Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Sex&City' made in Albania

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 15 vite më parë

Arjan Konomi
'Sex&City' made in Albania

Suksesi i filmit kinematografik “Sex and the City 2” ashtu si dhe pritej pati një interesim të madh edhe në kryeqytetin shqiptar. Një film që edhe pse i shkruar sipas mënyrës amerikane mund të thuhet se është realist për problemet femërore që pelikula trajton. E ky realizëm është çelësi i suksesit të filmit, pra fakti që femrat shohin një përjetim pse jo dhe zgjidhjeve të probleme të tyre.

Po në Tiranë, larg bulevardeve dhe butikëve luksozë të Nju Jorkut, a ekziston një realitet “Sex and the City”? E thënë ndryshe a është emancipuar femra shqiptare aq sa të thuhet që përjetohet një realitet i ngjashëm edhe tek ne? Edhe pse me problemet e shumta që mbart shoqëria shqiptare, edhe pse femrave u mbetet shumë për të bërë për një emancipim më të gjerë, edhe pse në miniaturë, përgjigja është “po”. Natyrisht që kjo temë mbart debat midis “kundra”-ve dhe “pro”-ve.

Është fakt që shoqëria shqiptare është emancipuar shumë nëse krahasimet do t,i bënim me periudhën e parademokracisë. Dinamizmi i zhvillimit ekonomik krijon premisat për një zhvillim social në përgjithësi e në kuadër të kësaj, për një emancipim në rritje të femrës. Në ato zona ku ky dinamizëm është më i prekshëm edhe emancipimi shoqëror është më i madh. Në Tiranë janë të shumta femrat që kanë arritur të sigurojnë një vend të mirë pune, i cili u jep mundësinë të jenë ta pavarura ekonomikisht. Kjo pavarësi i bën që të jenë më të pavarura edhe nga ndikimet që familja, tradita, apo shoqëria kanë tek ato e të zhvillojnë një jetë të bazuar në zgjedhjet e dëshirat e tyre. Në qytetet e mëdha shqiptare është rritur shumë mosha mesatare e martesës për femrat në krahasim me njëzetë vjet më parë, ashtu si është rritur shumë numri i femrave beqare, të cilat nuk e shikojnë me preokupim kalimin e të tridhjetave me një status civil të tillë.

Edhe rritja tepër e lartë e numrit të divorceve tregon për një emancipim shoqëror pavarësisht se ajo mbart në vetvete një problem social për t’u analizuar. Është emancipim sepse çiftet arrijnë të gjejnë kurajon dhe të mos jetojnë një jetë që në rast të kundërt do të ishte hipokrizi. Këtë e vërteton edhe një dukuri tjetër sociale që ndeshet gjithnjë e më shpesh në kryeqytet, bashkëjetesa, e cila po hyn në psikologjinë kolektive të çifteve të dashuruar si një antidot për një martesë të suksesshme. Një dukuri sociale e paimagjinueshme mbi njëzetë vjet më parë.

Në rastin kur raporti nuk mund të zgjasë më një femër sot nuk e ka aspak problem të ndahet e të mos vuajë faktin se çfarë shoqëria do të mendojë për të, apo si do të gjykohet veprimi i saj. Pra, ajo përmasë gjykimi kolektiv që dikur quhej “moral” sot ndeshet shumë më pak. Kuptohet flasim për një realitet kryeqyteti e jo qytezash të vogla ku shumë gjëra kanë ndryshuar fare pak.

Po kështu mund të thuhet edhe mbi fenomenin e të paturit një të dashur për një vajzë. Nëse dikur edhe për një studente universitare ishte një sekret madh një lidhje dashurore, sot femrat nuk ndruhen më ta tregojnë këtë. Ato mund të ndahen e të nisin një lidhje të re.

Ashtu si shpesh ndeshen femra që mendojnë se lidhja që përjetojnë nuk është ajo e duhura për martesë, por një kompromis i përkohshëm me veten.

Për të trajtuar emancipimin në rritje të femrës shqiptare ashtu si problemet e mëdha që ndeshen ende sot, do të duheshin libra të tërë, por ajo që doja të shprehja duke marrë shkak nga filmi kinematografik është se edhe në kryeqytet mund të shohim gjithnjë e më shumë femra që jetojnë vetëm me qira, femra që bashkëjetojnë, që ulen me shoqet përpara një gotë vere në mbrëmjet e Tiranës dhe flasim për dashuritë e tyre, që ndahen e pastaj rinisin një histori tjetër, që shkojnë të kërcejnë në shoqëri femërore deri në orët e para të mëngjesit, që nisen bashkarisht për pushime…

Pra, pse jo? Edhe ne kemi një “sex and the city” made in Albania.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama