Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Në Himarë u vra i pari pluripartizmi

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Në Himarë u vra i pari pluripartizmi

Himara me incidento-aksidentin e fundit, të vrasjes së djaloshit 35-vjeçar Aristotel Guma, po shndërrohet në një kazus politik mes përfaqësuesve të pakicës greke dhe shtetit shqiptar dhe sipas gjasave, mes Greqisë zyrtare dhe Shqipërisë. Shteti shqiptar e ka shpërfillur qëllimin opozitaro-etnik të zotit Dule, deri në këto çaste, duke u vënë në njëfarë mënyre përballë një kostoje të re diplomatiko-politike me shtetin fqinj, por sidomos me përfaqësuesit e saj në Bruksel. Gjasat janë që diplomacia greke në gjithë kapacitetet e saj, ta delegojë këtë “çështje” në Bruksel, sikundër ka bërë përgjatë gjithë këtij tranzicioni 20- vjeçar. Madje paralajmërimi për ta debatuar atë në Parlamentin Europian dhe për ta përfshirë në raport-vlerësimin e situatës së Shqipërisë, si pretedente për statusin e vendit kandidat për BE-në, tashmë është bërë nga disa europarlamentarë grekë.

Për vrasjen e dhimbshme kanë folur pa pushim Vangjel Dule i PBDNJ-së, më pak kryebashkiaku i Himarës dhe kryetari i OMONIA-s Vasil Bollano. Ka folur dhe vijon të flasë media shqiptare. Po hesht, sikur gjendet në një kompleks impotent, politika e vendit.

Shumë pak kanë folur vetë himarjotët dhe asnjë fjalë familjarët e djalit të ikur nga kjo jetë. Shumica e kolegëve të mi të medias nuk kanë marrë qoftë edhe një sinkron të vetëm nga ati i atij djali që nuk vjen më në jetë dhe që si një qytetar modest e punëtor, kurrë nuk është marrë me politikë. (Së paku siç pohojnë bashkëvendësit e tij në Himarën fshat). Matanë asaj shtëpie modeste në Himarë, po gumëzhin politika e pakicës greke. Një gumëzhitje që të sjell në kujtesë zhurmnajën për incidentet me priftin e dikurshëm grek në Gjirokastër, Kristostomos.

Kujt i intereson kjo ngjashmëri? Pse eksponentët e pakicës greke po investohen kaq energjikisht për ta pasur një rast viktime etnike në Himarë? A po bie pre media jonë në këtë tentativë të hapur propagandistike të subjekteve politike të pakicës greke? A po ia del kjo pakicë të zgjerojë gjeografinë e prezencës së saj në territorin e Shqipërisë dhe a po i afrohet ajo qëllimit që ta imponojë shtetin, sidomos qeverinë shqiptare të përballet me aktin e fundit të kërkesës publike për legalizimin e minoritarizmit himarjot?

Asnjë prej këtyre pyetjeve nuk është pjellë retorike, por thjesht një formë refleksioni. Prej disa vitesh, por sidomos gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit, në Himarën e vogël me më pak se 10 mijë banorë në krahinën e gjashtë fshatrave dhe një qyteze, është kryer një akt i pastër “asgjësimi” politik i partive lokale. Vini re, ndërsa është mbufatur prej PBDNJ-së vdekja e djaloshit Guma, nga krerët lokalë socialistë, demokratë, republikanë, socialdemokratë, LSI-stë apo përfaqësues të forcave të tjera, ende nuk ka një opinion apo prononcim për mediat.

 Kurrë s’janë afishuar deklaratat e tyre për ato çka kanë ndodhur në Himarë apo për sjelljen irrituese të omonistëve, që sillen për fushatat tribale-elektorale që zhvillohen aty. Propagandistikisht dhe mediatikisht është krijuar imazhi sikur kjo zonë e vogël, qenka një oaz monopartiak në këtë republikë. Kjo nuk është një rastësi, kjo është një e vërtetë që lidhet me korrupsionin politik, i cili ndonëse në një terren aq lokal, mbart rrezikshmërinë e një krimi antikombëtar. Ky korrupsion politik që nuk u adresohet krerëve lokalë të partive në Himarë, por zyrave qendrore dhe lidershipit të lartë partiak të vendit, nuk është një neglizhencë, ai është pjesë e një strategjie, të cilën shoqëria civile dhe segmentet e forta të reagimit patriotik duhet ta denoncojnë, sa nuk është vonë. Fjala nuk është për fushata dhe vërshime populiste, as për parulla nëpër mure, siç ngjet rëndomë nëpër rrugët dhe fasadat e zonës aktualisht, por për rikthimin e një vlere të re përfaqësimi intelektual në Himarë.

Kjo vlerë përfaqësimi është vrarë përgjatë 20 vjetëve të fundit me bekim të qëllimshëm. Në Himarë u hesht prej shtetit tonë, kur u shembën objektet muzeale, kur u humb varri i poetëve, kur u uzurpua oborri i shkollës dhe kur u zhbënë grupet e artistëve që vlejnë sa profesionistët e rrallë të muzikës. Të gjitha këto, janë pjesë të një së tëre strategji.(!) Tashmë ka ardhur çasti jo të ndizet dueli propagandistik, por të ekspozohet infrastruktura dhe autorësia e kësaj strategjie. Përplasja etnike në Himarë, nëse i referohemi pohimit të zotit Vangjel Dule në BBC, “ka marrë formën e gjarprit që ngroh vezët”. E vërteta sa ekzistenca e detit në Himarë, është se “gjarpri nuk ishte, por vezët kush i solli?”. Për t’i flakur ato vezë, nuk nevojitet as lutja e as ndjesa pranë Greqisë, por ndikimi i të gjithëve për rikthimin e ndërgjegjes së shtetdashjes, ikja prej krizës kaq të gjatë të debatit për identitet dhe të pozicionimeve antagoniste radikale mes grekësisë së shfaqur dhe shqiptarësisë së qenë.

Rikthimi dhe investimi imediat në këtë drejtim, kërkon demaskim të menjëhershëm të protagonizmit nacionalist dhe ftesë serioze për vlerat e përfaqësimit të këtij komuniteti prej mendjehapurve dhe drejtuesve që mund të jenë bilingualë, por që kulturën e shtetësisë e kanë shndërruar në vlerë të ndërgjegjshme. Krijimi i pakicave imponuese në atë komunitet të paktë, nuk është vlerë plurale, por qëllim rekrutimesh të errëta. Ky proces duhet ndalur sa më parë prej institucioneve tona partiake, në të kundërt, heshtja e tyre e sotme është parathënie për vrasje të mëtejshme ballkanike në Himarë. Në Himarë nuk përplasen kulturat e aq më keq kombësitë, aty ka një çoroditje të injektuar komunitare, për të cilën çdo ditë e më pak prononcohen publikisht intelektualët dhe njerëzit e kultivuar të vendit dhe funksionon vetëm “megafoni” politik i pakicës që konkurron vetëm me veten, pasi pluralizmin partiak në atë zonë, e kanë memecëruar për qëllim të korrupsionit politik, dy partitë kryesore në Tiranë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama