Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Krokodili', sa dramatik!

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
'Krokodili', sa dramatik!

Pse arritëm deri tek negociatat me ndërmjetësimin  evropian, anipse në formën e një darke luksoze? Dikush mund të thotë se ajo çfarë pamë tek restorant “Krokodili” në zemër të Evropës nuk ishte ndonjë gjësend dramatik sa të meritojë vëmendjen e një analize të së dielës. Por jo, duhet të mendojmë të kundërtën.

Pavarësisht përpjekjeve të miqve tanë të Bashkimit Evropian për t’i dhënë karakter sa më normal gjithçkaje, në formën e një darke mes miqsh, në një restorant evropian, ajo që ndodhi në fakt nuk ishte normale. I kishte të gjithë elementët e një krize të vështirë, për të cilën duhet ndërmjetësim ndërkombëtar. Të ngjashëm me ndërmjetësimet midis palëve nëpër luftëra civile apo luftëra ndërshtetërore në Afrikë apo gjetiu. Në kësi rastesh, ndërmjetësimi duhet qoftë për të afruar pozicionet e palëve, qoftë për të garantuar marrëveshjen. Por në Evropë kishim kohë pa parë ndërmjetësime të tilla. Siç mund ta mbajë mend shumëkush, prej 2001-it, kur patëm konfliktin në Maqedoni, Evropa nuk ka parë vepra të tilla ndërmjetësimi. Konflikti i Maqedonisë, që kishte karakter ndëretnik, nuk solli madje si nevojë dërgimin e liderëve gjëkundi jashtë vendit. Ndërmjetësimi i Kosovës pati tjetër karakter dhe askush nuk na lejon të bëjmë krahasime me të. Pra, ndërmjetësimi evropian në Bruksel për konfliktin mes palëve politike ndër ne ishte dramatik, sepse prej dhjetë vjetësh nuk ishte parë në rajon. Domethënë i paprecedent në kohërat dhe viset tona.

Ajo që e bën më dramatik ndërmjetësimin është dhe ajo çfarë luhej, çfarë diskutohej në Bruksel. Ishte diçka që gjetiu mund të zgjidhej lehtësisht, por jo në Shqipërinë tonë. Përtej dokrrave që thuhen, hapja e kutive qoftë me vendim gjykate, qoftë me komision hetimor, është diçka që nuk ndalohet as nga Kushtetuta, as nga ndonjë vendim gjyqësor. Të këmbëngulësh në moshapje është një kokëfortësi që jo vetëm krijon dyshime të thella mbi manipulimin e votave, por edhe mbi iracionalitetin e kokëfortit. Pavarësisht mesazheve pragmatike të perëndimorëve, që nuk duan ta dobësojnë Qeverinë përtej një pike, kjo kokëfortësi me të vërtetë i ka tronditur ata.

Dikush mund të thotë se më kokëforti ishte kreu i opozitës. Jo, kreu i opozitës praktikisht ka shkuar në pozicionet e propozuara nga Këshilli i Evropës, pra ai është tërhequr nga pozicionet paraprake vazhdimisht. I ka reduktuar kërkesat e tij dhe në fund të fundit ai është në opozitë. Kryeministri Berisha që prej kokëfortësisë së vet mund të shohë të shtyrë liberalizimin e vizave, duhet të tërhiqej. Nëse nuk tërhiqet, ai na thotë se liberalizimi i vizave është diçka më e parëndësishme se hapja e kutive. Prej kutive mund të dalin të palarat e një procesi të manipuluar zgjedhor, ku si zakonisht vidhen votat e emigrantëve dhe të gjithë palët nëpër komisione pranojnë rezultatin. Është një rezultat që mbështetet mbi një numër të fryrë votuesish, përfshirë edhe emigrantët, në një listë që kryekomunarët e të gjitha palëve e pranojnë. E pranojnë, sepse mbi këtë rezultat përfitojnë ndihmat sociale, përfitojnë privilegje në ndarjen territoriale, etj.. etj.

Ndërmjetësimi evropian është dëshmia më e fortë se Shqipëria nuk ka dalë nga tranzicioni. Vetëm vendet në tranzicion nuk kanë kapacitet për t’i zgjidhur krizat vetë. Vendet normale i kalojnë ato nëpërmjet institucioneve ndërmjetësuese, nëpërmjet burimeve të brendshme të sistemit politik. Dhe këtu mbërritëm në arsyen e parë, pse ne shkuam në Bruksel të zgjidhim një krizë të thjeshtë, që në kohëra normale, në një vend normal, duhej zgjidhur lehtësisht.

Arsyet pse zgjedhim arbitra ndërkombëtarë

Kryeministri i vendit sistematikisht që nga koha kur merret me politikë nuk ka pranuar asnjëherë askënd si dikushi mbi palët. As ndonjë institucion, as ndonjë individ. Vazhdimisht i ka përfolur egërsisht të gjithë ata që s’mendojnë si ai, Gjykatën Kushtetuese që e ka rrëzuar 23 herë në ndërmarrjet e veta kundër rregullave të lojës, por edhe gjykatat e tjera, Presidentët e Republikës, Avokatin e Popullit, Kryetarin e Kontrollit të Shtetit, Prokurorin e Përgjithshëm. Ish-presidentët, analistët, komentatorët, këdo. Pra, zotni Sali Berisha, praktikisht dhe tërë kohën është njeriu më antisistem në panoramën politike në vend. Pavarësisht se ku është: në opozitë, apo në qeverisje.

Ky njeri praktikisht i ka shkatërruar me një retorikë të egër, me makineri propagandistike të paturp, kapacitetet ndërmjetësuese të brendshme, autoritetet morale të vendit, institucionet e pavarura, individët e pavarur. Ky njeri vazhdimisht i ka shërbyer ndarjes së egër të vendit në dy palë armiqësore me njëra-tjetrën. Kjo është me të vërtetë dramatike. Nuk është vend normal ama, ai që nuk ka institucione apo individë të gjithëpranuar si arbitra, si autoritete morale. Mjerisht në ndërmarrjen më të fundit antisistem atë e ndihmoi vetë kreu i opozitës, kur bashkë realizuan ndryshimet kushtetuese. Pra, kur asgjësohen arbitrat e brendshëm, shkohet jashtë. Por kjo s’duhet ta bëjë krenar zotin Berisha, me gjithë batutat karrem për reporterët e etur për “storie”.

Ne arritëm në Bruksel në një zgjidhje dramatike, pavarësisht zbavitjes së reporterëve tanë, që pasuruan kronikat e tyre të mjera me emra restorantesh perëndimorë, për një arsye tjetër që në fakt lidhet me të parën. Zoti Berisha mendon se takticizmi i tij, pragmatizmi i tij ekstrem, pra interesi i tij për të fituar apo ruajtur pushtetin është diçka që justifikon gjithçka. Dhe që ne, përfshi edhe të huajt, duhet ta pranojmë apriori. Ai asnjëherë nuk ka bërë kompromise kur ka qenë i bindur se do humbte, zvogëlonte pushtet, apo se mund të rrezikonte minimalisht qenien e tij politike. Kush mban mend 1997-ën, vitin e tij më të vështirë politik, kujton se edhe atëherë ai lëkundej shpesh nga pozicioni më i dobët, në atë më të egrin. Kompromiset më të mëdha ky njeri i ka bërë vetëm (shumë vonë ama) kur e ka kuptuar se kanë qenë e vetmja mënyrë për t’u ricikluar, për të ardhur në pushtet, siç ishte rasti i marrëveshjeve me Nanon. Në “Crocodille”, perëndimorët panë në 5 orë pa ndërprerje, transformizmin e liderit tonë në pushtet.

Dikush mund të thotë se nëse ai do të arrinte të merrte liberalizimin e vizave si shkëmbim në fund të negociatave, atëherë ai prapë do të dilte fitimtar taktikisht. Pra, do të fitonte diçka për vete dhe ne të gjithë, që përndryshe do vonohet diku nga fundi i vitit, nëse nuk shtyhet më tej, për shkak të ndonjë bëme të re të liderit tonë. Do të fitonte diçka, një lloj prike që mund ta ndihmonte në zgjedhjet e parakohshme. Kjo u kuptua, pasi Berisha ua la zgjidhjen në dorë evropianëve, duke u tallur me shefin e OSBE-së, i cili nuk mund të ishte arbitër, sipas tij. U duk nga shtyrja e vazhdueshme e zgjidhjes, deri në afërsi të kampionatit botëror, kur mund të mendohet se njerëzve do t’u bjerë interesi për ndërmarrjet politike të të gjitha llojeve. Ky takticizëm ekstrem, për të cilin vërtet këtij njeriu i duhet t’i japim një vlerësim si takticieni më i madh i kohërave tona, megjithatë nuk i shpëton fytyrën atij. As vendit. As nuk na shpëton nga problemet e thella.

Problemet e thella, ato realet, mbeten mes nesh. Kriza nuk zgjidhet kur shtyhet në kohë. As kriza politike, kur institucionet po fillojnë të rrënohen, pasi po bien në një dorë, duke zhdukur çdo shpresë për arbitra të brendshëm, as kriza ekonomike, që shfaqet në formën “më jep Dajtin, të paguaj tunelin”. Përkundrazi, kur krizat shtyhen, kur me buzën në gaz thirren arbitra ndërkombëtarë, zgjatet tranzicioni dhe mbetet në këmbë frika se përsëri do të kemi negocime me ndërkombëtarë në mes. Sepse njeriu i tranzicionit, kampioni i takticizmit, nuk tërhiqet. Krizat që janë reale nuk zgjidhen me takticizëm, që është diçka virtuale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama