Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dekoratat e Kadaresë

Shkruar nga: Pëllumb Kulla  
Botuar më: 19 vite më parë

Pëllumb Kulla
Dekoratat e Kadaresë

Duke shpresuar që kjo shpluhurosje dhe keqpërdorje e një ngjarjeje familjare, ndodhur 24 vjet më parë, do të fillojë të fashitet, them se ky ka qenë një nga episodet më të fuqishëm për të testuar klimën e helmuar të Shqipërisë së këtyre kohërave.


Për afro një muaj rresht, hithrat e urrejtjes fshikulluan e fshikulluan përbindshëm e pa pikë mëshire fshehtësitë intime e delikate, të familjeve dhe individëve. U shfaqën e rishfaqën mizëri filmash, të gjatë dhe të shkurtër, por që të tërë subjektivë, mbi të njëjtën ngjarje, nga më të rëndomtat. Ish e rëndomtë, pasi nuk ka më të përditëshme ngjarje, se shqetësimet prindërore për fëmijët. Nuk ka më të rëndomtë e të zakonshme, se ankesat në polici. Nuk kish më të rëndomtë e më të zakonshëm, se trajtimi çnjerëzor i policisë dhe hetuesisë së atyre viteve. Ata mund të godisnin me grushta dhe çizme një djalë të ri, po aq lehtë sa edhe një zonjë të moshuar, apo një grua shtatzënë. E përdor fjalën “rëndomtë” apo “zakonshëm” e ndërkohë e pranoj me keqardhje të thellë, se për nënën e djalit të gjymtuar, ky cilësim është i papërshtatshëm. Për të gjorën grua, trajtimi që iu bë djalit të saj, është vërtet krimi më i madh i rruzullit.


Por Ismail Kadare, krenaria e letërsisë tonë kombëtare, nuk mund të ketë pjesë në të. Dhe është e turpshme që e përmendim dhe e vazhdojmë këtë hamendje. Në të kundërt, unë jam mijë përqind i bindur se, edhe pa dorë në to, për një natyrë të brishtë e poetike si e Ismailit, vuajtjet, torturat dhe gjymtimet e një familje, do të kenë qenë për vite një dhimbje e thellë dhe e heshtur brenda tij. Dhe rendja e ca ministrave të Brendshëm dhe ca hetuesve për të dëshmuar, se shkrimtari nuk kish ndikim në ngjarje, lanë një shije të keqe, po aq sa dhe i dëshmive të kundërta, të atyre kryehetuesve e ministrave të tjerë, të atyre që e urrejnë Kadarenë që kur është krijuar gjithësia. Mirë dëshmon zoti Isai, që qytetari Ismail Kadare, thjesht, u ankua për bezdinë dhe nuk kërkoi ndëshkim, por kush i bëri ndëshkimet? Kush internoi dhe masakroi? Si mund të pretendojë Isai, shefi i ofiçinës së torturave, se duke dalë në krah të shkrimtarit, do të fitojë admirimin tonë për shpirtmadhësinë e tij?!
Se në thelb të thelbit, kjo ngjarje aty e merr rrugën dhe bujën. Ishim në prag të rihapjes së morgut me kufomën ende të pakallur të komunizmit. Ishim në ditët kur Kadareja u shpreh fuqishëm për Gjyqin e Madh të së kaluarës naziste të Shqipërisë. Dhe, o qiell hapu!, hijenat e së kaluarës vendosën ta ndëshkojnë atë të parin! Çfarë rrodhi nga ajo ngjarje e ’82-shit, sipas tyre, paskesh qenë krimi më i madh i komunizmit, që na kërkon Këshilli i Europës! Këtej duhet filluar, thanë ata!!!


Është fati i Kadaresë. Është haraçi që duhet të paguajë njeriu më i shquar, që nuk pranon të hiqet mënjanë në strehëzën e studjos, por ngre aktivisht zërin për shëndoshjen e demokracisë, për zgjidhjen e çështjes kombëtare, për drejtësi shoqërore. Dhe vemë re se tërë skorjet e diktaturës me të po merren. U duhet ta nxjerrin si njeriun më të përndjekur? - Atë zgjedhin! U duhet ta venë në krye të listës për keqtrajtimet, burgimet dhe internimet? - Me të fillojnë! Duket sikur bëjnë me ne një pazar të ndyrë e na thonë: doni t’i rëzojmë tërë monumentet e kohës së komunizmit? Do të rëzojmë edhe Kadarenë tuaj, ama!
Është me të vërtetë tronditëse të lexosh, mbi rreshta dhe nën rreshta, urrejtjen që shprehin nëpër shkrimet e tyre ca militantë të vjetër, ca inatçinj veteranë, që nuk arritën dot ta shohin shkrimtarin përmbys, ashtu si dëshironin. Dhe pa dyshim do të gjenden gazeta për ta. Janë gazeta të hapura enkas, që e dinin dhe e prisnin këtë ditë. Misioni i tyre është vetëpërkëdhelja, ripërtypja e një kohe që përmban lavdi vetëm në përfytyrimet e tyre. Ato ia përmendin me ashk mosmirënjohjen, atij çanakpërmbysësit Kadare, i përmendin privilegjet që i janë bërë, veturat, mbrojtjet, simpatitë e Komandantit, daljet jashtë shtetit…


Dhe befas mua më lind një zjarr i brendshëm, e ndjej se si shpërfytyrohem, kur më ikën humori, kur nuk jam më i zoti as të tallem dhe më kaplon tërbimi:
Racë e mallkuar, që tmerrësisht gjatë, po vonon të shuhesh, a vërtet Ismail Kadare është njeriu që duhet vënë në shënjestër?! Këtij, njeriut kaq të vlertë, i duhen kujtuar veturat dhe të mirat e asaj bote?! Po a nuk meritonte shkrimtari më i shquar i Shqipërisë një talent i jashtzakonshëm, botërisht i njohur, një çikë komoditet, një trajtim më të mirë se tërë furxhinjtë, karrocierët e brigadierët, që mblodhi diktatori rreth vetes?! A nuk meritonte një shqiptar dinjitoz si ai, të shfaqej nëpër sheshet e kryeqyteteve të Evropës, më shumë se korrierët trushkulur diplomatikë, badigardët tuaj pa sy e pa veshë?! Ishte vallë kaq nder i madh të kish një vend në Kuvend, njeriu që më shumë se kushdo mund ta përfaqësojë këtë truall, njeriu që ka lartësuar e lartëson krenarinë, virtutet e racës shqiptare që në agimet e tij kombi i pati dhe më pas i borri?! Cilën mirënjohje ju ka borxh juve, njeriu që përkundër ushqimit më të varfëruar të sofrave, solli për fatin e tërë shqiptarëve ushqimin më të pasur shpirtëror të rafteve, bangove të fillores dhe auditoreve? Duhet të kish kahje të kundërt mirënjohja, nëse ka mbetur mirënjohje në botën shqiptare, kahjen drejt mjeshtrit, që edukoi dhjetra e dhjetra shkrimtarë e poetë të rinj, u çau atyre udhën e abstragimit, u zbuloi atyre thesarin e metaforave, u tregoi konkretisht se si me guxim në figurat letrare, të martojnë të pamartueshmet, mprehu më së miri shijet e lexuesit të burgosur shqiptar!

Në konferencat albanologjike nëpër botë, duheshin dërguar vallë gjuhëtarët e atrofizuar, apo ky mjeshtër i rrallë, kopshtari më i përkushtuar i gjuhës shqipe dhe i dashuruari më fanatik i saj?! Tek ia përmendni, nuk mendoni, a vallë, ky person, ka qenë ai më i dekoruari, më i mirëtrajtuari dhe më i përkëdheluri shkrimtar i diktaturës? Pa kujtohuni, kujtohuni, se mos ndofta kanë qënë dhe ca të tjerë, që ashtu, të vdekur, duken si të nderuar, vetëm nga që nuk i ze askush në gojë dhe po aq të nderuar do të mbeten pasi askush, kurrë, nuk ka për t’i zënë? Nuk do ta provojnë fshikullin e tërbimit tuaj ata, shkrimtarët e kolkozit shqiptar, të kulakëve e diversantëve, kuptohet. Nuk do t’u përmendni atyre favoret, se si u bënë deputetë e morën dekorata, çmime e tituj të lakmueshëm! (Dhe këtej e tutje do të kujtohen vetëm për ata çmime e tituj, teksa veprat e tyre të shëmtuara do të duken të mira për sa kohë do të mbahen nën kapakun e gurtë të harresës. Se po dolën nën dritat e këtij shekulli!…).
Ata që e duan Ismail Kadarenë, në këto ditë të stuhishme, janë tronditur, skandalizuar e neveritur nga ky shkumbëzim urrejtjeje i Nexhmie Hoxhës dhe i qenëve të diktaturës. Shumë kanë përfytyrimin, se pas kësaj, Kadareja lëngon diku i dërmuar, i përmbysur e i dëshpëruar nga trajtimi mizor që iu bë. Jam i sigurtë se ata gabohen derrçe!. Jo se unë e njoh më mirë nga të tjerët, por jam i bindur se nga ky episod domethënës, ky luan i letërsisë shqipe, po del me përfitim të madh.


Në përballimin e kësaj furtune Ismail Kadare ka qenë i vetëdijshëm se cilët ishin kundërshtarët e tij e cilët nuk kish me vete. Ishte kundër tij kuçedra e plagosur e udhëheqjes komuniste. Ishte kundër Sigurimi i Shtetit, me atë taborin e burrave lëkurëndritur, që mbahen mend të veshur me ato kostumet prej doku gri e bojëqielli, që nuk ia dolën e nuk ia dolën dot, ta shtrijnë shkrimtarin nën këmbët e tyre. Se, pavarësisht nga ironitë që kemi shkrepur pafepuf, ndaj “persekutimeve” të Kadaresë, duhet ta themi ndershmërisht e gojëplotë, se urrejtja reciproke mes tij dhe Sigurimit Shqiptar, ka qenë e paprerë, tepër e egër, bile e lexueshme qartë. Ato vizatime karakteresh të shefave të kuadrit, ato përshkrime të holla të të vetëndjerit dhe bëmave të “trimave” të Sigurimit në parathënien e “Thikave”, ajo tablo alegorike e “Pallatit të Ëndrrave”, që dukeshin si të shkruara jo me bojë, por me serrë të zezë, nuk mund të mos ndeshnin hungërrimën e tyre. Kundër, Kadareja, do të kishte edhe shumicën e politikanve të sotëm, të cilët jo njëherë janë përqeshur e fshikulluar prej tij. I duhen llogaritur kundër gjithë ato që përmendëm, ato fletushkat, që më mirë se me gazeta, mund t’i krahasosh me muret e WC-ve, ku me copa graffiti, pa vrasje ndërgjegje, shkruhen fjalë të ndyta e vizatohen fundet e barqeve. Dihej që Ismaili, nuk do të kish me vete, pastaj, edhe shtresën e të persekutuarve të regjimit komunist, ata të “përmbysurit” e famshëm, që në prozën e Kadaresë e ndjenin veten të trajtuar me krupë dhe gjithmonë u është dukur, se nuk pat qenë fare nevoja, që Enveri ta frymëzonte hiç krijuesin, kundër tyre. Dhe së fundi, pas më të madhit shkrimtar të vendit, si në çdo vend të botës, nuk do të ishte masa e gjërë e shkrimtarve të tjerë, e zvarranikëve, mediokërve, por dhe e shkrimtarve me njëfarë emri, që me varrosjen e më të mirit të llojit, presin përjetësisht, një ngjitje në shkallaret e vlerave.


E pra, nga kjo provë zjarri Kadareja doli, paradoksalisht, më i fituar. Dhe ky është rezultati i vërtetë i kësaj fushate. Atë ngjarje të turbullt të ‘82-shit e patën përgojuar shumë e shumë, mbi zë dhe nënëzë. Dhe tani, me gjithë trazimin që solli në jetët intime, ajo shpërtheu në sipërfaqe, për të mos u zënë më kurrë në gojë. Por ama u kuptua se kush ishte në të vërtetë pala, që desh të bënte me këtë ngjarje, një minë. Dhe kjo gjë u lexua drejt. Kam bindjen e patundur, se asnjëherë Kadareja nuk i ka pasur shkrimtarët me vete më shumë se këtë herë. Nuk e sajuan dhe as e pompuan shkrimtarët, historinë fatkeqe që u përfol kaqë gjatë. Nuk ishin aspak shkrimtarët, gjeneratorët e intrigës. Nuk ishte një konflikt me mediokritetin, siç u munduan ta shpjegojnë bukur psikoanalitikisht, por jo drejt, disa opinionistë. Absolutisht jo! Me plot gjasa, edhe politikanët e rinj të pas komunizmit, do të jenë ndërgjegjësuar seç vlera përfaqëson personaliteti që u muar paturpësisht nëpër gojë dhe se si duhet mbrojtur ai këtej e tutje. Gjithashtu kam bindjen e plotë, të patundur, se e tërë shtresa e të goditurve nga regjimi i Hoxhës e kuptoi se këtë radhë Kadareja, ish edhe i tyrja, më shumë se kurrë, se nuk mund të mos jetë i gjithë shqiptarëve, shkrimtari më i mirë i Shqipërisë dhe se ai kish nevojë për përkrahjen e tyre. Dhe ia dhanë e po ia japin, ashtu të ndrojtur, siç janë të ndrojtur edhe në luftën për kërkesat e tyre. Kur u shfaq qartë, që garda bolshevike e ka vënë këtë fatos të fjalës së shkruar në vijën e vetme të shënjestrës, pasi ky, më shumë se çdo parti, më me këmbëngulje se kushdo tjetër, ka vendosur t’i shkojë deri në fund përpjekjes për denazifikim, pjesa më e shëndoshë e opinionit kombëtar, brenda dhe jashtë atdheut, u rreshtua pas Ismail Kadaresë.


Ja pra ç’prisnin e ç’i bënë Ismail Kadaresë, këto hiena! Ata në vaktin e tyre e bënë Ismail Kadarenë me grada, tituj dhe ofiqe. E bënë deputet, nënkryetar e laureat gjithëfarësh. E dekoruan me të gjitha llojet e çmimeve, të kombit e të republikës. Por këtë rradhë me egërsinë e luftës, me shpalosjen e urrejtjes për të, i kanë dhënë, pa dashje, çmimin më të lartë, nderimin më sublim, që mund të japë ndonjëherë ndonjë diktaturë. Urrejtja e tyre e tërbuar është dekorata më e lartë që i është dhënë atij në atdheun e vet!
Dhe një herë të vetme, për herë të parë, duket se populli shqiptar është njëzëri dhe një mëndje me diktaturën: Ismail Kadare e meriton urrejtjen e saj. Ai e meriton plotësisht dekoratën e shquar! Le ta përgëzojmë të gjithë për këtë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama