Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një vend anëtar i çuditshëm

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një vend anëtar i çuditshëm

Është një lajm i orëve të fundit, i cili, në hullinë e ngjarjeve politike që rrotullohen rreth boshtit të krizës zgjedhore, nuk le ndonjë shenjë kushedi çfarë. Kreu i popullorëve në Parlamentin Europian, Jozef Daull, bashkënismëtari i ndërmjetësimit për zgjidhjen e krizës shqiptare, do të vizitojë Tiranën në fillimjavë. Shqiptarit të mesëm skeptik dhe mosbesues, kjo vizitë e radhës i sjell ndërmend një film të parë tashmë disa herë në muajt e fundit. Zyrtarë të huaj që vijnë, takojnë shtetarët dhe partitë, dalin në konferenca shtypi, lëshojnë të njëjtat deklarata paqëtuese dhe të kujdesshme për të mos prekur direkt asnjë palë dhe ikin. Një ritual që përsëritet në boshllëkun e madh që ka krijuar sherri njëvjeçar shqiptar dhe që vetëm sa zbulon mefshtësinë e ndërkombëtarëve dhe kokëfortësinë tallëse të tanëve.

Kjo krizë ka thirrur deri tani në Tiranë të paktën tre misione zyrtarësh të lartë nga Brukseli dhe Strasburgu, pa lëvizur megjithatë asnjë milimetër nga vendi. Delegacioni i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, ai i Komisionit Europian, pas darkës së Strasburgut, si dhe eurodeputetët që pritet të vijnë këto orë, shënojnë një precedent të ri në angazhimin e institucioneve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kilometrike shqiptare. Në këtë bankëprovë të durimit dhe të luftës së nervave, perëndimorët po dëshmojnë se edhe ndasitë politike kanë një cak. Bashkësia ndërkombëtare po unifikohet gjithnjë e më tepër rreth idesë se e keqja shqiptare i ka bazat në kulturën e konfliktit që ushqen prej dy dekadash këtë sjellje politike provinciale dhe agresive.


Politikanë vendas e të huaj, gazetarë, analistë dhe i gjithë opinioni publik, debatojnë sot për të qindtën herë, që prej thuajse një viti, për të njëjtat terma, për të njëjtin ngërç, për të njëjtat ngjarje dhe për të njëjtat mundësi zgjidhjeje. Janë djegur të gjitha afatet e imagjinueshme që meriton një krizë politike, sado e rëndë e komplekse. Nëse duhet një provë stoicizmi dhe ngurtësie, mjafton të shohësh atë që bën Kryeministri Berisha prej verës së shkuar, duke e luajtur në bixhozin e tij politik fatin e një vendi, sipas kredos së tij të vjetër, që thotë se e vetmja betejë politike e mirë, është ajo që bazohet mbi kokëfortësinë dhe mungesën totale të elasticitetit. Konflikti për zgjedhjet është në fakt një konflikt për demokracinë. Sepse, siç thotë me të drejtë Benxhamin Franklin, demokracia, në ndryshim nga liria, është kur ujqërit dhe qengji votojnë për atë që do të hanë për darkë, kur vetë liria është kur një qengj i armatosur rëndë, është në gjendje të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve përballë ujqve.

Nuk ekziston sot në klubin e madh të vendeve anëtare të Bashkimit Europian apo të NATO-s asnjë precedent si i Shqipërisë. Megjithëse kemi kaluar vitin, qëkur flamuri ynë u ngrit me ceremoni në shtatmadhorinë e Aleancës së Atlantikut Verior, duke vënë mbi gjoks me krenari stemën blu të NATO-s, megjithëse po trokasim me ngulm në derën e Bashkimit Europian duke u përpjekur t’i bindim ata që janë brenda se jemi si ata, megjithëse mburremi nga mëngjesi në darkë se jemi e vetmja ekonomi e fortë në një Europë të dobët e plot halle (!!!), e gjejmë veten prej dhjetë muajsh të kapur në rrjetën e një krize, si askush tjetër në këtë pjesë të botës. Kosova ka votuar pas 28 qershorit 2009, disa vende lindore, të Kaukazit dhe të hapësirën ish-sovjetike kanë bërë të njëjtën gjë. A ka ndonjë prej këtyre shteteve ndonjë sherr që lidhet me zgjedhjet? As edhe një i vetëm! Të gjithë kanë hyrë dhe kanë dalë në epruvetën elektorale, pa mbetur brenda. Të gjithë e kanë marrë provimin, përveç “Shqipërisë shembullore”. Në Kosovë, Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu dhe Ramush Haradinaj apo Behgjet Paçolli, patën burrërinë që ta shohin njëri-tjetrin në sy nga pozicionet numerike që krijuan zgjedhjet e tetorit. Në shtetin më të ri të Europës (ne festojmë 100-vjetorin pas dy vjetësh), ku pjesa veriore dhe enklavat janë ende një plagë e hapur, ku vazhdon të qeverisë bota dhe jo vendasit, ku shteti është një nocion dhe një aspiratë, më shumë sesa një realitet, votimet u hapën dhe u mbyllën. Në portën ngjitur, në Shqipëri, votimet nisën dhe po vijojnë të mbeten hapur prej një viti. Këtu te ne, edhe ka Parlament, edhe s’ka, edhe ka qeveri, edhe s’ka, edhe ka pozitë e opozitë, edhe s’ka një të tillë. Endemi përjetësisht në një ambient ku njëra dorë godet tjetrën, ku gjithçka është e ligjshme dhe njëherësh, asgjë nuk vlen, është e paligjshme, ku ligjet dhe numrat kanë veçse rëndësi të pjesshme dhe shumë të diskutueshme.

Aktorët politikë që venë në lëvizje mekanizmin e krizës, janë plotësisht koshientë se kjo që po ndodh e ka telendisur si mos më keq imazhin e vendit. Ata e dinë që kjo kacafytje po prek në mënyrë të pakthyeshme perspektivën europiane, ekonominë dhe paqen sociale në vend, që kostoja e kësaj sage të shëmtuar ka ndërtuar tashmë një gogol të frikshëm mosbesimi dhe mungese bashkëpunimi brenda klasës tonë politike – e megjithatë, vazhdojnë të tregohen me gisht gjithë ditën. Të gjitha deklaratat, rezolutat, raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, janë të balancuara në çështjen e fajësisë për situatën aktuale, duke bërë thirrje që të dyja anët e llogores të marrin përgjegjësitë respektive. Megjithatë, kjo s’i pengon agallarët tanë politikë që të luajnë nga mëngjesi në darkë, komedinë e shëmtuar të larjes së duarve para opinionit publik. Të brendshëm dhe të jashtëm.

Gjithçka mund të jetë ky, përveçse një anëtar i ndershëm i NATO-s dhe një aspirant korrekt i BE-së. Sepse ky vend i vogël, i shtypur nën etjen për pushtet të një elite politike të pangopur, nuk ka për të marrë kurrë, nëse vazhdon të sillet kështu si sot, provimin themelor para kujdestarëve tanë në Bruksel e Strasburg; atë të një demokracie normale. Ai që rëndom citohet si kriteri i Kopenhagës, pra i funksionimit të shtetit ligjor dhe respektimit të standardeve të një demokracie, është thjesht i shpërfillur nga klasa drejtuese e Shqipërisë së sotme. Magjistarët e pyetësorëve mund të na mbushin mendjen sa të duan se i kanë plotësuar me bukurshkrim dhe pastër kutitë bosh në formularët e Brukselit, por nëse do të vazhdojmë të jemi gazi i Europës, me paaftësinë tonë për të zgjidhur hallet e brendshme, gjithçka do të jetë e panevojshme. S’ka formular që e klasifikon Shqipërinë e sotme, këtë vend anëtar dhe këtë aspirant kaq të çuditshëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama