Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Emergjenca e radhës

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 15 vite më parë

Blendi Kajsiu
Emergjenca e radhës

Takimi Rama–Berisha është kthyer në emergjencën e radhës,  që ka zëvendësuar tërësisht emergjencën e përmbytjeve që tashmë pothuajse janë harruar. Nesër me siguri do dalin të tjera emergjenca, që do gozhdojnë vëmendjen dhe energjitë publike dhe ky takim do harrohet. Në këtë vrapim marramendës nga njëra emergjencë te tjetra, gjërat sa më shumë ndryshojnë aq më shumë mbeten njësoj. Përballë problemeve të reja riciklohen po ato zgjidhje dhe ide të vjetra, sepse nën presionin e zgjidhjeve imediate është e pamundur të mendosh dhe aq më pak të bësh diçka ndryshe. Ndaj teksa sëmundjet e demokracisë shqiptare majisen, mjekimi mbetet po ai; dialogu politik, konsensusi, transparenca, respektimi i institucioneve, apo respektimi i votës së lirë. Pak rëndësi ka që këto ilaçe kanë njëzet vjet që nuk po e shërojnë demokracinë tonë, edhe pse ndoshta e kanë mbajtur gjallë.  

Kështu sot të krijohet përshtypja se mjafton të merren vesh Berisha dhe Rama dhe problemet e demokracisë shqiptare do marrin fund. Ashtu sikurse dje të gjitha krizat e sistemit politik shqiptar do merrnin fund nga takimi Nano-Berisha. Përsëri Qeveria sot flet për shenjtërinë e gjykatave dhe institucioneve, të cilat i injoron dhe i dhunon sa herë i teket. Edhe pse sot problemi nuk është se gjykatat apo Prokuroria nuk funksionojnë, por se nëse ato do funksiononin jo vetëm shumica e klasës politike, por edhe një pjesë e mirë e qytetarëve duhet të përfundonin në burg, pasi vështirë të gjesh sot në Shqipëri dikë që, me, ose pa, dashje nuk e ka shkelur ligjin diku, dikur. Sot, si dhe dje, opozita flet për shenjtërinë e votës së lirë. Edhe pse sot më shumë se kurrë problemi nuk është se po manipulohet vota, por se qytetarët nuk dinë se ç’të bëjnë me të. Sa më të lira dhe të ndershme bëhen zgjedhjet, aq më pak zgjedhje ka. Në fakt i gjithë sistemi elektoral dhe kushtetues është ngritur për të reduktuar zgjedhjen politike, duke vështirësuar daljen e aktorëve të rinj në skenë. 

Sot, si dhe dje, ndërkombëtarët na thonë se nëse palët arrijnë kompromis, atëherë demokracia shqiptare shpëtoi. Në të kundërt rrezikohet integrimi në BE. Një avaz i vjetër ky, sipas të cilit i gjithë problemi i demokracisë shqiptare është se politikanët nuk janë të aftë të merren vesh në të mirë të vendit. Edhe pse politikanët tanë, si majtas edhe djathtas, janë marrë vesh për të gjitha çështjet themelore; të gjithë janë pro NATO-s, pro integrimit në BE, pro tregtisë së lirë, pro shtetit të vogël, pro uljes së taksave, pro investimeve të huaja, pro sistemit elektoral, pro kushtetutës, pro universiteteve publike dhe private, e kështu pafund. Asnjë kundërshtim nuk ka mes tyre për çështje themelore, që kanë të bëjnë me demokracinë apo zhvillimin e vendit.  

Një nga arsyet se përse ne kemi kaq shumë zënka të vogla është sepse nuk kemi asnjë debat të madh. Jo sepse na duhet një debat i madh për tangërllëk. Por sepse pas njëzet vitesh tranzicion, minimalisht duhet të bëjmë një bilanc të modelit të zhvillimit që kemi ndjekur deri tani. Në mënyrë që në njëzet vitet në vazhdim të mos përsërisim të njëjtat gabime që kemi bërë njëzet vitet e kaluara. Përndryshe do vazhdojmë të shajmë klasën politike edhe në njëzet vitet e ardhshme. Ama kur hapësira publike përmbytet nga emergjencat është e pamundur të reflektosh dhe debatosh për çështje themelore dhe afatgjata, si pasojat e tregtisë së lirë në ekonominë shqiptare, pasojat e deindustrializimit, emigracioni dhe remitancat, deficiti tregtar në rritje, papunësia që nuk ulet apo kostot e integrimit në BE. Përballë emergjencave dhe kalkulimeve politike afat-shkurtra, vizioni afatgjatë bëhet një luks gjithnjë e më i madh. Nuk është se kemi të bëjmë me një fenomen thjesht shqiptar. Elektoralizimi i politikës e ka ngushtuar së tepërmi vizionin qeverisës edhe në vendet me demokraci të thekur.

Mediatizimi e ka kthyer qeverisjen në një fushatë elektorale që nuk mbaron kurrë. Ndaj politikanët kanë pak mundësi për t’u marrë me plane apo vizione afatgjata që tejkalojnë mandatin e tyre elektoral. Megjithatë, ky është një fenomen më problematik për Shqipërinë sesa për vendet e zhvilluara, sepse treguesit tanë politik dhe ekonomik janë shumë larg asaj që shpresonim 20 vite më parë, dhe ende prapa fqinjëve tanë të prapambetur. Në këto kushte, një reflektim për një model afatgjatë zhvillimi bëhet i domosdoshëm. Për momentin i gjithë vizioni i ardhmërisë sonë përmblidhet tek objektivi i futjes së Shqipërisë në BE, pak rëndësi ka se kur të futet në BE Shqipëria do jetë (dhe po vazhdoi kështu do të mbetet) vendi më i varfër i saj. Në kushte të tilla, integrimi kthehet në një prioritet që përpara sesa ta bëjë Shqipërinë të banueshme, synon t’u krijojë shqiptarëve mundësinë që të largohen nga vendi i tyre sa më lirshëm. Aq të zënë jemi me emergjencat e ditës saqë tashmë askujt nuk i bën përshtypje se në të ardhmen e saj evropiane, Shqipëria kërcënohet nga braktisja.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama