Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Për një shoqëri civile ndryshe

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 15 vite më parë

Fatos Lubonja
Për një shoqëri civile ndryshe

Dy milionë euro, të dhë na nga Komuniteti Europian për restaurimin e monumenteve të kulturës, shpenzohen për të shkatërruar monumente të kulturës  Shatërvani më i vjetër në kryeqytet,  sipas disa njohësve të historisë së monumenteve, më i vjetri në të gjithë vendin, i ndërtuar në vitin 1923, në kuadër të ndërtimit të Lulishtes Popullore, pësoi dhunën e ruspës së pushtetit në emër të një projekti të ri që ka pasur aprovimin, si të pushtetit lokal të opozitës, ashtu edhe të atij qendror të maxhorancës. Filozofia gjithçka fillon e mbaron me mua që kam pushtetin, gjithçka për të futur ndonjë lekë në xhep, vazhdon të bëjë kërdinë e të mbjellë shëmtinë në vendin tonë.

Tashmë kronika e këtij lajmi ka qarkulluar në të gjitha mediat dhe është harruar së bashku me protestën e disa intelektualëve, midis të cilëve dhe autori i këtyre radhëve. Lajme të tjera të ububushme mbushën me të shpejtë mediat: thuajse një duzinë të ashtuquajturish biznesmenë, që kapen me drogë, një ministër i maxhorancës që pasurohet me 1.8 milionë euro brenda vitit dhe që, pa i bërë syri tërr, i kthehet kryetarit të opozitës dhe i thotë se është një i droguar që ka 200 apartamente të fituara me rryshfet; Prokuroria që rri e vështron yjet; vrasje, shumë vrasje; aksidente, shumë aksidente që i atribuohen nga policia emigrantëve të kthyer, çka tregon se skemi shpresë që njerëzit tanë të kthehen disi më të qytetëruar nga Perëndimi; ambasadori amerikan që ikën mandatmbaruar, i qarë nga opozita dhe i përqeshur nga maxhoranca; Presidenti Topi që sulmohet nga maxhoranca, nuk dihet saktë se pse. E ke të vështirë të ulesh e ti komentosh të gjitha. Por edhe sikur të ulesh e të shkruash, e çfarë pastaj? Kush e çan kokën?

Ja kjo është çështja e çështjeve, për të cilën duhet shkruar dhe menduar: si të bëjmë që "këta" të çajnë kokën. Kush janë këta? Të pushtetshmit, ata që vendosin për shkatërrimin e shatërvanëve e me radhë. Po çfarë ka ndodhur që këta sçajnë kokën, që u duket vetja të paprekshëm. Pse skanë frikë? Po nga kush duhet të kenë frikë? Sigurisht, jo nga gjykatësit e prokurorët, se ata i kanë zgjedhur vetë? Po atëherë nga kush? Ndoshta nga shoqëria, nga opinioni. Dhe ja ku erdha te tema që e kam për zemër: shoqëria civile, si kundërpeshë e pushtetit, nga e cila duhet të ketë frikë pushteti më shumë se nga çdo gjë, edhe pasi ajo nuk zgjidhet nga "ata" apo "këta".

Mirëpo, kur ne bëmë protestën e shatërvanit Drejtori i Institutit të Monumenteve tha: këta janë të krahut tjetër, ku ishin këta kur Rama prishi lulishten prapa Skënderbeut? Disa të tjerë ngulmuan se na kishte nxjerrë Sali Berisha kundër Edi Ramës. Të tjerë u ngritën e thanë: këta po protestojnë sepse atje, te shatërvani, nuk janë interesat e ndonjë të forti që ndërton se, përndryshe, nuk do të kishin bërë zë. Reagime që tregojnë për nivelin e mosbesimit ndaj shoqërisë civile, që i bashkohet mosbesimit ndaj institucioneve të tjera; dhe ske se si të mos mendohesh kur ke parasysh se çfarë ka ndodhur.

Ka kaluar një e treta e kohës (60 vjet), që parashikonte Ralf Darhedorfi për ndërtimin e shoqërisë civile në vendet ish komuniste ("Letër një miku çekosllovak" (1989)). Ku është shoqëria civile sot në Shqipëri? A kanë mbijetuar dot ndoca nga fidanet që u mbollën në vitet 90 nga perëndimorët, a kanë lëshuar ndonjë degë të tyren, a ka filluar të lindë ndonjë gjë nga vetë trualli shqiptar? Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve, sipas mendimit tim, është "jo". Pas njëzet vjetësh, ne meritojmë të flitet për shkretëtirën e shoqërisë civile, ku dallohen ca oaze OJQ-sh, të sponsorizuara nga të huajt që janë si ato ekonomitë e mbyllura brenda familjes, që prodhojnë sa për të ngrënë vetë.

Nëse do të bënim pak historik do të na duhet të themi se shoqëria civile tentoi të ndërtohet në Shqipëri në vitet 92 - 97, si kundërpeshë e pushtetit, si kontrollues i tij, kryesisht me ndihma perëndimore apo, më saktë, ekskluzivisht. Roli i saj ishte goxha emancipues në ato vite, por fatkeqësisht ajo u njësua shumë me opozitën e asaj kohe, në luftë me autoritarizmin e pushtetit të Berishës, çka bëri që të mos dallohej saktë se ku mbaronte njëra dhe ku fillonte tjetra. Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, kjo lidhje ndikoi që pushtetarët e rinj ta trajtojnë shoqërinë civile si partnere të tyre e, nga ana tjetër, për shkak të interesave, një pjesë e mirë e njerëzve të shoqërisë civile u lidhën më lehtë kësisoj me pushtetin.

Krahas kësaj ndodhi edhe një fenomen tjetër, si faqja tjetër e medaljes. Shumë intelektualë, gazetarë e njerëz publikë që mbijetonin me paratë e donatorëve, çka do të thotë se edhe mund të bënin kundërpeshën ndaj tij, sepse ishin të pavarur ekonomikisht prej tij, pas vitit 1997, me lulëzimin e oligarëve që filluan të hapin gazeta e televizione private nisën të punësohen atje dhe, gjithnjë e më pak punonin për të bërë kundërpeshën e pushtetit/eve, për të implementuar institucionet demokratike, për të futur ide të reja, e gjithnjë e më shumë për interesat e këtyre pronarëve të rinj që, nga ana tjetër, kishin lidhje të ngushta me politikën, për të mos thënë që shumë shpejt e kapën atë. Shumë ish-pjesëtarë të shoqërisë civile të asaj kohe, pra, i pamë të fillojnë punë o në politikë o në këto media. Ndërkaq edhe shumë fondacioneve të tilla, si Soros, ndërruan projekt: filluan të mos investojnë më për të inkurajuar shoqërinë civile si ëatch dog apo si kundërpeshë e pushtetit, por për të forcuar administratën e pushtetarëve socialistë, mes të tjerash edhe nëpërmjet të ashtuquajturit brain gain (kthim i trurit) në Shqipëri.

Për mua - e kam thënë që në atë kohë dhe e përsëris edhe tani, - ky ka qenë korruptim i shoqërisë civile të posalindur, pasojat e rënda të të cilit sot duken qartazi. Sikur politikanët ta kishin respektuar shoqërinë civile në rolin e saj të viteve 92-97 dhe donatorët të kishin vazhduar të investonin në këtë vizion të saj dhe, çka është më kryesorja, sikur pjesëtarët e shoqërisë civile të kishin ngulmuar në vazhdimin e rolit të tyre si kundërpeshë e pushtetit besoj se shumë gjëra do të kishin rrjedhur ndryshe, përsa i përket demokracisë e sot nuk do të ishim në këtë derehxhe.

Dikush do të më kujtojë se donatorët provuan edhe në një moment të dytë, në fillimvitet 2000, për të inkurajuar shoqërinë civile si kundërpeshë e pushtetit, me lëvizjen "Mjaft". Sipas meje, asnjëherë nuk u mor vesh qartë nëse ishte kështu apo lindja e "Mjaftit" u përdor në kuadrin e një lobingu që u bë për të përkrahur pushtetarin e ri Edi Rama që, ashtu si gjeorgjiani Shakazhvili, iu shit perëndimorëve si shpresa e vendit për një politikë ndryshe nga ajo e politikanëve të vjetër. Mënyra se si bëri kundërpeshë Velia me shokë, duke akuzuar vetëm Berishën dhe Nanon pa thënë asnjë herë ndonjë fjalë për pushtetarin me moshë më të re, por me mendësi po aq të vjetër Rama (për këtë mjafton të shohësh se si e trajton edhe sot e kësaj dite median ky: i ul gazetarët në të njëtën tryezë që drejton vetë, sikur ti ketë pjesëtarë të kabinetit të tij; duke i mikluar kështu me idenë se po ndan pushtetin me ta) pastaj transformimi i "Mjaftit" në G99 e pastaj shkrirja e tij me PS provoi këtë të dytën.

Sot është shumë e vështirë të gjesh një shoqëri civile, që të ngrerë çështje parimore, mbi të cilën të mos bjerë akuza apo mosbesimi i thellë, se ajo po instrumentalizohet nga njëri krah ose nga krahu tjetër çka, tek e fundit, është njëlloj sikur ta asgjësosh shoqërinë civile sepse, po qe se ajo konsiderohet si levë e partisë/ve, atëherë njerëzit më mirë dëgjojnë direkt dorën e partisë/ve.

Rasti i reagimeve që përmenda në krye të shkrimit ndaj protestës së shatërvanit, tregoi tërë këtë mosbesim. Por, nga ana tjetër, konstatova se ajo protestë ngjalli edhe shpresë sepse, tek një pjesë, u duk se u bë diçka që nuk po dinin ta vendosnin në shërbim të njërit apo tjetrit pushtet, pra ngjalli shpresën se në këtë vend mund të ndodhë edhe ndonjë diçka që bëhet për interesin e të gjithëve dhe jo për pushtetin dhe paranë e njërës apo tjetrës palë. Nga komentet pozitive që dëgjova, mu përforcua bindja se një numër jo i vogël njerëzish me mend kanë arritur në përfundimin se cikli i kësaj klase politike e i kësaj kategorie intelektualësh e gazetarësh që kanë mbizotëruar skenën publike këto njëzet vjet, është mbyllur dhe se duhet filluar një diçka e re?

E kam vështirë të them një propozim që të mos duket idealist apo jorealist, për një fillim të ri në Shqipëri. Por do të thoja se, nëse bëhet fjalë për fillim, ky nuk do të ishte "pushteti ndryshe", por shoqëria civile ndryshe. Çka do të thotë një shoqëri civile që heq dorë nga partneriteti me pushtetin e maxhorancës apo opozitës dhe bën kundërpeshën dhe kontrollorin e tyre, një shoqëri civile që pushtetet nuk mund ta akuzojnë se po bën lojën e kundërshtarit, duke e diskredituar dhe njëherësh duke u mbrojtur kështu nga sulmet e saj që  mund të jenë të drejta. Një shoqëri civile të tillë, ndryshe nga kjo që kemi pra, jam i bindur se pushteti do të fillonte ta kishte frikë dhe kjo do të lindte herët ose vonë edhe një pushtet ndryshe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama