Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

RETORIKA, KJO ARMË E FUQISHME

Retorika dhe Politika

Retorika, kjo armë e fuqishme


Gëzim Mekuli

Në mediet shqipe ka dhelpëri retorike. Prandaj, mendoni se si është ndërtuar autoriteti i gazetarit apo shkrimtarit? Shkrimi e fjalimi ka argumentim të mirë, hulumtim të mirë apo është vetëm një “shërbim i mirë” i një ideologjie në dominim?

Retorika sot nuk është e kufizuar vetëm me të shkruarit e fjalimeve. Të gjithë e pranojmë se veçoritë retorike gjinden në të gjitha komunikimet moderne. Në fushën e reklamës, për shembull, këto veçori i takojmë për ditë.

Retorika u themelua me qëllimin që fjalimet tona të jenë sa më bindëse, dhe që folësit “të shesin” sa më shumë argumente tek publiku/populli. Edhe pse populli nuk ka mundësi të kundërshtoj ndikimin e fuqishëm të retorikës, prapë se prapë është pritur që populli, sadopak, do të jetë në gjendje që të kundërshton, debaton dhe të thotë mendimin rreth një vendimmarrje qoftë ajo politike, ekonomike apo kulturore. Ky kundërshtim ndaj ndikimit të retorikës do të zhvillohej me qëllim që diskutimet e mëpastajme do të mund të formësonin një proces demokratik; proces që do të çonte deri tek një qëllim dhe një vendim demokratik e të mirë për popullin.

Por sot nuk është më kështu. “Sherr” për ketë janë mediet bashkëkohore. Gazetat, radio, televizioni dhe TV, mund të themi, janë forma komunikimi që shigjetojnë vetëm në ”një drejtim”. Shiko dhe dëgjo radiotelevizionin publik të Kosovës (RTK). Ti si pranues nuk ke edhe aq shumë mundësi të kyçesh në debat. Programet, në një shkallë shumë të vogël e shumë të kufizuar, i japin popullit mundësinë për reagim të menjëhershëm. Nuk ke mundësi të telefonosh drejtpërsëdrejti!

Në shumë raste reagimi i menjëhershëm i shqiptarëve të pakënaqur është i “pamundshëm.” Gazetat, natyrisht, pranojnë letra, por këto nuk e shohin botimin deri ditën e nesërme; por tanimë “argumentet retorike” të lajmit apo të “analistit të pavarur” janë, tanimë, çimentuar tek shumica e dëgjuesve – lexuesve. Reagimet e nesërme në ndonjë medium tjetër janë, thuaja, të pavlefshme. (Nuk është e çuditshme se përse qeveritarët dhe UNMIKu duan ta kenë nën kontroll mediumin publik, RTK-në). Në internet shohim një ndryshim të shpejtë. Këtu hapet mundësia për të reaguar. Edhe pse këtu mundësia e diskutimeve për tu keqpërdorur është e madhe, prapë se prapë është një mundësi serioze për opozitën që të shprehë mendimet e veta.


Mediet masive – oborri ynë i ri retorik

Shoqëria jonë mediatike është shndërruar në një oborr të ri retorik. Ne mund të numërojmë një sërë dallime që janë të veçanta për format tona të komunikimit.

- Ne komunikojmë përmes shumë medieve. Kjo do të thotë se ne komunikojmë me ndihmën e fotografisë, muzikës, fjalimeve dhe shkrimit. Shpesh herë edhe i kombinojmë që të gjitha këto forma të shprehjes mediatike.

- Komunikimi sot, shpesh herë, nuk ka dërgues konkret. Dërgesat nga TV, radio ose gazeta nuk kanë dërgues të personifikuar. Edhe një ”udhëzues për përdorimin” e një aparati elektrik nuk ka ndonjë autor me emër e mbiemër!

Komunikimi, në kuptimin e retorikës tradicionale, nuk zhvillohet secilën herë me qëllime të caktuara. Pra, nuk ekziston secilën herë dërguesi i cili donë diçka ose ka dëshirë të veçantë për të ndikuar në ty. Tjetra, komunikimi na takon si një tufë me shumë informacione. Ky vërshim i informacioneve përbëhet nga elemente të ndryshme e të shumta si fotografi, muzikë dhe tekst. Dyshimet ti lëmë anash; secili medium -letër, fjalim, zë, fotografi, internet- ndikon porosinë në mënyrën e vet.

Pra, zhvillimi i shoqërisë mediatike ka ndikim në retorikën. Andaj sot edhe kemi strategji të ndryshme retorike, e kjo varësisht se cilin mjet komunikimi ne si folës e përdorim për të shpërndarë mendimin, fjalën apo lajmin.

Fjalëmbajtësit intimizojnë, mundësisht, çdo gjë. Këta orientohen në patos: Kur ti si fjalëmbajtës do ti drejtohesh një publiku të madh, atëherë ti ke mundësinë të përdorësh fjalë dhe zë të fuqishëm. Këtu ke mundësi që fjalimin ta përshtatësh. Ti ke mundësi edhe të përdorësh elemente teatrale për të quar sa më përpara e me sukses porosinë e fjalën tënde.

Në radio është krejt tjetra. Ti si fjalëmbajtës “futesh brenda” në dhomën e publikut, prandaj është shumë me rëndësi që të flasësh me zë të ulët, të këndshëm dhe të butë, e kjo me qëllim që të krijosh një ambient sa më intim e sa më “prindëror” për publikun. Në rrethana të njëjta –dhe me të njëjtin fjalim- një fjalim i transmetuar në TV do të kërkonte një strategji tërësisht tjetër retorike. Andaj edhe ne kohëve të fundit nuk e kemi parë Presidentin ose kryeministrin e Kosovës të përdorë një zë të fuqishëm dhe lëvizje të shpejta e të pakontrolluara të duarve gjatë konferencave për shtyp. Kujto, në televizion ti je në rolin kryesor. Kamera do të koncentrohet në ty, ku mimika dhe lëvizja e muskujve të fytyrës sate është shumë e shprehur dhe është nën “mikroskop”. Në këtë mënyrë fjalimi yt bëhet shumë personal, intimizohet dhe ti qartësisht do të definohesh si dërguesi i vetëm i komunikimit.

Orientimi në pamje dhe zë

Në shoqërinë mediatike janë fotografitë që kanë peshën më të madhe. E kjo vlen jo vetëm për televizionin por edhe për gazetën, revistat javore dhe internetin. Prandaj është shumë me rendësi të dukesh bukur dhe mirë. Grimasat e rënda të John McCainit gjatë fushatës presidenciale në vitin 2008 pushtuan botën për 24 orë rresht. Shumica e analistëve mendonte se ky ishte një gabim i tij i pafalshëm. U tha më sipër se është shumë me rëndësi që të paraqitesh me një zë të këndshëm ”radiofonik” - nëse dëshiron që të qosh përpara porosinë tënde përmes radios-. Fjalimet e Winston Churchillit nga lufta e dytë botërore janë të famshme. Shumë mendojnë se fotografitë më të mira krijohen në radio, por këto fotografi së pari duhet ti krijosh në kokën tënde.

Cilat janë elementet retorike që fjalëmbajtësi i përdorë për të ndikuar në publik?

Etos ka të bëjë me atë se si besueshmëria dhe fuqia bindëse e autorit krijohet tek lexuesi. Kjo mund të ndodhë përmes tekstit ose raporteve që qëndrojnë jashtë tekstit. Nëse e dimë që një profesor ka shkruar një tekst atëherë kjo na bënë që ne ti besojmë më shumë këtij teksti, sesa nëse ky shkrues do të ishte një student apo një gazetar partiak. Shumë pak e dinë se Vidkun Kuislingu (norvegjezi i cili bashkëpunoj dhe admiroj nazistin Adolf Hitler) ka shkruar një vepër filozofike, vepër që u bë e mundur të lexohet vetëm në kohët e fundit. Por pak nga ne do ta vlerësojnë këtë vepër seriozisht. Sepse menjëherë do të aktivizohet vlerësimi i etosit. Do të ishte interesante që dikush të bëjë vlerësimin e veprës së tij por, duke mos ditur asgjë për jetën e shkrimtarit. Publikimet e para të Albert Einsteint, edhe atëherë kur ai prezantonte teorinë e tij të relativitetit, nuk merreshin seriozisht. Njerëzit nuk kishin besim që një person i cili punonte në zyrë të rëndomtë të kishte fuqinë profesionale për të shkruar artikuj të tillë.

Ne mund të krijojmë përshtypje për shkrimtarin edhe përmes mënyrës se si ai shkruan. Elementet retorike janë po ashtu të rëndësishme që një shkrues i përdorë. Shembull: BE në disa deklarata disa here ka cekur se ”ne jemi për një Kosove demokratike, ne ua dëshirojmë të mirën gjithë qytetareve të këtij vendi, por ne nuk mund të pajtohemi me korrupsionin dhe me krimin e organizuar që po mbretëron në Kosovë”.

Me këtë Bashkësia Evropiane tregon se i dëshiron të mirën popullit të Kosovës. Përmes kësaj BE dëshiron të arrij që lexuesi të këtë një pikëpamje më të nuancuar për institucionin e BE-së në raport me Kosovën: dhe kështu të lexoj kritikat e BE-së ndaj Kosovës me sy tjetër.

E, kjo na qon tek cilësia, besueshmëria dhe autoriteti i personit apo institucionit që shkruan.

Nuk është vetëm besueshmëria e shkrimtarit që është vendimtare nëse ne duam të besojmë në atë se ç’farë ai ka shkruar. Bindja dhe besueshmëria në mënyre ideale duhet të ndërtohet përmes argumentimit.

Patosi

Retorika është “Arti për të bindur”, por bindja, siç u tha me sipër, është e lidhur ngushtë me argumentimin. Pra retorika ndikohet shumë nga fuqia e argumentit. Zakonisht më shumë e më lehtë ndikohemi nga një shkrim objektiv i një akademiku, se sa nga shkrimi subjektiv i ndonjë gazetari që është në shërbim të një partie politike apo politikave ditore.

Është një kërkesë e domosdoshme që fjalën ta prezantojmë në atë mënyrë që ajo të jetë sa më e besuar. Kjo është edhe arsyeja se pse tekstshkruesi apelon tek populli –publiku-. Pra ai që shkruan ka për qëllim që popullin ta drejtoj në një drejtim të caktuar. E për të arritur këtë fjalëshkruesi duhet të përqendrohet tek ndjenjat e caktuara, vlerat dhe pikëpamjet e publikut.

Të angazhosh lexuesin është një punë retorike e me peshë të madhe. Të lajkatosh dhe të ndikosh përmes të kuptuarit që benë lexuesi duke lexuar apo dëgjuar fjalimin, është po ashtu një veprim retorik. Ne ndihemi më të mençur kur kuptojmë atë që kemi lexuar, se sa kur nuk kuptojmë atë që kemi lexuar. Andaj një ndër mjetet më të fuqishme retorike e ndikuese është përdorimi i mbiemrave dhe përshkrimi i një çështjeje me këto. Fjalët tipike janë ”natyrisht”, ”i qartë”, ”interesant”, ”me rëndësi”, ”i domosdoshëm”, ”vendimtare”, ”vërtetuese”, ”sqaruese” etj.

Një lajkë tjetër është mënyra se si artikullshkruesi apelon tek lexuesi i tij. A është ”unë” apo ”ne” dërguesi i tekstit? A është afruar lexuesi apo përjashtuar nga teksti? I shtrohet ndonjë pyetje lexuesit? Të apelosh tek lexuesi është një efekt retorik.


Efekti i patosit mund të jetë përforcues. Apeli duhet të ndikoj në ndjenja dhe qëndrimet e lexuesit. Gjithsesi duhet të përshtatet shprehja e porosisë me përmbajtjen e porosisë sepse ndikimi është një nga detyrat me të rëndësishme të retorikës.

Logos

Ndoshta më e rëndësishmja në një tekst është qëllimi me tekstin. Së pari duhet të shikojmë se si janë prezantuar pikëpamjet kryesore. A është kjo një hipotezë të cilën gazetari e hulumton? A është ky një përfundim që ka edhe argumentin si dëshmi? Sepse për lexuesin hipoteza është ajo që e angazhon, ndërkaq një konkludim do të prezanton një çështje që është e vlerësuar përfundimisht dhe në këtë rast do ta pasivizonte lexuesin.

Nëse një autor sjell argumente nga një fushë e madhe por nga shumë kënde të ndryshme vështrimi, kjo do të ketë një efekt më të madh e më të mirë retorik. Por argumenti duhet të ketë lidhshmëri me çështjen.

Përpos argumentimit artikullshkruesi mund të mbështetë tekstin e tij edhe me shembuj. Por është me rendësi të dihet se këto janë vetëm shembuj - këto shembuj përshkruajnë vetëm një pjesë të vogël të një tërësie të madhe. Shembujt mund të kenë një lloj efekti simbolik për porosinë në një tekst. Shembujt janë mjete retorike për të ndikuar, por që gjithsesi duhet të mbesin vetëm shembuj. Shembujt nuk mund të zëvendësojnë argumentin.

Vlerësimi

Që të tri elementet Etos, Patos dhe Logos, njëkohësisht, reagojnë dhe ndikojnë në njëra tjetrën. Pra ne edhe gjykojmë tekstin në bazë të asaj se si këto funksionojnë së bashku dhe në mënyrën se si këto reciprokisht ndikojnë në njëra tjetrën.

Pra teksti, ndër tjerash, duhet të vlerësohet në 3 drejtime:



Etos – ndikimi përmes autoritetit:

Si ndikon etosi përmes faktit që ne dimë shumë për jetën dhe statusin e gazetarit/shkrimtarit?



Patos – ndikimi përmes ndjenjave dhe qëndrimeve:

Ç’farë apeli qëndron në tekst, dhe cilat apele i përdor gazetari për të na ndikuar sa më fortë e sa më lehtë neve lexuesve?


Logos – ndikimi përmes arsyes/logjikës:

Ç’farë fuqie bindëse qëndron në prezantimin e argumentimit në tekst?


Retorika kërkon çdoherë një publik, pra kërkon popullin. Shprehjet retorike mund të ndikojnë apo edhe të ndryshojnë mendimet, vendimet dhe veprimet e popullit. Një publik retorik është ai i cili ”pranon” dhe është në gjendje të ndikohet nga diskursi politik dhe po ashtu, të jetë bartës i ndryshimeve në shoqëri.

Keni pyetur se pse analisti nga Instituti për Paqe, me seli në Washington, Serwer ka thënë se bisedimet për statusin e Kosovës nuk janë të mundura për shkak se shqiptarët nuk pajtohen me një gjë të tillë” dhe pse analisti amerikan, Nicholas Gvozdev, ditë më parë ka deklaruar në revistën prestigjioze “Forign Affairs” se statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë dy çështje të ndryshme, dhe se përderisa për statusin e Kosovës nuk mund të bisedohet, çështja e kufijve të Kosovës, sipas tij, mbetet e hapur?

Në mediet shqipe ka dhelpëri retorike. Prandaj, mendoni se si është ndërtuar autoriteti i gazetarit apo shkrimtarit? Shkrimi e fjalimi ka argumentim të mirë, hulumtim të mirë apo është vetëm një “shërbim i mirë” i një ideologjie në dominim?

Kontakto: gezim@mekuli.com

www.mekulipress.com

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama