Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Misioni i mosndryshimit

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Misioni i mosndryshimit

Misioni imponues i Këshillit të Europës foli. Komiteti i Presidentëve ka deklaruar dje në vija të përgjithshme, nevojën për hyrjen e opozitës në Kuvend, krijimin e një komisioni hetimor për zgjedhjet të kryesuar prej saj, pa shkelur në “tokën e minuar” të objektit të hetimit. Edhe një herë kutitë kanë mbetur tabu për ndërkombëtarët, të cilët kanë zgjedhur si më të lehtë adaptimin e qëndrimit të Berishës, përballë sfidës së Ramës. Në krye të 48 orëve, qëndrimi në Shqipëri dhe disa dhjetëra orëve takime, zyrtarët nga Strasburgu i kanë lënë dhe një herë gjërat praktikisht pezull, duke përsëritur gabimin klasik të ndërkombëtarëve që flasin përgjysmë, veprojnë përgjysmë dhe gjykojnë përgjysmë.

Megjithatë, ne shqiptarët nuk i pëlqejmë zgjidhjet e buta, ku është e vështirë të dallosh fituesin dhe humbësin. Edhe një herë ftohemi, pas kësaj vizite nga Europa, që t’i gjejmë një fitues këtij takimi të rëndësishëm të krizës politike në vend. Dhe ndoshta një fitues ekziston. Sepse nga mënyra sesi u zhvillua dhe nga konkluzionet që nxori misioni i Këshillit të Europës, qeveria s’ka pse të ndihet aspak keq nga ato çka nxori nga goja turku Çavushoglu. Përkundrazi. E thënë kjo, është Rama ai që priste më shumë dhe që mori më pak. Edhe gara e mimikës së fytyrave të Berishës dhe Ramës, dje pas konferencës së shtypit të delegacionit të KE, e pasqyronte shkallën e humorit që la pas ky raund bisedimesh.

Në substancë, deklarata e përfaqësisë së lartë të KE adaptoi formulën e qeverisë, pa ofruar thuajse asgjë për opozitën. Tashmë ftesa e përsëritur e Berishës për të ftuar socialistët në Parlament, kundrejt formimit të një komisioni hetimor ku ata të kenë kryesinë, por pa përfshirë një formë çështjen e kutive, u bë edhe qëndrim zyrtar i Këshillit të Europës. Këtë mesazh kishte dalja publike e Çavushoglut dje, duket mjaft e lehtë për t’u kuptuar.

Nga ana tjetër, nuk mund të mos kalojë pa u vënë re edhe një fakt tjetër mjaft i rëndësishëm. Përkundër fjalëve dhe pritshmërisë së ditëve të fundit, problemi i hapjes së kutive me sa duket nuk u shtrua si një variant në tryezën e thirrur nga Strasburgu. Nëse miqtë nga Europa do të kishin dashur ta hidhnin këtë kartë për diskutim në tryezën e Presidentit, format dhe variantet ishin të shumta. Ato shkonin nga hapja me short e kutive, deri te ftesa për të hetuar atë pjesë të qarqeve që nuk kishin nga pas një vendim të Kolegjit Zgjedhor. Mos-shqyrtimi gjatë negociatave i këtyre varianteve tregon indirekt se ndërkombëtarët u janë trembur pasojave potenciale që mund të sjellë një proces i tillë shqyrtimi i kutive të votimit, i cili në kushtet konkrete i ngjan shprehjes “të nxjerrësh djallin nga shishja”. Ose ndryshe, të pranosh që Shqipëria të shkojë në zgjedhje, siç e ka thënë hapur Sabri Godo.

Ramë sërish në logjikën “shqiptare” të krizës, ose ndryshe, në mekanizmin më të mbrapshtë të menaxhimit, që ka prodhuar në 20 vjetët e fundit dramat më të mëdha në këtë vend. Heqja mënjanë e arbitrit dhe vazhdimi i lojës pa gjykatës, ka shumë mundësi që t’i ngjajë këtej e tutje atyre ndeshjeve të kampionatit shqiptar të futbollit, ku spektatorët, ekipet dhe policia lokale, japin shpesh shfaqje boksi masiv, me rrahje, shkelma dhe thyerje nofullash. Nëse kishte dhe ka një moment të papërshtatshëm për ta lënë këtë krizë në dorën e Sali Berishës dhe të Edi Ramës, ky është pikërisht një i tillë. Prej këtej e tutje do t’u kthehemi sharjeve të turpshme në një Parlament të boshatisur dhe mitingjeve sfiduese në dritaret e Kryeministrisë. Kjo atmosferë s’do shumë koment: është tamam ajo që s’i duhet vendit në këtë moment.

Përtej shuplakës mes rreshtave që opozita mori dje, një dështim djegës ka marrë me vete në Strasburg edhe dërgata e ndërkombëtarëve. Nëse Athina qan, Sparta nuk qesh, thotë shprehja. Ky është një falimentim jo i thjeshtë dhe as i lehtë i të gjithë ndërmjetësve të huaj, institucione, shtete apo organizata gjithfarësh, që janë marrë me këtë krizë komplekse gjatë gjashtë muajve të fundit. Vetë miti i të plotfuqishmit, që shoqëron imazhin e diplomatit të huaj në sytë e shqiptarëve qysh nga fillimi i kohërave, ka marrë një plasaritje të dukshme pas kësaj tentative të vështirë pajtimi, të dështuar nga një delegacion i nivelit shumë të lartë. Paneli i përzgjedhur i zyrtarëve të Këshillit të Europës, e bën edhe më të zhurmshëm dështimin e kësaj negociate. Me sa duket, plani i famshëm “B” për krizën elektorale shqiptare, i shumëpërfolur dhe i shumëpritur, ekziston (për momentin të paktën) vetëm në fantazinë e entuziastëve. Ndërkombëtarët zbuluan edhe një herë limitet e tyre, përballë kokëfortësisë ballkanike të politikanëve shqiptarë.

Kjo krizë ka lënë jashtë prej muajsh një litar të rrezikshëm për opozitën: mandatet e paformalizuara të 64 deputetëve të saj. Kjo rrethanë e ka vendosur rregullisht Ramën një hap pas Berishës, në garën për hetimin e zgjedhjeve. Nëse opozita do ta kishte zgjidhur problemin delikat të marrëdhënies me Kuvendin, ka shumë gjasë që edhe negociatat e fundit me delegacionin europian të kishin një formë dhe një përmbajtje tjetër. Vetëm pak orë larg vendimit të vështirë të rikthimit të deputetëve të tij në sallën e Kuvendit, Rama duhet të mendojë se me çfarë justifikimi publik duhet ta bëjë këtë gjest. Ai duhet gjithashtu të peshojë me kujdes se si dhe sa do të qëndrojë opozita në atë sallë. PS ka pasur kohë ta mendojë këtë takim të vështirë me fatin e saj politik. Cilido qoftë vendimi, një gjë duket e palëvizshme edhe pas vizitës së delegacionit të Këshillit të Europës. Kauza e hapjes së kutive të votimit nuk është sot më pak e drejtë dhe e vlefshme, pas kësaj vizite. Ajo është ndoshta po aq e vështirë dhe formalisht jokorrekte sa më parë, por kurrsesi e padrejtë. Nëse opozita ka hedhur tashmë hapin e njohjes së zgjedhjeve dhe institucioneve të dala prej tyre, ajo e ka të vështirë të hedhë një tjetër hap, që do të komprometonte rëndë pozitën e saj ndaj zgjedhësve dhe kundërshtarit. I takon Berishës, edhe tani kur Cavushoglu ka folur, të hedhë hapin e afrimit. Zgjidhje tjetër nuk ka.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama