SHQIPNI TAVOLINASH
“Nuk ka pastruar parvazin e penxheres së Muzeut”. Pak a shumë ky ishte motivacioni i shkarkimit nga detyra i drejtorit të Parkut të Butrintit. Ose, po t’i referohem shkresës së ministrit që e shkarkoi: “për shkak të mungesës së pastërtisë në Parkun e Butrintit”. Demek nëse do e kishte pastruar atë të shkretë parvaz, drejtor-mavria do ishte akoma në detyrë. Demek të gjithë ata që kanë kaq kohë që flasin, thonë e shkruajnë se punët në Butrint po venë rrokopujë, ja paskan futur kot. Demek James Pettifer-i që ka shkruar të paktën tri artikuj për situatën trishtuese të Butrintit dhe po kaq intervista, edhe ky paska folur kodra pas bregut.
Intervista e tij e fundit, ishte vetëm para pak ditëve dhe aty ai thosh se: “Zona përreth Butrintit, më shokoi. U tmerrova. Vendet si Ksamili, që kur e pashë për herë të parë ishte kaq i bukur, tani dukej si një kantier i stërmadh ndërtimi. Unë nuk mendoj se mund t'u rekomandosh vizitorëve të huaj që ta vizitojnë zonën. Parku kombëtar përreth Butrintit mendoj se është i kërcënuar nga ndërtimet dhe e gjithë situata e përgjithshme po shkon tatëpjetë. Atje nuk ka rregullatorë, apo të paktën nuk shoh që të ketë. Dhe nëse ka, askush nuk po nxit respektimin e tyre. Prandaj unë e kam ndalur punën për librin tim në shenjë proteste, që shpresoj se do të sjellë një rezultat”.
Demek kur ne, një grup prej mbi dyzetë vetë që merremi me letra e histori, u ulëm e i dërguam një Promemorje ministrit, ku i thonim të zgjohej e të shihte qametin që po ndodhte me trashëgiminë, edhe ne ja paskëshim futur kot.
Demek edhe profesor Richard Hodges-i, që shkroi para do kohësh një tjetër shkrim edhe më alarmant për Butrintin, edhe ky ja ka mbytur kot. Për ata që se mbajnë mënt këtë shkrim, po i kujtoj vetëm titullin që shpjegon gjithshka: “Mirupafshim Butrint, mirësevini në Kandahar”. Megjithëse nuk rri dot pa cituar edhe prej tij diçka: “Bukuria sublime e këtij vendi është kthyer tashmë në temë talljeje ndërkombëtare. Shaka tragjike: Një vend i administruar nga talibanët...? Rruga që tani dhunon ullishtat e Parkut Kombëtar të Butrintit, të ngjall thjesht neveri. Është e vështirë të përshkruash mentalitetin e Ministrisë vendase të Kulturës, që ka lejuar këtë shkatërrim. Të gjithë që kanë gisht në këtë vandalizëm, do të kenë një vend të caktuar në një listë të gjatë emrash të këqij për Shqipërinë”.
Demek edhe unë, në të paktën nja gjashtë shkrime ku kam folur për plagët e Butrintit, edhe unë ja paskam futur kot. Kam folur për dyndjet e ndërtimeve në Ksamil dhe për gërryerjen e ishujve të tij, për dëmtimin e murit antik të Demës dhe të murit romak të Finiqit, për malet me plehra dhe detin e ndërtimeve pa leje.
Demek edhe Auron Tarja, që s’la gazetë pa shkruar e derë pa trokitur për ç’do dëm që i bëhej Butrintit, edhe ky ja paskësh futur kot. Të paktën Tarja mund të ngushëllohet, se është i vetmi që i janë përgjigjur. Sa herë bënte Tarja një shkrim, aq herë bënte të nesërmen direktori i Parkut nga një anti-shkrim ku i vetmi kontribut ishte ta quante Taren herë kapter e herë Skënderbegs.
Demek edhe raportet e misioneve te deritanishme të UNESCO-s për problemet e Parkut, edhe ato ja paskan mbytur kot. Më kujtohen frazat e rënda të tyre që edhe pse të mbuluara me diplomacinë tipike të këtyre lloj misioneve, zbulonin probleme gjithnjë e më të rënda.
Denoncuam dëmtimet nga përdorimi i dhunshëm i monumentit gjatë festivaleve të zhvilluara në mënyrë të papërgjegjshme, denoncuam marrëzinë e ndërtimit të një rruge sa një autostradë mu në zemër të Parkut, denoncuam futjen e kamionave e veturave brenda mureve antike, denoncuam dyndjen e ndërtimeve dhe heshtjen absurde të shtetit ndaj tyre, denoncuam përdorimin e betonit në vend të gurëve të skalitur brenda Parkut; denoncuam ... e ç’vlerë kishin të gjitha këto! Pas shkresës së Ministrisë, të gjithë paskemi rrahur ujë në hava, se faji paska qenë tek penxhereja e muzeut që direktori s’e paskësh pastruar.
Mendja më thotë se megjithatë, të gjitha këto shërbyen për diçka, edhe shkrimet e Pettifer-it, të miat, të Prof. Hodges-it, të Tares, apo protesta e grupimit për Trashëgiminë para një muaji. Të gjitha këto bashkë u bënë sebep, jo për të hequr drejtorin, se këtë as që e vinim në refene, por për të bërë të kuptohet se punët në Butrint nuk shkonin mirë dhe trashëgimia e 25 shekujve po rrezikon të shkojë humbur brënda 25 vjetësh.
Shtetet janë plot burokratë pa vlerë që rrojnë e vegjetojnë vrimave të zyrave apo qosheve të tavolinave. Ndoshta s’bëjnë punë, por edhe nuk prishin punë, veç që konsumojnë nga një rrogë. Po kur të tillë njerëz vihen në vënde ku duhet dashuri e pasion, ku duhen energji e vullnet, siç është rasti i Butrintit, dëmi që i bëjnë vëndit dhe kujtesës historike është i pashoq.
Një direktor shkoi e vate në anonimatin e vet, një drejtor i ri do i zërë vëndin këto ditë. Këtij do t’i vlejë më shumë të lexojë ç’kemi shkruar ne për Butrintin, se po u mjaftua të lexojë vetëm motivacionin e shkarkimit të parardhësit, aha, vërtet do nxitojë të pastrojë parvazin e dritares së Muzeut, por pas ca kohësh prapë do ndjekë fatin e këtij anonimit që i zuri vëndin.
Butrinti ka nevojë për shumë gjëra, por më kryesorja dhe që nuk blihet me para, është vullneti politik për ta shpëtuar. Po mungoi ky vullnet, edhe sikur paratë të jenë me thasë, Butrinti njësoj do vazhdojë të shkatërrohet. Shembulli më i qartë i shkatërrimit me pará, është rruga monstruoze që u ndërtua mes për mes Parkut; ashtu sikundër shembull i ndreqjes pa pará, është ndalimi i plotë i ndërtimeve pa leje në vitin 2004, apo aksioni i prishjeve të disa prej tyre i ndërmarrë vetëm një muaj më parë.
Butrinti është një dritare e dyfishtë, por jo nga ato që shpëtohen duke ju fshirë pluhurin e parvazit, siç thotë shkresa e ministrit. Butrinti është një dritare e dyfishtë përmes së cilës, nga njëra anë ne vdekatarët e shekullit të rradhës shohim artin e pavdekshëm të të moçmëve, ndërsa nga ana tjetër njerëzimi do të shohë nëse ne shqiptarët jemi të denjë për të qenë pjesë e njerëzimit të qytetëruar apo jo. Trashëgimia e përbashkët e shqiptarëve është e gjitha në rrezik, por pjesë të veçanta të saj që për vetë vlerën e tyre janë edhe më delikate, siç është rasti i Parkut të Butrintit, janë edhe më rëndë të rrezikuara. Pjesë të vlerave të tyre, që ja dolën të sfidojnë luftrat e shkatërrimet e epokave, dyndjet e barbarëve dhe shekujt e harresës, tani, në shekullin e ri të qytetërimit, nuk po ja dalin t’i mbijetojnë barbarisë moderne.