Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza shqiptare dhe rajoni

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Kriza shqiptare dhe rajoni

Greva e urisë e Partisë socialiste është faktori kryesor që përcakton krizën politike në vend, por lidhja mes tyre nuk është lidhje univoke. Dmth e tillë që duhet të themi ekskluzivisht se Greva krijoi Krizën. Edhe Kriza solli Grevën dhe tashmë, Greva ndikon në thellimin spiralor të krizës së brendshme politike në Shqipëri.

Përkeqësimi i krizës ekonomike shqiptare- ndalimi i rritjes sipas të dhënave zyrtare, pastaj përfaqëson një faktor tjetër që ndikon skenën publike kombëtare ku po luhen aktet dramatike të grevës. Si pasojë e krizës ekonomike, ka frustrim të madh shoqëror prej papunësisë, ka shfaqje të fortë të acarimit popullor, ka dhunë.

Të gjithë këto elementë që po shohim sot nga bllokimi i rrugëve, deri te rreshtimi i intelektualëve, grupeve të interesit, mediave, etj, në blloqe si dekor shqetësues i grevës përfaqësojnë kontekstin e brendshëm, ku palët po luajnë që të fitojnë në fund betejën politikisht si investim për zgjedhjet e ardhshme lokale apo kombëtare. Kjo formë kundërvënie po ekstremizohet duke bartur farën e përplasjes në një spirale, që nëse nuk administrohet në kohë, askush nuk mund ta frenojë.

Nëse në fillim Edi Rama, Partia Socialiste e kishte të vështirë të mobilizonte një front cilësor mbështetësish, mediatizimi i grevës, përmasat e saj po krijojnë mbështetës të rinj, e pse jo dhe në gjirin e elektoratit të pavendosur, apo të atyre të rinjve që po krijojnë bindjet e tyre politike pikërisht sot. Por pavarësisht këtyre vëzhgimeve, ajo që mund të thuhet sot me bllokimet e rrugëve në të gjithë territorin dhe me lajmërimet për përshkallëzimin e protestës në 14 maj, është se zhvillimet po hyjnë në një terren të paparashikueshëm. Kriza shqiptare po bëhet e paparashikueshme.

Por kjo grevë nuk ka vetëm një kontekst të brendshëm.  Ka dhe një kontekst ndërkombëtar, dhe më ngushtë akoma një kontekst rajonal. Në planin ndërkombëtar me vlerë për Shqipërinë, duket se qeveria hyri me njëlloj avantazhi për një mori arsyesh. Asnjë qeveri evropiane apo perëndimore nuk preferon të ndërrojë dramatikisht kursin e zhvillimeve shqiptare duke kontribuar në një zgjidhje që favorizon tërësisht opozitën. Zoti Berisha ka mësuar aq shumë nga dështimet e veta të shumta qoftë në rolin e opozitarit, qoftë në rolin e drejtuesit të shtetit, sa din të gjejë kanale për t’i ndikuar ndërkombëtarët me të gjitha mënyrat, qoftë dhe me lojërat me trafikun e interesit, që pasi i ka mësuar, nuk i harron më. Privatizimet e ndryshme, tenderat ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë qenë gjithashtu element që ka prodhuar konsensus rreth kësaj qeverie në arenën globale, për aq sa faktorët globalë merren me Shqipërinë.

Konteksti rajonal

Por në favor të Berishës në fillimin e krizës kishte dhe ka dhe për pak kohë një element tjetër- konteksti rajonal. Në vendet rreth Shqipërisë po shfaqen kriza të brendshme që kanë implikime të forta jashtë kufijve. Shtimi i Shqipërisë në hartën e zonave të rajonit në krizë duket qartësisht një element që i frikëson evropianët.

Në krye të listës është kriza greke, që e ndikon rajonin jo vetëm me implikime ekonomike dhe financiare, por dhe me pamjet e dhunës, protestave që bartin sigurisht viruse ngjitës për shoqëritë rreth e përqark Greqisë.  Edhe aty shqiptarët nuk janë element i parëndësishëm, me numrin e madh të të punësuarve në ekonominë greke, me depozitat e tyre në bankat greke, me kontributin në sistemin pensionistik grek, pse jo dhe me potencialin e tyre të frustrimit të krijuar prej diskriminimit shumëvjeçar që kulmoi me aktin primitiv të Kretës.

 Pavarësisht se Greqia përfaqëson një sistem politik të stabilizuar, të aftë përgjithësisht që të administrojë kriza të forta, pavarësisht ndihmës evropiane dhe botërore, gjithsesi rrezatimi i saj destabilizues në rajon mbetet. Por nuk është vetëm Greqia. Maqedonia është e ngopur me avuj krize, qoftë në planin politik, qoftë në atë shoqëror, qoftë në atë ndëretnik. Aty Greqia ndikon në edhe më sepse në konfliktin për emrin, ajo nuk duket e interesuar të lëshojë pe pikërisht sot, kur gjendet vetë e përfshirë në një krizë të fortë. Në planin ekonomik dhe financiar VMRO-DPMNE në pushtet, e fortë në letra për shkak të mandateve, po preferon të marrë për etninë maqedonase pjesën e luanit në burimet e brendshme, megjithëse shqiptarët e emigracionit, kontribuojnë shumë në stabilizimin e sistemit financiar maqedonas. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni po acarohen edhe më për shkak të intransigjencës së kësaj Qeverie, e cila nuk po zbaton garancitë e fiksuara me Marrëveshjen e Ohrit për ish ushtarët e UªK-së.

Një grup i armatosur në kufi me Kosovën sfidon prej një kohe të gjatë autoritetin e shtetit maqedonas, duke shqetësuar jo thjesht maqedonasit. Sepse si vend i vogël i rrethuar nga armiq, Maqedonia është një lloj teatri ku fusin nga pak duart të gjithë: Serbia, Greqia, Bullgaria, e pse jo dhe Kosova.

Sikur të mos mjaftonin këto dhe Kosova gjendet në paradhomën e njëlloj krize që ka pak nga të gjitha. Ka përplasje euro-amerikane për privatizime asetesh strategjike, tenderë ndërkombëtarë rrugësh, e pse jo dhe për arsye të tjera. Aktivizimi i fortë i EULEX-it në luftë ndaj korrupsionit që filloi me akuzën ndaj ministrit të transporteve Limaj, nuk përfaqëson ndonjë element stabilizues. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për statusin nuk është dhënë, por që tani po turbullon ujrat kosovare. Janë shtuar zërat për ndarje territoresh.

Në këtë mishelë, po shtohen zërat për zgjedhje të parakohshme nga opozita e Haradinajt që herë pas here merr avdes në Tiranë tek kryeministri Berisha. Opozita sheh nga e gjithë kjo, dobësim të pozitave të qeverisë dhe është brenda të drejtës së vet të kërkojë të përfitojë. Qeveria nga ana e saj, duket se po e interpreton gabim situatën: po shfaqet retorikë antieuropiane, megjithëse në formën e kritikave për EULEX-in, që mund të krijojë probleme dhe në terren.

Kur EULEX-i kritikohet nga zyrtarë të lartë, po populli ç’bën?

E pra në një situatë të tillë kriza shqiptare që thellohet nëpërmjet grevës deri më tani nuk është parë me sy të mirë nga faktori ndërkombëtar. Ai mund të ndërhyjë në favor të opozitës vetëm nëse bindet se kriza duhet ndaluar që tani, para se nesër të jetë vonë. Ndërkohë kjo qeveri do të dobësohet në planin ndërkombëtar edhe për shkak se nuk po tregohet e aftë që ta zgjidhë vetë krizën. Krizat ballkanike ndikojnë njëra tjetrën, me kanale publikë dhe jo publikë. Por për ndërhyrjen vendimtare perëndimore, opozita duhet të punojë akoma dhe më shumë. Ajo duhet të japë garanci se nuk do ta përshkallëzojë në formë ekstremale protestën, por dhe duke e bindur perëndimin se duhen shmangur skenarë grekë krize që për Shqipërinë do të ishin shkatërrimtarë.

Është detyrë e vështirë, por jo e pamundur. Fitimi masiv i mbështetjes në planin e brendshëm, pra një faktorizim i fortë i opozitës, njohja e të gjithë të dhënave ekonomike dhe financiare të Shqipërisë, mund t’i kandisë ndërkombëtarët të ndërhyjnë në një formë përfundimtare në zgjidhjen e krizës shqiptare dhe kjo ndërhyrje s’ka sesi të jetë në favor të qeverisë. Vazhdimi i krizës shqiptare më në një rast të tillë nuk mund të tolerohej. Ofertat e qeverisë për zgjidhjen e krizës janë korrekte për kohë të tjera, por siç thoshte Preç Zogaj në një editorial të vetin, koha i vjetëron shumë shpejt zgjidhjet. Pra zgjidhja do të vinte vetëm nga jashtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama