Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gynter Grass, ose ngacmimi i plagëve

Shkruar nga: Pëllumb Kulla  
Botuar më: 19 vite më parë

Pëllumb Kulla
Gynter Grass, ose ngacmimi i plagëve

Rrëfimi i Grassit shkaktoi zhurmë të madhe në mediat e botës. Deri më sot ky njeri i shquar, qe vlerësuar deri në atë shkallë sa njësohej me ndërgjegjen e kombit gjerman. Pas deklaratës, atij iu kërkua të dorëzonte menjëherë çmimin Nobel e të hiqte dorë nga nderet e shumta që e kanë rrethuar këto 60 vjet, që pas kohës së atij mëkati që rrëfeu vetë. Por komisioni i Nobelit, duke ia çmuar gjestin, deklaroi se Nobeli i takonte Gynter Grassit si edhe më parë dhe ai mund ta mbante qetësisht atë.
Kjo ishte kronika.


Në shtypin shqiptar, rasti Grass u trajtua dhe pat përpjekje të lidheshin përqasjet e këtij fenomeni. Qëllimi për të përqasur është i mirë por tek ne ai është i pasuksesshëm dhe bile i pamundur. Të kuptosh gjestin e Grassit në atë Gjermani, është po aq e vështirë sa të kuptosh dot ata që punojnë për klimën e rruzullit, ku ndotjet dhe gazrat janë elementë të padukshëm e kur njeriu i rrugës, nuk i quan luftëtarë ngaqë nuk ua sheh armiqtë. Shkrimtari i njohur nuk u zbulua, nuk u zu me duar në thes të të mirave që vinin nga ajo dinakëri. Gjashtëdhjetë vjet pas mëkatit që i rëndonte, ndërsa koha rrithte në favor të mbulimit të mëtejshëm, në perëndim të jetës, Grassi e zbuloi.
Komisioni i Nobelit veproi drejt. Sado i pakëndshëm lajmi, është i bukur gjesti! Dhe në se do kish ndonjë çmim tjetër si shpërblim për këtë, Grassi do ta meritonte.
Por ky do të qe një çmim që nuk do të fitohej dot nga ndonjë shqiptar. Për pjesën më të madhe të shqiptarve të sotëm, Gynter Grassi nuk është veçse një budalla! Pavarësisht se këtë nuk e tha asnjeri në mediat e vendit, rastit Grass nuk i gjendet përqasja në realitetin postnazist të Shqipërisë. Rrëfimit të Grassit nuk do t’ia kërkojmë përqasjen tek shkrimtari, por tek intelektuali skrupoloz dhe përgjegjësia që merr ai për të kaluarën naziste të vendit të vet.
Në rastin Gras nuk u rrëfye shkrimtari, se në moshën 17 vjeçare, ai nuk ishte shkrimtar. U rrëfye Grassi SS.
Fenomeni Grass tek ne shihet krejtësisht në kahje të kundërt. Zbulimit të qytetarit të nderuar gjerman, këtu i përgjigjet mbulimi. Tek ne për njerëz me bëma më të afërta në kohë, është karakteristikë fshehja, varrosja, ngjeshja me këmbë e gropës së mbuluar dhe mbjellja e dafinave mbi të.
Ne nuk presim të rrëfehen njerëzit që kanë shërbyer si Grassi në furrat hitleriane të djegjes dhe nuk rrezikojnë as të njëqintën e asaj që ka fituar Gynter Grass më vonë. Vetëm me rrëfimin, njerëzit nga të cilët presim ne, mund të fitonin ndonjë gjë e mund të linin diçka fisnike për të kujtuar. Por ata jnë të lumtur aty nën hijen e ngrohtë të harresës.
Më ka mbetur në kokë tregimi i një njeriu tim të afërt, nga ata njerëz për të cilët krijimtaria letrare qe e pakuptimtë. Ai u burgos në moshën që Grassi u regjistrua në repartet SS. Bëri 22 vjet burg dhe 22 të tjera i kaloi nëpër shtretër të sëmurësh, deri sa vdiq në moshën 61 vjeçare.
E kishin dërguar në kampin e të burgosurve të Thumanës…
“Punonim, - tregonte ai, - në baltën thithëse të kënetës. Për këtë që nga stiva e dërrasave në oborrin e kampit merrnim me vete nga një prej tyre, dhe pas punës e kthenim prapë në stivë. Nuk e linim në kënetë, se komandanti i kampit thosh që mund të na e vidhnin fshatarët, që banonin atyre anëve. Kur i kthenim, dërrasat kishin thithur ujë dhe ishin shumë më të rënda dhe ne ishim shumë më të rraskapitur se në mëngjes. Një pasdite, ndërsa ktheheshim, një shoku ynë e ndjente veten keq. Ia tha policit këtë gjë, por ai nuk ia vuri veshin. I gjori e mbajti shumë pak dërrasën mbi shpinë, qe bërë i verdhë dyllë dhe volli disa herë me dërrasën mbi kurriz. Më në fund e flaku atë. Kryepuntori, i burgosur dhe ai, e kallëzoi tek polici dhe ky se si u ndodh në ato caste dhe ia ktheu kryepuntorit me inat: “E hodhi ai, merre ti! Ty nuk të kemi vënë dërrasë përsipër!” Gjatë rrugës shoku i sëmurë volli disa herë të tjera dhe ne të ngarkuar siç ishim nuk e ndihmonim dot e ai mbeti në bisht të kollonës… Hymë në oborrin e kampit dhe shpumë dërrasat në vendin e caktuar. E pamë atë kur hyri në sheshin e oborrit dhe u drejtua për nga nevojtoret, që ishin nja njëzet kabina të ndyra pa dyer, në fund të oborrit. I sëmuri nuk pati fuqi të arrinte deri te nevojtoret. U përmbys në mes të sheshit e nuk lëvizi hiç. Ne kishim mbetur e po e vështronim që nga stiva. Dikush njoftoi doktorin. Ky vajti atje dhe pasi e vizitoi hapi të dy krahët e dha shënjë se i burgosuri kish mbaruar. Ne kishim ngrirë te stiva. Doktori u largua dhe fatkeqit iu afruan dy roja. Ata pa u përkulur aspak, me tabanët e çizmeve e rrotulluan si ndonjë qilim kutullaç dhe e shpunë deri buzë gropave të zbuluara prapa nevojtoreve. Aty panë edhe njëherë për qark dhe e shtynë të mjerin njeri brenda ndotjeve. Dhe e lanë atje. Ky ishte varrimi i tij… “
Tregimi ishte tronditës por vërtetësisë së tij unë i ve firmën poshtë. Mbetet që të tjerë të burgosur të Thumanës, në se jetojnë, le të firmosin tok me mua që nuk kam qenë aty, por po ritheksoj garancinë e vërtetësisë. Dhe jam i bindur se ky është një nga tregimet më të zakonshëm e më pak të dhimbshëm, nga ata që ende nuk janë shkruar e thënë nga ai realitet nazist i Shqipërisë.
Këto janë monstruozitete njësoj si ata milionat e ebrejve që u dërguan në furra dhe u shfarrosën. Milionat janë vetëm shifra, mëkati është i njëjtë. Dhe rrëfimi duhet të jetë i njëjtë. E presim rrëfimin e komandantit të burgut, atë të doktorit, të policëve të vjetër, të policëve të rinj, që ashtu si Gynter Grassi shikonin me sy të shqyer se si njerzit zhbënin kryekrijesën e Zotit, njeriun!..
Krahasimi është mjeran. Grassi u rrëfye atëhere kur u poq për të rrëfyer.

Rasti më i mirë i rrëfimeve tona humbi
Në muajt dhe vitet e para të përmbysjes, përjetimet ishin të ndryshme. Mëkatarët ishin në ankth. Të nëpërkëmburit nuk u besonin syve dhe veshëve. Një shoqëri e re po premtohej në Shqipëri. Njerëzit filluan t’i bënin gjyqin vetes dhe po bëheshin gati ta shpërfaqnin këtë në dritë të diellit, të kërkonin ndjesë dhe të dilnin ballëhapur në një sfidë të re. Mjerisht institucioni i rrëfimit dhe i pendimit nuk pati jetë. Edhe nëse disi me ndroje, dëshira për rrëfim u vu re tek disa individë të veçantë, shteti dhe partitë nuk e kanë analizuar akoma të kaluarën diktatoriale në mënyrë kritike. Deri më sot, asnjëra nga partitë nuk ka formuluar një dokument bazë, një rezolutë apo një traktat analitik. Në kongresin, ku Partisë së Punës i vunë përsipër kapakun e mermertë, në qershor 1991, ish antari i Komitetit Qendror, Dritëro Agolli bëri një analizë të hapur, të ashpër e pa doreza, që ia pritën me klithma çjerrëse dhe ofshama urrejtje. Megjithatë kjo mbetet analiza, kritika dhe autokritika më publike e regjimit. Ajo qe krejtësisht personale, por si duket partia e tij megjithse me turmën më të madhe të antarëve për pak e linçoi poetin tonë të shquar, ashtu si heshturazi, po e quan autokritikën partiake të bërë, meqënëse mikrofoni nga u lexuan hollësitë e autopsisë, ishte i tribunës së saj dhe nuk iu mbyll folësit asnjëherë. Edhe partitë e tjera, meqënëse, ashtu si rastësisht, gjenden të udhëhequra nga ish komunistë e bij komunistësh jo të pa rëndësishëm, ndihen të përfaqësuar nga mea culpa që formuloi antari i Komitetit Qendror Dritëro Agolli. E kaq!
Ishte një moment historik me rëndësi. Në se kish një platformë shndërrimesh të vështira, kjo nuk do të thotë që zbatimi ish po aq i lehtë sa edhe hartimi i saj. Masën e shumtë të komunistëve askush nuk e informoi mbi rrugën që do të ndiqej dhe sidomos sa rrënjësore do të qenë përmbysjet. Hutimi dhe pasiguria ishin të natyrshme, pamjet e përditëshme ishin të reja dhe tronditëse për sytë e tyre. Këtu ndihmuan dhe inskenimet e Perëndimit të Zotave: zjarret si ai në MPB, rrëzimi i Shtatores, zhvarrosjet e kryekrerëve të regjimit, arrestimet e së vesë të diktatorit dhe të Byrosë Politike, (që ngjarjet më pas treguan që në vend t’u vinin për proteksion badigardë u dhanë gardianë burgu). Ishin pamje që të godisnin syrin. Ato godisnin me efekt sytë e të gjithëve: të të përvuajturve, të komunistëve fanatikë dhe të atyre pragmatikë, të policëve, të gjyqtarëve, të vetë ideatorve të spektaklit, - si atyre që ishin të prangosur si atyre që i kishin prangosur! Ishin pamje, tronditëse, sokëllitëse, nga ato që ndodhnin a s’ndodhin në njëmijë vjet një herë!


Por si të gjithë inskenimet, kur nuk bëhen brënda mureve të teatrit, sjellin përftim tepër të rëndë. U shpall kështu vetvetiu hyrja në Erën e Re të Mashtrimeve të Mëdha. Ritrimërimi i tërë llojeve të mëkatarëve, të vegjëlve dhe të mëdhejve, mori jetë. Shtresat e persekutuara nga komunizmi patën gjynahun që të kujtonin e të silleshin si fitimtarë kur në të vërtetë nuk patën marrë as Bastijën e tyre as Pallatin e tyre të Dimrit. Përmbysja e Zotave ishte dhurata e krishtlindjeve të atij viti të paharruar 1990, që Perëndimi u a shfaqi para syve të etur, si atë që në teatrin mesjetar do të quhej shfaqje Miracle, por nuk u dha atyre asnjë rol se nuk e meritonin. Vetëm vuajtja, shtypja, sado e përmasave të mëdha, nuk është as meritë as bazë për fitore. Gëzimi i tyre i natyrshëm nga kjo fitore e rremë, nuk e mbushi aspak humnerën e thellë të çarjes për të cilën patën punuar bolshevikët shqiptarë për 50 vjet rresht. Përkundrazi! I vetëndjeri prej fitimtarësh, prej të qënurish në pushtet, që shfaqnin të drobiturit e kampeve dhe fushave të internimit, ua shtoi më shumë neverinë ish persekutorëve të tyre dhe e largoi përgjithnjë rrëfimin dhe ndjesën.


Ringritja e mëkatarve tani është marramendëse. Ripozicionimi i ri në politikë dhe biznes është më larg se fantazia, më e bukur se ëndrra. Tani ata buzëqeshin me përbuzje ndaj vetes kur kujtojnë se për pak u rrëfyen, për pak u penduan. Tani emri Gynter Grass për ta nuk thotë asgjë. Edhe në e kanë parë në ndonjë titull gazete dhe kanë pyetur përse bëhet fjalë, buzëqeshin: një budalla gjerman!..

Nga kush të presim tani?
Natyrisht jo nga intelektuali, historiani Paskal Milo, kryetar i një partie lilipute që para ca ditëve bëri një nga gjestet më të shëmtuara, që mund të bëjë një intelektual i brezit të pasluftës. Zoti Milo na e ka nisur zvarritjen e kthimit të Shtatores së Enver Hoxhës për në sheshin qendror të vendit. Litari po i rrjep qafën dhe supat, por ai vazhdon ta tërheqë. E ka nisur këtë punë me vendosjen e një portreti të diktatorit në sallonin e MPJ dhe u justifikua, se e kish vetëm një trill kronikal, një shprehje të vërtetësisë objektive në rradhët e ministrave të jashtëm të Shqipërisë. Deklaratën që bëri pardje në Pezë në lidhje me Enver Hoxhën, e mbrojti përsëri si lojtar i ndershëm i fakteve historike. Por nuk është veçse një historian mjeran, që kutërbon erë politikë. Shtatorja që po zvarrit ai, po përparon drejt sheshit, pasi ndryshe nga përligjja e vendosjes së portretit mes ministrave, këtë rradhë ai nuk u mjaftua me kronikën. Ai i ftoi shqiptarët që ta nderojnë Enver Hoxhën!
O Zot, degradimi tek ne ka marrë përmasa të llahtarshme!..
E vërteta është se në rastin e parë njerzit nuk i mbajtën mëri Paskal Milos. E quajtën një historian lëvozhgash, një formalist, një kujdestar pa brendi, një arkivist pa takt, që si Hitlerin dhe Çurçillin, si Pol Potin dhe Gandin, i përmend thjesht si emra në kohë. Edhe nga Miloja pritej që ai të reflektonte dhe të pendohej për librat e tij të përkushtuar ndaj politikës së jashtme të Shqipërisë diktatoriale. Dhe bile, ka fat se librat e tij nuk kanë lënë mbresë e nuk ia kujton njeri. Por ai në Pezë, na jep një dëshmi se paska qenë një enverist i devotshëm. Të ftosh të nderohet Enver Hoxha, këtu historiani merr përsipër të shfaqë qëndrimin e vërtetë analitik, gjë që ia urojmë ta ndërmarrë edhe më gjërë edhe më seriozisht dhe i garantojmë një turpërim të merituar.


Në masturbimin e tij, për një fryrje të elektoratit të partisë-hije, Miloja e djeg veten përfundimisht në horizontin që nga shqiptarët presin dritë.
Nga të presim më?
Natyrisht asgjë nuk pritet nga Ramiz Alia, që në kujtesën kombëtare do të mbetet në nivelin e atij rojes së kampit të Thumanës, që shtyu me tabanin e çizmeve atë fatkeqin drejt gropës që përmenda më lart. Alia e ka humbur rastin e tij disa herë. Ai vazhdon e pleqëron me iluzionin se thinjat e tij tingëllojnë si të zbardhura nga brengosjet dhe përpjekjet e ndershme dhe se njerzit e konsiderojnë strateg të madh të shndërrimeve. Vazhdon e shkruan libra me dëshmi të rrema, mashtron paturpësisht, ngul këmbë në interpretimet enveriste të asgjësimit të nacionalistëve dhe shokëve të tij te luftës. Qëndrimi i tij amoral ndaj të kaluarës është infeksioni i marredhenieve të sotme amorale në Shqipëri. E kaluara komuniste nëpërmjet Ramiz Alistë ka përçuar të plota dredhitë, pabesinë, paranojën dhe atmosferën e helmuar të plenumeve puniste në politikën e sotme shqiptare. Askush nga pinjojtë e shokëve të luftës nuk i kërkon Ramizit llogari për praninë e rëndësishme në trupin gjykues që ka shpënë në botën tjetër baballarët e tyre.


Nuk përfytyrohet dot, se si një njeri si Ramiz Alia, mund të bëjë një jetë publike kaq të paturpshme e me buzë në gaz. Kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri. Nuk përfytyrohej dot Zhivkovi, Honeckeri, Jaruzselski, të parët e ca vendeve me diktatura aspak naziste si kjo e jona. Nga këta të gjithë, Egon Krenz i gjermanëve të lindjes doli nga burgu në vitin 2003 dhe vazhdon burgun e shtëpisë për një trashëgimi mijëra herë më pak mëkatare se ajo e Alisë. Të dy janë akuzuar mes të tjerash për vrasje të shtetasve të tyre në kufi. Krenz hyri në Byronë Politike vetëm më 1980 dhe mori torbën e mëkateve, si i pari i RDGj më 1989. Ai akuzohet për urdhërat e vrasjes në kufi, por nuk akuzohet për tërheqjen zvarrë të të vrarëve me traktorë a me Gazet e Degëve, siç akuzohet Alia. Krenzi megjithatë, vuan burgun në shtëpi, ndërsa diktatori ynë trashëgimtar, në çdo pesë ditë jep një intervistë dhe ndjek tëra pritjet që japin trupat diplomatike në Tiranë.


A mund të presin njerzit prej tij të rrëfehet? Jo, kurrë! Ai ka treguar tërë jetën se i ka urryer priftërinjtë dhe sidomos aktin konstruktiv të ndreqjes shpirtërore, që ata kanë predikuar dhe praktikuar: rrëfimin.
Dhe në Gjermani para një muaji Gynter Grass ka rrëmuar koren e plagëve të të kaluarës. Por ai nuk ka rreshtur së qëni ndërgjegja e gjermanëve. Kryekrerët nazistë Hitleri, Gebelsi, Himleri, Geringu kanë vrarë veten, janë dënuar edhe nuk bëjnë hije mbi dhe. Nga ana tjetër krerët komunistë Ulbrichti, Honeckeri të RDGJ kanë vdekur pa kërkuar ndjesë.
Gynter Grass mori përsipër të kërkojë ndjesë edhe për ta.
Por kjo përsëri nuk i pengon shqiptarët të buzëqeshin nën mustaqe dhe ta quajnë Grassin një budalla!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama