Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Histori Shqiptarësh

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 15 vite më parë

Arjan Konomi
Histori Shqiptarësh

Para disa vitesh revista gjeopolitike italiane ‘Limes’ botoi një shkrim mbi mësimin e historisë në vendet e Ballkanit. Artikulli citonte pjesë nga tekstet shkollore të këtyre vendeve për të njëjtën periudhë historike. Ishte interesante të lexoje se çfarë shkruanin grekët për Kongresin e Berlinit e sa ndryshe shkruanin kroatët, serbët, sllovenët e shqiptarët. Asnjë periudhë e historisë së sotme nuk kishte ngjasim nga një tekst te tjetri. ‘Historira ballkanase’ e quajti një gazetar italian. Në rastin shqiptar shkon edhe më keq. Historitë ndryshojnë sa herë ndryshon partia në pushtet. Kjo vërtetohet edhe sot, edhe pse kanë kaluar afro dhjetë vjet nga ai shkrim.

Teksti shkollor i historisë bashkëkohore, i cili doli nga shtypi para pak javësh, ngjalli jo vetëm debate të mëdha intelektuale por edhe protesta nxënësish të shkollave, të cilët ishin në kundërshtim me mënyrën sesi tema të ndryshme të viteve të fundit ishin trajtuar në këtë tekst. Pavarësisht kanë apo nuk kanë të drejtë duket shumë e çuditshme sesi nxënësit duhet të protestojnë për një tekst shkollor, kur ata duhet të studiojnë atë që i serviret.

Do ishte e njëjta gjë sikur viti i tretë i një shkolle të mesme të ngrihej në protestë kundër studimit të trigonometrisë në matematikë, sepse është një fushë e vështirë apo se atyre nuk u pëlqen. Po kjo është diçka tjetër.

Nëse do ta marrim nga ana metodologjike asnjë tekst i shkollës së mesme në botë nuk është aq primitiv sesa tekstet shqiptare të historisë. Cilësisht të këqija, pa foto, pa harta, pa dokumente, pa përmbledhje, pa lexime shtesë ky tekst vetëm shkollor nuk është. Kushdo që ka studiuar jashtë e bën fare lehtë ndryshimin.

Problem tjetër i rastit konkret të shkrimit të historisë është fakti se në Shqipëri mungon një traditë e bërjes së teksteve në mënyrë bashkëkohore. Peng të prodhimeve të akademikëve apo instituteve shtetërore që vegjetonin duke u marrë me tekste të tilla, tradita vazhdon edhe sot kur ‘emërohen’ historianë për ta shkruar, ndërkohë që në vendet perëndimore është botim i një ose dy autorëve, fakt ky që e bën vëllimin të ketë rrjedhë dhe gjuhë stilistike të njëjtë nga fillimi në fund. Për mos të shtuar që historianët shqiptarë i përkasin një shkolle të vjetër metodike, e cila ndihet qartë në mënyrën e shkrimit, në gjuhën dhe fjalorin që ata përdorin dhe për më tepër në mënyrën sesi trajtojnë tema të ndryshme.

Tërësisht e prapambetur, e dalë mode, peng i përkatësive ideologjike të tyre dhe ku shpesh ndeshet një logjikë në trajtimin e temave aspak profesionale e të vjetruara si mentaliteti që ata përfaqësojnë.

Problemet që përmenden sot në shtypin e përditshëm, si mohimi i emrave apo ngjarjeve të rëndësishme, fryrja dhe ekzagjerimi i disa të tjerëve janë probleme nga më të voglat që do të ndeshen sa herë që ky tekst historie do të shkruhet. Do të ndryshojë këndvështrimi, do ndryshojnë preferencat, të tjerë do të hiqen e të tjerë do të shtohen por logjika do të jetë e njëjtë, derisa te ne nuk do të ketë historianë që të jenë shkolluar në perëndim, ku kanë mësuar sesi shkruhet historia e vërtetë dhe ajo me ‘gjak e me penë’, që na është thënë për pesëdhjetë vjet, të zhveshur nga ndikime ideologjike e aq më keq partiake. Kur të ketë nga ata njerëz që kanë dëshirë të rrëfejnë e jo të manipulojnë.

Një problem akoma edhe më i madh në këtë çështje është edhe fakti se pse duhet të shkruhet nëpër tekste shkollore historia e viteve të fundit e për më tepër ajo e muajve të fundit. Në të gjitha lëndët e historisë bashkëkohore, qofshin ato edhe histori rajonale, si Historia e Lindjes së Mesme apo Historia e Amerikës Latine, etj. nuk studiohet periudha e viteve të fundit. Madje në tekste universitare nuk studiohet historia e mbi njëzet viteve të fundit.

Kjo ka një arsye të madhe. Sepse ngjarjet që kanë ndodhur nuk janë bërë ende histori, sepse dokumentacioni nuk është i mjaftueshëm për të qenë objektiv, sepse emotiviteti i autorit ndihet edhe instinktivisht, sepse arkivat nuk japin asnjë të dhënë për këtë periudhë kohore.

E mbi të gjitha sepse njerëzit janë më të ndjeshëm ndaj fakteve të fundit, më të përfshirë e kjo mund të lëndojë shumë, ashtu si ndodhi në Shqipëri me botimin e fundit te ‘Historia 12’. Sepse e tashmja nuk është histori.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama