
Gjatë kohës sime si Ambasador këtu, kam takuar shumë "Heroina të Përditshme", femra shqiptare që më kanë prekur dhe frymëzuar, me përkushtimin që kanë ndaj vendit të tyre. Si mësuese, fermere, inxhiniere apo në shtëpi, femrave shqiptare shpesh u duhet të përballen me sfida të stërmëdha dhe me sakrifica të mëdha personale. Ato janë mbresëlënëse për arritjet e tyre, të cilat flasin mijëra fjalë mbi rolin e tyre për të sjellë ndryshim dhe përparim në vendin e tyre, përfshi edhe përmirësimet në statusin e vetë atyre.
Gjithnjë e më shumë shohim femra të tilla shqiptare që punojnë në profesione të konsideruara prej kohësh si "streha ekskluzive të burrave". Si shofere kamionësh apo taksish, për shembull. Në polici dhe në ushtri. Duke garuar në sporte, në të cilat më parë mbizotëronin meshkujt. Duke drejtuar kompani të mëdha. Në këto profesione, të identifikuara tradicionalisht me "maskulinitetin", ato kanë sjellë jo vetëm shkëlqimin e tyre, por edhe të gjitha mësimet dhe mençurinë që femrat, veçanërisht, mësojnë nga jeta. Na thonë se një gjë e tillë i ka ndihmuar të kuptojnë edhe përmasa të tjera të jetës, të ndihen më të vlerësuara në shoqëri dhe më njerëzore në marrëdhëniet e tyre me komunitetet e tyre.
Këto janë heroinat e përditshme shqiptare. Nuk kanë fuqi të mbinatyrshme, por përfaqësojnë atë çka është e shkëlqyer, frymëzojnë të tjerë dhe kanë përkushtim me pasion ndaj sjelljes së ndryshimit brenda komuniteteve ku ato shërbejnë.
8 marsi është një ditë e caktuar, posaçërisht për të nderuar femrat në Shqipëri dhe në mbarë botën si "Heroina të Përditshme" që zbulojnë shtigje të reja dhe kapërcejnë pengesa, ndërkohë që rendin drejt përparimit dhe begatisë për brezat që do të vijnë. Megjithatë, duhet thënë se një nderim të tillë e meritojnë çdo ditë të vitit, sepse arritjet e tyre e bëjnë botën tonë një vend më të mirë.
Heroinat e Përditshme. Gra të zakonshme që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Ato janë çelësi për përparimin global në këtë shekull të ri dhe meritojnë admirimin, mbështetjen dhe respektin tonë. Nga unë, i kanë të gjitha këto.
*Ambasadori i ShBA në Tiranë