Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Himara dhe Dule majtas, e Bollano djathtas

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Himara dhe Dule majtas, e Bollano djathtas

Nisje të ndërprera dhe parathënie zënkash, duket se mbart gushti për shtatorin e afërt në marrëdhëniet politike mes dy forcave kryesore politike të vendit. Negociatat e dy krerëve të grupeve parlamentare, përkatësisht zotit Patozi dhe zotit Ruci, siç po dëshmohet, kanë për të qenë vetëm një nisje e ndërprerë dhe e përdorur sa për të spostuar vëmendjen. Ato ishin kapitulli i dytë i një cikli negociatash të dështuara, nisur prej muajsh më parë. Për kohë të tjera, do të mbetet ende e pashpjeguar e vërteta e dështimit të njëpasnjëshëm të këtyre negociatave mes PD-së dhe PS-së. Shumëkush sot mendon se nuk ishte vetëm refuzimi i zotit Berisha për hapjen e kutive të votimit e as këmbëngulja e zotit Rama për këtë akt transparence, arsyeja që negociatat dështuan. Pas këtij fakti potencial ka edhe arsye të tjera, të thëna e të pathëna. Mosmarrëveshja e tyre, e cila në një lexim të hollë duhet shpjeguar si një marrëveshje mospranimi e refuzimi mes zotit Berisha dhe zotit Rama, konsumoi aq angazhim të grupeve parlamentare të PE-së, shpenzoi ecejake ekspertësh dhe të dërguarish nga Brukseli e Strasburgu në Tiranë, si dhe vuri në një provë edhe autoritetin institucional të Presidentit të Republikës.

Në këtë sorollatje, dy krerët e politikës, Berisha dhe Rama, mbërritën në korrik-gushtin e pushimeve verore, duke lënë shijen e një kapitulli të ri në marrëdhënien mes tyre. Kryeministri nisi sezonin e prerjes së shiritave në udhët e skajshme turistike të Jugut, duke mbajtur në krahë edhe aleatë të vegjël. Qëndrimi i tij në Himarë dhe përcjellja e mesazheve politike prej qytezës së bukur, duke mbajtur në krah kryebashkiakun himarjot që mban mandatin e kryesimit të organizatës së grekëve të Shqipërisë, është një hap domethënës paraelektoral. Ky personazh politik që po konsumon dy mandate të njëhershëm përfaqësimi në këtë zonë, shfaqet si aleat me të djathtën që kryeson zoti Berisha. Ndërkohë që kreu i PBDNJ-së, zoti Vangjel Dule, i cili gjithashtu dy-tre vjetët e fundit peshën specifike të veprimit dhe artikulimit të tij politik e ka spostuar në brigjet me tre fshatra greqishtfolëse, mbetet qartazi aleat me opozitën e majtë.

Imazhi për një stinë dhe dimension të ri turistik që po merr Himara dhe brigjet deri në Sarandë, në vetvete janë një rast me të dukshme dhe të padukshme. Problemi i pronësisë në këto zona është mavijosur shumë dhe palët politike sipas shenjave të deritanishme, kanë për ta ripërdorur atë si argument dhe si kazus elektoral. Zbritja dhe qëndrimi verues i Kryeministrit në këto brigje, duket se ka vënë në lëvizje opozitën lokale, por sidomos edhe një pjesë të konsiderueshme të filogrekëve të vetndier grekë. Referimi i zotit Berisha nga kalaja e Himarës për rëndësinë historike të saj në krejt hapësirën shqiptare, ishte një gjest për të kapërcyer shijen e hidhur të lënë në vitin e shkuar, kur kryebashkiaku i Himarës, bënte deklarata që nervozonin krejt shqiptarët. Me të në krah, Kryeministri lëvdonte kalanë e Himarës, duke na lënë të kuptojmë se në stinën e re të investimit turistik, kjo bashki me shtatë fshatra, merr një rëndësi edhe më të veçantë për garën elektorale të radhës. Kush do t’ia japë aleancën Bollanos kësaj here? Ose më saktë, pse zoti Dule po shkon majtas dhe Bollano qëndron djathtas? Mos vallë duke qenë Dule majtas dhe Bollano djathtas, Himara është më lehtë për të mbetur “kazus” i tyre?

Kësaj here Himara është një bashki me rëndësi të dorës së parë, jo për shkaqe të përplasjeve me motive etnike, por për interesa të perspektivës turistike dhe investimeve të pritshme që do të mësyjnë këtë zonë. Kjo gjë është kuptuar së fundi prej vetë himarjotëve, të cilët s’kanë pikë dyshimi se pronarë të trojeve të tyre nuk mund t’i bëjnë më letrat e një shteti tjetër, veçse ai shtet ku janë e kanë trashëguar. Një pjesë e tyre po shijojnë realisht reflektimin realpolitik. Mes tyre shfaqet edhe vetë kryebashkiaku aktual, i cili i gjendur në hallin e tokave të cunguara, nuk mund ta luajë më rolin e flamurtarit që betohej sipas parullës “Himara u takon himarjotëve”.

Matanë fanatizmit të grekësisë së omonistëve të Himarës, zgjedhjet e afërta lokale në vend, do të ofrojnë një tjetër garë dhe të tjera pretendime partish në Bregdet. Kjo për shkak se grupet e interesit për të marrë pjesë në fitimin dhe biznesin turistik që ofron kjo zonë magjike, janë shtuar shumë dhe janë më të fuqishme se çdo tur të mëparshëm elektoral. Ky interes premton edhe tjetërsimin e garës së deritanishme partiake. Bilanci i kësaj gare duket se ka filluar të bëhet si majtas, ashtu edhe djathtas. Është një bilanc që llogaritet nën dijeninë dhe interesimin e drejtpërdrejtë si të Berishës (djathtas) ashtu edhe të Ramës (majtas). Pozicionimi ndarës i dy krerëve të pakicës greke në Shqipëri, në raport me dy korpuset kryesore të politikës, por pa shkaktuar ndarje mes tyre, është tipikisht një sjellje minoritarësh. Dule dhe Bollano mes tyre, natyrisht që mbesin në përdorimin e një gjuhe, por fati politik i ka shtyrë të sillen si bilingualë. Në ditët e ardhme të vitit elektoral, Himara ka për të qenë sprova e re për politikën shqiptare, sprova e rikthimit në sjelljen dhe ndërgjegjen e përgjegjësisë kombëtare dhe të interesave perspektive të turizmit kombëtar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama