Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fushata nis me krizë të pambyllur

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Fushata nis me krizë të pambyllur

Pas konstituimit të pozicioneve drejtuese në komisionet parlamentare dhe në Parlament, PS ka zyrtarizuar mbylljen e ciklit të gjatë të bojkotit dhe bllokimit politik. Një kapitull i ri zyrtarizohet tashmë në marrëdhëniet pozitë-opozitë, por sidomos në raport me kalendarin politik të vendit.

Mbledhja e fundit e grupit parlamentar të PS-së përbën aktin përmbyllës të një qëndrimi dhe aksioni opozitar. Tashmë mund të flitet për një normalitet në sjelljen parlamentare të palëve politike.

Ky vendim opozitar vendoset përballë tablosë së përditshme që improvizon shumica e kryesuar nga demokratët dhe e prirë nga Kryeministri Berisha. PD dhe aleatja e saj e majtë në rikonfirmim LSI, kanë nisur ngutshëm një si fushatë elektorale. Ky koalicion i shumëdiskutuar, por qetësisht funksionues, në këtë vit të krizës së thellë të marrëdhënieve pozitë-opozitë, tenton të jetë nisës i turneut paraelektoral për zgjedhjet kalendarike të 2011.

Vendimi politik i opozitës, i paralajmëruar si pranim i një kushti të negociuar me faktorin ndërkombëtar, për futjen në Parlament, de fakto, përmbyll edhe aksionin bojkotues të saj. Mirëpo në të njëjtën kohë ka lënë të hapura arsyet për rikthim dhe ndëshkim prej ngërçit të deritanishëm, i cili realisht, peshon sa një krizë.

Opozita nuk mund ta nisë fushatën, duke kapërcyer arsyet dhe argumentin e deritanishëm të konsumuar si sjellje, qëndrim, veprim dhe kauzë e një viti të plotë. Turi i tanishëm i kreut socialist Rama në qytetet kryesore të vendit, ka disa qëllime. Por më spikatësi ndër këto qëllime, është ai i mbajtjes në fuqi të presionit mbi kundërshtarin Berisha.

Sipari paraelektoral i këtyre ditëve, i nisur njëherazi nga dy kundërshtarët politikë potencialë, zoti Berisha dhe zoti Rama, ka përmbajtjen e një testi mes tyre dhe arsyes për sjelljen e deritanishme.

Hermetizmi në komunikimin e tyre me negociatorët ndërkombëtarë, por sidomos për draftin që negociojnë në mënyrë jo publike me ekspertët apo përfaqësuesit e Parlamentit Europian, është pjesë e rëndësishme e realitetit që dy kundërshtarët politikë përgatisin për të ardhmen e paskëtajme.

Shumica e aktorëve të shoqërisë shqiptare, prej muajsh ka reaguar me pakënaqësi për këtë ngërç-krizë që dy protagonistët krijuan në marrëdhënie mes tyre dhe institucioneve dhe e sollën deri në limite paralajmëruese nga institucionet e BE-së. Bllokimi parlamentar është vetëm maja e ajsbergut. Të tjerat janë ende të palistuara. Ndërsa kostoja institucionale dhe ajo ekonomiko-financiare s’ka për t’u llogaritur asnjëherë.

Gjithsesi, lëvizja e fundit në pistën e normalitetit që mbart faza fillestare ose paraelektorale, jep shpresë për ditë të afërta me kontradikta dhe antagonizëm të ri politik.

Ndryshimi i ditëve mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me arsyet dhe kushtet e ngërçit të deritanishëm. Kjo do të thotë se kriza de jure është kapërcyer, por de fakto, gjendet e patrajtuar dhe mbartet në çdo hap. Pas zbutjes së toneve në seancën e djeshme në Parlament, mes dy krerëve të grupeve, përkatësisht zotit Ruçi dhe zotit Patozi, shumëkush lexon qartë se “pakti i mossulmimit” buron nga “darka e Strasburgut” dhe mbetet në fuqi deri në shpalljen e rezultatit të lënë si “detyrë e fshehtë shtëpie”.

Në emër të këtij kushti imponues, dy protagonistët Berisha e Rama, po ecin drejt fushatës së re, pa pasur egocentrizmin apo prepotencën karakteristike të tre vjetëve të fundit.

Testi fushatesk i tyre ka shumë mungesa. Ai nuk mbart as një shenjë projekti apo programi, sikundër qartazi shpjegohet se përcaktohet nga kondicionet e krizës që vijon të mbetet e pasqaruar nëse është kapërcyer dhe se ç’përfshin në zgjidhje. Aspektet e pazbardhura të kapërcimit ose jo të ngërçit janë elementet më të qenësishme të sjelljes dhe strategjisë së re përballëse mes pozitës dhe opozitës së vendit.

Pohimet e mbrëmshme të zëvendëskryetarit të delegacionit për Ballkanin, Victor Boshtinaru, janë thelbi i një deklarate zbardhëse e faktit, se drafti i zgjidhjes për dy udhëheqësit po serviret nga PE. Paralajmërimi se “nëse këta dy liderë do të hedhin poshtë propozimin e Parlamentit Europian… të dy grupet politike europiane vendosin të ngrijnë të gjitha çështjet me Shqipërinë, përfshi dhe atë për regjimin e lirë të vizave”.

Mjafton ky pohim dhe vlerësimet paralajmëruese të mbërritura nga Brukseli, sikundër edhe deklarata e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, zotit Steinberg, (për legjitimitetin e qeverisjes Berisha), për të kuptuar se sa i përcaktuar është ky test paraelektoral dhe fushata në trokitje, për pozitën dhe opozitën e vendit, por sidomos për dy protagonistët Rama e Berisha. Ky test, zbuloi përgatitjen e draftit europian, pas darkës te “Crocodili”. Turi paraelektoral i këtyre ditëve paralajmëron tashmë edhe pranimin me hir apo pa hir të firmosjes së draftit, nga antagonistët që janë dëshmuar si kategorikë të ndryshueshëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama