Analiza e krizës ekonomiko-financiare, për të nxjerrë mësime për të ardhmen, sot nuk ka përfshirë vetëm financierët dhe analistët e ekonomisë, por edhe psikologët. Ata kohët e fundit kanë shtruar pyetjen? A mos u shkaktua kriza e fundit ekonomike nga njerëz që ndër karakteristikat e tyre kryesore kishin edhe një formë të butë të autizmit, ose të sindromës Aspoerger?
Njerëzit me këtë sindromë karakterizohen, veç të tjerash edhe nga mungesa e aftësisë për të kuptuar diversitetin e njerëzve të tjerë, sepse ata kanë besime dhe pika referimi të ndryshme nga tonat. Sipas psikologëve, një mungesë e tillë, e vënë re te një numër njerëzish me pozicione shumë të rëndësishme vendimmarrëse, mund të ketë shkaktuar një pjesë të krizës, sepse persona të tillë nuk arrijnë dot të të konceptojnë me mendjen e tyre opinionet e ndryshme.
Para krizës këta njerëz patën një refuzim të përgjithshëm për të pranuar qoftë edhe një mundësi të vogël të gabimeve të sistemit financiar, apo qoftë edhe të të dhënave të tij. Nuk janë për t’u harruar siguritë që dhanë bankierët para krizës për fuqinë dhe gjendjen e mirë të sistemit financiar dhe atij bankar.
Familjarët e personave që vuajnë nga një simptomë e tillë e dinë fare mirë se, këta njerëz janë shumë të dhënë pas të dhënave dhe modeleve të caktuara dhe manifestojnë vazhdimisht një mungesë vullneti për t’u përfshirë në parjen e të gjithë situatës, por vetëm të një segmenti të saj. Sipas analizave të psikologëve rezulton se tipare të të sëmurëve me simptomën Asperger, ngjasojnë shumë me simptomat e vetë sistemit financiar dhe bankar në vitin 2007. Vetëm kështu shpjegohet një sistem i tërë financiar që refuzoi të shihte atë që po ndodhte, pra rrokullimën drejt greminës e që ç’është më e keqja vazhdon të mos shohë edhe sot atë që duhet ndryshuar rrënjësisht.’
Duke lexuar sa më sipër nëpërmjet shtypit u befasova nga ngjashmëria e kësaj dukurie në Shqipëri, ku prej kohësh me gjithë paralajmërimet, veprimet e propaganda qeverisë shqiptare dhe kasnecëve të saj në çështjet ekonomike më linin pa fjalë. Prandaj kam besuar gjithmonë se zëri i politikës nuk është i besueshëm nëse nuk argumenton profesionalisht alternativat politike që orientojnë qëndrimin që duhet mbajtur ndaj shenjave të dukshme të zhvillimit të kësaj ose asaj dukurie.
Sindroma e autizmit dhe qeveria shqiptare
Kur në tetor të vitit të kaluar(2008) paralajmëruam shfaqjen e simptomave të para të efekteve të krizës financiare ndërkombëtare në Shqipëri si: rënia e dërgesa të emigrantëve, depozitave, rrudhja e kredisë si pasojë e tyre, po kështu dhe rënia e importeve, eksporteve etj., qeveria refuzoi ta shihte këtë realitet, përkundrazi quante arritje historike, rritjen e të ardhurave doganore, që sipas nesh vinte kryesisht si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të karburanteve drithërave HYPERLINK "http://etj.ne/" "_blan" etj. ne tregun ndërkombëtar. Në atë kohë paralajmëruam se në kushtet e krizës globale ky realitet fiktiv nuk do jetë si më parë dhe sugjeruam kujdes e më pak eufori me shifrat e arritjeve, në mënyrë që programimi i rritjes së PPB të ishte real. Por ky vizion u refuzua nga Kryeministri dhe vartësit e tij që mbrojtën me kokëfortësi argumentin e paprekshmërisë së Shqipërisë nga kriza globale, si pasojë e vitalitetit të saj me qëllim për të justifikuar kështu me djallëzi shpenzimet marramendëse buxhetore në një vit elektoral si 2009. Ndërkaq, opozita dhe institucionet ndërkombëtare si FMN etj., deklaronin se Shqipëria nuk është e paprekshme nga kriza. Në këto kushte debati për rritjen ekonomike të Shqipërisë u shfaq me diferenca në qëndrime. Nga njëra ana qeveria që insistonte për një rritje të PPB prej 6% dhe nga ana tjetër, opozita dhe institucionet ndërkombëtare si FMN etj., që tërhoqën vëmendjen për kujdes e maturi në programimin e këtij treguesi dhe atij të shpenzimeve të vitit 2009 si vit elektoral. Kjo kërkese për maturi buronte nga kujdesi për të ruajtur ekuilibrat makroekonomikë. Të gjitha parashikimet e konsideronin të pamundur rritjen euforike të programuar nga qeveria, që nuk jepte garanci për të realizuar të ardhurat e programuara. Ne paralajmëruam në këto kushte rrezikun e cenimit të ekuilibrave makroekonomikë si rezultat i shpenzimeve të larta buxhetore, po përsëri qeveria autiste refuzoi të dëgjojë.
Kërkesa jonë për maturi në llogaritjen e rritjes ekonomike, të ardhurave dhe shpenzimeve lidhej me parashikimin se:
1. Rritja e eksporteve pritej të ngadalësohej, dërgesat e emigrantëve do të ndikohen dhe investitorët mund të rivlerësonin rreziqet si rezultat i ndikimit të krizës edhe në Shqipëri, duke ulur volumin tregtar, pas një viti realiteti vërtetoi gjithë sa kemi thënë e parashikuar me realizëm gjatë kësaj kohe.
2. Gjatë 2009-ës kreditimi u bë më i rrallë dhe më i shtrenjtë duke sjellë rënie të ritmit të rritjes ekonomike, të zhvillimit të biznesit dhe për rrjedhojë dhe të të ardhurave buxhetore
3. Me gjithë këshillën e FMN, opozitës dhe të BSH për uljen e shpenzimeve që në kushtet e mësipërme do të ruante lekun nga zhvlerësimi, qeveria shqiptare është nga të paktat vende që nuk e pranoi të bënte uljen e shpenzimeve, për shkak se vendi gjendej para zgjedhjeve. Shpenzimet buxhetore dhe deficiti buxhetor u rritën edhe më shumë se viti 2008, në vend që të mbaheshin në kontroll në një vit si 2009, që mbarte efektet e krizës, një vit normal kur kriza në Shqipëri nuk kishte filluar të jepte efekt. Kjo situatë ka sjellë rritjen galopante të borxhit publik dhe sidomos kostos së shërbimit të tij që për 2009 në rreth 42 miliardë lekë, shifër kjo tepër e lartë për ekonominë tonë.
4. Shpenzimet e tepërta elektorale të qeverisë këtë vit çuan në rritje të importeve dhe deficitit të llogarisë korrente ky deficit është thelluar më tej i ndikuar kryesisht nga ngadalësimi i remitancave dhe rënia e shpejtë e eksporteve për këtë vit. Kjo është shoqëruar me rënien e vlerës së monedhës vendase.
Pra, kur qeveria shpenzon me tepri lekë, kjo rrit presionin mbi monedhën kombëtare në një ekonomi të orientuar nga importi. Në këto kushte ilaçi i vetëm do ishte ulja e shpenzimeve buxhetore.
5. Për sa i përket punësimit statistikat flasin për ulje të punësimit për vitin 2009. Në vend të premtimeve elektorale të LSI për 30 mijë apo të PD 40 mijë vendeve të reja pune (ose respektivisht 120 dhe 160 mijë në katër vjet)
Kjo situatë shpreh qartë se si qeveria shqiptare i refuzoi të shihte atë që po ndodhte, duke shtyrë ekonominë e vendit, si pasojë e sindromës së saj autiste në rrokullimën e greminës së borxheve që ç’është më e keqja vazhdon të mos shohë edhe sot atë që duhet ndryshuar rrënjësisht.
Mosrealizimet buxhetore në 2009
Analiza e treguesve të buxhetit të 2009 përgënjeshtron demagogjinë e asaj që i është servirur deri tani opinionit publik, për realizime spektakolare në ekonomi. Kjo analizë përkundrazi zbulon mosrealizim në të gjithë treguesit e planifikuar në buxhetin e shtetit për 2009, megjithëse ai u korrigjua dy herë brenda vitit. Ky mosrealizim ndodhi, edhe pas sugjerimit tonë, që të paktën buxhetin e korrigjuar nga qeveria në dhjetor, para se të aprovohej në Parlament në fund të janarit 2010, (pra një muaj pasi viti 2009 kishte përfunduar), të korrigjohej saktë, duke pranuar realitetin për të respektuar disiplinën fiskale buxhetore qoftë dhe me kaq vonesë formalisht. Por qeveria autiste përsëri nuk na dëgjoi, duke e kthyer tashmë në rutinë mosrespektimin e ligjit të buxhetit dhe të disiplinës buxhetore. Ndërkaq, të gjithë treguesit ekonomiko-fiskalë të 2009 kundrejt një viti më parë kanë një përkeqësim të tendencave të vërejtura më parë duke vërtetuar tashmë të gjitha shqetësimet e shprehura nga opozita dhe institucionet ndërkombëtare prej më se një viti. Treguesit e buxhetit 2009 rezultojnë me mosrealizime të ndjeshme jo vetëm kundrejt buxhetit fillestar, por edhe kundrejt buxhetit të korrigjuar në aktin e fundit normativ të aprovuar në Parlament më 28 janar. Ndërsa duke krahasuar me vitin e kaluar, treguesit e të ardhurave buxhetore në vitin 2009 flasin hapur për ngadalësim të rritjes deri në stanjacion të saj, si dhe për shenja të plota të rënies ekonomike në tremujorin e fundit. Konkretisht: ndërsa rritja e çmimeve ndaj vitit të kaluar ka qenë 2,4%, rritja e të ardhurave buxhetore që vetëm 2,7%, pra rritja reale vetëm 0,3%, ndërsa të ardhurat tatimore u rritën 2.5%, kurse tatime dhe dogana 1.8%, pra ato në realitet kanë mbetur në vend ose nuk janë rritur kundrejt 2008, përkundrazi kanë pasur rënie sidomos të ardhurat nga tatimet dhe doganat, që përfshijnë TVSH, akcizat etj. Të ardhura që shprehin direkt aktivitetin ekonomik të biznesit privat. Rritja e të ardhurave ka qenë mbi 3 herë më e ulët se rritja e shpenzimeve buxhetore, të cilat u rritën 8,2% ku brenda tyre rritja e shpenzimeve korrente qe 12,9%, duke kapërcyer shumë investimet, që në 2009 u rritën 4% shoqëruar me mangësi administrative. Kjo u reflektua veçanërisht në aritminë shqetësuese elektorale për kryerjen e investimeve duke rritur ndjeshëm nivelin e deficitit buxhetor dhe koston e shërbimit të borxhit.
Blofi me rritjen ekonomike
Në vitin 2009, kjo rritje nuk ka mundur të realizojë objektivin qeveritar prej 5-6 për qind, apo një rritje spektakolare siç i pëlqen të thotë Kryeministri, i cili nga miopia apo ndoshta padija rritjen e çmimeve e shet për rritje ekonomike, apo më keq siç bëri ditë më parë kur lexoi kuturu shifrat për Shqipërinë të një banke europiane. Megjithëse akoma INSTAT nuk na ka fabrikuar ndonjë shifër të PPB për 2009, ka mjaft të dhëna indirekte (si ato të rritjes së të ardhurave, rënia e volumit tregtar, shitjeve me pakicë etj.) që dëshmojnë rezervën tonë të shprehur prej një viti që rritja ekonomike nuk do kalonte parashikimin e saj nga FMN.
Rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar rezulton në nivele minimale me pak se 1% ose aq sa e ka parashikuar FMN në prill në nivelet 0.4-1. Në të kundërt, qeveria duhet të japë shpjegime pse nuk janë rritur të ardhurat, të japë shpjegime lidhur me nivelin e informalitetit dhe korrupsionin fiskal, i cili duhet të jetë shumë i lartë në këtë rast dhe flet për mungesë reale reformash dhe efekt negativ të masave të marra.
Cikli politik i buxhetit si keqqeverisje
Analiza e të dhënave faktike të buxhetit të 2009, shfaq një fiasko të plotë të buxhetit dhe e pretendimeve qeveritare për luftën kundër korrupsionit apo evazionit, megjithëse ai u korrigjua dy herë në drejtim të uljes së të ardhurave gjatë vitit nga qeveria. Kjo situatë quhet keqqeverisje, e cila bëhet me evidente, nga aritmia buxhetore gjate vitit elektoral 2009.
Duke analizuar treguesit e buxhetit të vitit 2009 kundrejt 2008, analize që detajohet për çdo gjashtëmujor, si dhe tremujorin e fundit të 2009 del qartë abuzimi politik me paratë e taksapaguesve për qëllime elektorale.
Teorikisht cikli politik i biznesit përcaktohet: ”Si një ekspasion afatshkurtër i stimuluar prej administratës para zgjedhjeve për të fituar votat. “Por pas zgjedhjeve vijnë pashmangërisht axhustimet, duke rritur papunësinë dhe inflacionin..:”
Kjo dukuri potenciale as mund të shkohet nëpër mend të ndodhë para zgjedhjeve në Amerikë apo në Europë. Ky fenomen nuk ka ndodhur as në Shqipëri kur në qeveri ishin socialistët. Kjo ndodh sa herë në pushtet vjen Z,Berisha, i cili dhe në 1995 i udhëhequr nga kjo filozofi deklaronte: ”çfarë do populli?..rrugë, ujë, shkolla… do ja u japim…” Tashmë njihet si ai manipuloi ekonominë edhe zgjedhjet e vitit 1996, duke projektuar pas kësaj shkatërrimin nga rënia e piramidave të sude&company të vitit 1997.
Ky është modeli i qeverisë “Berisha”, i cili përsëri në 2009 iu kthye fenomeneve të vitit 1996 ku abuzonte me deficitin buxhetor, duke influencuar nga një anë në vendimmarrjen e zgjedhësve dhe nga ana tjetër në shpenzime marramendëse të fushatës elektorale.
Duke dashur të paraqes nga pozita e studiueses një pasqyrim objektiv dhe të saktë të realitetit, kam tentuar analizën e buxhetit jo vetëm në mënyrë statike në fund të vitit, por në dinamikë gjatë vitit zgjedhor 2009, kur jo pa qëllim vazhdimisht në shumë shkrime apo prononcime publike, kam tërhequr vëmendjen që mos të ndodhte fenomeni i ciklit politik, cituar më sipër, me pasojat e tij negative, i njohur mirë nga studiuesit e teorive ekonomike.
1. Fakti që rritja e të ardhurave buxhetore në 2009 është në nivele minimale(2,7%), dhe që shfaq rënie të dukshme gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009(99%),duke arritur në nivele negative në tremujorin e katërt(96%), pavarësisht nga një rritje e eksporteve në këtë tremujor, është shqetësuese për këdo. Sepse nga ecuria e tyre varet ecuria e pagave, pensioneve, investimeve dhe mirëqenia.
2. Situata e buxhetore e vitit 2009 është karakterizuar nga një rritje më e madhe e shpenzimeve buxhetore, ku gjithë shtesa e tyre është realizuar në periudhën parazgjedhore. Konkretisht, investimet në 6-mujorin e parë u realizuan 166% në të dytin 76% dhe në tremujorin e fundit 56%. Ky fenomen quhet manipulimi i elektoratit me investime (paratë e taksapaguesve)në gjysmë viti për qëllime elektorale ose e thënë ndryshe shpenzimet e buxhetit janë përdorur për të blerë votat e shqiptarëve. Në kushtet kur kjo shtesë shpenzimesh në 6-mujorin e parë nuk qe produkt i rritjes ekonomike(PPB) po i huamarrjes, ky qëndrim do të kthehej shpejt në të kundërtën e vet në pjesën e dytë të vitit sidomos në fund të tij. Ai do të shoqërohej me praktikën e “kavalierit tonë” që e ushqeu kalin vetëm në gjysmën e parë të vitit dhe po e ngordh atë, duke e lënë pa ngrënë në gjysmën e dytë të tij, pavarësisht nga inaugurimet zhurmëmëdha të qershor-korrikut 2009. Kjo është forma më e shëmtuar e veprimtarisë reale të qeverisë. Ajo nga një anë ka mashtruar publikun me shpenzime pa efektivitet, kryesisht investime, që i demaskon kostoja e lartë e huamarrjes dhe nga ana tjetër shumë prej tyre janë të dyshimtë për sa i përket cilësisë së tyre nga nxitimi elektoral, që i ka lënë të papërfunduara për shkak të mosfinancimit. Pushteti që vjen nga kjo mënyre qeverisjeje është një pushtet i blerë në mënyrë korruptive nga paratë e taksapaguesve prandaj ky është korrupsioni më i madh, me një kosto shumë të lartë për shqiptarët.
3. Këtë politikë mediokre qeveria guxon ta quajë stimul ekonomik që evitoi krizën në Shqipëri, kur e vërteta është krejt ndryshe. Qeveria zhvilloi në mënyrë manipulative politikën e ciklit politik, vetëm për shirita elektorale duke rënduar ekonominë dhe çuar vendin në krizë tashmë për shkak të keqqeverisjes. Një situatë e tillë e shpenzimeve marramendëse në gjashtëmujorin e parë u shoqërua dhe nuk mund të mos shoqërohej me tkurrjen e shpenzimeve dhe për rrjedhojë të të ardhurave buxhetore veçanërisht në 6-mujorin e dytë dhe akoma më shumë në tremujorin e tretë.
4. Kjo vërtetohet nga të dhënat e tremujorit të fundit ku të gjithë treguesit janë me mosrealizim përveç shifrave të rritura frikshëm të interesave dhe shërbimit të kostos së borxhit që tregon qartazi sa u kushton shqiptarëve sot kjo qeveri. Në tremujorin e fundit 2009 të ardhurat tatimore, janë realizuar 93,7%. Kjo reflekton edhe tendencën reale të ekonomisë që shpreh rënie siç e kemi parashikuar me kohë dhe aspak rritje siç propagandon qeveria. Tremujori i fundit qartazi shpreh shenjat e krizës. Është e frikshme të shihet se kundrejt 2008 rritja e të ardhurave tatimore është po aq sa rritja e kostos së borxhit 6.6 miliardë lekë. Kjo është ”mrekullia Berisha-Bode” që merr borxh tashmë për të larë borxhet e marra me pare me interesa të larta që po e paguajnë shqiptarët.
5. Është përkeqësuar raporti shpenzime korente ndaj shpenzime kapitale dhe ndaj shpenzimeve gjithsej Shpenzimet korente në 2009/2008 janë rritur me ritme shumë më të larta sesa shpenzimet kapitale. Kjo për faktin se shumë shpenzime për to si ato për shtesa për paga, pensione të përndjekurit politikë apo ndonjë shpërblim tjetër kanë shërbyer vetëm si karrem për vota. Ky karrem po ripaguhet me rritje galopante të kostos së shërbimit të borxhit si në vitin 2009, por dhe 2010 e më tej, por dhe nëpërmjet rritjes së çmimeve nga zhvleftësimi i monedhës.
6. Shprehje e qartë e keqqeverisjes është treguesi i raportit të shpenzimeve korente ndaj të ardhurave tatimore që në 2009/2008 është 104 %. Kjo qeveri që nuk siguron të ardhura as për të mbajtur veten merr borxh, pa pasur hapësira të rrisë ekonominë. Për të qenë të saktë duhet të kujtoj se qeveria e mëparshme socialiste duke trashëguar një ekonomi të shkatërruar pas rënies së piramidave financiare, këtë koeficient nga 128% në vitin 2000 e uli në 106% në vitin elektoral 2005. Ajo ndoqi kështu politiken e uljes së kostos së borxhit, e cila nga 30,6 miliardë lekë në vitin 2000 ra në 29,4 miliardë në 2005,(ose nga 18% ndaj totalit të shpenzimeve gjithsej në 2000, ra në 12,6% në 2005 dhe 12% në 2009) duke mos abuzuar me ciklin politik si qeveria aktuale që e rriti koston e borxhit në 42 miliardë në vitin elektoral 2009. Pra, kemi dy modele të ndryshme qeverisje. Nga viti 2000 në 2005 shërbimi i borxhit total u ul me rreth 1,2 miliardë lekë ndërsa nga 2005 ne 2010 pritet të rritet me 22,7 miliardë lekë.
7. Kjo politikë ka shpënë në rritje galopante të deficitit buxhetor. Megjithëse u parashikua dhe u pretendua se do të ulej në 49 miliardë lekë me fakt u realizua 79.9 miliardë lekë. Pra rreth 30 miliardë lekë me shume se një viti më parë ose duke arritur nivelin 7% të PPB nga 5.54 % që ishte vitin e kaluar.
Në vend të përfundimit
Në kushtet kur situata është shoqëruar me rënien e ritmit të rritjes, që po shfaqet dukshëm në rënien e të ardhurave buxhetore në tremujorin e katërt, merr rëndësi të madhe diagnoza e qartë dhe pranimi i gjendjes reale nga qeveria në vend të demagogjisë së saj pakufi, që mendon se bën politikë të mirë duke mos pranuar asnjë gabim të saj. Në këto kushte rëndësi ka ndërmarrja e masave të sakta për të dalë nga kjo situatë, ku Shqipëria nuk hyri aq për efekt të krizës globale, por para së gjithash dhe mbi të gjitha nga papërgjegjshmëria e saj që shpuri në një politikë fiskale elektorale.
Sepse në ekonominë e tregut kriza nuk është fatalitet. E papranueshme është mosmarrja e masave të duhura në kohë, për të zvogëluar efektet e saj.
Ne kushtet kur kjo situatë nuk pranohet nga qeveria, nga forca kryesore politike e mazhorances, por edhe nga forca që i është atashuar asaj që për hir të portofolave qeveritare mohoi lehtësisht ato që mbronte dje si neve sot disa nga këto çështje, rezulton jo vetëm një diagnozë e gabuar, por dhe një terapi e gabuar, që rezulton nga një mosvlerësim i saktë i situatës. Terapia e gabuar reflektohet nga mosfinancimi i biznesit për shpenzimet e bëra, mosrishikimi në parlament i buxhetit të vitit 2010, bllokim i buxheteve lokale në bashkitë socialiste.
Koha vërtetoi se parashikimi i të ardhurave buxhetore për 2010 mbi bazën e treguesit të planifikuar 326 miliardë lekë dhe jo atij të realizuar në fakt nga 299.2 miliardë lekë të realizuara për vitin 2009, nuk kërkon një shkurtim apriori të thjeshtë të buxhetit siç ka bërë qeveria për 2010.
Kërkohet një rishikim që të mbaje parasysh si realizimin faktik të 2009, por dhe pritshmërinë e rritjes ekonomike për 2010.
Kërkohet një rishikim për t’i drejtuar shpenzimet jo sikur nuk ka ndodhur gjë, por siç është realiteti, pra për t’i drejtuar shpenzimet sipas prioriteteve për te qenë sa më efektive dhe cilësore.
Në këto përfundime të shpie analiza e hollësishme e realitetit që u mundova të trajtoj në këtë shkrim. Për të qenë e saktë dhe e sigurt ilustrova analitikisht me shifra çdo konkluzion, sepse preferoj stilin e profesor H.Stein, i cili thotë: “Siguria dhe saktësia e argumentuar me shifra të shpërblen. Të shpërblen me vëmendje dhe influence”. Kjo është mënyra më e mirë e komunikimit, në kushtet e autizmit të qeverisë shqiptare.