Kinezët e kishin krijesë të tyren Revolucionin Kulturor, pra në një farë mënyre ishin krijues të marrëzive, ndërsa ne që i merrnim dhe i zbatonim këtu, thjesht ishim kopjues marrëzish, si të mos na mjaftonin tonat. Ky absurd do të jetë bërë shkas për daljen e një batute shkodrane në fillim të viteve ’70, kur Partia shpalosi nismën revolucionare “Të luftojmë rehatinë personale”. Shkodranët thanë që, për të luftuar rehatinë, duhet të heqim shalat e biçikletave. Kanë kaluar katër dekada që atëherë, kemi ndërruar dy sisteme dhe nja 20 qeveri, kemi pushkatuar një Kryeministër dhe burgosur nja tre të tjerë, por sheshi “Skënderbej” vazhdon të jetë ende vendi ku nisma revolucionare e dikurshme vazhdon të zbatohet pa asnjë lëshim. Dhe merreni me mend, pa qenë as nevoja që të heqim shalat e biçikletave!
Shumë bojë është hedhur në kartë këto vite për këtë shesh, janë thyer boshte makinash e këmbë fatkeqësh, janë hapur gropa e janë shkatërruar amortizatorë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Tash së fundi, morëm vesh se për shkak të mosmarrëveshjeve Bashki-Qeveri, nuk mund të bëhet shpronësimi që do të hapte Unazën e Vogël dhe që kjo nga ana e vet, do të mundësonte rikonstruksionin e Sheshit. Unë që e njoh me themel këtë punë, e di se shpronësimin e pengon Qeveria, që kështu, me një gur shpreson të vrasë dy nga zogjtë e fundit që kanë mbetur: edhe të kursejë ca pará tani që është ngushtë, por edhe të mos i japë shans Kryetarit të Bashkisë të mbarojë sheshin kryesor të qytetit kryesor të Republikës. Meqë as që mund të imagjinohet që të bëhen bashkë Bashki-Qeveri dhe ta bitisin këtë punë, pastaj pasi ta mbarojnë të shkojnë bashkë e ta inaugurojnë para kamerave e kështu të marrin secili nga një medalje në sy të qytetarëve, preferojnë skemën tashmë të kolauduar: “Nuk e dua medaljen time, veç ai të mos marrë të tijën”. Kështu ata mbeten pa medalje, ndërsa neve na mbetet të vazhdojmë të zbatojmë nismën revolucionare kundër rehatisë personale nëpër gropat e pellgjet e sheshit me emrin zulmëmadh Skënderbej.
KUTITË E TARES
Belá më vete këta filmat e vjetër bardhë e zi që shfaq kanali “T”. Belá sidomos kur tashmë në distancë kohore, përpiqesh të kuptosh se kush kish të drejtë. A e kish mirë ai heroi pozitiv, që gjithmonë fitonte në fund të filmit, apo ai heroi negativ që, vërtet që e humbiste davanë në film, por tashmë që u përmbys sistemi i heroit pozitiv, del se paska pasur të drejtë. Që të mos e bëj edhe më lëmsh se ç’është në të vërtetë, po i bie shkoqur.
Ripashë para ca ditësh filmin “Përballimi”, një punë e vërtetë mjeshtërish të artit. E pashë, po kokën s’ma bëri lëmsh loja mjeshtërore e Sandër Prosit apo e Bujar Lakos, por mesazhi. Disa djem të rinj gjithë energji e ëndrra, që u është mbushur mendja të gjejnë fuçitë me grurë të kulakut dhe t’ia marrin. Ky i shkreti (Kadri Roshi) përpiqet të fshehë fuçitë ku të mundet dhe që u thotë gjithë përunj’je “Rrëmo o Tare rrëmo”. Kush e ka drejt, e kush shtrembër? Kulaku e ka vënë atë farmak grurë vërtet me djersë, por edhe duke vjedhur nga një çikë, apo duke shfrytëzuar gjendjen e luftës. Djemtë e rinj sapo kanë zbritur nga mali, Komandanti u ka mbushur mendjen që do ndërtojnë botën e re duke përmbysur të vjetrën. Ata janë të bindur për këtë, nuk i akuzon dot se e bëjnë për t’u pasuruar apo për poste, jo, ajo e tyrja është idealizëm i pastër. Askush nuk thotë dot se rinia që mbushi malet kundër Italisë e kundër gjermanit, e bënte për të marrë vilë te Blloku. Në ’44-n e luftës apo në ‘48-n e filmit, e gjitha ishte idealizëm. E pra në mes të këtij hovi, i zunë derën edhe kulakut tonë dhe, ca me ligje e ca pa ligj, i kërkonin kutitë (pardon, fuçitë). Në fund ia kthyen përmbys bahçen, i gjetën dhe ia muarrën. Për këtë punë pastaj, me siguri kanë bërë edhe karrierë, ecën përpara derisa ndonjë ditë Komandanti, që i luante gurët sipas midesë, i flaku si limoni të shtrydhur më ndonjë burg a internim si armiq. Për ta u bë edhe ky film, natyrisht pa këtë pjesën e limonit të shtrydhur. Ne të gjithë u krenuam me largpamësinë e Komandantit dhe kurajën e djemve, si edhe na u bë zemra mal që e hëngri kulak-ziu.
Mirëpo erdhi dita që gjërat u përmbysën dhe në një farë mënyre zunë vendin e tyre. Kulaku, megjithëse me vonesë, doli se e kishim persekutuar, doli se gjithë përpjekja e djemve idealistë kish qenë e kotë dhe se e gjithë davaja ish bërë për karrigen e Komandantit. Mirëpo tashmë ishte shumë vonë, kulaku ka vite që kalbet nën dhé, ndaj s’i themi dot se e tepruam me ty. Djemtë e dikurshëm tashmë pleq, justifikohen duke na thënë se ata s’e bënin për vete, por se ashtu kish qenë koha, ndërsa Komandanti pasi na shtrydhi sa mundi, tashmë na ka lënë shëndenë. Aso kohe ata përmbysën një diktaturë dhe me këngë në gojë e zëvendësuan me një tjetër dhe, të gjithë këtë e bënë duke qenë të bindur se po bënin një gjë të mirë, kështu që pyetjes “A i gjeti Tarja kutitë”, sot nga distanca e një gjysmë shekulli, mund t’i përgjigjemi me trishtim “Po, Tarja i gjeti kutitë, por për të zezë të vet”.
Tani që të mos keqkuptohemi, unë nuk po them se kutitë nuk duhen hapur, apo se në to nuk ka manipulime. Unë thjesht po ju them se kutitë edhe në u hapshin, s’do na sjellin demokracinë. Thjesht do ndihin që të zëvendësohet një komandant me një tjetër, i cili të paktën nga shenjat, po duket se nuk ndryshon shumë as nga Komandanti që kishim, e as nga ky që kemi.