Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Në mbrojtje të Kushtetueses dhe Pashajt

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Në mbrojtje të Kushtetueses dhe Pashajt

Intervista e fundit e Kryeministrit Berisha, dhënë radios Zëri i Amerikës më 29 dhjetor 2009, kaloi pa ndonjë vëmendje të madhe. Pjesërisht për shkak të kohës së emetimit të saj, kur njerëzit dhe politika në përgjithësi pushtohen nga atmosfera festive, kur gazetat pushojnë dhe mediat ndryshojnë regjistrin e informacionit të tyre, duke e zvogëluar peshën e politikës. Ndërkohë dhe dalja e lajmeve të tjerë, siç është përmbytja e zonave veriore, e bëri atë intervistë më të parëndësishme. Po dhe inflacioni deklarativ i tij, - çdo ditë në TV për tre argumente të ndryshme bëri reston. Në fakt brenda kësaj interviste pati disa mesazhe që nuk janë njëpërdorimësh, por me rezonancë të gjatë. Institucionale. Ndaj meritojnë vëmendje, shkallë të lartë reagimi, vendosje në gjendje alarmi. Dhe ja përse.

Për herë të parë kryeministri i vendit ju referua marrëveshjes së ujërave me Greqinë, pas një heshtje të gjatë. Por pasi dëgjuam intervistën na u duk se heshtja e tij ishte më e mirë se mesazhet shqetësues që dha. Kur ai theu heshtjen, nuk foli thjesht se e pyetën. Mesazhet që dha dukeshin të kalkuluara bash mirë në kohë për të shmangur reagimin e opinionit publik të topitur prej festës, por dhe për të ndikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili pritet të jetë në javët në vazhdim. Janë disa plane që i bëjnë mesazhet e Kryeministrit shumë problematikë.

Në planin politik, nëse Kryeministri foli në këtë periudhë, e bëri se duhet të jetë në trysni të madhe për të folur. Ne duhet të imagjinojmë se për një kryeministër që bën si patriot i madh, shumicën e kohës është frustrim i madh të mbrosh një marrëveshje të tillë. Ishte frustrim nënshkrimi i marrëveshjes, dhe aq më tepër duket mbrojtja e saj kur ka shumë zëra kundër. Frustrimi ditën e nënshkrimit u duk nga nevoja që shtyu kryeministrin të prodhonte një lajm pozitiv për rritje rrogash me një mbledhje të beftë të qeverisë në mbrëmje. Ky lajm e kaloi në sordinë lajmin e marrëveshjes së nënshkruar nën shikimin e vrerosur të tij, ndërsa sot kur Kushtetuesja pritet të vendosë, ai zgjohet dhe flet. Çudia është se megjithëse kreu i qeverisë zakonisht zgjedh të flasë për gjithçka, madje edhe për lumenjtë malorë që çmenden, për një kohë të gjatë ai shmangu të fliste rreth marrëveshjes, madje edhe duke përdorur formulën institucionale se “çështja tani i takon Gjykatës Kushtetuese”. Ndaj duket e arsyeshme të besosh se një forcë madhore si trysnia prej partnerit fqinj ndaj tij, këto ditët e fundit është aq e madhe sa ai doli të fliste. Duket gjithashtu se ai apo partneri jugor nuk mund ta pranojnë asesi idenë e rrëzimit të marrëveshjes prej Gjykatës Kushtetuese. Në fakt në një lexim optimist, vendimi rrëzues mund të hapte një skenar të favorshëm politik për kreun e ekzekutivit në sytë e Greqisë, që sot është në pozitat më të dobëta ndërkombëtare prej një kohe të gjatë.

Berisha mund t’i thoshte fare mirë homologut të tij Papandreu se ishte Rama ai që kundërshtoi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe se ai nuk mund ta ndalonte dot vendimin e kësaj Gjykate. Në një skenar të tillë, rinegociimi i marrëveshjes do ja hiqte barrën e rëndë Kryeministrit për një marrëveshje që nga shumë zëra autoritarë, po konsiderohet si e turpshme. Marrëveshjen sigurisht nuk e nënshkruan ekspertët e paditur pa asnjë lloj orientimi politik, siç pretendon Kryeministri në intervistë. Siç duket prej intervistës, Kryeministri kërkon vendim të Kushtetueses pro marrëveshjes, d.m.th s’dëshiron të ndjekë skenarin me refuzim nga kjo gjykatë e epërme.

Në planin politik, nëpërmjet këtyre mesazheve, kryeministri po provon dhe njëherë tjetër shkallën e lartë të përkulshmërisë ndaj fqinjit jugor, që ka qenë shqetësimi yni i hershëm para se ai të vinte në pushtet. Është një përkulshmëri e përcaktuar prej komplekseve të së shkuarës, kur sipas tij “ishin grekët ata që e rrëzuan në 1997”. Kjo përkulshmëri është shfaqur shpesh në mandatin e tij të dytë, në shumë çështje veçanërisht me karakter historik si varrezat, kisha e Përmetit, Himara, çështja e pasurive shqiptare në Greqi për të cilën s’ka harxhuar asnjë fjalë, megjithë detyrimet e Traktatit të miqësisë, për çështjen çame, etj.
Mesazhet e Kryeministrit ishin jo normale dhe në planin institucional. Nëse në pjesën e parë të intervistës ai flet me respekt për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, (për hapjen e kutive), në pjesën e dytë ai përpiqet t’i imponojë kësaj gjykate sjelljen që duhet të mbajë ndaj një çështje të rëndësishme. E qorton që e mori në shqyrtim çështjen ndërsa institucionet kompetente maqedonase nuk e morën në shqyrtim një marrëveshje të ngjashme midis Kosovës dhe Maqedonisë.

Me tre fjalë, Kryeministri Berisha tenton të vendosë shenja barazimi midis dy marrëveshjeve që s’janë të ngjashme në emërtim. Këto marrëveshje janë pjesë e dy konteksteve juridike të ndryshëm (dy kushtetuta të ndryshme, por dhe e drejtë ndërkombëtare e ndryshme për tokën dhe detin). Kushtetuta e Maqedonisë p.sh. nuk parasheh në nenin 110 të saj se GJK mund të shqyrtojë marrëveshjet ndërkombëtare, por bën fjalë në mënyrë të papërcaktuar qartë “për marrëveshje kolektive”. Kjo shenjë barazimi që Berisha vendos midis marrëveshjes shqiptaro-greke për ujërat dhe asaj për kufijtë tokësorë midis Maqedonisë dhe Kosovës nuk duket e rastësishme dhe as profanizëm. Ai me shumë gjasa synon të orientojë si do vetë vendimin e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese. Sipas kësaj logjike, ai kërkon që Kushtetuesja jonë të vendosë “se nuk është kompetente të gjykojë vullnetin e palëve nënshkruese të Marrëveshjes”, apo se “eventualisht nuk ka shkelje të kushtetutshmërisë në marrëveshjen e kufijve ujorë”. Kjo ndërhyrje në sovranitetin e gjykatës tregon edhe njëherë standardet e dyfishta të tij në sjelljet ndaj institucioneve gjyqësore apo institucioneve jopolitike në përgjithësi. Megjithëse mund të duket patetike, presioni që vjen jo thjesht prej këtyre fjalëve (mund të ketë dhe hapa konkretë presioni) në këtë intervistë të fundvitit, duhet ndaluar, duhet evidentuar në dritë të diellit që të rritet qetësia rreth Gjykatës Kushtetuese.

Mesazhet në fjalë ishin jonormale dhe në planin njerëzor apo shoqëror. Në mënyrë krejtësisht brutale, antihumane, të pabarabartë, Kryeministri gjen rastin të sulmojë një profesionist të ndershëm që paguan kështu koston e patriotizmit dhe profesionalizmit të tij. Mund të jetë e vërtetë që Profesor Myslim Pasha i sharë prej Berishës si “sharlatan”, është iniciatori i fushatës së opinionit publik kundër Marrëveshjes, por është po aq e vërtetë se kundër saj janë ngritur shumë autoritete akademike, profesionale, ish-ushtarakë të nivelit të lartë, qarqe mediatike, qytetarë, forume, opozita dhe janë mbledhur dhjetëramijëra firma. Do ishte trimëri prej Kryeministrit që të guxonte dhe t’i kundërvihej jo një eksperti të moshuar, por kësaj mase të madhe njerëzore, ku ka dhjetra zëra më shumë kompetentë sesa Pashaj.

Për të gjithë këto arsye, intervista e fundit e kryeministrit për Zërin e Amerikës duhet mbajtur shënim. Për të rritur solidaritetin dhe mbështetjen ndaj institucioneve si Gjykata Kushtetuese apo ndaj individëve si profesori Myslym Pasha. Gjykata Kushtetuese duhet lënë e qetë të marrë vendimin e vet. Profesionisti Myslym Pasha, ky njeri që mobilizoi patriotizmin e fjetur shqiptar, duke i dhënë atij një formë dinjitoze dhe duke shqetësuar Kryeministrin e radhës duhet nderuar dhe jo shantazhuar. Ky njeri na bëri të mendojmë thellë se dhe sot ka sfida për integritetin territorial të vendit. Që vijnë nga jashtë, por dhe nga brenda.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama