Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kadare: 2 Korriku, carja e parë e regjimit

Shkruar nga: Ismail Kadare  
Botuar më: 15 vite më parë

Ismail Kadare
Kadare: 2 Korriku, carja e parë e regjimit

Shkrimtari i madh Ismail Kadare e konsideron si çarjen e parë të hapur të regjimit komunist në Shqipëri, ngjarjen e 2 Korrikut 90, ku mbi 5 mijë shqiptarë u futën në ambasadat perëndimore në Tiranë. Kadare shprehet se ka mbrojtur refugjatët para opinionit shqiptar dhe atij botëror dhe ka dënuar mitingun e turpshëm të regjimit kundër tyre.

Z. Kadare, po mbushen 20 vjet nga ngjarjet e ambasadave në Tiranë, që vazhduan gjatë gjithë pjesës së parë të muajit korrik 1990. Si e keni përjetuar ju si shkrimtar këtë ngjarje në atë moment?

Ndonëse në pamje të parë ngjarjet e korrikut dukeshin të papritura, në të vërtetë ishin vazhdim logjik i një procesi ndërkaq të pandalshëm. Si një pjesë e madhe e shqiptarëve i kam përjetuar hap pas hapi. Ndjesia kryesore ishte paralajmërimi i sigurt i rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Një ndjesi tjetër e fortë ishte dëshira që kjo të ndodhte pa gjakderdhje. Kam menduar dhe vazhdoj të kem të njëjtin mendim që një përmbysje sipas versionit rumun në Shqipëri do të ishte me pasoja shumë më dramatike.

Si shkrimtar, kam shprehur fare qartë mendimin tim për ngjarjet, për rolin e tyre, për njerëzit që u bënë personazhe të kësaj kronike, për refugjatët shqiptarë që shpërndanë anembanë botës mesazhin e Shqipërisë për liri. Këto mendime janë dëshmuar në librin "Nga një dhjetor në tjetrin", shkruar në dhjetor 1990-janar 1991 dhe botuar në Paris, në shqip dhe frëngjisht, më pas në Londër, në anglisht, në Berlin, në gjermanisht, e më pas në gjuhë të tjera. Do tju lutesha që me rastin e kësaj interviste të botoni një fragment prej tyre, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se ka pasur një dezinformim të rëndë lidhur me to.

Është folur shumë këto ditë se ngjarjet e korrikut e tronditën regjimin e kohës dhe paralajmëruan ndryshimet demokratike me lëvizjen studentore të Dhjetorit 90. A mendoni se e përshpejtuan rënien e regjimit komunist këto ngjarje?

Pa asnjë dyshim. Meraku i parë i çdo regjimi diktatorial, pra edhe i regjimit shqiptar, ka qenë mbajtja gjallë e idesë se ky regjim është i përjetshëm, pra i parrëzueshëm. Vënia në dyshim e kësaj ideje quhej një herezi e madhe. Sistemi totalitar, prandaj edhe quhet i tillë, sepse nuk duron dot asnjë çarje. Rrjedhimisht, çarja e parë është për të fatale.

Në korrik të vitit 1990 ndodhi pikërisht kjo çarje e parë e hapur. Pas saj, asgjë nuk ishte dhe nuk mund të ishte më si më parë.

Si e vlerësoni rolin e përfaqësuesve diplomatikë të Perëndimit në atë kohë, mendoni se ishte një ngjarje që u provokua së brendshmi apo ishte dhe një sinjal i Perëndimit për ndryshime në Shqipëri?

Mendoj se Shqipëria nuk ka pasur ndonjë peshë kushedi çfarë në sytë e Perëndimit. Dhe kjo, në radhë të parë, për fajin e saj. Kur them të saj, kam parasysh të regjimit. Po të donim të përmblidhnim në një shprehi të vetme cilësimin e Shqipërisë, kjo do të ishte: vend pa peshë, pra vend i parëndësishëm. Në gjuhën shqipe fjala "rëndësishëm" vjen nga "rëndë", pra pikërisht nga fjala "peshë". Pesha dhe dinjiteti i një vendi nuk varen vetëm nga madhësia. Rëndësinë e vet çdo vend e prodhon vetë. Shqipëria, populli shqiptar, faktori shqiptar në Ballkan, pra edhe në këtë pjesë të kontinentit, janë të rëndësishëm, por ne (dhe me këtë "ne" kam parasysh kushtëzimin tonë moral, politik, strategjik, ekonomik) nuk sillemi, për fat të keq, si me një vend a një popull, a një hapësirë të rëndësishme. Mendoj se ky është problemi numër një, që vazhdon të jetë shqetësues në Shqipëri.

Rrjedhimisht, të tillë do të jemi shpesh edhe për të tjerët. Natyrisht që Perëndimi tregoi interes për Shqipërinë, sidomos në fund të viteve tetëdhjetë, pra, në prag të ngjarjeve, por zakonet tona të këqija të kohës, mungesa e sinqeritetit, robëria mendore e pushtetarëve, bënë që interesi i Perëndimit të zbehej. Dhe kjo ishte fatale për vonesën tonë të përsëritur në histori.

Çfarë mendoni për këtë kategori njerëzish që u gjendën në dyert e ambasadave dhe që guxuan të sfidonin regjimin, ishin disidentë të fshehur apo një pjesë më e informuar e shoqërisë shqiptare të asaj kohe që prisnin një oportunitet për tiu larguar diktaturës në kërkim të lirisë?

Mendoj se ishte një trazim popullor, i vetvetishëm, tepër i larmë, ku ishin të përziera të gjitha ato shpresa, ato ëndrra, ato frymëzime, e sidomos ajo pakënaqësi kolosale që përmendni ju.

Pas 20 vitesh dolën nga arkivat dëshmi dhe dokumente të reja për këtë ngjarje, që zbulojnë brutalitetin e regjimit komunist ndaj atyre që guxuan të kapërcenin hekurat e ambasadave. A mendoni se këto ngjarje janë të ndriçuara sa duhet dhe çfarë mund të bëhet më tepër në këtë drejtim?

Me gjithë përpjekjet e herëpashershme, nuk mendoj se ngjarjet janë të ndriçuara ashtu siç do të duhej. Njeriu shqiptar, njeriu ballkanas në përgjithësi, ende nën ndikimin e oralitetit, vazhdon të ketë probleme me dëshmitë historike.

Është pikërisht kjo arsyeja që në krye të kësaj interviste kam kërkuar botimin e një fragmenti nga libri i publikuar njëzet vite më parë për këto ngjarje. Në këtë libër i kam mbrojtur refugjatët shqiptarë përpara opinionit shqiptar dhe atij botëror dhe kam dënuar mitingun e turpshëm që u mbajt në Tiranë kundër tyre. Në atë miting, i vetmi i këtij lloji në historinë shqiptare dhe atë evropiane, u mallkuan refugjatët dhe u hodh baltë mbi ta. Për habinë time të madhe, kjo e vërtetë, siç lexohet qartë në faqet e librit që ju po botoni, është zëvendësuar nga një trillim monstruoz, i fabrikuar dhe i përhapur si thashethem nga shteti komunist shqiptar i kohës. Ky trillim, që është përpjekur të armiqësojë shkrimtarin me shumicën e kombit, vazhdon të qarkullojë ende sot, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, çka tregon se sa të forta janë rrënjët e së keqes në Shqipëri.

Intervistoi:
Robert Rakipllari

Nata e ikjes së refugjatëve

Tirana nuk fjeti atë natë. Ishin mbi pesë mijë veta në një kryeqytet të vogël. Ishte njëlloj sikur Parisit ti iknin njëqind e njëzet mijë të rinj, ose Moskës dyqind mijë. Çnuk u fol e çnuk u pëshpërit, ndërsa mbrëmja mbulonte kryeqytetin. Dihej se do të iknin me tren, për të hipur në vaporë në Durrës, por askush se dinte orën. Merrej me mend që ikja do të ndodhte natën, por sdihej kur do të mbërrinin autobusët në stacion. Madje, sdihej as rruga nga do të kalonin. Gjer në mesnatë, madje edhe më pas, turma të tëra të heshtura shfaqeshin si të verbëta herë në Rrugën e Durrësit, herë në atë të Kavajës, herë në Bulevardin e Madh, me shpresë që të shihnin së paku autobusët.

Ata kaluan rreth orës një, të errët e të heshtur si arkivole (një përfaqësues i OKB-së mbikëqyrte që të mos kishte as thirrje, as zhurmë). Dëgjohej vetëm gulçima e motorëve. Kur trenat u nisën drejt Durrësit, pati disa thirrje e brohoritje, por para hyrjes në vaporë plasi vaji. Nëpër terr puthnin tokën, pastaj shtyheshin në atë drejtim ku vendi i tyre mbaronte dhe ku fillonte uji.

Të nesërmen, pa gdhirë mirë, nëpër rrugët nga kishin shkuar autobusët, kalimtarët gjenin copëra letrash me një adresë ose një numër telefoni sipër, zarfe që kishin brenda fotografi, para ose ndonjë kujtim. Shumica e tyre, përbri adresës ose telefonit kishin ndonjë frazë për kalimtarin që do ti gjente. "O udhëtar, të lutem çoja këtë pusullë nënës sime."

Ndonëse të shkruara nga duar fare të ndryshme, ato kishin pothuajse pa përjashtim një stil, atë të mbishkrimeve mbi varre.
 

Ajo që ndodhi të nesërmen ishte më e keqe se një dhunim varreze, më shpirtkazmë se një masakër.
Ishte një miting.
Një miting i organizuar nga Partia.
Për tu gëzuar për ikjen e pesë mijë të rinjve shqiptarë.
Për të brohoritur atë vdekje.
Për ti treguar kombit shqiptar se Partia ishte më e fortë se kombi, se ajo, jo vetëm shkelte mbi lidhjet e gjakut, por e detyronte kombin të duartrokiste për atë shkelje.

ISMAIL KADARE
"Nga një dhjetor në tjetrin"

Fragment i shkëputur nga pjesa e parë e librit
"Nga një dhjetor në tjetrin",
shkruar në Francë, në nëntor të vitit 1990, dhe botuar
po në Francë,në vitin 1991,
nga shtëpia botuese "Fayard"

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama