Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Armiku i gabuar

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Armiku i gabuar

Të nesërmen e mbrëmjes që ndoqa si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë tek Fevziu se si përballej fjala e lirë (Stefani, Lubonja, Nano) e me biznesin e lirë (Frangaj, Kokëdhima), u ula të hedh ca shënime mbi këtë temë që prej kohësh më mundon. Nuk paskësh qenë e lehtë t’u jepja formë, po sifoqoftë them se sot mund t’ua jap të shkrojtura edhe juve që, ashtu siç gjykuat për atë debat, të gjykoni edhe mendimet e mia.

Në vjetin e largët 1514, piktori flamand Quentin Massys, realizoi kryeveprën e vet “Fajdexhiu dhe gruaja e tij”. Piktura paraqet një fajdexhi që, duke mbajtur ndër duar një peshore, mbetet i përqëndruar tek peshon dhe numëron monedhat e tij të arta, ndërsa në krah i qëndron e shoqja që, duke mbajtur në duar një bibël të hapur, i sheh gati me përçmim monedhat. Eshtë pasqyrimi më i fortë i luftës mes idealizmës së mesjetës që po shkon dhe materializmës së kapitalit që po lind, është shprehje e përpjekjes së shoqërisë së mbështetur tek morali, për të disiplinuar shoqërinë e mbështetur tek paraja. Këtë luftë që ka vazhduar për qindra vjet, përfundimisht e fitoi kapitali dhe ai është bërë në botën e sotme sistemi i vlerës me të cilën matet gati çdo gjë.

Nga ana e vet, shoqëria perëndimore, e tmerruar nga ky mjet i ri që varrosi çdo sistem vlerash morale, por që njëkohësisht është edhe i pazëvendësueshëm, u përpoq t’i përgjigjësh (dhe do thënë se ja doli) duke i vënë përballë shtetin me rregulla të forta impersonale. Pasanikut të shekullit XV, i kërkohej me të lypur që të jepte ca nga pasuria e tij për bamirësi, Kisha i premtonte parajsën nëse jepte për më të dobëtit, Bibla i ofronte rregulla morale në këmbim të ndihmës për fukarenjtë, e kështu me rradhë. Kohët ndërruan dhe, pasanikut të shekullit XIX, nuk i kërkohej më asgjë me të tilla mjete. Tani ai do të kish përballë një nëpunës administrate me rregjistër në dorë, i cili i kërkon taksat sipas ca llogarive të ftohta, ndaj të cilave nuk mund të bësh asgjë. Vetëm pasi të ketë mbaruar punë me nëpunësin e taksave të qeverisë, mund të afrohet edhe prifti të kërkojë diçka në emër të Zotit, apo shoqëria civile në emër të moralit. Ky sistem sot sa vjen e përsoset dhe, me ç’duket, është e vetmja mënyrë që shoqëria moderne të mos gllabërohet nga kapitali. Marksi bëri përpjekjen e fundit të madhe për t’i vënë fre kapitalit, por jo në emër të fesë, por të një morali të ri të barazisë. Eksperimentimi i teorisë së tij vazhdoi për gati njëqind vjet dhe dështoi, duke na lënë pas dy luftra botërore, dyqind revolucione dhe nja 100 milionë të vdekur. Më në fund, deshën s’deshën, të gjithë ju kthyen sisemit të shtetit modern që, përmes rregullave disiplinon kapitalin dhe thith prej mbivlerës së tij atë ç’ka atij, shtetit, i duhet për të mbajtur më këmbë shoqërinë moderne.
Tani, që të vijmë tek rasti jonë, kam frikë se beteja e vogël por e ashpër që pamë në studion e Fevziut, ishte sërisht një përpjekje prej atyre të qëmotit, për ta disiplinuar kapitalin jo përmes shtetit por përmes moralit. Të dashur miq, Fatos, Muç dhe Andrea, nuk ka gjë më fisnike sesa kjo luftë, në të cilën edhe vetë herë pas here zbraz nga një dyfek, por me keqardhje them se ajo është e humbur tash 200 vjet. Të gjitha penat dhe penelët e ndritur, që kanë bërë e përshkruar beteja të kësaj lufte, të gjithë Hygotë, Balzakët e Masysët, e kanë kanë bërë këtë për nostalgji dhe në emër të një morali fisnik, por ndërkaq lufta ishte e humbur. Të gjitha këto vepra shërbejnë për të mbajtur gjallë shkëndijën e moralit, por ndërkaq, në botën reale, zgjedha e vetme që mund t’i vihet kapitalit, mbetet shteti i fortë dhe i mirëorganizuar. Ne shqiptarëve, pikërisht ky na mungon. Na mungon shteti me rregulla të sakta, ligje të prera, nëpunës të përgatitur, institucione që funksionojnë jashtë politikës së ditës, ndaj nga halli, kthehemi dhe i bëjmë thirrje kapitalit të jetë i moralshëm dhe i mëshirshëm.
Bash për këto arësye, jam i prirur të mos e kërkoj të keqen tek sipërmarrësi privat, por tek administratori publik. Eshtë e drejtë e çdo sipërmarrësi privat që të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme dhe çdo të çarë të sistemit, se në fund të fundit, ai as ka bërë betim për ndershmëri dhe as po rrezikon paratë tona por të tijat, ashtu siç përkundër, është detyrë e çdo administratori publik që të mbrojë dhe përsosë sistemin, pasi pikërisht për këtë arësye e paguajmë ne publiku nga paratë tona, për të mbrojtur pronën tonë të përbashkët dhe, për këtë punë edhe është betuar ta kryejë, duke vënë dorën mbi Kushtetutë.

Kur shoh të jepet leje ndërtimi për kulla mbi kulla në mes të qendrës së Tiranës, duke u shkatërruar jetën, mirëqenien dhe komoditetin lagjeve të tëra, jam i prirur që të mos mallkoj grykësinë e ndërtuesit dhe të pronarëve të truallit, por t’u kërkoj llogari administratorëve të qytetit që, duke shkelur betimin dhe premtimin që kanë bërë, shkelin gjithë ligjet duke vënë firmën mbi të tilla ndërtime. Ndoshta edhe unë, apo Muçi, apo Fatosi, apo Andrea, po të ishim pronar trualli apo ndërtues, do përpiqeshim të gjenim të gjitha shtigjet për të marrë maksimumin e mundshëm nga sipërmarrja, por cilido prej nesh, i vënë në pozicionin tjetër, në atë të administratorit të qytetit, do të përpiqësh të kufizonim përmes ligjeve dhe rregullave këtë grykësi, ndoshta të pamoralshme por gjithsesi të ligjshme, të privatit. Nëse sot Tirana po humbet edhe njollat e fundme të sipërfaqeve të gjelbra, nëse sot të gjitha shërbimet dhe hapësirat publike të qytetit po konvertohen në interesa private, faji për këtë është i administratorëve të qytetit në këta 20 vjet, si edhe i strukturave shtetërore në përgjithësi dhe jo i kapitalit privat, i atyre që kanë gjetur shtegun që duke gjetur shesh të bëjnë përshesh.

Mulliri gjigand i korrupsionit në Shqipëri, ushqehet nga një pafundësi përrenjsh të mëdhenj e të vegjël, të cilët është pikërisht paaftësia dhe mosdashja jonë për të ndërtuar sistemin e rregullave, që i lejon të vazhdojnë të derdhin ujë drejt rrotës së mullirit. Për ta ndalur këtë mulli të së keqes, ka dy mënyra. E para, është të vazhdojmë t’i biem mureve të tij me kokë dhe të përpiqemi t’ja prishim muret, ingranazhet, apo rrotën e zhytur në ujë. Mënyra e dytë, është të përpiqemi t’i presim ujët, apo sa të mundemi t’ja pakësojmë atë. Që t’i le mënjanë sofizmat, ç’dua të them me këtë. Nëse do të jemi në gjendje të ngremë një sistem ligjesh, standartesh dhe rregullash, të cilat lenë shumë pak hapësira për voluntarizmin e funksionarit shtetëror, do të kemi bërë realisht hapa drejt vënies ndën zgjedhë të kapitalit të harbuar. Betejën me kapitalin e pashpirt mund ta fitojë vetëm diçka që është po aq i pashpirt sa ai dhe kjo krijesë është vetëm shteti modern.

Prej gati 4 a 5 vjetësh, Frangaj është kthyer në një lloj simboli të biznesit të lidhur me pushtetin. Nuk po i hyj këtu hetimit se sa të vërtetë ka në këtë gjë, se s’është vëndi, por po e zë se e gjitha është e vërtetë, apo madje edhe ca më keq akoma. Reagimi i parë instiktiv, është kërkesa për moral, e llojit: pse Frangaj bën këtë apo atë, pse ka ndikim te Berisha apo te Rama, pse nuk bën këtë apo atë, si s’u ngop e si s’u fry! E gjithë kjo mënyrë të menduari kështu, e kthen gjënë në çështje morali politik, publik apo shoqëror, por pa u përqëndruar aspak tek pjesa e funksioneve të shtetit, i cili nuk ka moral por rregulla. Ne mund t’i kërkojmë moral Nënë Terezës, por jo një biznesmeni. Biznesit i vihen rregulla dhe jo moral, se shteti nuk mbahet me moral. Nëse bie fjala, do të kishte rregulla të qarta që përcaktojnë koeficentët e ndërtimit, vendin ku mund të ndërtohet ose jo, plan rregullues të qartë dhe pa ekuivoke, Frangaj apo kushdo sipërmarrës tjetër, as që do t’i hynin gajretit e rrezikut për të bërë presion mbi shtetin për të marrë një leje ndërtimi tek fusha e futbollit prapa Stadiumit Qemal Stafa. Ndërsa për sa kohë që rregullat janë të paqarta, për sa kohë është në dorë të funksionarit shtetëror “dua ta jap, s’dua s’ta jap”, apo “po të dua ta jap 3 kate, po të dua ta jap 30 kate”, është e natyrshme që, jo Frangaj, por edhe unë po të kisha një televizion në dorë, do t’i bëja presion Ministrit, Kryeministrit, Kryetarit të Bashkisë, e kujt tjetër, për të marrë maksimumin e mundshëm.

Hiqini voluntarizmin funksionarit publik dhe do të keni zhdukur një pjesë të madhe të deformimit të sistemit. Prejini kanalet që çojnë ujë drejt mullirit të korrupionit dhe do të shihni se rrota e tij do ndalet pa qënë nevoja t’i thyejmë qeramidhet mullirit. Përndryshe, do vazhdojmë t’i lypim mëshirë e moral kapitalit e biznesit, deri sa të bëhemi të mërzitshëm dhe atëhere as që do na i vërë më veshin

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama