Dhe jo për idetë që do të sjellin delegatët nga skajet e vendit! Jo për frazeologjinë e stërkonsumuar në fshikullimin e korrupsionit të socialistëve. Nuk ka asnjë interes as edhe për listën e kandidatëve për deputetë. Nuk ka interes as edhe për ndryshimet e reja në statutin e PD-së, ku bie në sy sidomos ai neni, që nuk po ia kujtoj dot mirë formulimin e që ish pak a shumë: “zgjedhja e Berishës, nuk do të bëhet më si më parë, çdo 3 vjet dhe as si gjatë viteve të fillimit, një herë në 2 vjet. Këtej e tutje zgjedhjen e Berishës do mblidhemi ta bëjmë çdo 4 vjet!”. Këto janë të njohura për të gjithë. Njerëzit presin me interesim, nëse do të depërtojnë ndonjëherë rrezet e diellit të demokracisë në ato sallat e paajrosura të kuvendeve të PD-së, apo jo! Do të ketë ndonjë krisje, në guaskën e metaltë staliniste të ovacioneve të delegatëve? Nxitoj t’u them fanatikëve të shumtë dhe të pandreqshëm të PD-së, të cilëve që në rreshtat e para të këtij artikulli u ka ardhur gulshi të këlthasin: ç’të duhet ty?! Ç’punë ke ti me partinë tonë?! Ti e bën jetën tënde jashtë, përse fut hundët në punët e PD-së dhe të lidershipit të saj?!
Jo unë, zotërinj, por PD-ja ka futur hundët dhe po vazhdon t’i futë në jetët e shqiptarëve, që jetojnë jashtë edhe brenda! Largimi i qindra mijë njerëzve jashtë shtetit ka qenë zgjidhja e tyre, rrugëdalja e tyre e dhimbshme në procesin e vetëmbrojtjes dhe mbijetesës së familjes, në klimën e egër të tranzicionit shqiptar. Pra jo ne, por PD-ja, që mjerisht udhëheq opozitën, është thellësisht përcaktuese edhe për fatet e këtyre qindra mijë jetëve që duken, gabimisht, si larg Shqipërisë. Kam vite që në shkrimet e rralla, nuk kam dashur t’i hap rrugën kriticizmit tim të parreshtur për kupolën udhëheqëse të PD-së. E kam lënë pa bërë, për të pasur më pak dhimbje koke, për të mos lënduar shokë, miq e njerëz të afërt që deri tani nuk kanë rreshtur së votuari shterpësisht për PD-në dhe kandidatët e saj, të zinj e të bardhë!
Por vjen një çast si ky, në vigjilje të një Kuvendi… E kur duhet folur atëherë?! A jemi në demokraci?! A kemi përpara vetes zgjedhje kryesish e kryetarësh?! Shkalla e demokracisë së një vendi lexohet jo te qeveria, por te kualiteti i opozitës së atij vendi. E opozita është pronë e të gjithë shqiptarëve, të atjeshëm dhe të këtushëm. Sikur të ndodhte, që ai rregullatori ende i padëshifruar i tranzicionit shqiptar të mos e vendoste dhe mbante me ngulm PD-në në udhëheqje të opozitës, atëherë, me siguri, nuk do të flitej për hundëfutje. Le të ishte PD-ja aneksi i opozitës, pa le ta mbante pa e ndërruar kryetarin e saj jo 15, por 115 vjet, po të donte! Është pikërisht turp i lidershipit të PD-së, që mban dhe skeptrin e opozitës, që në këtë vend ish-komunist, me kaq probleme, në këtë vend kaq të rraskapitur, prej tetë vjetësh nuk ka rrotacion pushteti, ndërsa një bandë kusarësh, qetësisht, po i rrjep Shqipërisë të shtatë lëkurët që i pat veshur kolektivizimi socialist! Dhe tani, me lejën tuaj zotërinj kuvendorë, duke lënë të më kalojnë përtej veshëve murmurimat dhe çjerrjet për qëllimet diversive të këtij shkrimi, hamendjet se i shërbej Nanos me shokë e plot marrëzirave të tilla, (që i ka me bollëk kultura shqiptare e që lavdi Zotit, nuk më bëjnë të buzëqesh vetëm mua), le të them ca fjalë për zgjedhjen e kryesisë dhe të kryetarit.
Këshillat
A do të ketë Kuvendi juaj ndonjë kandidat alternativ për kryetar? Jo, këtë radhë?! Këtej u fol, por do kenë qenë gjuhëthartët ata, - u fol, se Uran Butka paskesh qenë sëmurë dhe paskësh patur një përqendrim të madh mjekësh të qeverisë dhe të opozitës, për ta ngritur në këmbë që t’i bëjë edhe njëherë karshillëk zotit Berisha. Apo kandidat alternativ do të jetë zoti Arbnori, thënësi i asaj frazës së famshme “unë kandidoj, se nuk kena çka me i ba demokracisë, por unë ju ftoj tanëve të votoni për kryetarin që kena, se edhe vetë për atë do të votoj”? Në pritje të shfaqjes të ndonjë kandidati të orës së fundit, marr, përulësisht, përsipër t’i ofroj atij disa teza, që t’i përdorë në garën e tij kundër kandidatit kryesor Berisha.
Së pari, o i dashur mik kandidat, cilidoqofsh, ki parasysh, se kryetari ekzistues në kaq vite ka dëshmuar që si politikan, është katërcipërisht i paaftë. Karakteri i tij është i papërshtatshëm për politika racionale. Është konfuz dhe e tërheqin magnetikisht ekstremizmat, si në shfaqjen e miqësive, ashtu edhe në atë të armiqësive. Ai bile mund t’i shkëmbejë kollaj ato: armiqësitë t’i bëjë miqësi dhe anasjelltas. - Si kryetar shteti ai ka një rekord të papëlqyeshëm, që në dorëzimin e pushtetit deri në asgjësimin total e paprecedent historik të forcave të armatosura, ushtri- polici. Menaxhimin e postkomunizmit e bëri me të meta të llahtarshme, ca për shkak të ngutjes karakteriale, por ca të tjera më tepër, për shkak të kushtrimit proletaro-komunist të origjinës. Si lider i opozitës është akoma edhe më i dështuar, ngaqë nuk numërohen zgjedhjet që ka humbur përballë socialistëve! Ky pushtet i sotëm kish kohë që duhej të ish ripërmbysur. Nuk ka bërë vaki kurrë, që në ndonjë vend tjetër të ish-kampit socialist, ish-komunistët të jenë rikthyer dhe ndenjur kaq gjatë. E ka mbajtur në fuqi impotenca opozitare, (për të mos thënë më shumë), megjithë avantazhet që i ka ofruar opozitës realiteti politik, si polarizimi i llahtarshëm i gjendjes ekonomike, vjedhja e thesarit, vrasja e organizuar nga bota e politikës dhe e krimit për bashkëpunëtorin karizmatik Hajdari dhe abuzimet e pakonceptueshme të kryetarit të qeverisë. Një shembull shprehës: Nano, si kryetar partie akuzon një ministër për korrupsion - ky i fundit kthehet nga kurimi në Gjermani dhe kundërakuzon Nanon se ai, si kryetar partie e pat urdhëruar për të larë dy miliardë dollarë - ministri kërkon mbështetje në dëshminë e kryeministrit dhe të ministrit të Ekonomisë për këtë aferë korruptive të Nanos - këta ia japin dëshmitë e tyre pro! E tani shohim që Nanoja nuk është burgosur; ata ish-ministra dhe ai ish-kryeministër nuk i kanë kërkuar ndjesë Nanos e ai nuk i ka paditur aspak për shpifje ata! E pabesueshme, por që të katër këta aktorë të kësaj komedie hyjnë e dalin në Parlament, sikur nuk ka ndodhur asgjë. E kryetari i opozitës hyn e del tok me ta! Vetëm për këtë ngjarje ai duhet ta braktiste atë Parlament të ndotur, kur e kemi parë ta braktiste për gjëra më pa rëndësi se kjo! Berisha gëzon si fëmijë, më shumë se qeveria vetë, kur mitingjet dhe demonstratat e revoltës i përfundojnë pa xhama të thyera e pa asnjë incident! Për këtë bile, ai urdhëron deputetët e vet që të venë shirita në krahë e të bëhen shtojcë e kordonit të policëve. Pozicion i mjeruar i opozitës! Të ta them copë, i dashur kandidat i mundshëm, opozita e vërtetë nuk ka të bëjë fare me sheshet e mitingjeve të inflacionuara të Sali Berishës. Opozita e vërtetë, ajo e vrerosura, ndodhet në mjerimin e familjeve shqiptare, në emigracion, larg Parlamentit. Afër Parlamentit rrinë ca deputetë të mjerë, për ato favore që pozitë dhe opozitë tok ia bëjnë me bujari njëri-tjetrit e ku të gjithë palët bashkë votojnë unanimisht për rritjen e rrogave të tyre, votojnë për shtimin e stafeve rreth tyre dhe sidomos votojnë për pensionet e tyre të majme, të përjetshme. Ky është korruptimi më madhor i Shqipërisë së sotme Ai i i Nanos është hiçgjë!
- Së dyti, inkonseguenca e kryetarit ekzistues është për ty një gur në dorë më shumë. Abstenimet në votime janë kryesisht ato të kontigjentit të njerëzve të dëmtuar nga diktatura, nga ai kontigjent që e solli PD-në në fuqi në vitin ’92. Pa dyshim që politika ndaj tyre ka qenë njësoj nga të dy qeverisjet, por kryetari i PD-së ka nofkën e kriptokomunistit më ekstrem. Avash-avash, ai i bëri një shkundje të përgjithshme pudrës antikomuniste, që pat ngjyer faqet e PD-së në vitet e para. Të tërë thirren të rikthehen, vetëm ata jo! Sipas kryetarit të tanishëm, ata nuk kanë vlera. Në fakt, ai edhe atëherë mezi e maskonte përbuzjen për ta. Tani Berisha e deklaron më pandroje se PD-ja nuk është parti e të gjymtuarve nga diktatura! Kohët e fundit, në debatet e kthimit të pronave, ai mori përsipër të përdorë fjalën “solemnisht” në zotimin e turpshëm, se asgjë nuk do të ndryshojë. E ajo kategori e “pudrës”, nuk kërkon ringjalljen e të pushkatuarve të pafajshëm, as florinjtë e sekuestruar e asnjë gjë të asgjësuar tashmë. Flitet për pasuri të patundshme, sipërfaqe të palëvizura hapësirash, që ishin e janë përjetësisht, e që arbitrarisht u janë dhënë të tjerëve. Ai merr përsipër të jetë skenaristi i farsës së kompensimit, që kërkon qindra vjet të vihet në jetë. Inkonseguenca e kryetarit e ka ilustrimin më të shquar në marrëdhënien me trashëgimtarin e fronit, marrëdhënie e frymëzuar nga Kongresi i Përmetit, por që Berisha e ka ndryshuar tri herë në këto vite. Po të ishte konseguent zoti kryetar, duhet ta përshëndeste Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar të promovuar nga mbreti e të gëzohej që elektorati i djathtë i larguar për faj të tij, do t’i kthehej përsëri kutive të votimit për respekt të mbretit. Do të realizohej kështu një koalicioni i natyrshëm. Se, në fund të fundit, edhe LZhK-ja nuk e ka provuar veten dhe nuk synon kurrsesi të marrë fuqinë, pasi hyri në lojë shpejt dhe ka akoma shumë mangësi. Por LZhK-ja nuk mund të jetë kurrsesi krijesë e Nanos, siç tellallisin gregarët e PD-së, një propagandë amatoreske. E vërteta është se me ato përqindje që mund të arrijë LZhK-ja do kërkojë pjesë daç në pushtet daç në opozitë, e PD-ja do të detyrohet ta shohë të ndarë një pjesë të fuqisë me të. Prandaj do të donte që kjo lëvizje të mos vinte fare në skenë. Për Berishën nuk është fare e nevojshme që votantët antikomunistë të deziluzionuar të kthehen të votojnë kundër Nanos, pasi rrëzimi i Nanos, me sa duket, nuk qenka fare në programet e kryetarit ekzistues.
Së treti, ti, zoti kandidat i mundshëm, mund ta sulmosh edhe në humbjen katastrofike të peshës që ka pësuar fjala e Berishës në popull. Psh, gjatë angazhimit të tij të zgjatur e pa bukë, me parrullën “Nano-ik!”, i bëri simpatizantëve të PD-së dhe popullit të mërzitur nga qeverisja socialiste disa herë parathënie me foljen e tij të preferuar “ju garantoj”: “Ju garantoj, që Viti i Ri do të na gjejë pa Nano!”, (Me Nano na gjeti!) Ose, “më 20 shkurt ra Enveri, me 21, bie Nano” (Vetëm Enveri ra!) Ose “22 marsi i demokracisë rrëzon qeveritë Nano”, (Ky nuk rrëzoi gjë. Kanë filluar të mos i binden 22 marsat!). Para ca vjetësh bile bëri një kërcënim burrëror “Këtë radhë: o votën, o kokën!” Dhe, njësoj sikur të kish të bënte me njerëz pa kujtesë, u dorëzua e i tha popullit mbarë: “Na e vodhën votën!” Koka nuk u pa të binin gjëkundi! Dhe votat ishin vjedhur që ç’ke me të! Ftoje pra, rivalin tënd, Berisha të bëjë mënjanë, se ai nuk i ka mbrojtur dot kurrë ato! Votat prapë do të vidhen dhe ndërkombëtarët prapë nuk do ta prishin terezinë! Ndryshon puna po të dalësh ti në krye të PD-së. Kushdo që të jesh ti! Pasi kushtet e rotacionit janë pjekur, yhy, qëkur!
Së fundi, do ta mbyll, duke të kujtuar black-outet logjike që shfaq ai hera-herës. Po përmend rastin më të freskët: Më 3 maj 2004 nga faltorja e Parlamentit, me solemnitet, si gjithmonë, ai ia numëroi mëkatet binjakut të tij në PS, Nanos, duke i kujtuar që “është pronar i linjave të transportit rrugor ndërshtetëror, pronar i një televizioni kombëtar, pronar i firmës “Nano Kopter”, ngritur me helikopter kontrabandë, pronar i bixhozit seksual televiziv me 0 900, pronar i kompanive të grurit dhe pronar i një sërë biznesesh të tjera, plus një akuzë shtesë për përvetësimin e 600 milionë lekëve të reja, në bashkëfajësi me Raftin!” … Po në Parlament, katër muaj më pas, i numëroi Nanos të tjera ryshfete, detyrime fiskale, drogë të bllokuar nga policia, veturën “Benz” dhe fshatrat turistikë. Pas këtyre akuzave solemne me autoritetin e kryetarit të PD-së dhe të opozitës, muajin e shkuar, në Shkodër, Berisha “i garantoi” shkodranët se “Fatos Nanon do ta nxjerrim në pension”!!! Zot na ruaj! Pension?! Prit njëherë: ç’i duhet kryetarit të PD-së, a e nxjerr a nuk e nxjerr PS-ja e vet Nanon në pension?! Pastaj, pas gjithë atyre akuzave solemne në Parlament, të thëna me gojën e tij, po me gojën e tij, le të prononconte për keqbërësin Nano edhe një dënim solemn, për të mos u turpëruar para Kodit Penal. Pension?! Parashikon Berisha, që kur të vijë në fuqi, të ketë një Kod Penal të tillë, ku dënimi maksimal, më i madh nga burgimi i përjetshëm, të jetë nxjerrja e fajtorit në pension?!!! Po a e kupton, i dashur kandidat, se si do të jenë lajmet e kronikës së zezë në vitin 2006 me një kod të tillë? Përfytyro një përshkrim të tillë, f.v, në “Shekulli”: “Pasi vodhën bankën, ata pa e prishur terezinë përdhunuan arkëtaret në sy të të gjithëve. Pastaj kriminelët avulluan. Policia u vu në ndjekje të tyre, në një gjueti marramendëse. Gjatë rrugës, keqbërësit shtypën me rrotat e makinës katër qytetarë dhe kufomat ua flakën në kanal. Vetëm buzëmbrëmjes, policia arriti t’i kapë ata. Pas një procesi të përshpejtuar gjyqësor, kriminelët morën dënimin më maksimal që përmbajnë kodet e Republikës së Shqipërisë: u nxorën që të katër në pension!”
* * *
Kujtoja këto me radhë, kur të të jepet fjala (dashtë Zoti të ta japin!) dhe unë ta garantoj që tani fitoren. Po nuk ta dhanë e po nuk i the gjithë këto të vërteta si dita e diellit, atëherë nuk kemi ç’të bëjmë. Do të presim edhe katër vjet. Aq sa e përmban shtesa në Statutin e ri të PD-së!