Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zgjatimi i shtyllës sonë kurrizore

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 15 vite më parë

Fatos Baxhaku
Zgjatimi i shtyllës sonë kurrizore

Askush nuk mund ta thotë, përveç atij vetë, nëse një shkrimtar i yni, fort i njohur, bezdiset kur i kujton vargjet që pati shkruar dikur në të ritë e tij. Ato që bënin fjalë se si ne shqiptarët jemi një komb disi i çuditshëm. Fundi i shtyllës sonë kurrizore nuk është diku në qafë, porse në tytën e pushkës, martinës, mauzerit, patickës, kallashit. Kështu pati shkruar pak a shumë disa dekada më parë ai. Askush nuk e di mirë, mbase tani as ai vetë, nëse shkrimtari këto vargje i besonte vërtet, ishin shenjë e një krenarie të ndjerë, apo ishin më shumë një autoironi për kombin e tij që kishte harxhuar aq shumë mund, gjak e kohë duke u marrë më tepër me pushkën, se sa me librin? Apo thjesht ishte një konformizëm i gjetur për t’u strukur brenda kornizave të patriotizmit fort të vlerësuar të realizmit socialist? Askush nuk e di dhe mbase nuk ka përse ta dijë. Në gjithë këtë mesele, i rëndësishëm është që togfjalëshi “pushka, zgjatimi i shtyllës sonë kurrizore” është jo vetëm i qëlluar, por edhe fort aktual. Javën që shkoi dhe ditët e para të kësaj jave kemi pasur të bëjmë goxha shpesh me këtë “zgjatimin e shtyllës sonë kurrizore”.

Qetësinë e një mbrëmjeje në Durrës e çorën krismat e një kallashnikovi. Brenda një çasti, tre vetë shkuan në jetën tjetër. Nuk kaluan shumë ditë dhe një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në kronikat tona. Në Vidohovë kishte ndodhur një masakër. Fshati i largët i Devollit, krejt në kufi, ishte i njohur vetëm për ata që ishin që andej dhe për fshatarët përreth. Vetëm pak kush kishte të bënte me atë fshat që ka nisur të mpaket dalëngadalë. Sikur të mos ishin të ashtuquajturat “provokacionet në kufi të gushtit të 1949”, askush nuk do të kujtohej për fshatin e mbuluar nga dëbora. Por ja që fati e desh që Vidohova të kujtohej sërish pas 61 vjetëve, sërish për krisma, gjak e viktima. Gjaku i tre vëllezërve përskuqi borën e pashkelur. “Zgjatimi i shtyllës sonë kurrizore” kishte bërë kërdinë.
Dy ditë më parë kallashi u bë protagonist i një historie edhe më absurde. Në Vërdovë, fshatin e njohur të Pogradecit, disa fëmijë i gëzoheshin shtresës tashmë të trashë të dëborës. Por ja se ku del një kallash. Fëmijët vrapojnë të bëjnë një foto. E kush prej tyre nuk do të mburret teksa pozon me një kallash në dëborë? Porse “zgjatimi” ynë i famshëm është tinëzar. Kallashi shkrepet pa dashje dhe një 13-vjeçar dergjet pa jetë. U tha se fëmijët e kishin gjetur armën pranë një depoje uji, por kjo duket se është një sajesë e pastër, e thënë vetëm për të shpëtuar ndonjërin nga akuza për armëmbajtje pa leje.

Shefi i hetimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme doli para shtypit dhe tha se në të gjitha këto raste, policia ka vepruar shpejt dhe me profesionalizëm. “A mund të parandalohen këto raste?”, e ka pyetur dikush. Përgjigjja ka qenë negative. Ndodhitë kanë qenë ose pasionante, ose të paqëllimta. Në këtë rast, roli i policisë është që të zbulojë shpejt autorët. Shefi deri diku ka të drejtë, po deri diku ama. Sigurisht që nuk ka polic në botë të ndalojë vrullin e çmendur të një burri të tradhtuar, ose të një njeriu që ka jetuar jetë e mot me idenë e hakmarrjes, ose të një tjetri që thjesht ka lajthitur nga mendja. Të tilla ngjarje kanë ndodhur dhe ndodhin edhe në vende të tjera. I shohim thuajse përditë në lajme. Shefi kishte të drejtë edhe kur lavdëronte punën e policisë në zbardhjen e krimeve dhe kapjen e autorëve.

Porse shefi ka harruar një gjë. Ka harruar se sa e thjeshtë është te ne që të gjesh një armë vrastare, apo më mirë “një zgjatim të shtyllës sonë kurrizore”. Shefi harroi të thoshte se vrasësi i tre vëllezërve do ta kishte shumë herë më të vështirë punën sikur në dorë të kishte vetëm një thikë apo një sëpatë. U harrua të thuhej se sikur të mos ishte në qarkullim fare lirshëm ai kallashi i mallkuar, loja e fëmijëve do të kishte qenë një hare mbi dëborë dhe jo një tragjedi. Është harruar të thuhet prerë e shkoqur se ne jemi ende një popull i armatosur, madje i armatosur deri në dhëmbë. Nuk gabojmë nëse themi se jemi edhe më të armatosur se gjyshërit tanë, me të cilët Mbreti Zog i pati disa “muhabete” të mira. Se si i bëhet që, më në fund, edhe ne të kemi një shtyllë kurrizore normale dhe jo atë që mbaron me tytën e pushkës, këtë duhet ta thonë më parë nga të gjithë specialistët. Mbase duhen forcuar ligjet që dënojnë armëmbajtjen pa leje, mbase duhen shtuar kontrollet e policisë, mbase të dyja bashkë. Ja pra se ku paskemi ende mundësi që të parandalojmë çmenduritë vrastare. Askush nuk do të kundërshtojë nëse shtrëngohen masat ndaj armëmbajtësve pa leje. Duke qenë një gjë fort e dënueshme, edhe arma do të shndërrohet në një gjë të pështirë, në një gjë që nuk duhet prekur me dorë dhe jo më t’i thurësh himne. Arma është krijuar vetëm për të marrë jetë njerëzish. Kjo duhet ngulitur fort në kokën e gjithsecilit prej nesh. Nëse krijojmë bashkë, shtet e shoqëri, një klimë mbytëse ndaj saj, madje deri edhe në shijet estetike, atëherë sigurisht që do parandalojmë shumë e shumë vrasje. Dhe mbase atëherë do t’u blejmë gjithnjë e më rrallë për Vit të Ri kallashë prej plastmasi bijve tanë. E gjithë kjo histori ndoshta duhej të niste që këtu.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama