Nuk kemi si ta dimë me saktësi, nëse Franz Kafka ka pasur në mendje regjimet totalitare, që u instaluan më vonë (në fillim komunizmi, e pastaj nazizmi), teksa ka shkruar “Koloninë Penale” dhe “Procesin”. Por librat e tij mund të quhen pa frikë paralajmërues të projekteve politike e të dramave të njerëzimit, që po bëheshin gati për t’u sendërtuar e shfaqur në skenën e historisë. Nuk ka dyshim që, me apo pa “dashjen (dijeninë)” e tij, Kafka ishte një parashikues i shkëlqyer i rrjedhës së historisë në dekadat e ardhshme.
Përpara Kafkës ka pasur të tjerë, të cilët parashikimet nuk i kanë bërë me gjuhë artistike e alegorike, përkundrazi, i kanë bërë me një gjuhë të troçtë e me një siguri profetike. Dhe këtu s’është fjala për njerëz paranojakë, të cilët nuk i kanë munguar kurrë kësaj bote. Nja njëzetë vjet para se të shpërthente revolucioni francez, Rousseau-i shkruante se, “po i avitemi epokës së revolucionit” (në librin e tij Emile). Pak a shumë në të njëjtën kohë, iluministi tjetër, Voltaire-i, thosh në një letër dërguar markezit Chauvelin-it se, “shoh farën e një revolucioni, i cili do të ndodhë kur unë të kem ikur nga kjo botë” (dhe në fakt, Voltaire-i nuk arriti të ishte dëshmitar i revolucionit). Nja 70 vjet më vonë, një francez tjetër me një barrë mend, Alexis de Tocqueville, shkroi librin “Demokracia Amerikane”, dhe në fund të tij “guxoi” të profetizonte se superfuqitë e ardhshme të botës, të cilat do të rivalizonin gjatë me njëra-tjetrën, do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia. Dhe në fakt, shekulli i njëzetë ishte i tëri i tyre. Pak më vonë, Victor Hugo (prapë francez?), bash në motet kur nacionalizmat e kombeve europianë të vjetër e të rinj ndizeshin flakë, gjeti arsye për të thënë, se “do të vijë një ditë, kur kombet e kontinentit tonë do të bëhen tok e do të formojnë Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kësaj ane po ecet, apo jo?
Të gjitha këto më erdhën një e nga një në mendje pasi u ndava nga dikush, që më bëri pyetjen fatale mú pranë kioskës ku blej gazetat ditë për ditë: “Zoti gazetar, çfarë do ndodhë në shtator? Do tërhiqet Berisha apo Rama?” “Nuk e di. As që e kam idenë”, iu përgjigja. Dhe vijova: “Askush nuk e di këtë gjë. As Berisha e as Rama nuk e kanë ide se ç’do ndodhë”. Sikur ta kisha takuar sërish mikun e kioskës pak më vonë, kur zura të sillja në mendje shembujt e mësipërm, do t’i thosha: “Nuk ka asnjë Kafka, Rousseau, Voltaire, Tocqueville apo Hugo, që të jetë në gjendje të parashikojë atë që do të ndodhë në Shqipëri, jo pas disa dekadash e shekujsh, por edhe pas disa vitesh e muajsh. Rrjedha e ngjarjeve këtejpari bëhet sipas një logjike krejt të palexueshme. E për këtë arsye, bën vaki që parashikuesi më i mirë të jetë ai që betohet, se do ta mbajë nën hyqëm këtë vend edhe për 35 vjet të tjera”. Është belá kur parashikuesi më i mirë i së ardhshmes së një vendi është sundimtari i tij.