Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

I shtrenjti terri ynë

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 16 vite më parë

Fatos Baxhaku
I shtrenjti terri ynë

Nuk është se nuk pritej, por lajmi i rritjes së çmimit të energjisë erdhi njësoj si vijnë të gjitha gjërat e liga. Në majë të këmbëve, e thënë si nëpër dhëmbë, e shurdhër dhe si një gjë që pret të harrohet derisa të shkojmë në sportelet e KESH-it për muajin e ardhshëm. Tani ne vetëm mund ta marrim me mend se çdo të thotë kjo për familjet modeste shqiptare, por kur të fusim dorën në ato sportelet e ngushta do ta kuptojmë edhe më mirë se sa i hollë po na bëhet gjithnjë e më tepër xhepi ynë. Kohë më parë, pjesëtarë të qeverisë e patën thënë si nëpër dhëmbë se kjo gjë "është e pashmangshme", se "çmimi nuk vendoset nga qeveria, por nga Enti" e kështu me radhë. A thua se qeveria jonë është një arbitër fare i paanshëm në të gjithë këtë mesele. Letrat që paraqiti dje një përfaqësues i opozitës flisnin krejt ndryshe.

Si për ironi të fatit, banorë të një lagjeje periferike të kryeqytetit, protestonin jo për çmimin, por për terrin. Në ato momente ishin gati të paguanin çdo çmim vetëm e vetëm që drita ta largonte terrin nga shtëpitë e tyre.

Meqë ra fjala tek opozita, ka muaj e muaj që ajo rreket të hapë të flamosurat kuti dhe nuk po ia del dot. Nëse kjo kërkesë e saj dhe mënyra se si proteston me anë të bojkotit janë të drejta ose jo, kjo është thënë me qindra herë nga të anshëm dhe të paanshëm, tek e fundit është e drejta e saj të marrë hapat që ajo vetë i konsideron më të arsyeshmet. Porse deri më tani kërkesat më elementare ekonomike janë mjegulluar nga parulla e njohur: "Hap kutitë, ose ik".

Le t‘i japim pak udhë fantazisë sonë në zyrat tona të ngrohta këtu në Tiranë dhe le të imagjinojmë se si i presin këto lajme të pastrehët e tërmetit në Bulqizë e Valikardhë, apo të bllokuarit nga dimri i ashpër në Kelmend, Has e Kukës, ata njerëz që hera-herës jetojnë edhe në errësirë, ata që miellin dhe vajin e blejnë gjithnjë e më shtrenjtë, ata që biletën e tyre të furgonit, që mund të shkasë orë e minutë, e paguajnë sa qimet e kokës, ata njerëz që duken si të harruar në vetminë e tyre të bardhë, aq të bardhë sa që të vret sytë. A thua e kanë mendjen te kutitë, te parimet klasike të demokracisë që po shkelen, apo te Parlamenti i cunguar? Apo te fëmijët e tyre që i shohin me sy gjithnjë e më të pikëlluar? Thamë t‘i japim udhë fantazisë, por nëse ndonjëri do t‘i përgjigjej pozitivisht pyetjes së parë, atëherë do të thoshim se e ka shkelur pak me fantazinë e tij.

Duket se te ne çdo gjë, tashmë përfundimisht, është shndërruar në politikë. Njerëzit mbushin sheshet me mijëra sa herë që jep urdhër lideri i tyre përkatës, porse askush nuk bashkohet me të tjerët nëse është - mbase asnjëherë nuk ka qenë rasti - fjala që të organizohet ndonjë protestë për rritjen e çmimeve, për shkurtimin e vendeve të punës, për kushtet më minimale shëndetësore dhe arsimore. Nëse lideri flet, atëherë po, turma vihet në lëvizje dhe mbush sheshet. Pala tjetër qëndron e heshtur në shtëpi duke parë në ekranet e vogla të tv. Ca ditë më pas të dyja zëdhënëset hyjnë në garë kush e kush ta fryjë më shumë numrin e pjesëmarrësve në mitingun "madhështor". Me pak fjalë, partitë politike, të vrenjtura, të pabindura, xanxare na kanë monopolizuar të drejtën e protestës masive. Nëse je i lidhur në një farë mënyre me partinë në pushtet, atëherë nuk ke se si të dalësh në një protestë që e organizon opozita dhe anasjelltas.

Kjo është e kuptueshme. E pakuptueshme është që në këtë vendin tonë, ku terri paguhet më shumë se në çdo vend tjetër, nuk ka asnjë forcë që të protestojë në emër të njerëzisë dhe jo të politikës. Partitë, kur janë në opozitë, flasin në emër të popullit, por propagandës së tyre në shumë raste i ka dalë boja. Gjetkë punët e çmimeve, moshës së pensionit, pagës minimale, ditëve të pushimit dhe të tjera kësisoj trajtohen nga sindikatat. Të gjithë e dimë se çfarë ndodh ndër vende ku njerëzit i dalin për zot vetes nëse rritet qoftë edhe një grimë çmimi i gazit, karburantit apo i energjisë elektrike. Pa biseduar e pa rënë më parë dakord me sindikatat asnjë qeveri me mend në kokë nuk guxon të bëjë të tilla gjëra. Te ne duhet përdorur më mirë termi "të shkretat sindikata". Janë disa organizma të mekur që nuk kuptohen edhe aq mirë se si funksionojnë dhe që përfaqësohen në të shumtën e rasteve vetëm nga minatorët e Bulqizës dhe minatorët e Burrelit.

Tjetër gjë nuk ka. A thua se në Shqipëri nuk ka punëtorë me një mijë e një halle, a thua se në Shqipëri nuk të zënë për veshi dhe të hedhin në rrugë të madhe si leckë, a thua se te ne nuk ka familje të varfra e të mjeruara. Mund të thuhet se sindikatat janë të fuqishme në vende me industri dhe shërbime të zhvilluara. Vetëm atje ku ato mund të paralizojnë vendin, vetëm atje ato marrin rolin e tyre normal. Mund të jetë kështu, por deri diku ama. Ky arsyetim mund të përdorej deri në mesin e viteve ‘90, kur Shqipëria ishte një vend që as vetë nuk e dinte se si ta quante veten. Kjo Shqipëri e sotme, e dekadës së parë të mijëvjeçarit të tretë, ka një mijë e një problem, porse asnjë arsye objektive nuk mund ta justifikojë mungesën e vetorganizimit të njerëzve apolitikë, ose me pikëpamje të ndryshme politike, vetëm për të mbrojtur të drejtat e tyre më elementare.

Nga një anë janë partitë që i kanë futur nën sqetull embrionet e sindikatave sa herë që ato kanë hedhur shkelma dhe me sa duket, e trishtë, por e vërtetë, nga ana tjetër jemi ne vetë që nuk e kemi ende kulturën e duhur për të mbrojtur veten dhe familjet tona pa u bërë pre e lojërave të stërholluara dhe të errëta politike. Të jesh i kulturuar nuk do të thotë vetëm të jesh i arsimuar apo të kesh lexuar një mal me libra. Kultura në radhë të parë është ajo çimentoja e fortë që lidh individin me brendësinë dhe dinjitetin e tij dhe më pas me tërë pjesën tjetër të shoqërisë. Nëse do të ishim një popull i pajisur me këtë lloj kulture, atëherë askush nuk do të guxonte të na nëpërkëmbte, si kanë bërë me ne për dekada e dekada me radhë dhe sikurse ka shumë gjasa të ndodhë, do ta bëjnë edhe për shumë kohë të tjera. Me sa duket, terri më i nxirosur duhet kërkuar më parë ndër kryet tanë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama