Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kapitalizmi komunist

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Kapitalizmi komunist

Më në fund u ula dhe shkrova edhe unë një libër. Me thënë të drejtën kisha vite që punoja për të dhe, më shumë sesa për ta filluar u përpoqa për ta mbaruar. Është një libër në dy volume për historinë e medaljeve shqiptare, duke filluar që prej vitit të largët 1914, kur Princ Vidi emetoi të parën medalje shqiptare dhe deri në vitin 2002, kur ndën presidencën Moisiu, u emetua e fundmja.

Si e mbarova, dola të lyp ndonjë lek për botimin pasi, meqenëse të dy volumet janë plot me ilustrime me ngjyra, botimi dilte shumë i shtrenjtë dhe vetë nuk ia dilja dot ta financoja as në ëndërr e jo më në zhgjëndërr. Lyp këtu e lyp atje, pi një kafe me këtë e rrufit një çaj me atë, sikur fillova ta vë punën në vijë disi. Të parit prej donatorëve që më premtoi ca para, për t’i larë nderin i thashë se do t’ia shkruaja emrin në faqe të parë, që kështu t’i bëja edhe reklamë. Aman - më tha - vetëm këtë mos ma bëj. M’u duk thjesht një frikacak i ekzagjeruar’, por pasi të njëjtën gjë ma kërkoi dhe i dyti dhe pastaj të gjithë ata që më dhanë ndihmë për librin, e pashë që nuk qënkësh frikë e një njeriu, por metodë pune e një administrate.

Frika e tyre ishte e dyfishtë. Më nj’anë frika nga hakmarrja politike, pra që po financonin një botim të dikujt që është i së majtës. Nga ana tjetër, siç ma tha njëri syresh, Zyra e Tatimeve rri me telekomandë në dorë dhe, posaqë shohin më ndonjë kanal televizori dikë që bën reklamë, të nesërmen i zënë derën me logjikën që “më mirë t’i paguash taksa, gjoba apo bakshishe ato para, sesa t’i harxhosh për reklamë”. Drejt e kanë, kur paske pará për reklamë më mirë na i jep neve. Kështu edhe për punë të këtij botimit tim. Të gjithë ishin gati të më ndihmonin, por pa u dalë emri.

Si edhe për çdo gjë tjetër, Shqipëria ime nuk më zhgënjeu, duke ndenjur besnike e parimit për të qenë ndryshe gjithë dynjasë, pasi ngado anekënd botës bizneset paguajnë që t’u dalë emri nëpër libra e botime, ndërsa këtu paguajnë që të mos u dalë emri. Kësaj i thonë po ngremë kapitalizmin duke përdorur mendjen e komunistëve.
SI TA BEJ?

Me vijnë lloj lloj e-mail-esh për shkrimet. Së fundmi më shkruante njëri që s’më linte nënë e babë pa sharë. Si mbaronte me nënën e babanë, më shante për politikë, për korrupsion, për rrogën e deputetllëkut që i bëkam hyzmetin, e ç’t’u them. Të ulesha t’i kthenja përgjigje e t’i thonja se ja fuste kot pasi nuk jam deputet, s’kish vlerë, pasi pa një pa dy do më kthehej e të më thosh se prandaj bëj kështu pasi s’u bëra dot deputet. Hip se të vrava, zbrit se të vrava. Po kotesha nervangritur ndër këto mejtime në gjysmerrësirën e pasdites, kur m’u bë sikur m’u faneps hija e Faik Konicës që më thosh: “Artaaan, për këtë punë, lëçit veprat e mia në fletëëën 637-ëëë!”.

U ngrita vrik, nxitova në bibliotekë, hapa ku më kish thënë zëri i sipërmë dhe lexova: “Në e bëfsh gazetën me fletë të mbëdha, shqipëtarët do të thonë se s’mpshtillet dot lehtë, në e bëfsh me fletë të vogëla, do thonë se s’është gazetë po libër. Në e shtypç në letër të hollë, do thonë se s’këndohet e të prish sytë, në e shtypsh me letra të trasha, do thonë se je hamall. Në mos shkrofsh për politikë, do thonë se s’është koha për literaturë, në shkrofsh për politikë, do thonë se po prish punë.

Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për të gjithë shqiptarët, në shkrofsh gegënisht, prapë po ashtu, në shkrofsh në një gjuhë të përzjerë të të dyjave, do thonë se s’di shqip, në shkrofsh gjysmë toskërisht e gjysmë gegënisht, do thonë se është çorbë. Në folç butë për Turqinë, je i paguar prej Sulltanit, në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të japë Sulltani të holla që të zbutesh. Në mos gjeç të holla për gazetën, do thonë se s’je i zoti, në gjeç të holla për gazetën, je i shitur. Në folç mirë për shqipëtarët e krishterë, do hidhërohen shqipëtarët muhamedanë, në folç mirë për muhamedanët, do hidhërohen të krishterët, në folç mirë për të dy palët do hidhërohen të gjithë”.

Shkrimi i Faikut vazhdonte edhe më, por e lashë me kaq, se më dilte e tepronte për të më treguar udhën e të shkrojturit ndër shqipëtarë. Të falem nderës Faik bej, që vazhdon t’u ndritësh udhën shqipëtarëve edhe gati 70 vjet pasi mbarove udhën tënde tokësore.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama