Kur Kryetari nga tribuna në Kongres të Socialistëve, zuri të lexojë fund e kre diskurin e Nolit në Parlamentin e ‘23-së, të famshmen “Kabineti i Pykave”, mua ulur në sallë mes delegatëve të 2010-ës, zu të më bëjë tring sinjali i SMS-ve në celular. Sefte me ngadalë e pastaj gati paprerë, aq sa më vuri në pozitë me ata që kisha përreth. Mesazhet që rridhnin përrua, kishin një linjë pak a shumë kështu: “Ti ja ke bërë kryetarit këtë copë të fjalës, a të paktën ja ke shtënë në mënt?”.
Jo të dashur miq e shokë, as ja kisha bërë e as ja kisha shtënë në mënt unë Kryetarit atë punë se, vërtet kam kontakt me Nolin, meqë e kam bashkëfshatar, por s’kam kontakt me Kryetarin. Është Kryetar ai e s’ja ka ngenë të merret me mua.
Po që të kthehem te Kabineti i Pykave, do thënë se i kish vajtur mëndja me tamam Kryetarit, ca më shumë të bënte të ngriheshe peshë tek e dëgjonje të interpretuar gjithë fuqi e me zërin bubullimë të Kryetarit tonë. Më tej akoma, mbeteshe gojë hapur kur shihnje se si u shkonin për bukuri ditëve tona fjalët e Nolit të 87 viteve të shkuara, ashtu siç do mbeteshim gojëhapur po të mundnim e t’i lexonim të njëjtat fjalë të Nolit, për Byronë tonë Politike të viteve ‘80.
Unë u bëra kaq vjet që u sjell në mëndje lexonjësve paralele historike, si ajo që me aq pathos na solli edhe Kryetari kësaj radhe. Unë e bëj këtë gjë, jo për kënaqësi të krahasimit, apo për të zbavitur të ngeshmit, e as për të treguar se sa profet paskësh qenë Noli, Konica, apo kushdo tjetër sipas rradhës. Unë e bëj për një tjetër qëllim, që t’u tregoj shqiptarëve se sa shumë përsëritet historia këtu ndër ne. Tani që kemi filluar të çuditemi me paralelet historike, duhet të ndërrojmë edhe një tjetër bindje: nuk është profet imzot Noli a Faik beu që u kanë vënd llafet edhe pas gati një shekulli, por jemi ne të paaftë të ndryshojmë e të ndreqemi. Për shembull, nëse epokën Ndoka e qojtëm “vrima e zezë në mjekësinë shqiptare”, kohë kur vdisnin njerëzia në derë të spitalit, kush na i ka fajin që e duartrokitëm prapë si të ftuar të nderuar dhe si aleat në sallën e Kongresit të Socialistëve!
Mos do më quani gjë mua profet pas ca vjetësh kur Ndoka të jetë bërë prapë ministër dhe ju të nxirrni nga arkiva e mëndjes shkrimet e mia të dikurshme për turpet e tij? Jo, s’jam unë profet, por jeni ju fajtorë që e riktheni në skenë. Nuk besoj se ka vënd në Britaninë e sotme një fjalim i Çurçillit i para 60 vjetëve për çfarëdo problemi të kohës së tij dhe, kjo ndodh, sepse englezët dhe çdo popull i pjekur, sa herë që u del një problem në udhën e zhvillimit, e zgjidhin dhe nxjerrin mësime që ai të mos përsëritet më. Ndërsa kur një populli i paraqiten të njëjtat probleme një ditë, pastaj edhe pas njëzet vjetësh, edhe pas 40 vjetësh, edhe pas 80 vjetësh, do parë puna më thellë se, një i këtillë popull, e ka problemin me veten e jo me problemin. Një i këtillë popull është i papjekur apo i paaftë të nxjerrë një klasë drejtonjëse që t’i zgjidhë problemet njëherë e mirë.
Që Noli nuk qe shtetar, këtë kush më shumë e kush më pak, e pranojnë të gjithë. Do përpiqem të shkoj ca më tej në të kuptuarin e pakuptushmë të këtij njeriu të madh. Noli ishte një artist i madh dhe, si çdo njeri i artit, kish shpirt rebeli. Ndaj si të gjithë rebelët, s’kish si të vinte ndryshe në pushtet veç se me kryengritje, siç edhe erdhi. Projekti i tij politik, nuk kish fare të bënte me ato që thonin e mejtonin ata që kish përreth, qoftë me turmën e madhe lakmitare që rrethon çdo pushtet fitonjës, e qoftë me grupthin e vockël të dashnorëve të shtetit me rregulla. Noli ëndërronjës kish në kokë projektin e tij dhe desh që ta realizonte ashtu sikundër çdo kompozitor do që të kompozojë muzikën e tij siç e ka në mëndje, apo çdo piktor që do ta pikturojë telajon e tij i pakushtëzuar. Ky është problemi i tmerrshëm përpara të cilit vë historia çdo komb që s’ia ka dalë dot të ngrejë ende sistem rregullash, në momentin që dallga e fatit i sjell në krye një Rrebel të Madh.
Pesë shekuj të shkuar, mbretëresha Elisabeta I, mbretëroi pa u martuar, duke thënë “jam martuar me Anglinë”. Edhe Noli ynë e dashuronte pasionisht Shqipërinë dhe, në ëndrrat e tij kish ngritur edhe projektin se qysh do ta bënte zonjë kur të martohej me të ndaj, në momentin që Shqipëria u bë e tija, ai s’deshi më të kushtëzohej nga askush. Më lini të bëj muzikën time, duket sikur thërret ai, ndërsa punët e shtetit bëheshin pirg e përplaseshin pas njëra-tjatrës. E dua të bardhë e të lirë telajon, për të bërë Shqipërinë time siç dua unë, na bëhet sikur flet i zënë në morsën e realitetit. Jo, se duhet mbledhur Parlamenti; jo, se duhet bërë kompromis këtu, e duhet lëshuar atje; duhet bërë ligj për këtë, e rregull për atë - ja nxinin jetën të tjerët.
Të gjitha këto, kufizime që ai s’i mbante e s’i duronte dot, ndaj s’bëri dot gjë. Koha e shkurtër, vetëm gjashtë muaj, bëri që telajoja e tij të mbetet pa pikturë, duke na krijuar mitin se kushedi ç’pikturë do kish qënë ajo. Ndërsa ai i mbylli ditët e pushtetit i inatosur me botën, që s’e linte të bënte pikturën e tij, duke i rënë flautit ndërsa mercenarët e Zogut u afroheshin portave të Tiranës, ashtu sikundër një tjetër artist njëzet vet më pas, që edhe ai do t’i mbyllte ditët në një bunker, duke shikuar projekte arkitekture që s’i realizoi dot, ndërsa rusët hidhnin bomba në portat e qytetit të tij, Berlinit. Ashtu sikundër Neroni 1900 vjet para tyre, që gjithashtu i binte harpës ndërsa vinin për ta vrarë, pasi dogji Romën që t’i krijonte vetes telajon për të bërë edhe ai pikturën e tij.
Janë shpirtra të mëdhenj këta, që e kanë dashuruar marrëzisht vëndin e tyre, aq sa kanë dashur ta përdorin si telajo të kryeveprës së tyre. Meritojnë vënd në kujtesë të njerëzisë, kryesisht për shpirtin e tyre të pasosur, por rrallë shumë rrallë, edhe për atë që krijojnë (në ato pak raste kur ja dalin).
Noli pati një fat të trifishtë në jetë: e përzunë pa e lënë të provohej në qeverisje, e përzunë me grusht shteti, e përzunë të nisur nga armiku ynë i gjithëherës, Sërbia. Më shumë fat se kaq, nuk mund të lypë një vdektar që ëndërron të mbetet i pavdekur në mënd të njerëzisë. Mendoni sikur, llafi që bie dhe qoftë larg, Saliu të ish vrarë gjëkund në vitin 1991, se si do ish ngulur përjetë në zëmrat e shqiptarëve (përfshirë edhe timen), si shansi i madh i humbur dhe si njeriu që do e kish bërë Shqipërinë Zvicër, por që s’e lanë. Le pastaj, sikur të kish edhe ndonjë hobi arti, ashtu si edhe Noli dhe, të dinte t’i binte ndonjë vegle, si n’do Zot çiftelisë për shembull. Ehuu, çfarë miti do qe krijuar. S’pati fat dhe sot e kemi midis nesh dhe e shajmë sabah-aksham.
Mos harroni të dashur miq edhe një tjetër gjë. Kam vënë re se, sa herë që krerët tanë duan t’i bëjnë vënd vetes në zemrat tona, apo përgatiten t’i futen udhës së autoritarizmës, i kthehen Nolit dhe zënë e citojnë. Zogu më ‘43-në arriti gjer aty sa, për të bërë për vete zemrat e ftohura të shqiptarëve, i propozoi Nolit që të bëhej kryeministër në mërgim. Komandanti në vitet e para, e citonte Nolin pa prerë e madje i bëri edhe dy ftesa publike që të kthehej në mëmëdhe (që të hante dhé). Po Saliun, atë Saliun e ‘91-‘92-shit, kur rrinte akoma me pardesy të bardhë, a e kujtoni dot se sa herë i është referuar në ato ditë Nolit dhe demokracisë së tij. Për të mos përmëndur Partinë Republikane, që e filloi udhën e saj me portretin e Nolit dhe një citat të tijin dhe e mbaroi me Gërdecin. Madje edhe Kreu i Kishës Orthodokse, për të na mbushur mëndjen se do ngrinte kishë shqiptare, vitet e para e përdori Nolin si simbol, ndërsa tani as që e zënë më n’goje. Dritëroi, si doktor shpirtrash, e ka përmbledhur këtë sindromë për një tjetër virus me shprehjen: “Patriotizma është streha e fundit e maskarenjve”.
Arsyet pse e citojnë Nolin ua thashë më sipër, ndaj t’u them tani se pse zgjedhin pikërisht Imzotin për të cituar. Sepse Noli është i vetmi politikan shqiptar, i cili nuk ja doli të provohej. Për fat të keq, të gjithë politikanët tanë janë karizmatikë, sa s’janë vënë në provë, se kur janë provuar pastaj, kanë dështuar duke dalë nga skena të urryer. Noli ish i vetmi që kish sqimë, sharm e karizmë sa një det dhe s’u provua. Për këtë e zgjedhin.
Janë bela e madhe thirrjet nga historia se, në më të shumtën e radhës, ata që i bëjnë u shohin vetëm një anë, atë që u pëlqen. Se ja, edhe ne, edhe Kryetari që na e lexoi, harrojmë që Noli vërtet demaskonte zgjedhjet e manipuluara të ‘23-së, por kur erdhi vetë në pushtet pastaj më ‘24-ën, as që bëri më fare zgjedhje. Historia jo vetëm që nuk fillon me ne, po as mbaron me ne, ndaj mbani mënt nga unë që, edhe ata që do vijnë pas nesh, edhe pas shumë e shumë vitesh, një ditë do zënë të citojnë Nolin. Dhe ajo s’do jetë ditë e mirë.