Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mirësevjen 11 qershor!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 15 vite më parë

Edmond Tupja
Mirësevjen 11 qershor!

Para disa ditësh qe data 1 qershor, pra, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, por ajo kaloi si çdo vit, as më shumë e as më pak: fëmijët tanë u gëzuan, kush më shumë e kush më pak, diku u organizuan, ku më shumë e ku më pak, disa veprimtari të quajtura "evente", mediat u bënë pak a shumë jehonë, jo aq sa vitet e tjera dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë, por të pakundërshtueshme: më 11 qershor fillon në Afrikën e Jugut Kampionati Botëror i Futbollit (Mos vallë ky "superevent", pyesin gjuhët e këqija, qe njëri nga faktorët që i shtynë futbolldashësit e udhëheqjes së Partisë ...Socialiste ti jepnin fund supergrevës së tyre të urisë? Dashtë Zoti, urojnë gjuhët e mira, që shqiptarët, me në krye protagonistët konfliktualë të dy partive më të mëdha, ti shkarkojnë energjitë negative, që i kanë grumbulluar këto kohët e fundit, duke ulëritur me fjalë të "pista" përpara ekranit hight definition të televizorëve të tyre për tua kursyer ato teleshikuesve të seancave parlamentare!). Ndoshta edhe vetë fëmijët e patën më pak mendjen te festa e tyre këtë vit sepse, edhe ata, duan sduan, janë kushtëzuar nga mjedisi futbollistik e nga publiciteti zulmëmadh që po i bëhet kampionatit në fjalë nga shumica dërrmuese e mediave tona të shkruara e elektronike.

Çështë e vërteta edhe unë mezi po e pres 11 qershorin; me vete i uroj atij çdo ditë mirëseardhjen. Po e pres me padurim prej disa muajsh, por jo sepse dalldis pas futbollit, sidomos me raste kampionatesh europiane apo botërore. Jo, aspak. Mezi po e pres prej disa muajsh, më saktë që prej asaj date kur dita u barazua me natën si kohëzgjatje, pra, që më 21 mars të këtij viti. Përse pikërisht në këtë datë? Sepse ishte ditë e diel dhe të dielën fëmijët e kanë pushim; sepse ka prej tyre që shkojnë e lundrojnë në Internet; sepse rastisi që edhe unë vajta atje dhe u njoha me një vajzë në klasë të parë që quhet Eni; sepse e dëgjova ta pyeste tezen e vet - që administron atë qendër Interneti - se çështë ekuinoksi; sepse tezja i dha përgjigjen e saktë duke i thënë se më 21 marsi dita barazohet me natën, pastaj, që të nesërmen, ajo ia kalon natës dhe vjen duke u zgjatur deri sa arrin kulmin më 21 ose 22 qershor; sepse Eni ia ktheu asaj me këtë frazë të papritur dykuptimshe që më kujtoi "Lizën në botën e çudirave" dhe më mrekulloi: "Pra, edhe mua, teze, më 11 qershor, do të më zgjatet ditëlindja!"; sepse, për mua, kjo frazë ishte dhe do të mbetet dhjetë, njëqind, një mijë, një milion herë më fantastike se Kampionati Botëror i Futbollit që do të fillojë pikërisht ditën e shtatëvjetorit të lindjes së Enit, pra, më 11 qershor të këtij viti. Ja përse po e pres me padurim të madh 11 qershorin. Që të shkoj atë ditë, krejt ndryshe nga shumica e shqiptarëve, të cilët do të gozhdohen plot emocione para ekranit të televizorit, ti blej Enit një tufë me lule  dhe ti uroj që ti zgjatet ditëlindja edhe njëqind vite të tjera, pavarësisht kampionateve kombëtare, europiane apo ndërkombëtare, jo vetëm të futbollit, por edhe të gjitha sporteve të tjera, që mund të zhvillohen sa herë që ajo do të festojë ditëlindjen e saj të zgjatur.

Do të dëshiroja gjithashtu (e di që kjo është e pamundur, por përse të mos ëndërroj edhe unë për një çast që mrekullia mund të ndodhë qoftë edhe në imagjinatën e papërlyer të një vajze të vogël, të zgjuar, të dashur e të bukur si Eni?), do të dëshiroja, pra, gjithashtu, që, për një minutë, ndoshta edhe më pak, pikërisht më 11 qershor, gjatë ndeshjes së parë të Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut, lojtarët e të dy ekipeve, përfshirë edhe lojtarët rezervë, edhe trajnerët, edhe arbitrat, edhe shikuesit e shumtë, të  linin çdo gjë, të ktheheshin  nga kamerat televizive dhe, të gjithë në kor, të këndonin në unison: "Happy birthday to you, happy birthday to you, happy birthday to Eni, happy birthday to you!".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama