Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një letër dhe kriza që vjen pas

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një letër dhe kriza që vjen pas

Darka e Strasburgut ishte ngjarja që mori mbi vete të gjithë vëmendjen dhe përqendrimin e publikut në Shqipëri. Mediat, komentet dhe diskutimet e opinionit publik i dhanë këtij evenimenti (në fakt mjaft i kursyer në rezultate), përmasat e një thyerjeje epokale në jetën tonë politike. Ashtu si duarshtrëngimet e dikurshme mes Berishës dhe Nanos, edhe ky mes Berishës dhe Ramës u prit me habi dhe retorikë në ambientin shqiptar. Më se normale për një vend ku ulja në tryezë përbën gjithnjë lajm, kurse lufta me baltë përbën normalitetin e përditshëm.

Megjithatë, në këtë emfazë që mori darka në fjalë, duket se u la mënjanë një element politik i një rëndësie të veçantë dhe që duket se do të përcaktojë edhe në të ardhmen shumëçka në procesin e zgjidhjes së krizës elektorale në Shqipëri. Në kapërcyellin e 19 majit, kur nga Tirana vijonin lajmet me grevistë që dilnin me barela për në spital, dy europarlamentarë, njëri i shumicës së djathtë dhe tjetri i pakicës së majtë, dërgonin në adresë të Kryeministrit Berisha dhe lidershipit të opozitës, një letër, e cila duket se përbën një precedent nga shumë anë historik, në marrëdhëniet Shqipëri-BE. Letra thoshte hapur se në kushtet konkrete, diskutimi i axhendës europiane të vendit bëhej i pamundur. Për pasojë, duhej pezulluar çdo tentativë për ta avancuar këtë axhendë, me qëllim që të evitoheshin surprizat e pakëndshme për vendin tonë. E para herë që diçka e tillë thuhej kaq açik nga zyrtarët europianë.

Në klimën e ndezur të grevës së urisë dhe fill pas saj, të takimit të Strasburgut mes Berishës dhe Ramës, letra e mësipërme u la disi jashtë vëmendjes. Skelat e grevës që mblidheshin me shpejtësi në bulevard dhe batutat e darkës së Strasburgut për llojin e verës, të mëlçisë së patës apo edhe për pagesën e faturës së saj, çuditërisht zunë më tepër vend në faqet e shtypit, sesa ky paralajmërim mjaft serioz dhe i pazakontë, që Shqipëria mori nga Bashkimi Europian. Madje, në mënyrë disi naive, letra u pa edhe si një marrëveshje e tërthortë e Berishës me partnerët europianë, për të nxjerrë nga greva opozitën! Një interpretim sa sipërfaqësor, aq edhe tendencioz i një paralajmërimi që nuk është as teatral dhe as taktik. Me fjalë të tjera, jo një fishek manovre, por një predhë e mbushur dhe gati për shkrepje.

Prej muajsh, madje prej disa vitesh, Shqipëria ecën pa ia ndarë sytë disa objektivave europianë e atlantikë. Liberalizimi i vizave, nënshkrimi sa më i shpejtë i marrëveshjeve standarde me Bashkimin Europian, hyrja në NATO, kanë qenë dhe janë procese në të cilat natyrshëm ne kemi pretenduar të avancojmë me hap sa më të shpejtë. Edhe debati politik, për pasojë, është fokusuar këto vite te cilësia dhe ritmi i këtij afrimi me bashkësinë euroatlantike të vendeve.

Duke parë substancën e ngjarjeve që kanë pasuar njëra-tjetrën në këto orë krize, vërejmë pa vështirësi se jo darka, ku secili ka ngulmuar në vetën, por letra e dyshes Doll-Shulz, ka qenë lajmi i vërtetë, zhvillimi i papritur dhe kthesa që solli fundin e grevës dhe zbutjen e qëndrimit të palëve. Nuk po e bëjmë këtë renditje për hir të ndonjë manie për të vënë rregull, në një zinxhir ngjarjesh, të cilat dalin që të gjitha nga rendi i zakonshëm. Por vlen të shihet me shumë kujdes fakti tejet i rëndësishëm, i formulimit të një qëndrimi të ri europian në funksion të krizës shqiptare, duke e parë këtë të fundit të lidhur me axhendën europiane. Është hera e parë që kriza lidhet drejtpërdrejt me axhendën, e kjo e bën tejet delikate pozitën e vendit tonë dhe të klasës së tij politike. Europa ka folur për herë të parë përmes dy grupeve kryesore të Parlamentit europian, me gjuhën e forcës: ose merruni vesh, ose s’ka opinion për statusin e vendit kandidat e ndoshta edhe liberalizim vizash. Në një ambient ku politesa dhe gjuha diplomatike janë i vetmi kod komunikimi, ky përbën një precedent unik. Të paktën për qeverinë e zotit Berisha, e cila që nga viti 2005 nuk ishte paralajmëruar asnjëherë me tone të tilla.

Të dyja palët kënduan fitore në kthimin nga Strasburgu. Përtej faktit që ky është një truk i tradicionalisht i keqpërdorur nga të gjitha palët në politikën shqiptare, të dyja palët bëjnë sikur harrojnë se mesazhi Doll-Shulz, por edhe paralajmërimet e kohëpaskohshme të zyrtarëve europianë e amerikanë, i tejkalojnë dukshëm cic-micet e vogla të njërës palë mbi kurrizin e tjetrës. Shqipëria rrezikon jashtë mase në këtë sherr politik. Dhe kjo s’është fitorja e askujt, përkundrazi, kjo është humbja e të gjithëve.

Sot ndodhemi nën efektin jo edhe aq të darkës te “Krokodili”, sesa të letrës së parlamentarëve europianë, e cila parapriu vetë darkën. Rendi i gjërave në situata delikate, ka një rëndësi madhore. Të gjitha ngjarjet që priten të ndodhin, madje edhe ato pak piketa që hodhën në darkën e mësipërme për vijimin e bisedimeve, kanë si pikë referimi të palëvizshme letrën e zyrtarëve të lartë të Parlamentit Europian, e cila është sot Shpata e vërtetë e Damokleut mbi kokën e politikës shqiptare. Sidomos të qeverisë, e cila e gjen veten natyrshëm si përgjegjësen zyrtare të procesit të integrimit të vendit. Në letër nuk thuhet asgjë formalisht për liberalizimin e vizave, por vetë afati dyjavor i kohës që u dha pas darkës te “Krokodili” për palët, shënon një vijë të kuqe edhe për vizat, për të cilat po thuhet se do të jepet një dritë jeshile e kushtëzuar në Samitin e Sarajevës, pas pak ditësh.

Nëse për Kryeministrin problemi i statusit të vendit kandidat i përket të ardhmes së afërt, ky i vizave është një problem jetik që ka të bëjë me të ardhmen iminente. Por këto llogari, cilado qoftë optika në të cilën bëhen, nuk mund ta tejkalojnë faktin madhor që ne kemi një problem të madh për të zgjidhur në shtëpinë tonë dhe që mund të komprometojë rëndë të ardhmen tonë në Europë. Letra e 19 majit e thotë qartë këtë, për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama