Mustafa Nano
Ka ca kohë, që strategjia Bruksel-ase e zgjerimit të Bashkimit Evropian e ka humbur magjinë e vet. Në fillim, kjo strategji kishte promotorë e partizanë të shumtë, të cilët besonin se vetëm duke u dhuruar karotën, d.m.th anëtarësimin në BE, anëtaret veterane të këtij të fundit do ta kishin më të lehtë të përdornin ndaj vendeve aspirante shkopin e reformave të kërkuara.
Por ç‘janë këto reforma? A mos vallë janë ca kërkesa nazike të ca teknokratëve e burokratëve ca si shumë bizarre të Brukselit? Në fakt, nuk është aspak kështu, s‘ka gjë se procesi i anëtarësimit është parë më së shumti qoftë nga brenda BE-së, qoftë nga jashtë BE-së, si një proces i natyrës thjesht burokratike. Reformat në fjalë, përpara se të jenë të kërkuara, janë një nevojë dramatike e urgjente e vetë vendeve që aspirojnë të futen në BE. Me fjalë të tjera, reformat është gabim të shihen si kusht e kriter anëtarësimi në klubin e famshëm; ato kanë qenë e janë më së pari kusht e premisë e rritjes ekonomike dhe e pjekjes demokratike të vendeve ish-komuniste. Me fjalë të tjera akoma, realizimi i reformave, edhe pse sillet në formën e presionit të bërë nga kryeqyteti belg e nga kryeqytete të tjera të rëndësishme të Evropës plakë, është në radhë të parë një kërkesë fiziologjike që vjen (e duhet të vijë) nga vetë shoqëritë e vendeve tradicionalisht të prapambetura e problematike të së njëjtës Evropë.
Kjo nuk është kuptuar nga të gjithë as në Bruksel, as në Tiranën tonë e në të gjithë Tirana-t e lindjes. Që nuk është kuptuar në Bruksel, po merret vesh tash së fundmi. Anëtarësimi i plotë i Rumanisë e i Bullgarisë u bë me vetëdije të plotë nga BE-ja me synimin e me shpresën, që këto vende, me t‘u bërë pjesë e klubit, do të ishin më të motivuara për të bërë reformat e nevojshme nga brenda e të kërkuara nga jashtë. Të gjithë e dinin se as Rumania e as Bullgaria nuk e meritonin të bëheshin anëtare të këtij klubi vendesh hëm të mbrothëta, hëm demokratike. E megjithatë, të gjithë i dhanë ok-in aktit të anëtarësimit të këtyre dy vendeve. Si nxitje për ta nënshkruar këtë akt ka shërbyer rasti i Greqisë e i Portugalisë, të cilat nja dy dekada më parë, edhe pse nuk ishin bërë gati, u morën me pahir në radhët e BE-së. Dhe eksperimenti rezultoi i suksesshëm. Në harkun e pak viteve, si rezultat i bombardimit me ndihma, me pará e me asistencë të shumëllojshme, këto dy vende u rimëkëmbën në pikëpamje ekonomike dhe u çelitën në pikëpamje demokratike.
Mirëpo në kontekstin aktual, nuk bëhet fjalë vetëm për dy vende. Bëhet fjalë për gjysmën e Evropës (përfshirë Turqinë, e cila është një hesap më vete), gjë që do të thotë se strategjia e asistencës nuk do të mund të prodhonte të njëjtat rezultate. Në këtë dështim ka dhënë një dorë edhe fakti, që klasat politike të këtyre vendeve (duke përjashtuar Çekinë, Sllovakinë, Hungarinë e Poloninë) edhe kanë qenë të paformuara demokratikisht, edhe kanë qenë të painteresuara realisht mbi reformimin demokratik të vendeve të tyre. Mbyllet këtu zhgënjimi i BE-së? Jo, në rrugë e sipër kanë dalë edhe ca yçkla të paparashikuara. Yçkla më e madhe e ka emrin "emigracion". Të nesërmen e ditës së anëtarësimit të Rumanisë e Bullgarisë në BE, të nesërmen e ditës pra, kur rumunët e bullgarët u shndërruan fët e fët nga extrakomunitarë në komunitarë, e me këtë fituan të drejtën për t‘u zhvendosur lirisht e pa asnjë pengesë në çdo vend të BE-së, turma të tëra rumune e bullgare u dyndën për të kaluar kufijtë e vendeve të tyre e për të shkelur në Evropën e lakmuar. Me sa duket, i pari qar që rumunët e bullgarët kanë parë te finalizimi i këtij procesi anëtarësimi, ka qenë mundësia për t‘i bërë naftën vendit të tyre. Janë me qindra rumunët, të cilët çdo ditë hipin në furgona, makina, autobusë, avionë dhe marrin rrugën për në Itali, duke krijuar një problem të jashtëzakonshëm për autoritetet italiane. Dhe problemi nuk merr vetëm formën e turmave që përfundojnë në bidonville të improvizuara buzë lumenjve, por edhe formën e turmave të kundravajtësve e delinkuentëve gjithfarësoji që shëtitin të papenguar në terrene më pjellore, ku për identitetin e të cilëve nuk ka asnjë ide. Italia e këtyre ditëve është gjendur e shock-uar në radhë të parë prej një numri krimesh të panjohura më parë. Është aq e vërtetë kjo, sa për gëzimin tonë (gëzim i thënçin!) nuk po flitet më për shqiptarët "e tmerrshëm e barbarë". Po flitet për rumunët e për sllavët. Më tej, ky emigracion është dhe një transferim i pakontrolluar i fuqisë së lirë punëtore në vendet e Perëndimit, ndërkohë që sipërmarrësit e këtyre vendeve kanë kohë që po përpiqen të transferojnë kapitalet e tyre në drejtimin e kundërt me shpresën se atje do të gjejnë punë me kosto të ulët, rrjedhimisht fitime më të mëdha se në vendet e tyre. Këtë paradoks kishin kapur dhe analistët e të përjavshmes "The Economist": Sipërmarrësit e BE-së largohen nga vendet e tyre, duke krijuar kështu vende pune në lindje e duke ulur numrin e vendeve të punës në Perëndim, ndërsa të papunët e Lindjes marrin rrugën drejt Perëndimit.
Kjo histori po ndodh edhe në vende të tjera. Në Britaninë e Madhe, në Francë e Gjermani, po tmerrohen prej sindromës "polish plumbers" (hidraulikët polakë), të cilët, duke qenë se janë ustallarë të mbaruar (hidraulikë të mirë ka pasur në gjithë Lindjen), kanë nxjerrë jashtë loje hidraulikët vendas (nëpërmjet ofrimit të shërbimeve me çmime qartësisht më të ulëta). Probleme të tilla të paparashikuara nga asnjë ekspert evropian janë të panumërta. Të bëra bashkë, po kultivojnë një alergji ndaj emigrantëve të Lindjes. Po të shtojmë këtu dhe alergjinë ndaj emigrantëve joevropianë, e cila vjen për shkaqe të tjera (arabët, indianët, pakistanezët, myslimanët, sjellin edhe probleme me integrimin e vështirë, në mos të pamundur, në shoqëritë perëndimore, edhe probleme me ekuilibrat etnikë e religjiozë), dhe kështu frika prej emigrantëve bëhet më e kuptueshme.
Në këtë situatë pra ekziston rreziku (rrezik për ne të Lindjes), që procesi i zgjerimit të BE-së të frenohet për një kohë të gjatë. Nuk do të ketë më qasje zemërgjera në këtë drejtim. Kandidatët e rinj, mes të cilëve është pa dyshim dhe Shqipëria, do të jenë të detyruar të kalojnë në një filtër më të rreptë, gjë që e bën aspiratën për t‘u anëtarësuar shpejt e shpejt një ëndërr në diell. E vetmja rrugë do të jetë ecja me vendosmëri në rrugën e reformave të thella. Në këtë mes nuk do të mungojë presioni nga jashtë, por vendimtar do të jetë presioni nga brenda.
Ne shqiptarët duhet të jemi të parët, që duhet të kuptojmë se nuk na shpëton asnjë bujari Bruksel-ase. Çfarë mund të na shpëtojë janë reformat e thella, të dhimbshme e jopopullore, për të cilat pikërisht ne kemi nevojë shumë më tepër se të tjerët. Dhe këto reforma nuk mund t‘i kryejë një klasë politike si kjo që kemi, interesi i së cilës ka qenë e është pushteti në vetvete apo abuzimi me të. Aq më pak mund të shpresohet se kjo klasë politike do të dijë të veprojë pa u nxitur nga një presion i artikuluar në mënyrë elokuente prej vetë shqiptarëve. Cila është zgjidhja? Shumë e thjeshtë: duhet një ndërrim gjeneracional i klasës politike, e tok me të, duhet një prani më e zëshme e më imponuese e vetë shoqërisë. Është e kotë të presësh zgjidhje të tjera nga ndonjë ‘deus ex machina‘.