Zululand
Ka përkufizime të ndryshme mbi opinionin publik. Shpeshherë janë aq të ndryshme, sa duket se nuk përkufizojnë të njëjtën gjë. Fjala vjen, në enciklopedinë britanike thuhet, se opinioni publik është agregati i sjelljeve, pikëpamjeve, apo besimeve individuale mbi një çështje të caktuar, të bartura e të shprehura nga një masë e madhe njerëzish. Dikush zë dhe e lexon këtë përkufizim, dhe me siguri pyet veten: në ç’kuptim mund ta kenë përdorur fjalën “agregat” editorët dhe ekspertët e kompanisë Encyclopœdia Britannica, Inc.? Por e marrin përgjigjen po aty, pak më poshtë, ku saktësohet: disa kuptojnë me termin “agregat” një sintezë të pikëpamjeve të një komuniteti, ndërsa disa të tjerë një tërësi opinionesh të ndryshme, apo të kundërta, të të njëjtit komunitet. Kaq duhet për ta bërë përkufizimin lesh e li.
Sidoqoftë, në përdorimin e përditshëm na është bërë familjar “përkthimi” i dytë i termit “agregat”; kjo do të thotë që opinioni publik është tërësia e pikëpamjeve (të njerëzve që mund të kenë një pikëpamje) lidhur me një çështje të caktuar; kjo do të thotë me fjalë të tjera, që opinioni publik nuk është bashkim rreth një opinioni të përbashkët; përkundrazi, është një “jep e merr” midis opinioneve të ndryshme. Në këtë kuptim, nuk ka asgjë të çuditshme të thuhet, se “opinioni publik është i ndarë”.
Ndodh çdo ditë (dhe disa herë në ditë) që opinioni publik të jetë i ndarë. Fjala vjen, ka disa që janë dakord me idenë e një amnistie fiskale në Shqipëri, por ka të tjerë që e kundërshtojnë fuqimisht këtë ide. Ose një pjesë e mbështesin Gjergj Bojaxhiun në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, por pjesa tjetër gjejnë plot motive për ta kritikuar. Ose – për të bërë një ilustrim më të freskët – ka njerëz që dënojnë vrasjen e të riut nga Himara për motive etnike, por dënojnë më shumë bllokimin e rrugës. Ka të tjerë ama që bëjnë të kundërtën, d.m.th dënojnë bllokimin e rrugës, por dënojnë më shumë urrejtjen etnike, që bëhet shkak për vrasjen e një të riu.
Opinioni publik është gjithmonë i ndarë? Jo, ka rrethana, kur opinioni publik duhet të jetë një pikëpamje e përbashkët, e ngritur mbi një optikë e moral të përbashkët, e që prodhon një qëndrim të përbashkët; ka rrethana, kur nuk ka kuptim të ndodhë ndryshe. Fjala vjen, nëse dy a më shumë deputetë rrihen në Parlament, opinioni publik nuk mund të jetë i ndarë. Ka njerëz që thonë, se “x-i ia bëri mirë y-it”? Epo, ata nuk kanë lidhje me opinionin publik; e shumta, kanë lidhje me opinionin e mejhaneve. Ose, nëse një Kryeministër del e thotë, se “do t’i shkul dhëmbë e dhëmballë opozitës”, opinioni publik duhet të jetë monolitik në këtë rast, d.m.th kundër një Kryeministri të tillë. Ka njerëz që thonë, se “shumë mirë e ka Kryeministri”? Epo, ata nuk janë pjesë e opinionit publik; ata janë “dru me pre”.
Përfundimi është i thjeshtë: ne ende nuk kemi opinion publik. Dhe kjo është një mungesë dramatike, që shpjegon të shkuarën e që komprometon të ardhshmen.