Për disa dhjetëvjeçarë regjimi komunist u përpoq t’u tregonte shqiptarëve popujt dhe vendet që duhet të donin. Fillimisht jugosllavët, por që shqiptarët i kishin të ngulitura thellë Luftërat Ballkanike, tokat e zaptuara prej tyre dhe synimet për të copëtuar akoma edhe më shumë. Pastaj ishte radha e rusëve, të panjohur perfektë për kombin tonë, për t’ia lënë vendin “vëllezërve kinezë”, kur shqiptarët do të zbulonin për herë të parë në jetët e tyre fizionominë aziatike. Një vend çobanësh, prej shekujsh pjesë e Perandorisë Osmane, nuk mund të gjente lidhjen me këta popuj ndaj dhe nuk i besoi kurrë propagandës komuniste.
Kishin kaluar pak vite kur shqiptarët u duhej të lexonin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, ku amerikanët denigroheshin si perandoria e së keqes, armiq të popujve, të lirisë dhe demokracisë. Por vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker, në qershor të vitit 1991, dëshmoi krejtësisht të kundërtën. Qindra mijëra njerëz rrodhën nëpër rrugë për të shfaqur adhurimin ndaj vendit më të fuqishëm në botë. Ndoshta për këtë arsye? Apo se ShBA-ja konsiderohej si vendi i xhinseve, rrokut dhe flokëve të gjata? Në vendet europiane thanë se shqiptarët janë të mashtruar nga publicitetet televizive. Disa të tjerë thanë se bazuar në traditë, shqiptarët kanë ëndje të lidhen me fuqi të mëdha globale. E para deri diku mund të ketë edhe elementë të së vërtetës, por shpjegimi i dytë nuk qëndron. Dashuria për rusë e për kinezë ishte e imponuar nga regjimi. Kjo nuk vlen për rastin e amerikanëve. Arsyet janë më të forta.
Edhe pse nuk kanë qenë një popull emigrant, shqiptarët, në fillimet e shekullit të kaluar nisën të emigronin në ShBA ku u organizuan, publikuan revistën Vatra dhe zhvilluan një lobing të fortë në politikën amerikane në mbrojtje të pavarësisë së shtetit të ri ballkanas dhe të moscopëtimit të mëtejshëm të tij. Presidenti Wilson i dëgjoi dhe kur Shqipëria po kalonte në fije të perit për t’u përgjysmuar në sipërfaqen e saj, ngriti zërin dhe nuk lejoi ndryshim kufijsh. Nuk e arriti dot ta bënte për Gjermaninë, për Austrinë, për Bullgarinë dhe Hungarinë, vende që dolën të gjymtuara padrejtësisht në përfundim të Luftës së Parë Botërore nga makutëria e fuqive europiane.
Disa herë viktima të Europës, që nga Kongresi i Berlinit i 1878-ës e në Konferencën e Londrës së 1913-ës shqiptarët kishin humbur besimin te ajo dhe zbuluan një vend të largët si Shtetet e Bashkuara ,që po i mbronte dhe po siguronte mbijetesën e shtetit të tyre. Nga ana tjetër, francezët që mbështesnin serbët, anglezët grekët e të dyja bashkë Italinë. Qysh atëherë ekziston shprehja “Europa kurvë” e mbështetur edhe gjatë komunizmit sepse i shkonte për interes që të përçmoheshin vendet e perëndimit.
Edhe pas konfliktit të Dytë Botëror Shqipëria rrezikoi të quhej një vend humbës dhe të shkëputeshin territore të jugut, për të cilat Greqia me mbështetjen britanike po përpiqej të kalonte një rezolutë në Senatin amerikan. Qeveria amerikane nuk e pranoi këtë dhe insistoi përsëri në integritetin territorial të Shqipërisë, ndërkohë që vende të tjera europiane u copëtuan apo humbën pavarësinë.
Arsyet e mësipërme edhe pse janë racionale duket sikur nuk mjaftojnë për të shpjeguar popullaritetin e madh si asnjë vend tjetër që çudit edhe vet amerikanët. E nëse konsiderojmë që jemi një vend me shumicë myslimane kjo ngarkesë emotive bën përshtypje akoma edhe më shumë.
Vizita e presidentit Bush në Tiranë ishte një konfirmim i vëmendjes amerikane ndaj nesh por edhe një vlerësim i simpatisë sonë për ta. Shqiptarët patën rastin të tregojnë kësaj radhe gjithë botës mitin e tyre amerikan. Nuk do të kalonte shumë kohë nga kjo vizitë kur Kosova të shpallte pavarësinë e shumëdëshiruar e Shqipëria të merrte ftesën për në Nato, për t’u bërë një vit më pas anëtare e Atlantikut Verior.
E nëse shqiptarët vazhdojnë të shohin me mosbesim europianët duke dyshuar tek ta, besojnë në vlerat amerikane, në demokracinë e saj. Besojnë në një mit, por një mit që prodhon fakte konkrete.