Në këtë fillim viti pasqyra e arritjeve dhe dështimeve të klasës politike, në mënyrë të bezdisshme tashmë për shumë shqiptarë, përvijohet me arritjet në pikëpamjen ndërkombëtare dhe me dështimet në procesin politik të zgjedhjeve. Edhe në momentet e një prag katastrofe natyrale politika nuk humbet rastin për të bërë qitjen e radhës. Dhe në fund, ‘pasi ujërat të qetësohen’ duhet që prokuroria dhe gjykata të gjejnë fajtorin. Është për tu çuditur se sa lehtë lakohen nga politika emrat e institucioneve që vendosin për fajësinë dhe pafajësinë, ndërkohë që kolegët e tyre në perëndim do tregoheshin shumë të matur ta bënin këtë gjë. Dhe kjo duket se e ka një shpjegim. Atrofizimi i prokurorisë dhe gjyqësorit nëpërmjet steriotipizimit të tyre është kthyer në alibinë më ‘bajate’ të klasës politike. Të krijohet ideja se gjykatat dhe prokuroria kur bëhet fjalë për dosje politike konvertohen lehtë në komisione parlamentare. Por shoqëria tashmë duket se e ka kuptuar mirë këtë mekanizëm. Jo pa qëllim, në shumicën e raporteve të ndërkombëtarëve, gjyqësori renditet si një ndër institucionet më të korruptuara sipas perceptimit të shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm kaq.
Në mënyrë të habitshme, e gjithë klasa politike gulfon për nevojën e reformimit të tij por nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale, dështimin e reformave e lidh me mungesën e dëshirës politike kryesisht të opozitës. Pra, sipas kësaj logjike është klasa politike e vetme ajo që menaxhon fatet e gjyqësorit dhe ky i fundit duket të ketë pak përgjegjësi në këtë derivat të komplikuar. Megjithatë literatura sugjeron se edhe gjyqtarët kanë pjesën e tyre të ‘luanit’ dhe fenomeni shqiptar duket se e reflekton këtë situatë. Vetë steriotipizimi i gjyqësorit në shoqëri nga politika dhe deri diku mos reagimi ndaj këtij fenomeni nga komuniteti i gjyqtarëve është shqetësues. Gjyqësori përveç pavarësisë ndaj pushteteve të tjera duhet të rishikojë dhe pavarësinë apo distancimin nga ajo pjesë e vogël e gjyqtarëve të korruptuar. Pavarësia e gjyqësorit sipas filozofëve dhe studiuesve të së drejtës është sa institucionale aq edhe personale.
Një gjyqësor i pavarur shprehet Irvin Stozky, përveç faktorëve klasike, në lidhje me shoqëritë në tranzicion, është një mekanizëm shumë i rëndësishëm sigurie. Me pak fjalë, ai nënkupton se cungimi i lirisë së gjyqësorit lidhet drejtpërsëdrejti me cenimin e sigurisë sociale. Pavarësia e gjyqësorit, është tregues i maturimit politik dhe zhvillimit të demokracisë do të thoshte Christofer Larkins. Një ndër indikatorët më të rëndësishëm për zbatimin e parimeve të shtetit ligjor është funksionimi normal i gjyqësorit. Në kuptimin klasik ai është organi i tretë ‘neutral’ si në çështjet me karakter privat, por dhe në ato me karakter publik. Sistemi gjyqësor sipas Owen Fiss nuk duhet të jetë një mjet për të arritur qëllime politike. Filozofi i njohur Amerikan John Rawls e konsideron pavarësinë e gjyqësorit themelin e drejtësisë sociale. Ekonomisti Stefan Voight analizon tek mungesa e pavarësisë së gjyqësorit një handikap të rëndësishëm për zhvillimet ekonomike. Sipas tij pavarësia e gjyqësorit ka një ndikim shumë të rëndësishëm në rritjen e prodhimit te brendshëm bruto (PBB).
Owen Fiss shprehet se përveç sistemeve gjyqësore të pavarura dhe atyre të kontrolluara, zakonisht në demokracitë e reja kemi ‘regjime relativisht të pavarura’. Janë tre elementë kyç të cilat, sipas Christofer Larkins, duhet që të përmbushë një gjyqësor idealist i pavarur:
Së pari, gjyqtarët duhet të sillen si palë ‘neutrale’ në çdo gjykim dhe këtu kemi parasysh pavarësinë nga bindjet personale dhe njohjet me palët.
Së dyti, gjykatësit nuk duhet të ndikohen në gjykim nga ‘pozita’ politike dhe ekonomike e palës në proces.
Së treti, pavarësisë së gjyqësorit si institucion në raport të drejtë me dy pushtetet e tjera është gjithashtu element shumë i rëndësishëm për t’u konsideruar.
Pra, Owen Fiss cilëson se ‘regjimet relativisht të pavarura’ janë ato në të cilët një nga elementët e mësipërm nuk funksionon. Siç edhe literatura e tregon, pavarësia e gjyqësorit lidhet si me raportin që krijon me pushtetin politik nga njëra anë, por dhe integritetin e vetë komunitetit të gjyqtareve nga ana tjetër.
Sado i garantuar të jetë sistemi gjyqësor nga rregullimet kushtetuese një komunitet gjyqtarësh me mungesë integriteti mund ta cenojë këtë pavarësi. Zakonisht kjo shfaqet në gjykatat e nivelit të ulët. Nga ana tjetër, sado me integritet të jenë gjykatësit, nëse dy pushtetet e tjera minimizojnë rolin e gjyqësorit si institucion, pavarësia në gjykim është e cenuar sërish. Kjo zakonisht ndodh në gjykatat e nivelit të lartë. Pra, pavarësia e gjyqësorit varet nga dy aktorë të cilët janë pushteti politik dhe vetë gjyqtarët. Fenomeni shqiptar duket se vuan nga të dyja drejtimet dhe këtë e shohim në retorikët publike sa të klasës politike, por dhe të vetë komunitetit të gjyqtarëve. Disa ‘aksione’ të ndërmarra nga shoqatat e gjyqtarëve apo dhe ajo e prokurorëve duket se nuk e kanë arritur qëllimin e duhur. Indiferenca dhe apatia e gjyqësorit ngelet shqetësuese dhe kjo e ka një arsye.
Në rastin tonë, elita politike shqiptare, duke abuzuar me mekanizmat dhe nocionet moderne të shtetit ligjor në mënyrë permanente, ka steriotipizuar gjyqësorin direkt apo indirekt. Pikërisht vetë dora e fortë e politikës në formimin, përzgjedhjen, emërimin dhe mbikëqyrjen e gjyqtarëve duket të ketë sjellë formimin e steriotipeve për gjyqtarët në shoqëri, por në një fare mënyre dhe ambientimin e tyre me këtë situatë. Steriotipe si ‘gjykatës plepash’, ‘gjykatësit të shohin xhepin’, ‘po nuk njohe njëri në gjykatë mos u lodh kot’, ‘zgjidh avokat që njeh gjykatësin’, ‘po s’dhe lekë nuk ke për ta fituar të drejtën’ ‘dosjet e krimit flenë në prokurori’ etj. Janë kthyer në zhargon për këdo që merret me gjykatat. Sigurisht, jo pak rol kanë luajtur disa reforma si ajo e kualifikimeve pilot, nëse quhen të tilla, për 6-muaj të gjykatësve apo dhe zvarritjet në lidhje me ligjet organike përkatëse. Viktimë e kurtheve politike ka rënë jo pak herë dhe vetë shoqëria e cila shpesh herë ngatërron rolin e gjyqtarit të korruptuar me atë të avokatit të korruptuar. Media në të njëjtin spektër të kritikës ndaj gjyqësorit, shpesh herë dhe me të drejtë, ka amplifikuar nivelin e korrupsionit në gjyqësor duke krijuar kështu një rreth vicioz i cili cungon personalitetin e gjyqësorit. Kjo i shërben vetëm elitës politike dhe krimit të organizuar që duket se ka gjetur terren edhe në komunitetin e gjyqtarëve. Për t’u fshehur pas gishtit, klasa politike, tashmë rëndomtë, drejton akuzat ndaj gjyqësori apo prokurorisë si fajtorët kryesorë për eficencën e ulët në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tashmë kjo retorikë po kthehet në një alibi shumë të suksesshme.
Steriotipizimi i gjyqësorit pra, duket se ka funksionuar duke bërë që gjyqësori të jetë shumë apatik dhe jo i drejtpërdrejt ndaj akuzave që i bëhen. Gjyqtarët dhe prokurorët duket sikur kanë rënë viktimë, deri diku dhe me dashje, e këtij procesi neutralizues. Shumë vendime gjykatash të dyshimta të cilat lidhen me figura të larta politike tregojnë sa inferior ndihen gjykatësit apo dhe prokurorët ndaj pushtetit politik. Tashmë përbën lajm një vendim gjykate kundër ndonjë aktori politik dhe jo e kundërta. Fatkeqësisht, duket se ekziston një pakt paqeje i heshtur midis politikës dhe gjyqësorit. Deri më sot nuk kemi asnjë figurë të lartë politike të dënuar, por nga ana tjetër edhe gjyqtarët e proceduar për korrupsion janë shumë të pakët. Steriotipizimi çon deri aty sa të krijohet përshtypja se në sistemin gjyqësor, janë vetë gjyqtarët që kërkojnë një situatë të mjegullt e cila do t’i ndihmonte për të justifikuar ineficencen e tyre apo dhe nivelin e lartë të korrupsionit.
Vetë konferenca e gjyqtarëve dhe pjesëmarrja e ulët në të evidenton se sistemi gjyqësor është i apatik duke ia dorëzuar çdo lloj reforme elitës politike. Duhet kuptuar se gjyqësori është një ndër tre pushtetet i cili kontrollon dhe balancon dy pushtetet e tjera. Në demokracitë e reja si kjo e jona, askush nga forcat paralele siç janë legjislativi dhe ekzekutivi nuk do të dëshironte apriori një gjyqësor të fortë. Kjo në Shqipëri është evidentuar për më se dy dekadash. Sistemi gjyqësor duhet të jetë promotori i reformave që lidhen me të, duke i vënë një theks të veçantë integritetit të gjyqtarit. Vendimet e drejta dhe në zbatim të ligjit duke mos pasur parasysh pozitën sociale apo politike të palëve do t’i jepnin kredibilitetin dhe respektin e munguar gjykatës shqiptare. Vetëm atëherë çdo reformë e iniciuar prej tyre apo reagim ndaj ndërhyrjeve të politikës do të mirëpriteshin nga shoqëria.
Me pak fjalë në një shoqëri ku gjyqësori është i varur jo vetëm institucionalisht, por dhe nga mungesa e integritetit të gjyqtarëve, dilemat e demokracisë dhe shtetit ligjor mbeten krejtësisht të hapura. Një gjyqësor i kontrolluar i jep mundësi qarqeve politike që në rastin e Shqipërisë duket të jenë të konturuara mirë me elitat ekonomike, të ngelen jashtë kontrollit ligjor. Duket se ka një steriotipizim të qëllimshëm të sistemit gjyqësor i cili fatkeqësisht ka arritur me sukses të dobësojë rolin e gjykatës shqiptare. Kjo nuk e ndihmon gjyqësorin, por përkundrazi ia vështirëson atij proceset reformuese. Të neutralizosh gjyqësorin do të thotë të neutralizosh mekanizmin kryesor mbrojtës të kushtetutës dhe lirive të qytetarëve, dhe në këtë pikë fatkeqësisht elita politike nuk është e vetmja fajtore. Pra, faji nuk duhet kërkuar vetëm tek roli aktiv i politikes për ta neutralizuar gjyqësorin, por edhe tek roli pasiv i këtij të fundit për të reaguar.