Fjala transparencë ka kohë që në fjalorin tonë dhe, veçanërisht të politikës, ka vetëm një kuptim, hapjen e kutive të votimit dhe zbardhjen e të vërtetës së zgjedhjeve, sikurse thotë kreu i socialistëve, Edi Rama. Por, të premten, rreth 40 intelektualë, gazetarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, u mblodhën në Tiranë dhe kërkuan një tjetër transparencë.
Nuk bëhet fjalë për transparencën e zgjedhjeve apo të disa kutive, por për transparencën e vetë politikës. Fushata e fundit zgjedhore ishte një manifestim gjigant dhe një demonstrim pompoz i forcës së partive përmes organizimit të tubimeve të mëdha, shoqëruar me një kosto marramendëse financiare. Reklama televizive gjatë 24 orëve dhe këngëtarë që i shndërruan tubimet elektorale në koncerte muzikore kushtuan miliona euro. Partitë paraqitën pranë KQZ-së faturat e shpenzimeve, deklaruan donacionet që kishin marrë nga mbështetësit dhe komisioni i auditimit i nxori faqebardhë para ligjit. Shefat e financave, kryesisht të dy partive të mëdha, ishin treguar të kujdesshëm që të dorëzonin fatura plotësisht në përputhje me ligjin. Por kush i verifikoi ato fatura, kush i kontrolloi financat e partive për të mësuar se sa para shpenzuan realisht, sa para morën nga donatorët legalë dhe sa nga donatorët informalë? Askush! Por, një studim i publikuar të premten nga dy organizata, Forumi i Mendimit të Lirë dhe IDRA, tregoi se partitë kanë gënjyer me faturat që kanë paraqitur pranë auditit të KQZ-së. Edhe pse në mënyrë të pjesshme, investigimi i bërë gjatë fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit, tregoi majën e ajsbergut të informalitetit të politikës.
Financimi i politikës nga biznesi është një gjë krejtësisht legale në shumicën e vendeve demokratike. Por në Shqipëri, marrëdhëniet mes politikës dhe biznesit janë në errësirë të plotë. Në shumë raste, donacionet nuk janë vullnetare, por sipërmarrësit shtrëngohen të paguajnë shuma të mëdha parash, pasi kërcënohen nga partia në pushtet, apo ajo që pritet të vijë në pushtet, me reprezalje tatimore apo doganore. Shumë të tjerë paguajnë duke përmbushur detyrimet që burgojnë nga flirtet financiare që kanë pasur me fondet publike. Të tjerë, për t’i paraprirë çdo ndryshimi politik, financojnë, si partinë në pushtet ashtu edhe opozitën, duke parapaguar kështu privilegjin e të nesërmes dhe duke hipotekuar të drejtën e përfitimit në kurriz të fondeve publike në mënyrë të padrejtë. Në selitë e partive bizneset që konsiderohen si mbështetës janë listuar si kompanitë në bursa dhe secila parti e di se cilët janë bizneset e saj dhe cilët të palës kundërshtare. Në mënyrë informale këtë e dinë të gjithë, por kjo asnjëherë nuk është bërë dhe nuk bëhet publike, ndërsa në listën zyrtare të donatorëve figurojnë vetëm disa individë që kanë kontribuar me shuma qesharake. Referuar këtij mjedisi sterr financiar ku gjallon politika shqiptare, Ylli Manjani, i cilësoi partitë në Shqipëri jo si grupime politike, por si shoqëri tregtare me prirje kriminale. Kjo martesë e rrezikshme e politikës me biznesin, është një kërcënim i madh për demokracinë dhe konkurrencën e lirë. Bizneset janë pajtuar më këtë situatë dhe nuk e denoncojnë, pasi sa janë viktima janë edhe përfitues. Por, nëse ata do të flisnin do të dëgjonim se si taksidarë partish, u trokasin në derë duke u thënë se do të shënohen në “librin e zi” emrat e atyre që nuk kontribuojnë. Do të dëgjonin sesi në prag fushatash elektorale flitet për miliona lekë dhe euro që transportohen edhe me thasë e valixhe sikur të bëhej tregti ilegale diamantesh apo droge. Në shumë raste, partitë shndërrohen në gjobëvënëse, njësoj si organizatat kriminale që të kërcënojnë se do të hedhin biznesin në erë nëse nuk paguan shumën e kërkuar.
Ndërsa flasin për parime morale, themele të demokracisë dhe të drejtës, ndërsa i referohen ligjit dhe Kushtetutës, gjithmonë dhe për çdo gjë, partitë politike janë në fakt sipërmarrjet më të mëdha informale dhe të zhytura në krim ekonomik. Çdo iniciativë ligjore, sado anemike, ka thyer kokën përballë një koalicioni solid të gjithë politikës për këtë çështje.
Në prag të fushatës së zgjedhjeve, partitë bënë publike, sipas ligjit, numrat e llogarisë dhe bankat përkatëse për donacione. Ato premtuan dhe kështu e kërkon edhe ligji, se këto llogari do të jenë transparente, pra gjithkush ka të drejtë të japë para, por edhe të dijë se kush ka dhënë dhe sa ka dhënë. Por në mënyrë absurde, asnjë parti dhe asnjë bankë nuk ofroi asnjë informacion për këtë, kur iu kërkua.
Ne mund ta mbështesim opozitën në kërkesën e saj universale, për të verifikuar dyshimet mbi vërtetësinë e një procesi të rëndësishëm, sikurse janë zgjedhjet. Por ne kemi po kaq të drejtë të kërkojmë me forcë që veç transparencës së zgjedhjeve, të bëhet edhe transparenca e vetë politikës, në mënyrë që selitë e partive të mos shndërrohen në dhoma tregtie dhe lista e deputetëve të mos mbushet me biznesmenë e horra të pasur.
Një parti e mirë, nuk dallon nga numri i këngëtarëve që sjell në një shesh, sa fishekzjarrë hedh në atmosferë apo tullumbace e flamuj valëvit në ajër. Ndaj, për askënd nuk është i nevojshëm gjithë ai luks elektoral. Do të duket një thirrje paradoksale që t’u kërkosh partive të bëjnë transparencën e xhepave të tyre të majmur, por nëse një parti do të dilte dhe ta merrte flamurin e kësaj nisme, jemi të bindur se historia politike në Shqipëri do t’ia rezervonte një vend dhe do të fitonte më shumë votues se një parti që shpërndan miell apo gris para kamerave defterët e borxheve të njerëzve të varfër në dyqanet e ushqimeve.