Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pretenca e shtetit

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Pretenca e shtetit

Gjoba prej 400 mijë eurosh që Gjykata e Shkallës së Parë vendosi së fundi mbi emisionin “Fiks Fare”, ka krijuar një sensibilizim të ngjashëm të opinionit publik, me atë të shpërthimit të skandalit që çoi në shkarkimin e ish-ministrit Ylli Pango. Dimensioni i gjobës, implikimet politike që kjo ngjarje solli një vit e ca më parë dhe padyshim problemi therës që u krijua edhe kësaj radhe me lirinë e shtypit, i dhanë një impakt të pazakontë një vendimi gjyqësor të destinuar për të ngjallur diskutime edhe në të ardhmen. Në qendër të goditjes ndodhet sërish televizioni më i madh në Shqipëri. Dhe këtu ia vlen natyrisht të reflektohet.

“Top Media” përbën një rast krejt specifik diskriminimi në historinë e shkurtër të medias elektronike në vend. Ky grup u themelua në periudhën kur djegiet e redaksive nuk ishin më në modë dhe kur mpirja e shëmtuar e truve që bënte përditë televizioni publik nuk qe më i mundur. Megjithatë, në një dekadë jete dhe lidershipi në tregun e mediave elektronike, peripecitë që kjo media ka kaluar shënojnë një dosje voluminoze më vete, ku s’mungojnë tatimorët e zellshëm, gjyqtarët servilë dhe mbi të gjitha anatemimet thuajse të përditshme sistematike të shtetit, i cili ka krijuar me kohë një “zinxhir sanitar” rreth këtij televizioni të shënuar me rreth të kuq në fletoren e qeverisë.

Një gjobë 400 mijë euro është një lloj zjarri brenda zyrave të një gazete a televizioni. Zjarr i madh madje, sepse ka të bëjë jo vetëm me dëmin financiar, por edhe me mesazhin e ndëshkimit që mbart mbi vete. Dikush mund të thotë se ky dënim jashtë çdo proporcioni dhe logjike ka ardhur pas një ankimimi personal të zotit Pango dhe një vendimi të pavarur të gjykatësit Bendo. Kurrsesi s’mund të jetë kështu. Ky grusht prej 400 mijë eurosh ka brenda mbi të gjitha një dënim të dhënë “për shkak të detyrës” ndaj “Top Medias”. Një ndëshkim që tërthorazi mban parasysh dhe merr shënim të gjithë atë sagë të gjatë investigimesh, skandalesh dhe lajmesh të sikletshme, që emisioni më popullor i mbrëmjes së parë në mediat elektronike shqiptare, “Fiks Fare”, ka akumuluar në vite ndaj kësaj qeverisjeje dhe ndaj të gjitha qeverisjeve të shkuara. Suksesi i këtij emisioni ka qenë dhe është “pretenca” e këtij emisioni dhe e të gjithë televizionit ku prej vitesh, me urdhër politik, nuk shkel asnjë eksponent i mazhorancës dhe ku, në vend të tyre, shkojnë me postë gjobat e shtetit.

Kush thotë se vendimi i fundit i gjykatës ndaj “Top Medias” nuk është më së paku i sugjestionuar nga kjo klimë mbytëse, thotë diçka të pavërtetë. Ashtu siç është e sugjestionuar edhe prokuroria që nuk dënon prej vitesh krimin me petk zyrtar, apo edhe shkallët më të larta të gjyqësorit, të cilat votojnë vetëm në një drejtim të caktuar, sa herë që në horizont duket ndonjë dosje e sikletshme që prek zyrtarë të rangut të lartë.

Shteti, më saktë pjesa natyrore e tij, ndodhet sot i dominuar nga një frymë e pastër nënshtrimi, që ka çuar drejtësinë, median publike, KQZ-në dhe institucione të tjera formalisht të paanshme të shtetit, në standardet mjerane të mesit të viteve ‘90. Nuk është e rastit që vendimmarrje shumë të diskutueshme, si kjo e gjobës 400 mijë euro, merren nga personazhe që datojnë pikërisht nga kjo periudhë historike. Pra, nga ajo kohë kur shtetin e dominonte hapur inercia e komunizmit, e personifikuar në figurën e presidentit të kohës, që ishte “ati” i kombit.

Fryn një erë e keqe në median e sotme shqiptare. Në atë të shkruar, por edhe në atë elektronike. Gazeta që mbyllen, ekrane që shuhen ose që ndërrojnë ngjyrë, redaksi (dhe pronarë) të dominuar më shumë se kurrë nga ideja fikse se të jesh me shtetin është shumë më e këshillueshme (dhe e leverdisshme) sesa të jesh kundër tij. Që nga rasti “Baze” e deri te gjoba e “Top Medias”, fryma represive e shtetit, më e stërholluar dhe dinake sesa në kohët kur gazetarët hynin në burg se kishin parë një karvan me tanke, po mbyt ngadalë atë segment të natyrshëm të jetës shoqërore, që nuk mendon si qeveria dhe që ka guximin t’i thotë të vërtetat e tij edhe jashtë versionit zyrtar. Po asfiksohet financiarisht çdo media që konsiderohet si e padëshirueshme, në një lojë të pandershme tregu, e cila shitet në mënyrën më abuzive si konkurrencë normale.

Gjoba ndaj “Top Medias” vendoset në këtë kuadër devijimi e mutacioni gjenetik drejt nënshtrimit që po pëson shtypi në Shqipëri. Jo rastësisht ky vendim absurd intereson direkt dy segmente të shoqërisë shqiptare, mediat dhe sistemin e drejtësisë. Të parat rregullisht të cituara në çdo raport ndërkombëtar për diskriminimin dhe kanosjen që pësojnë nga pushteti, i dyti rregullisht i kritikuar si njëri ndër sektorët më të gangrenizuar të shoqërisë shqiptare. Mjafton të kapësh cilindo nga dokumentet e prodhuar nga organizma të huaja për vendin tonë gjatë viteve të fundit, për t’u bindur për këtë dualizëm të palëvizshëm që do të kushtëzojë jashtë mase (si edhe rasti konkret), rrugën e Shqipërisë drejt Europës. Nëse nuk e ka kushtëtuar tashmë...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama