amerikanë dhe vëzhgues europianë të Ballkanit e vlerësojnë Shqipërinë si vendin që nuk sjell më probleme ose që problemet e veta nuk i shndërron më si nevojë për angazhim ndërkombëtar. Ky konstatim i shpeshpohuar, shpeshtoi edhe vetëndierjen e politikanëve tanë për pohime konkluduese, si ajo e Kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli se: "Tranzicioni u mbyll" etj.

Raporti politik pozitë-opozitë në katër vitet e periudhës 2005-2009, mund të quhet me të drejtë raporti i parë i plotë i një luajaliteti politik që nuk ishte parashikuar. Deri në vitin 2005, shumica e vëzhguesve dhe interpretëve të jetës politike në vend besonin se ardhja në kryesimin e PS-së e zotit Edi Rama, do të shënonte një cikël të ri konflikti në marrëdhëniet brenda spektrit politik të vendit. Katër vjet rrodhën në atë mënyrë që e zhbënë idenë e rikthimit të konfliktit mes pozitës dhe opozitës. Por befas, ajo që u mendua si e harruar, po rikthehet dhe sipari i shfaqjes së saj, intrigon për të njohura e të panjohura të reja.

Opozita socialiste e kryesuar prej Edi Ramës, pas qëndrimit jashtë Parlamentit që prej ditës së parë dhe deri më sot, (pas më tepër se dy muaj e gjysmë), ka ndërmarrë aksionin e parë politik masiv dhe populist. Ka realizuar një tubim proteste, (më të madhin e përcaktuar si opozitar, qysh nga viti 1997 e këtej -sipas komentonjësve) dhe këmbëngulshëm po i drejtohet kundërshtarit politik, Kryeministrit Berisha, se "çështja e kutive" nuk është e thjeshtë. Ka mjaftuar kaq që Shqipëria sërish të rikthehet në qendër të vëmendjes së mediave kombëtare dhe atyre ndërkombëtare. Në sfond të këtij tensioni të tejzgjatur në kohë, po shfaqen edhe afrime, por edhe përfshirje prononcimesh diplomatike, të cilat sipas gjasave, po e ndajnë opinionin politik dhe diplomatik tamam si në skemën e njohur të antagonizmit konfliktual. Komentet e kursyera të mediave ndërkombëtare për tubimin masiv të opozitës para Kryeministrisë, nuk lanë pa përmendur imazhin krahasues me lëvizjen e njohur opozitare ukrainase të ashtuquajtur "I portokallinjtë". Replikat politike mes Kryeministrit Berisha dhe kryeopozitarit Rama të dy ditëve të protestës, janë të ashpra dhe lënë vetëm shijen e nxitjes apo të agravimit. Kjo pamje dhe kjo distancë sipas gjasave, do të vijojë të mbetet në fuqi edhe gjatë kësaj jave. Në këtë mënyrë, po parathuhet rishfaqja e Shqipërisë në mediumet ndërkombëtare. Është udhëheqësia politike e vendit që po e rikthen sërish në këtë shfaqje apo ripërmendje vendin tonë.

Si në ndihmesë sfiduese për pohimin e Glen Beck, Shqipëria politike po nis të marketojë konfliktin e brendshëm pozitë-opozitë. Shumëçka e shfaqur deri tani, mbetet në përmasën normale, mirëpo koha e bllokimit institucional ka nisur dhe ora e lëvizjes parandaluese me sa duket po vonon. Si në raste të mëparshme konfliktesh mes dy kaheve politike të vendit, edhe kësaj here, po shquhet logjika përjashtuese e kostos dhe efektit. Askush nuk flet tashmë për atë çka humbet dhe pëson shoqëria dhe vendi, shteti dhe individi në këtë situatë dhe ngërç bllokimi. Në ato pak pohime pranuese, duket thjesht përdorimi demagogjik dhe pasinqeriteti i të politizuarve. Politika eci në këtë pistë, duke mbetur e njëjta si para "sheshit" ashtu edhe në ditët e "matanë sheshit". Ditët e "matanë sheshit" është herët të flitet se si do të jenë, por se si po sillen me mundësinë e përdorimit të tanishëm të daljes në shesh të njërës palë dhe të reagimit institucional të tjetrës, kjo është trishtuese dhe të shton skepticizmin.

Me daljen në shesh, opozita shton vështirësitë dhe rëndon pozitën e shumicës qeverisëse e sidomos të Kryeministrit. Kostoja e bllokimit institucional i faturohet në kësi rastesh qeverisësit. Ky bllokim ka nisur matanë daljes në shesh dhe sidomos pas "sheshit" është edhe më me efekte. Mësymja që kundërshtarët politikë të Kryeministrit Berisha ka muaj që kanë nisur kundër tij, është gjurmëlënëse. Kryeministri Berisha nuk mund të gjenerojë më imazh për cilësinë dhe risitë e qeverisjes. Së paku, kjo mund të thuhet për këta muaj, kur sulmet opozitare për korrupsionin dhe abuzimin kanë përkuar me publikimet e raporteve ndërkombëtare në të cilat vendi klasifikohet në pozita rënieje dhe humbje pozicionesh. Në këto kushte, Kryeministri është i imponuar të shpenzojë energji për kundërreagime në mbrojtje të imazhit. Situata është bërë më komplekse.

Kriza e saponisur dhe e shfaqur si imazh proteste, do të mbartë zhvillime të tjera. Socialistët përballë Berishës së sotëm kanë favorin e shpenzimit të energjisë jo për të siguruar sheshin, por për të qëndruar në shesh, për llogari të "matanë sheshit". Këtë llogari të lexueshme Edi Rama e nisi pikërisht nga përdorimi i rishfaqjes së vendit në mediumet ndërkombëtare, jo në mënyrë pyetëse si Glen Beck-u gazetar, por si politikani që vepron në shesh për "kohën matanë sheshit".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama