Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dhuna kundër shqipes,dhunë kundër kombit!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 15 vite më parë

Edmond Tupja
Dhuna kundër shqipes,dhunë kundër kombit!

Prej shekujsh dihet fare mirë se administrata e një shteti mund të quhet e konsoliduar, kur ajo ka një  gjuhë të unifikuar, të qartë e të prerë, jo vetëm për personelin e saj, por kryesisht edhe për mbarë popullin.  Çdo shtetas, pavarësisht shkallës së tij të shkollimit (dhe jo të shkallimit), duhet ta kuptojë atë çka thonë Kuvendi, qeveria, gjykatat dhe jo më pak mediat, të shkruara apo elektronike qofshin këto. Fatkeqësisht, rasti nuk është i tillë në Shqipërinë e sotme.

Para disa ditësh, më zuri syri e veshi në ekranin e Televizionit publik Shqiptar, një zëvendësministër që po fliste për një fond apo shumë të caktuar parash, e cila, po e citoj, “do të disbursohet në dy transhe”. Jam i bindur që lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, e nuhat menjëherë që kjo fjali është e pakuptueshme për shumicën e shqiptarëve, sidomos për ata që nuk dinë gjuhë të huaja ose i dinë ato thjesht sa për një komunikim të përditshëm. Pra, lind pyetja: Çfarë donte të thoshte zoti zëvendësministër me këtë fjali? As unë nuk do ta kisha kuptuar, sikur të mos isha çun Tirone me diplomë Sorbone, d.m.th. sikur të mos kisha studiuar në Francë dhe, rrjedhimisht, të mos kisha ditur ta flisja e ta shkruaja frëngjishten: bourse frëngjtë i thonë qeses me para, débourser ka kuptimin “nxjerr paratë nga qesja”, pra, “paguaj” (në anglishte to disburse), ndërsa tranche do të thotë, në kuptimin e mirëfilltë, “thelë, fetë, copë” dhe “seri shifrash të njëpasnjëshme të një numri”, kurse, në kuptimin e figurshëm, do të thotë “pjesë”; kështu që “do të disbursohet në dy transhe” në shqipe do të thotë “do të jepet në dy pjesë”. Pra, për të kuptuar “shqipen” e zotërisë në fjalë, duhet të dish patjetër ta flasësh e ta shkruar frëngjishten dhe anglishten e sotme!

Thënë ndryshe, që shqiptarët të merren vesh me njëri-tjetrin, duhet të mësojnë sa më shumë gjuhë të huaja. Thënë më popullorçe, duhet që lepujt shqiptarë, sidomos ata që janë në pushtet, të mësojnë sa më shumë gjuhë të huaja që të arrijnë të bëjnë stanin e tyre shtetëror dhe t’i provojnë mbarë botës së qytetëruar se mund të bëhet stan me lepuj, por me lepuj që dinë gjuhë të huaja, ama, si ata vetë! Këtij i them guxim unë: zëvendësministri ynë qenka mirëfilli për t’u përgëzuar! Madje, këtë guxim e dëshmon vetë përdorimi, nga ana e tij, e foljes “disbursoj” e cila, siç sapo e përmenda, vjen nga emri “bourse” që, në frëngjishte, ka edhe kuptimin e figurshëm “bole” si sinonim paksa vulgar pikërisht i emrit “guxim”!

Mjerisht, përdorimi i një shqipeje të përçudnuar nuk është tipik vetëm për politikanët, deputetët e qeveritarët tanë. Ai është kaq i përditshëm nga shumëkush, madje deri në neveri, edhe në mediat tona të shkruara dhe elektronike. Prej disa muajsh ndjek rregullisht edicionet qendrore të lajmeve në TVSH, Vizion +, Klan e Kryekanal (shqipërim i saktë i emrit të bujshëm “Top Channel”). Me përjashtim të Kryeministrit Berisha, një pjesë e mirë e anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar e dhunojnë gjuhën shqipe pa ua bërë tërr syri, veshi apo hunda; po kështu, me përjashtim të Edi Ramës, një pjesë e mirë e figurave më të njohura të Partisë Socialiste e dhunojnë jo rrallë gjuhën shqipe pa iu dridhur qerpiku, qimet e kokës apo edhe të pjesëve të tjera të trupit; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për jo pak deputetë të të dy krahëve.

Gjithsesi, dua ta siguroj lexuesin e vëmendshëm dhe të paanshëm të rubrikës sime të së dielës se nuk kam ndër mend t’i parashtroj këtu lista të gjata fjalësh, strukturash e shprehjesh të huaja që i kam vjelë prej vitesh nga goja e personaliteteve të sapopërmendura. Por do të tregohesha i padrejtë sikur të kaloja në heshtje faktin që shumë e shumë gazetarë e masakrojnë rregullisht e me një kënaqësi gati sadiste gjuhën standarde shqipe, atë gjuhë që, në gojën e nën penën e tyre, duhet të ketë për mision t’i përçojë lajmet sa më saktë në veshët dhe, që andej, në ndërgjegjet e dëgjuesve apo të teleshikuesve, por që në fakt paraqitet sa vjen e më shpesh si një shkartisje italishteje, anglishteje e shqipeje të zvetënuar.

Së fundi, por jo më së paku, i kërkoj lexuesit tim të bëjë një përpjekje për të më kuptuar përse po jap kushtrimin lidhur me dhunimin sistematik të shqipes nga vetë administrata shtetërore, nga klasa politike dhe nga mediat, që, për mua, është dhunim jo vetëm i shtetit dhe shoqërisë, por edhe i kombit e i mendimit shqiptar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama