Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tre kriza

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Tre kriza

Nëse heqim mënjanë periudhën “latente” të demokracisë shqiptare, në vitet 1991-‘92, vendi është përballur me kalvarin e zgjedhjeve të kontestuara tri herë. Në vitin 1996, kur opozita braktisi procesin e votimit dhe dy ditë më vonë u dhunua në shesh, në vitin 2001, kur socialistët fituan zgjedhjet e kontestuara me anë të formulës së “Dushkut” dhe opozita e djathtë bojkotoi Parlamentin dhe tani, kur prej tetë muajsh, një opozitë e majtë po kërkon hetimin e votimeve, duke kërkuar rihapjen e kutive në të paktën tre qarqe.

Shqipëria po kalon krizën e tretë të thellë që lidhet direkt me kontestimin e zgjedhjeve. Është ndoshta kriza më e koklavitur nga shumë pikëpamje. Është e vërtetë që në horizont nuk qëndron më kërcënimi i piramidave financiare dhe as kultura e egër e viteve ‘90, kur shteti dhe politika kishin ende forma të lexueshme tribale dhe autoritare. Nuk është gjithashtu as periudha e fillimit të viteve 2000, kur antagonizmi politik ishte ende i lartë, si inerci e përplasjeve të 1997-‘98. Është diçka në mes, me shumë anë të ngjashme, por me shumë aspekte të ndryshme e specifike. Sepse specifikat e secilës prej krizave elektorale janë të lexueshme dhe pasqyrojnë periudha të veçanta të zhvillimit të vendit dhe të dinamikës së jetës politike e sociale.

Viti 1996 ishte një moment unik elektoral, në panoramën 20- vjeçare të zgjedhjeve shqiptare. Fundi i mandatit të parë presidencial të zotit Berisha, piramidat me peshën e tyre vendimtare ekonomike në jetën e një numri të stërmadh shqiptarësh, fakti që kreu i opozitës gjendej në burg, beteja e përditshme për liritë në një shtet që kishte rënë nga diktatura komuniste, në një regjim autoritar me shumë prej veseve të komunizmit ende në stilin e qeverisësve të rinj, situata përreth, sidomos në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi – të gjitha këto i bënin zgjedhjet e 26 majit një përballje mes rrymave të moderuara në vend (ende të ndrojtura nën presionin e luftës kundër komunizmit që predikonte papushim e djathta) dhe një pushteti të dominuar nga gjuha e dhunës dhe e intolerancës thuajse totale. Rënia e reformës kushtetuese të vitit 1994 kishte bërë që shteti i kohës të ndjente qartë rrezikun e humbjes së mbështetjes popullore, çka ndikoi jo pak farsën elektorale që pasoi dy vjet më pas.

Kurse kriza e dytë e thellë zgjedhore, ajo e vitit 2001, u luajt në një terren krejt të ndryshëm. Pasi kishin fituar në verën e 1997 në një klimë surreale, të mbushur me armë dhe frikë në të gjithë vendin, socialistët kishin mundur të aprovonin një Kushtetutë të re, ndërkohë që e djathta endej në pozitën e një militantizmi arkaik dhe një gjysmë-bojkoti ndërkombëtar. Berisha ishte shumë i dobët në sytë e të huajve, që e shihnin akoma si shkaktar të ngjarjeve të vitit ‘97, kurse brenda PD, një rrymë e dobët kontestuese me në krye ish-asistentin e tij Pollo, mundohej të niste një proces reflektimi ndaj pozicionit politik të Partisë Demokratike.

Në vitin 2001, e majta nuk e diskutonte çështjen e fitores së zgjedhjeve, por të përmasave të saj. Shumica presidenciale (e gjithë e majta fitoi 88 deputetë) që doli nga kutitë e 24 qershorit, hyri në histori më së shumti për zonën me 12500 banorë të Dushkut, në Lushnjë, prej ku dolën 10 mandate parlamentarësh, me anë të një kombinacioni që rishpërndante votat te partitë e vogla.

Megjithatë, ajo që pasoi këto zgjedhje ishte ndoshta e vetmja stinë e vërtetë e kompromisit politik të qëndrueshëm mes palëve, në dy dekadat e fundit. Zgjedhja e Presidentit Moisiu dhe e Prokurorit të Përgjithshëm, ishte kompromisi që e majta pranoi, pas presionit ndërkombëtar, i cili dha mesazhin se zgjedhjet kishin nxjerrë një fitues, por jo një triumfator. Qeverisjen së majtës, institucionet e tjera së djathtës – ky qe verdikti ndërkombëtar, të cilin Nano nuk e kontestoi.

Kësaj radhe po luhet një lojë krejt tjetër. Shumëçka dhe shumëkush ka ndryshuar në këtë hark kohor thuajse dhjetëvjeçar. Me përjashtim të Sali Berishës, i cili vijon të qëndrojë ai që ka qenë. Fatos Nano nuk është më në krye të PS, Ilir Meta është konvertuar politikisht pas 28 qershorit 2009, nga antagonist i PD, në garantin kryesor të saj, Edi Rama ka marrë përveç bashkisë, edhe kreun e Partisë Socialiste, kurse vetë Shqipëria ka bërë jo pak rrugë drejt zhvillimit, ndonëse me njëmijë halle dhe ferra nëpër këmbë. Kjo krizë po shkon sot, me shumë gjasë, drejt një kolapsi të ri. Ka pak shpresa që Parlamenti të marrë një kthesë të fortë drejt kompromisit sonte në mbrëmje, me gjithë ultimatumin numër dy të bashkësisë ndërkombëtare, e cila kërkon një zgjidhje brenda ditës së sotme, para vizitës së komisionerit Fyle në Tiranë. Të dyja palët i janë dorëzuar thuajse përfundimisht logjikës “mur me mur” dhe instinktit të njohur shkatërrues që dallon klasën tonë politike. Në këtë sens, kjo krizë ngjan shumë me të parën, atë të vitit 1996. Të njëjtat tone, i njëjti antagonizëm politik, e njëjta mungesë perspektive, shprese dhe drite. Në kushtet aktuale si Sali Berisha, si Edi Rama, e kanë edhe vetë të paqartë se cila është rruga për të dalë nga ky tunel. E megjithatë, kanë qenë të gjitha mundësitë që një zgjidhje të gjendet dhe që vendi të mos prekë limitet e tensionit politik, që po sabotojnë edhe procesin e afrimit me Europën. Hapje e kutive me short, hetim i zonave që nuk janë nën vendim gjykate, dhënie së drejtës që këtë ta kryejë një koalicion mediatik apo qytetar – mundësitë e një akordi kanë qenë dhe janë mes politikanëve. Të njëjtëve persona që po minojnë për të disatën herë stabilitetin politik e social të vendit, duke u kthyer nga faktor jetik i zhvillimit të vendit, në “gjirizin” më të keq e të rrezikshëm të Shqipërisë.

Në këtë mjedis gjithçka ngjan me titullin filozofik të filmit të njohur hollivudian “Pak njerëz të mirë”. Në fund të kësaj krize elektorale (dhe fundin askush nuk e di sesi do ta ketë pamjen), kurdo dhe sido që ai të vijë, klasa politike shqiptare del me brinjë të thyera. Duke nisur sot rrugëtimin e gjatë drejt betejës së radhës “për jetë a vdekje”, qeveria më e para dhe pas saj opozita, po sanksionojnë edhe një herë ligjin e xhunglës, në vend të ligjit të institucioneve. Për turpin e tyre, që luajnë teatër para shqiptarëve të hutuar që s’dinë nga t’ia mbajnë. Veçse të presin ditën kur të hapen kufijtë e të ikin nga sytë këmbët nga ky vend.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama