Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse greva duhet të ndalojë!

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse greva duhet të ndalojë!

Greva e urisë së 22 deputetëve socialistë dhe një numri mbështetësish të partisë më të madhe të opozitës është një akt i paprecedent në historinë e politikës shqiptare, ndoshta edhe të politikës evropiane. Greva e paradokohshme e deputetëve të LSI-së dhe disa deputetëve të tjerë në Parlament, kishte disa elementë që e bënin më të zakonshme, përveç faktit që u bë në sallën e seancave plenare, nganjëherë madje edhe krahas seancave plenare.  Një parlamentar italian i vjetër është i famshëm për grevat e tij sensibilizuese, ku hyn (në ndonjë mjedis parlamentar) qoftë vetëm, qoftë me grupin e tij parlamentar, duke i shkallëzuar në greva etjeje, urie, etj., etj.

Greva socialiste është e paprecedent për shkak të vendit ku po zhvillohet. Kjo mund të duket diçka afërmendsh, por është pikërisht vendi ku zhvillohet, pasojat që prodhon në bllokimin e jetës së vendit, në trafik, në jetën e grevistëve, në modifikimin e stilit të jetës së tyre të përditshme, etj., që krijon padyshim një presion të jashtëzakonshëm ndaj Qeverisë, d.m.th palës tjetër. Kohëzgjatja e saj eventuale, deputetët kanë imunitet dhe Berisha Kryeministër nuk mund të bëjë shakatë e vjetra, kur i dhunonte deputetët, e rrit presionin në shkallën maksimale. Dy pyetje kryesore, megjithatë mund të shtrohen përpara një akti të paprecedent si ky. A ishte kjo grevë, e vetmja alternativë për të shkuar tek zgjidhja e problemit? Dhe pyetja e dytë, a janë llogaritur efektet në stabilitetin e vendit dhe në imazhin e tij?

Realisht, duket sikur në zgjidhjen e krizës së kutive janë shteruar rrugët politike, me gjithë presionin thuajse unikal të bashkësisë perëndimore, qoftë në formën e vendeve të veçanta, qoftë në formën e organizmave si Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian etj., për gjetjen e një zgjidhjeje. Kanë mbetur rrugë institucionale, siç është ankimi në Gjykatën Kushtetuese, por opozita insiston në zgjidhjen politike të problemit të vet në një formë që përmban hapjen e një numri kutish. Nga ana tjetër, vazhdimi i pandërprerë i protestave s’do të jepte ndonjë rezultat politik, përsa kohë që Berisha nuk e pranon me rrugë normale, si protestat hapjen e kutive. Madje në modelin e Berluskonit ai krijon kundërmitingje të palës së vet. Bashkësia ndërkombëtare, zërat kryesore të saj, që mund të impononin me forcë Berishën ta zgjidhte krizën, nuk duket se e kanë përqafuar tërësisht kauzën e opozitës dhe ndoshta këtu gjendet arsyeja pse opozita zgjodhi këtë formë ekstreme. Thënë këtë, megjithatë opozita duket se ja ka arritur qëllimit - greva kontribuon në këtë drejtim -, që të bindë perëndimorët se vërtet diçka serioze nuk shkon në zgjedhjet e qershorit, përderisa Kryeministri nuk pranon prekjen e kutive në asnjë mënyrë.

Pyetja, nëse ishte protesta e vetmja alternativë kërkon edhe trajtimin e një piste tjetër: a e meritonte një qeveri si kjo, një protestë kaq ekstreme? Kjo Qeveri në fakt e meritonte një lloj ndëshkimi, njëlloj vënie nën akuzë, thuajse permanente për arrogancën me të cilën po përdor burimet natyrore, financiare dhe humane të shoqërisë dhe vendit në përgjithësi. Po zhytemi eventualisht në krizë. Vetëm emigrantët e gjorë po na shpëtojnë me kursimet e tyre, për shkak të një përdorimi elektoral permanent të paturpshëm të parasë publike, eventualisht dhe me korrupsion gjigant. Po shohim shpërdorim të burimeve natyrore, lumenjve, pyjeve, maleve, ujërave, po ndërtohen shumë fabrika çimentoje, po ndërtohen apo duhet të ndërtohen shumë TEC-e, pjesa veriore e vendit po përmbytet çdo muaj, diçka që po shndërrohet në normalitet. Po shohim përqendrim të pushtetit ekonomik dhe politik në një dorë ose në pak duar dhe reagimi shoqëror në fakt, hiq protestën me grevën e urisë si finale, ka rënë në apati. Në këto kushte, ndaj kësaj Qeverie duhej një akt i fortë. Prekja e votave, me një mënyrë brutale apo me një tjetër të sofistikuar, ka ardhur koha të marrë fund. Shërimi ynë nga vesi i vjedhjes së votave mund të ndikojë për mirë dhe kosovarët, apo shqiptarët e Maqedonisë, edhe ata të infektuar prej nesh.

Efektet negative të vazhdimit të grevës

Vazhdimi i grevës në fjalë, megjithatë ushtron efekte të rënda në stabilitetin e vendit. Ajo do të sjellë njëlloj paralize politike dhe institucionale. E zhvilluar në kushtet e shfaqjes së krizës ekonomike dhe financiare, ajo i shton efektet e dëmshme në këtë stabilitet. Ajo mban të bllokuara apo i shpërdoron energjitë politike dhe shoqërore në bulevard, para Qeverisë, atje ku zhvillohet greva, në vend që ato të përdoren për përballimin e krizës. Ajo mban të mbërthyer një aparat policor, që duhet të ishte gjetiu. Ajo shton frustrimin shoqëror, edhe për shkak të bllokimit të trafikut, frustrim që mund të kërkojë të shkarkohet qoftë tek Qeveria, qoftë tek opozita. Për shkak të zhvillimit real të saj para kamerave dhe Qeverisë, d.m.th, pa konsumim ushqimi, etj., greva mund të krijojë probleme reale shëndetësore  tek grevistët dhe kjo mund ta ekstremizojë protestën e atyre që janë jashtë.

Pra, elektoratin e palëve. Sigurisht kjo nuk ndodh vetëm për shkak të protestuesve, apo grevistëve, por edhe për shkak të Qeverisë, që s’po zgjedh dialogun, por injorimin e grevës deri në çastin kur të vijnë imponime ekstreme nga jashtë, që hëpërhë duken të ngrira për shkak të uikendit evropian. I vetmi reagim i Qeverisë, pas festimit të 1 Majit, duket incidenti i sajuar me flamurin e NATO-s, që as nuk u dogj dhe as nuk u pa se kush bëri sikur e dogji. Një inskenim që duket i nxjerrë nga bagazhi i formave të vjetra të diversionit politik. Nuk duket krejt pa lidhje me grevën, rifreskimi i autoritetit të Berishës ndër shqiptarët në rajon nëpërmjet mesazheve për Ali Ahmetin, kreun e BDI-së në pushtet në Maqedoni.

Vazhdimi i grevës ndërkohë cenon imazhin e vendit. Duket e vështirë që ajo për shkak të unicitetit të vet (në Evropë, as nëpër regjime gjysmëdiktatoriale, deputetët nuk bëjnë greva urie në mes të rrugës qendrore) të krijojë simpati masive nëpër kancelaritë perëndimore. Nëse këto kancelari do ndërhyjnë, do ta bëjnë pikërisht për shkak të potencialit destabilizues që mbart greva përpara zyrave të Qeverisë së një vendi që është anëtar i NATO-s. Ajo mund të përdoret si pretekst edhe për shtyrjen e liberalizimit të vizave nga kundërshtarët evropianë të këtij procesi për shqiptarët. Vazhdimi i grevës dobëson faktorin shqiptar në përgjithësi.

Greva në shesh ka edhe një moment jo estetik, për shkak të pamundësisë së grevistëve për të kryer nevojat e tyre të përditshme, larjes, etj., etj. Edhe ky moment nuk krijon ndonjëlloj simpatie në kancelaritë perëndimore.

Për të gjitha këto arsye kjo grevë duhet të marrë fund sa më parë, nëpërmjet një procesi dialogu të sinqertë, ku Qeveria duhet të lëshojë diçka thelbësore. Për opozitën nuk ka kthim mbrapa. Në dhjetë muaj Qeveria nuk ka bërë asnjë lëshim, por vetëm i ka valëvitur në ajër lëshimet si p.sh Kodi i ri Zgjedhor me autorësinë e opozitës. ªdo ditë greve që kalon, rëndon mbi kurrizin e Qeverisë. Qeveria nuk do t’ia arrijë ta demonizojë grevën askund jashtë vendit apo brenda tij, pse perëndimorët kanë vetë tru të kuptojnë arsyet e grevës. Edhe shqiptarët gjithashtu.

 Qeveria nuk mund ta ndalë grevën me mjete demokratike. Kështu që të gjithë efektet negative të grevës sot do të bien mbi vetë Qeverinë. Berisha duhet ta konsiderojë grevën si rast për ta rishpikur veten si demokrat. Nëse ndonjë efekt negativ do të bjerë mbi opozitën, mund të bjerë vetëm në momentin kur ajo të bëhet Qeveri. Atëherë do të kuptohet nëse kjo grevë që po ndodh këto ditë, ishte një ëndërr e keqe e tranzicionit shqiptar, apo diçka që do të përsëritet periodikisht, kur njëra nga palët s’është e kënaqur me tjetrën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama