Javën e fundit, shqiptarët kanë gjetur ilaçin e ri kundër gjumit: “A do takohet Rama me Berishën”. Ky ilaç, që të bëjë efekt të plotë, do shoqëruar me ca melheme të tjera të tipit: “Ku do takohen, a do i japin dorën njëri-tjetrit, sa do rrijnë bashkë, kush do jetë tjetër, a do e qasin edhe Topin në takim”.
Kjo çorbë e vjetër e ngrohur sërish, na erdhi në fund të Pesë-vjeçarit të Parë të Politikës së Re. Pesë vjet që folëm ditë e natë për politikën që duhej bërë ndryshe, pesë vjet që e brodhëm Shqipërinë cep më cep (të gjithë me Kryetarin në ballë, përfshi edhe unë), duke u folur njerëzve se nuk mund të vazhdohej më me politikën e vjetër. Pesë vjet duke u folur për bashkimin e madh përtej së majtës dhe së djathtës, që qënkësh arma sekrete që do të vinte përpara dhe do fshinte nga faqja e dheut shqiptar këdo që do t’i dilte kundër, e çfarë t’u numëroj tjetër. U folëm e u shpjeguam njerëzve, që qenë bajagi të neveritur me politikën e vjetër të pazarit të liderëve, u folëm shqiptarëve për politikën e re që do bëhej me njerëzit dhe jo më me kryetarët, u treguam atyre ëndrrën tonë për bashkimin e madh, që do t’u thosh “mjaft” dasive, mërive dhe armiqësive. Pa u folëm pastaj të urtëve shqiptarë, se me çelësin magjik të bashkimit të madh, do t’i thoshim “sikter” presionit të rrugës, pasi ne do ngrinim shtetin e institucioneve. Eh sa gjëra u thamë njerëzve në këtë Pesëvjeçar të Parë të Politikës së Re.
Në fund, të pesë vjetëve, ku jemi? Orteku i madh i votave që do bënte qametin, me ç’duket nuk ndodhi, qëkurse kaq vota (në mos më shumë) Partia ime i mori që më 2005-n. Partia tani, le që s’u bashkua më shumë se kurrë, siç u kishim thënë njerëzve, por është më e përçarë se kurrë, madje po huazon edhe termat e asaj Partisë së qëmotit, kur e kishim një të vetme: “Sa më shumë armiq të shpallim, aq më të shëndoshë e kemi Partinë, se mbetet e pastër”. Edhe të urtëve, atyre që donin një Shqipëri normale, ua prishëm ëndrrën, se nuk e kthyem dot shtetin në zyra, por dolëm edhe ne vetë në rrugë. Mbi të gjitha zhgënjyem ata, shqiptarët e rinj, ata të cilëve aq shumë u ishte neveritur politika e kryetarëve, sa bash për këtë nuk ia dhanë votën Nanos më 2005-n. Boll më, thanë ata atëherë, boll më me zgjidhjet që vijnë se u takua Nano me Berishën. Boll më, u thamë edhe ne atëherë, ndërsa sot pesë vjet më pas, jemi po atje, te pika e nisjes, duke pritur të na zgjidhë prapë hallin takimi i kryetarëve, jo më Nano me Berishën, por Rama me Berishën. Po pse ore, për kaq gjë e bëmë gjithë këtë luftë?
Në vakt të Ramizit, qarkullonte një anekdotë anti-regjim, që e thoshim pak a shumë kështu. Zbret nga fshati fukara, nëna plakë e një anëtari të ri të Byrosë Politike, të takojë djalin që kish bërë karrierë në Parti. I tregojnë se ku banonte tani djali, që e kish nisur udhën nga shtëpia e fshatit, troket në derë të vilës dhe e çuditur i thotë të birit: -Mor bir, ku e ke gjetur gjithë këtë shtëpi? -Partia nëne, na i ka dhënë. Më tej, sheh nën’ja plakë në kopsht të vilës një pishinë. -Po kjo mor bir? -Nga Partia e kemi edhe pishinën nëne. Ca më tej, shkëlqente benzi i zi me shofer te dera. -Po këtë mor bir, ku e ke gjetur? -Edhe këtë nëne, nga Partia e kemi. Në fund, plaka e vojtur shpërtheu: -Po ne beun për një kalë me shalë e vramë mor bir! Ta dinim kështu, do kishim mbajtur atë!
HASANI
Në fillim, i gjithë kati përdhes i pallatit qenë dyqane. I pari kish përsipër një tabelë bezeje ku shkruhej BUKE, i dyti BULMET, i treti USHQIMORE, ndërsa i fundit FRUTA-PERIME. E gjithë lagjja ime është rritur me këto katër dyqane. Më kujtohet Hasani, shitësi i frutave, që ishte unifikuar me dyqanin dhe bërë pikë referimi. Ne kalamajtë nuk thoshim “te dyqani i frutave”, por “te Hasani”. Kjo ndoshta edhe se frutat sa vinin e rralloheshin dhe brenda gjeje vetëm Hasanin që vinte vërdallë mes ca arkave ose bosh, ose me domate të kalbura, të cilat ai i shkreti nga halli mundohej të na i shiste për të freskëta, se i kishte në inventar. Madje, edhe distancat në lagje i matnim me largësinë nga dyqani i Hasanit.
Erdhi Demokracia, dyqanet u privatizuan dhe i pari u dorëzua Bulmeti, u bë Qebaptore dhe pastaj Klub. Pas ca kohësh edhe Ushqimorja ndërroi faqe dhe u bë Qendër Bastesh. Pastaj i erdhi radha dyqanit të Bukës, që u bë Kafe, ndërsa Hasani rezistoi më gjatë në zanatin e vjetër. Në fund, në vitin e Bollëkut të Madh 1996, edhe Hasani ju dorëzua joshjes së parasë dhe e dha me qira për Klub. Mirëpo viti prandaj quhet vit e jo shekull, se mbaron shpejt, ashtu siç mbaroi edhe Viti i Bollëkut të Madh me Qametin e Madh të ‘97-s. Pas ca kohe, Hasani ju rikthye zanatit të vjetër, që s’e kish lënë në baltë kurrë dhe e rihapi dyqanin e Fruta-Perimeve. Për të gjithë ne, ai ishte tashmë një simbol i pandryshueshëm i kohëve të vjetra. Tre dyqanet e tjera rreshtonin çdo ditë karriget e tavolinat, ku zengjinët dhe të papunët pijnë kafe, ndërsa i katërti, Hasani, rreshtonte arkat e tij me portokalle Greqie e mollë Maqedonie. Paçka se s’janë tonat, thoshim me vete, por të paktën Hasani është po ai, njeriu i punës që e ka kuptuar thelbin e kapitalizmit. Ja, ta shihni kur të gjithë këta të tjerët të ngrenë duart, se nuk shkohet në Europë duke pirë kafe, ndërsa Hasani do të jetë gjithmonë aty, se pa kafe edhe rrihet, po pa sallatë e vezë jo.
Vazhdoi kështu deri para një jave, kur duke kaluar asaj ane, pashë se rreshtit të tre kafeneve u qe shtuar edhe një e katërt: dyqani i Hasanit qe bërë kafja e Hasanit, ose më saktë e ish-Hasanit, pasi e kish dhënë me qira. E takova Hasanin duke pirë kafen i ulur në lokalin që s’qe më i tiji dhe i kërkova psenë. Nuk vazhdohej më, m’u zbraz, konkurrenca e shitësve ambulantë dhe tregjeve të paligjshme qe e ashpër. Ata s’paguajnë as taksa e as mbajnë përgjegjësi, se ikin e s’i zë dot më, ndërsa mua më mbysnit ju po t’u dilte shalqini jeshil. Taksat shtoheshin përditë, Bashkia më rropi me tatime e gjoba. Inspektorati i kësaj, kontrolli i asaj, e vu fleta e gjobës. Njerëzia e duan mallin të lirë se janë fukarallepsur, pa le të jetë edhe i pakontrolluar, ndaj shkojnë e i blejnë tek ambulanti. Foli e foli Hasani, sa i zbrazi të gjitha dhe pastaj vazhdoi të rrufiste i qetë kafenë.
Kur nuk qemë në Europë, kishim katër dyqane që punonin, tani që po hyjmë në Europë, kemi katër klube ku pihet kafe. Kushedi si do jetë nga brenda kjo Europa, kur të hyjmë me tamam, plot me kafe që rrufisen me një barrë qejf, duke u ngrohur në diell. Ehhh, ishallah ia arrijmë asaj dite!