Topin e ka tashmë Bamir Topi. Kjo lojë fjalësh nuk ka qenë kurrë më e vërtetë sesa tani, kur lëmshin shtatëmujor të zgjedhjeve që gatuan Sali Berisha dhe Edi Rama, do të duhet ta zgjidhë njëfarësoj kreu i shtetit, figura të cilën, për një arsye a një tjetër, e kanë lënë të gjithë qëllimisht në një cep, në rolin e spektatorit pasiv. Disa javë më parë, kur Presidenti guxoi të deklaronte se ishte i gatshëm t’i ulte palët në një tryezë për krizën politike, Berisha, Topalli, e pas tyre e gjithë ushtria blu, skërmitën dhëmbët. Ish-kolegu i tyre kishte bërë një sakrilegj: kishte pranuar që ka një krizë! Sot punët janë ndryshe. Në Strasburg, bashkë me rezolutën, u votua dhe u vendos edhe që në Shqipëri ka krizë e që ajo duhet zgjidhur nga kreu i shtetit.
Këshilli i Europës vendosi të investojë fort dhe hapur, në emër të të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, te figura e Presidentit të Republikës. Ishte dhe mbetet i vetmi institucion që ka qëndruar larg krizës. Ndoshta më larg se ç’duhej. Rezoluta e KE-së e fokuson aksionin politik për gjetjen e një daljeje nga kriza, jo pa qëllim mbi institucionit e kreut të shtetit. Një rritje e dukshme e aksioneve politike të Bamir Topit në jetën tonë politike, por edhe një thikë me dy presa për atë vetë. Siç dihet, për shkaqe politike dhe kushtetuese, kreu i shtetit ka pasur një peshë të tkurrur në zhvillimet politike brenda vendit. Në ndryshim nga paraardhësit e tij, Presidenti Topi e përjetoi nga zyra e tij ndryshimin e paketës kushtetuese, e cila e kthen zgjedhjen e kryetarit të shtetit praktikisht në një formalitet. Ndërsa Avokati i Popullit zgjidhet me shumicë të kualifikuar, Presidenti mund të votohet nga 71 deputetë, pra me shumicë të thjeshtë. Kjo rrethanë, në dukje e largët me figurën dhe rolin e Bamir Topit, ka ribërë në fakt në heshtje jo vetëm modalitetet që kanë të bëjnë me figurën e tij si President, por ka ridimensionuar edhe raportet institucionale që ai ka me palët e tjera. Më së pari me Kryeministrin, i cili është investuar edhe më shumë se sa kundërshtarët politikë, socialistët, për ta nxjerrë Topin në marzhet e politikës aktive.
Një aspekt jo fort sigurues për Topin përbën edhe vetë natyra e deklaratave që kanë lëshuar ndërkombëtarët në lidhje me krizën, përfshi edhe tekstin e rezolutës. Ashtu si në raportin final të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR-it, edhe në këtë dokument, që tashmë shërben si korniza e qëndrimit zyrtar të ndërkombëtarëve ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, vërehen pa shumë vështirësi të njëjtat ambiguitete, të njëjtat paqartësi dhe mëdyshje, të cilat kanë bërë që të gjithë të gjejnë të drejtë dhe justifikim në pozicionin e tyre partizan. Me formulime të mjegullta dhe një gjuhë që u jep të drejtë njëkohësisht të gjithëve dhe asnjërit, rezoluta, në vend që t’i qartësojë dhe davarisë retë mbi kokat e Berishës dhe Ramës, ka lënë pas të njëjtën vazhdë polemikash dhe pretendimesh. Me një ndryshim: që tashmë gjithçka duhet ta zgjidhë formalisht Presidenti. Kjo bën që presioni mbi kreun e shtetit të rritet dukshëm, ndërsa shanset për një kompromis të mbeten po ato që ishin. Prej nga duket se rrjedh natyrshëm edhe frika se tentativa e zotit Topi për t’i dhënë një fund krizës në këtë vend, mund të dështojë jo më qysh në krye të herës (pra, pa i mbledhur dot krerët politikë në një tryezë), por në fund të një procesi hipokrit, ku të gjithë do të paraqiten në derën e Presidentit e s’do të pranojnë asgjë.
Berisha dhe Rama po luajnë në këto momente një lojë normale presioni ndaj njëri-tjetrit. Gjuha e rëndë që po përdorin këto orë palët kundër njëra-tjetrës, nuk parathotë asgjë të mirë për tryezën e bisedimeve që pritet të nisë nën drejtimin e Presidentit dhe monitorimin e institucioneve ndërkombëtare. Por, është gjithashtu e pritshme që gjatë bisedimeve, në praninë e Presidentit dhe asistencën e ndërkombëtarëve, dinamika e pretendimeve të PD-së e PS-së të pësojnë ndryshime. Gjithsesi, aktualisht duket e pamundur që palët të lëvizin nga kushti themelor, i cili e mban të mbërthyer klasën politike që nga fillimi i korrikut: hapja ose jo e kutive të votimit, për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit.
Mjedisi armiqësor në të cilin do t’i duhet të lëvizë në orët e ardhshme Presidentit, mund të mbajë brenda farën e një dështimi të nesërm. Mbështetja ndërkombëtare ndaj nismës së tij të afërt është esenciale dhe vendimtare për suksesin e një operacioni nga i cili varet paqja politike në vend dhe e ardhmja e tij europiane. Këshilli i Europës ka vendosur të japë një sinjal të fortë, duke dërguar në Tiranë praktikisht të gjithë drejtuesit e tij më të lartë. Por Bamir Topi ka sot në dorë, më shumë sesa një çelës për të zgjidhur krizën, një ruletë ruse, nga ato që s’dihet sa plumba kanë brenda. Dhe mbi të gjitha, s’dihet ku janë dhe kur mund të shkrepin.