Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Perspektivat ndërkombëtare të çështjes çame

Shkruar nga: Miranda Vickers  
Botuar më: 15 vite më parë

Miranda Vickers
Perspektivat ndërkombëtare të çështjes çame

Në pranverë të vitit 1992 pati një justifikim të dukshëm për optimizmin midis gjithë shqiptarëve në Ballkan. Beogradi kishte humbur kontrollin mbi Kosovën dhe shqiptarët kosovarë besonin se u duhej të prisnin vetëm tre vjet para se të fitonin pavarësinë e plotë. Shqiptarët e Maqedonisë ishin gjithashtu optimistë që Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund luftës së tyre me Shkupin, do të bënte të mundur reformat e mëdha strukturore që do t’u jepnin atyre barazinë politike dhe shoqërore. Ndërkaq, në Shqipëri kishte nisur të kthehej normaliteti pas trazirave katastrofike dhe ankthit shoqëror të gjysmës së dytë të viteve 1990. Dukej se ishte në kundërshtim me këtë sfond të optimizmit të përgjithshëm në botën shqiptare të thoshe se ishte koha e përshtatshme për t’iu futur edhe pjesës së fundit të pazgjidhur të Çështjes Kombëtare Shqiptare - çështjes çame.

Padyshim që tani ishte koha për ta hapur këtë kapitull të braktisur të historisë shqiptare, para se sytë e botës të largoheshin nga Ballkani për t’u përqendruar në Luftën e re kundër Terrorit pas 11 shtatorit të vitit 2001. Pikërisht në këtë kontekst unë shkrova një studim për Akademinë Britanike të Mbrojtjes, të titulluar “Çështja çame – aspiratat kombëtare dhe pronësore të shqiptarëve në Greqi”, që u botua në prill të vitit 2002. Reagimi ndaj këtij studimi në Londër dhe Bruksel ishte i ndryshëm. Nga njëra anë ai u prit me interes të madh, sepse me përjashtim të grekëve, pothuajse askush nuk kishte dëgjuar në Ballkanin jugor të flitej zyrtarisht për çamët apo për problemet e tyre.

Duhet kujtuar se deri më sot kanë kaluar vetëm 18 vjet qëkurse bashkësia ndërkombëtare u vetëdijesua për shqiptarët në përgjithësi, pasi ata ose kishin jetuar në izolim të plotë në Shqipëri, ose në amullinë e thellë dhe të panjohur të Jugosllavisë. Përmbysja e shtetit njëpartiak në Shqipëri më 1991, që shkaktoi eksodin e beftë të dhjetëra mijëra shqiptarëve në Itali dhe Greqi, i bëri të njohur shqiptarët në botë. Destabilizimi i Shqipërisë më 1997 dhe dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan se Europa kishte një problem serioz shqiptar, me të cilin duhet të angazhohej. Ky mendim u provua se ishte i drejtë me shpërthimin maksimal të luftës në Kosovë, që u pasua menjëherë nga trazira të tjera të dhunshme, ku u përfshinë shqiptarët etnikë në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës në Serbinë Jugore.

Me vënien në vijë me vështirësi të këtyre konflikteve, reagimi ndërkombëtar për problemin çam mbartte një lloj alarmi. Mos ishin shqiptarët duke u përgatitur “të hapnin një front tjetër”? Në këtë kohë, brenda bashkësisë ndërkombëtare pati më shumë frikë për bisedimet mbi një Shqipëri të Madhe. Ata që kishin bërë një studim serioz të çështjes çame e dinin që këtu nuk ishte fjala për një pretendim territorial, por për fat të keq ajo kështu ishte perceptuar në qarqet e huaja. Ju mund të hidhni vetëm një sy në internet për të parë të ashtuquajturat raportime të reja pafundësisht mbi një tjetër “lëvizje të krijuar për të bashkuar të gjitha territoret shqiptare”, që sigurisht gjithmonë përfshin Greqinë në një hartë të “Shqipërisë etnike”. Raporte të tilla negative vetëm sa shtojnë shqetësimin mbi ambiciet e vërteta të shqiptarëve. Ndërsa Europa është e merakosur, bombardimi i Serbisë nga NATO-ja dhe çlirimi i shqiptarëve të Kosovës nga kontrolli i Beogradit, pasuar nga bisedime të lodhshme për të arritur Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni, duhej të kishin qenë të mjaftueshme për të frenuar baticën e aspiratave shqiptare në Ballkan. Si atëherë, edhe tani, nuk kishte vullnet për ndonjë lëshim më shumë ndaj shqiptarëve, duke shtuar listën tashmë të gjatë me çështje të tjera për zgjidhjen e problemit të pronave, si pasojë e dëbimit krejtësisht të paligjshëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Për shembull, në Poloni ka pretendime të jashtëzakonshme si nga hebrenjtë, ashtu dhe nga gjermanët, dhe më pak nga rusët dhe ukrainasit. Polonia ka përmbushur disa kërkesa të hebrenjve, por nuk pranon t’u kthejë ndonjë gjë gjermanëve. Në Republikën Çeke, gjermanët sudetë kanë pretendime territoriale dhe pronësore që mbështeten jozyrtarisht nga Gjermania dhe Austria. Praga nuk pranon shfuqizimin e dekreteve të Benes, që më 1945 u morën me forcë pronat 2.5 milionë gjermanëve, pa asnjë kompensim. Ka gjithashtu pretendime të shumta italiane mbi Slloveninë dhe Kroacinë për pronat në Istria, të marra nga Jugosllavia më 1945. Dhe, sigurisht që ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për pretendimet e refugjatëve maqedonas të Egjeut, që ikën nga Lufta Civile në Greqi, të cilat janë hedhur poshtë prerazi nga Greqia. Ka vetëm pak çështje të ngjashme me çështjen çame, të cilat mbeten të pazgjidhura, dhe që në të vërtetë përfshijnë drejtpërdrejt apo tërthorazi të gjitha vendet e Europës Qendrore.

Duke shqyrtuar rastet e mësipërme, bëhet më e lehtë për t’u kuptuar përse çamët e kanë të vështirë t’ia mbushin mendjen Europës të merret me kauzën e tyre. Qëkurse u hap ky debat në vitin 2002, ishte përgjithësisht e ditur që çamët do të gjenin mirëkuptimin për ankesat e tyre nga miliona europianë të tjerë – të cilët vuajnë padrejtësitë e luftës. Ka një ngurrim për ta nxjerrë rastin çam mbi të gjitha problemet e tjera më thelbësore dhe më strategjike për çështjen e pronave që ziejnë aktualisht në Bashkimin Europian. Mjerisht, Greqia është plotësisht e ndërgjegjshme për këtë. Ndaj dhe përgjigjja e Athinës ndaj çështjes çame është e njëjtë si për çdo gjë që ka të bëjë me çështjet e pakicave, konkretisht – për të kjo çështje nuk ekziston. Teorikisht, Bashkimi Europian ka një “angazhim të fortë” ndaj abuzimit me të drejtat e pakicave. Shikoni për shembull, këmbënguljen e BE-së, thirrjet e përsëritura dhe korrekte drejtuar qeverisë së Kosovës mbi rëndësinë e të drejtave të pakicave në Kosovë. Ndërsa nuk ka pasur kurrë deri më tani ndonjë trysni nga Europa mbi qeveritë e njëpasnjëshme greke për të përmirësuar faktet skandaloze që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pakicat e tyre turke, sllave dhe shqiptare.

Sikurse është e njohur në qarqet çame, një pengesë e madhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme të çështjes çame është se teknikisht vazhdon të ekzistojë gjendja e luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ndonëse para vitit 2002 disa analistë hulumtues në një sërë ministrish të jashtme europiane kishin shkruar raporte negative që e kritikonin këtë ligj lufte, zyrtarët në detyrë nuk ishin të vetëdijshëm për të. Marrëdhëniet diplomatike midis Athinës dhe Tiranës u rivendosën në vitin 1971, por të dy vendeve iu duhej të nënshkruanin një traktat për t’i dhënë fund gjendjes së luftës. Më 1939 Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, ushtria e së cilës u përfshi në atë të Italisë. Në tetor 1940 ushtria italiane kaloi kufirin grek, duke e futur automatikisht Shqipërinë në luftë me Greqinë. Tirana, natyrisht, këmbëngul që Shqipëria ishte një viktimë e pushtimit fashist dhe hedh poshtë çdo përgjegjësi për sulmin. Në vitin 1985 është bërë e ditur se zyrtarët shqiptarë e kanë ngritur çështjen e gjendjes së luftës gjatë kontakteve të atij viti me homologët e tyre grekë, duke i kërkuar Athinës ta heqë ligjin e luftës.

Pas vizitës së tij në Tiranë, në janar 1985, zëvendësministri i parë i Jashtëm grek, Karolos Papulias, theksoi vëmendjen serioze të qeverisë së Papandreut për futjen në Parlamentin grek të një projektligji për t’i dhënë fund gjendjes zyrtare të luftës. Dy vjet më vonë, më 1987, Ligji i Luftës më në fund u shfuqizua nga qeveria greke, ndonëse ky vendim nuk është ratifikuar kurrë zyrtarisht nga Parlamenti grek, i cili thotë se ekzistenca e një Traktati të Miqësisë, nënshkruar nga të dy vendet në mars 1996, e shfuqizon automatikisht atë. Por, ndonëse traktati përmban referenca të shumta për pakicën greke në Shqipëri, askund nuk përmenden Gjendja e Luftës dhe Çështja Çame. Njëzet nenet e traktatit theksojnë që marrëveshja do të jetë e vlefshme për një periudhë 20-vjeçare. Përndryshe kjo do të thotë se marrëveshja është e detyrueshme të rivlerësohet nga secila qeveri aty nga viti 2016.

Duke pasur parasysh që pronat e çamëve janë konfiskuar si rezultat i këtij ligji kontradiktor, nuk është e mjaftueshme për autoritetet greke të deklarojnë se ligji është i pavlefshëm – duhet që ai të shfuqizohet zyrtarisht nga Parlamenti. Ne e dimë që qysh nga viti 1985, qeveritë që ia kanë lënë vendin njëra-tjetrës në Shqipëri i kanë përsëritur me këmbëngulje Athinës ta shqyrtojë këtë çështje, por pa sukses. Udhëheqjet politike, si të Shqipërisë, ashtu edhe Greqisë, kanë interesa afatgjata me zgjidhjen e këtij problemi. Sa më shumë që çështja çame të mbetet e pazgjidhur, aq më shumë rritet rreziku që çështja të bëhet pré e ekstremistëve – si nga grupet radikale shqiptare të vendosura për ta militarizuar çështjen, ashtu dhe nga elementët myslimanë që përpiqen të përcjellin pikëpamjen se çështja çame është në thelb një shembull më shumë se myslimanët janë të persekutuar nga të krishterët. Po të kthehemi në janar të këtij vitit (2009), gjatë bombardimeve të Gazës nga izraelitët, një organizatë çame shpërndau një mesazh me titullin GAZA, SREBRENICA, PARAMITHIA. Kjo donte të thoshte se si palestinezët, boshnjakët dhe myslimanët, çamë janë masakruar nga të krishterët. Kjo përcjell një mesazh të gabuar. Ky përbën një rrezik për tëhuajësimin e bashkësisë ndërkombëtare nga disa grupe, ndonëse të vogla, që pretendojnë se çështja çame është një çështje myslimane kundër asaj të krishtere.

Pavarësisht nga të gjitha pengesat që u kanë dalë, çamët ende duken se kanë besim tek udhëheqësit ndërkombëtarë se do të ndërhyjnë për çështjen e tyre. Në shtator të vitit të kaluar, një grup çamësh të moshuar që jetojnë në Amerikë, i shkruan Nicholas Sarkozy-së me cilësinë e Presidentit, si të Francës ashtu dhe të Bashkimit Europian. Letra e tyre e gjatë dhe prekëse jepte një histori të hollësishme të historisë së vuajtjeve të çamëve që shkonte prapa deri te Kongresi i Berlinit më 1879. Ata i bënin thirrje Bashkimit Europian si “një simbol i demokracisë dhe mbrojtës i të drejtave njerëzore për gjithë banorët e Europës”. Një javë më vonë kjo u pasua nga një tjetër letër drejtuar Sarkozy-së, të shkruar nga përfaqësuesit e familjes mbretërore shqiptare në Paris. Kjo letër kërkonte gjithashtu “mirësinë e lartë” të Presidentit Sarkozy për ta trajtuar çështjen çame në emër të demokracisë europiane. Letra pyeste: “Si ne mund të pranojmë një Bashkim Europian që nuk respekton të drejtat e njeriut”? Përgjigjja fatkeqësisht ishte se ata mund të kishin të drejtë. Çamët nuk mund të prisnin ndonjë “fener demokratik” për të ndihmuar kauzën e tyre, ndërkohë që BE mbetet në mëdyshje për të zbatuar ato që vetë predikon.

Kriza e tanishme ekonomike botërore po inkurajon shumë vende, përfshirë dhe ato të BE-së, të marrin masa mbrojtëse për të siguruar ekonominë e tyre dhe për të bërë një politikë të jashtme më të kujdesshme. Për parashikimin e së ardhmes do të kishte më pak interes apo entuziazëm në Europë ose Amerikë për atë që është parë si një çështje më e errët që mund të shqyrtohet në nivele vendore. Prandaj dhe do apo s’do, i përket udhëheqjes shqiptare të merret seriozisht me çështjen çame. Vitet e fundit ka pasur disa debate të nxehta dhe të bujshme midis politikanëve shqiptarë, por ende nuk është bërë asgjë për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij kanceri të panevojshëm që gërryen së brendshmi marrëdhëniet miqësore greko-shqiptare.

Është e lehtë tashmë të kuptohet se pse udhëheqja politike shqiptare e ka injoruar së tepërmi çështjen çame. Në të vërtetë, disa mund të thonë se ata ia kanë dalë mbanë të injorojnë dëshirat e shqiptarëve të thjeshtë, kështu që s’ka pse të mërziten çamët – përveçse në kohë fushatash zgjedhore. Pse ta zemërojmë Greqinë, fqinjin e fuqishëm që mund të prishë aspiratat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, po edhe të vështirësojë situatën e pothuajse një milion shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe të rrezikojë kontributin e çmuar që remitancat e tyre japin për ekonominë shqiptare. Këto janë disa argumente të vazhdueshme që shprehin udhëheqësit shqiptarë për të justifikuar reagimin e tyre të dobët ndaj kërkesave çame. Sidoqoftë, zgjidhja e çështjes çame u shërben interesave afatgjata si të Greqisë, ashtu dhe të Shqipërisë.

Një fakt i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë është ambiguiditeti i marrëdhënieve midis Athinës dhe rajoneve veriore kufitare me Greqinë. Historikisht, territori që tashmë është Greqi veriore, nuk ka qenë banuar kurrë nga grekët deri kohët e fundit. Në vend të tyre, popullsia përbëhej më së shumti nga turq, shqiptarë, bullgarë, vlleh, sarakaçanë, pomakë dhe romë. Si rezultat i shpërnguljeve pas luftërave ballkanike, si dhe shkëmbimeve të popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë më 1922, mandej të Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës Civile greke, qindra mijëra jogrekë u detyruan të iknin nga Greqia për t’u zëvendësuar me grekë etnikë nga Azia e Vogël dhe grupe më të vogla nga Athina, që u vendosën me strategji në qytetet dhe fshatrat e trevave kufitare, nga ku ata do t’i raportonin Athinës mbi veprimtarinë e popullsisë jogreke. Në dekadat që pasuan që nga ajo kohë, kryesisht çamët e krishterë ortodoksë që mbetën në Greqi janë duke luftuar për t’i mbijetuar asimilimit kulturor.

Kjo praktikë vazhdon deri në ditët tona dhe është një tregues i kërcënimit që ende ndiejnë autoritetet greke nga kufijtë veriorë. Për pasojë, ka mosbesime dhe mosmarrëveshje të mëdha midis popullsisë vendore dhe autoriteteve zonale, pleksur këto me një mungesë të përgjithshme njohjeje midis grekëve jugorë të krejt trevave veriore kufitare dhe popullsisë jogreke. Kjo është një situatë jo e mirë për Greqinë. Me fushatën e përtërirë nga maqedonasit e Egjeut për të rifituar pronat e tyre në Greqi, do të jetë më mirë që Athina të përpiqet të sigurojë një zgjidhje juridike dhe të zbusë tensionet në një kënd të trevave kufitare, duke kontribuar dukshëm për stabilitetin e rajonit. Ky është një favor i madh për çamët që, pavarësisht nga vuajtjet e tyre të mëdha dhe mungesa e ndihmës ndërkombëtare për kauzën e tyre, janë vendosmërisht të bindur të mos ndjekin rrugën e dhunës për të arritur qëllimet e tyre. Udhëheqësit politikë të Shqipërisë, dhe doemos autoritetet greke, duhet ta respektojnë këtë fakt të rëndësishëm dhe të punojnë bashkë me çamët për të gjetur një zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje gjithnjë e më serioze.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama