Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Postum

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Postum

Kemi tunele që bien pasi janë inauguruar. Kemi baza ushtarake për të cilat mësojmë se kanë ekzistuar, vetëm pasi kanë hedhur në erë fshatra të tërë në mes të Shqipërisë. Paskemi me sa duket edhe diga hidrocentralesh, të cilat mund të shpërthejnë nga rritja e nivelit të ujërave, që edhe këtë e mësojmë në minutën e fundit, vetëm pasi më e keqja është bërë dhe niveli i ujit ka kaluar çdo kufi sigurie. Kjo ndodh, sepse me sa duket kemi edhe një qeverisje “postum”, ose e shqipëruar, që funksionon “pas vdekjes”. Një qeveri e cila vihet në lëvizje pasi e keqja e ka bërë punën e saj, pasi kostot janë dhjetëfishuar dhe dëmi është konsumuar. I tillë është teatri i madh absurd që shtrihet në këto orë dramatike nga baltat e bregut të Bunës, e deri në digën e Fierzës – këtë ikonë kombëtare të fatalitetit shqiptar.


Në këtë vend, përgjithësisht në këta 20 vjet, ka qenë problem qeverisja e dobët. Kemi pasur qeveri rakitike, të cilat kanë pasur autoritet vetëm në një pjesë të vendit, jo rrallë në pjesën më të vogël të tij. Kemi pasur qeveri të cilat këqyrnin të pafuqishme trafiqet që kalonin Adriatikun, krimin që skuqte rrugët apo korrupsionin që blinte zyrtarët, pa bërë dot asgjë për të qenë. Por kemi edhe qeveri të cilat, duke besuar te filozofia e mbylljes totale të dyerve, kanë kujtuar se me masa në dukje drastike, do të sillnin zhdukjen e fenomeneve negative. E njëjta dobësi, si e qeverive paraardhëse, por me teknologji të kundërt. Një shtet i cili duke mos ndaluar dot trafiqet, mbyll detin, i cili duke mos gjetur dot paratë e pista, sekuestron mall e pasuri të cilitdo i del para, pa e ditur nëse është ose jo mafioz, është njëkohësisht një shtet që kapitullon para shiut. Të cilin me hipokrizi e quan herë cunam, e herë ngrohje globale që vjen nga Afrika.

Shkodra e Lezha nuk kanë pasur nevojë për ngrohjen globale. Për të përdorur të njëjtin term, ato janë “ngrohur” prej vitesh, ose më mirë “ngrohen” çdo vit, kur Drini apo Mati marrin fushat!
Drama e kaskadës së Drinit, përgjegjësja kryesore e përmbytjes së 4800 hektarëve dhe 870 shtëpive në Qarkun e Shkodrës, nuk është shfaqur befas, pa paralajmëruar. Krejt e kundërta. Kjo është, për të perifrazuar Markezin, kronika e një tragjedie të paralajmëruar. Vlen të thuhet më së pari se prej kohësh që tashmë s’mbahen më mend, kjo pjesë e Shqipërisë jeton me sindromën e përmbytjeve. Aq sa edhe shtëpitë kanë nisur të ndërtohen qysh në fillim të ngritura nga toka dhe kafshët të mësohen të ngjisin shkallët e zgjeruara të banesave, për të jetuar në katet e sipërme bashkë me njerëzit, ku janë krijuar hapësira të posaçme për rastet e izolimit nga uji. Një ritual masash, një manual i vërtetë i përmbytjes, që banorët e kanë mësuar përmendësh ndër vite, për t’u mbrojtur nga diçka që e dinë se do të vijë prapë vitin tjetër, sezonin tjetër të shirave, vjeshtën apo dimrin tjetër.

Shkodra dhe Lezha janë pengu i të gjitha qeverive dhe i të gjithë krahëve politikë. Majtas dhe djathtas. Kjo zonë është imazhi i gjallë i dështimit të një politike hipokrite dhe të paaftë që shtrihet në të dyja dekadat e tranzicionit shqiptar, duke premtuar gjithçka e duke mos bërë asgjë. Sot personifikimi i këtij dështimi shihet sa tek ecejaket e pafuqishme të Kryeministrit nëpër fshatrat e përmbytur, sa te vënia publike para përgjegjësisë e Kryetares Topalli nga banorët e zonave të goditura, e deri te kolapsi total i pushtetit lokal, apo zhdukja e milionave që janë dhënë për të ndërtuar diga, hidrovore dhe struktura që sot thjesht nuk ekzistojnë.

Shteti ka kapitulluar vetëm një orë me makinë larg Tiranës. Ka kapitulluar në mënyrën më absurde, përballë një drame e cila dihet qysh në verë sesi do të përsëritet e çfarë dinamike do të ketë në dimër. Thuajse çdo vit njëlloj, në të njëjtin vend, me të njëjtat viktima dhe kosto. Orët e fundit po duket qartë se me përmbytjen dhe përgjegjësitë e saj, penale dhe jo thjesht administrative apo politike (të të gjithë atyre që kanë toleruar nivelet e larta të ujit, por edhe kanë neglizhuar remontet e kaskadës, dje dhe sot), po luhet njëlloj si me të tjera fatkeqësi që i kanë rënë mbi krye këtij vendi në vitet e fundit. Gërdeci ishte një “incident teknologjik”, Kalimashi një “gabim njerëzor”, kurse kjo që po shohim, me siguri që do të klasifikohet si diçka midis, as kështu e as ashtu. Përmbytjet janë vërtet një fenomen i paparashikueshëm, një forcë e verbër e natyrës, apo edhe fshikullim i Perëndisë, siç po mundohen ta klasifikojnë andej-këtej nëpër media, për t’i dhënë një dozë më të madhe fataliteti dhe misticizmi. Por kurrsesi përmbytjet e pjesës veriperëndimore s’mund të jenë një fatkeqësi e papritur që vjen nga dora e Zotit. Pasi vetë Zoti, nëse ka një të tillë, na ka paralajmëruar çdo vit, duke e goditur këtë pjesë të Shqipërisë me vërshime ujërash që kanë ndëshkuar mijëra jetë njerëzore dhe duke e rrënuar deri në fund imazhin e shtetit në sytë e shtetasve të tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama