Pavarësisht se kush i gatuan dhe si i shtron në sofër, gjellëve të shtruara në darkat dhe drekat e politikanëve u bie erë djerse varfanjakësh. Dhe ato darka e dreka nuk shtrohen për ta ngirë barkun e të ftuarave, por për ta stolisur me tipare njerëzore maskën e nikoqirit. Andaj, kur uleni pranë sofrave të shtruara nga politikanët, ta dini se shijoni djersën e skamnorëve dhe mos i lëvdoni gjellëbërësit, por nikoqirin. Aq më shumë, mos pyetni me çka e keni merituar nderin të jeni njëri nga të ulurit pranë “sofrës mbretërore”, sepse këtë nuk e di as vetë “mbreti”, por oborrtarët që kujdesen për madhështinë e tij.
Pa dyshim që edhe iftaret që shtruan politikanët dhe funksionarët e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë tridhjetë ditëve të Ramazanit që sapo kaloi, kishin erën e djersës së popullit të këtushëm shqiptar, varfëria e të cilit është proporcionale me pasurinë që grumbullojnë funksionarët e këtushëm shqiptarë gjatë një mandati katërvjeçar si përfaqësues të popullit nëpër institucionet shtetërore e publike. Në këto iftare që shtruan partiakët e BDI-së, e ku bën pjesë edhe darka që shtroi kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, morën pjesë diplomatë e gazetarë, politikanë e hoxhallarë, por në asnjë nga ato ahengje nuk ishte i ftuar ndonjë i varfër, apo bonjak i ndonjë ish-ushtari të UÇK-së. Këto iftare u regjistruan nga kamerat televizive dhe u komentuan në mënyra të ndryshme, por sido që t’i komentosh e sido që t’i vlerësosh, ato mbeten vetëm dëshmi e perversitetit dhe primitivizmit politik. Ato gjithashtu mbeten dëshmi e së kundërtës së asaj që donin ta tregonin nikoqirët: treguan se feja e vetme e politikanit të dobët është politika, se në emër të manipulimit politik ata janë të gatshëm të keqpërdorin edhe ndjenjat religjioze të popullit të tyre.
Shikuar për nga numri i iftareve që shtruan politikanët e shqiptarëve të Maqedonisë – thuajse çdo mbrëmje nga një - del se gjatë muajit të Ramazanit ata ishin më të angazhuar se hoxhallarët e fshatit. Madje, lanë përshtypjen se gjatë tridhjetë ditëve të agjërimit, ata nuk bënë punë tjetër përpos që u morën me përpilimin e listave të të ftuarve dhe zgjedhjen e restoranteve ku do shtronin darka. Pra, u morën me një aktivitet nga i cili përfituan vetëm pronarët e restoranteve. Dhe duke qenë të zënë me organizimin e iftareve, pushtetarët e BDI-së nuk e kuptuan si duhet pse gjatë raportimit të tij si Kryeministër, Gruevski përfshiu periudhën katërvjeçare të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, duke mos e ndarë atë në dy vitet sa bashkëqeveriste me PDSH-në dhe në periudhën aktuale kur partner në koalicionin qeveritar ka BDI-në e Ali Ahmetit. Pra, ata nuk e kuptuan se duke raportuar për katër vite të pandara qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, Gruevski dërgoi porosi të qartë për ata që dinë të kuptojnë: partitë shqiptare ai kurrë nuk i ka llogaritur si pjesë të qeverisë së tij, por si vasale të përdorshme. Madje, këtë nuk e kuptuan as disa opinionistë të këtushëm, që iu vërsulën Kryeministrit aktual të Maqedonisë me kritika, në vend që popullit të tyre t’i thoshin hapur se gjatë historisë njerëzore, asnjëherë nuk ka ndodhur që vasali të qeverisë me ndonjë shtet apo perandori, por ai gjithmonë ka qenë e do mbetet shërbëtor, që i ndihmon sunduesit të mbajnë nën kontroll popullin apo regjionin që është nën mbikëqyrje të vasalit. Apo ata duhej t’i shpjegonin popullit të vet se duke mos i ndarë periudhat e qeverisjes së vet me PDSH-në nga ajo e tanishmja me BDI-në, Gruevski deshi të tregonte hapur se dy partitë shpotare për të nuk dallojnë me asgjë mes veti, se vasalizmi i dikurshëm i PDSH-së nga ai i sotmi i BDI-së, nuk veçohet për nga përmbajtja, por për nga forma: PDSH-ja e dhunonte popullin e vet për t’ia lehtësuar sundimin Gruevskit, e Ali Ahmeti i këndon popullit ninulla gënjeshtare, për ta vënë atë në gjumë, mbase vetëm që t’i ndihmojë maqedonasit etnikë pa trishtime ta përballin rilindjen e tyre të vonuar kombëtare. Apo thënë ndryshe: PDSH-ja ishte vasali që i përmbahej parimit – popullit duhet “luajtur mamanë që të të thirr baba”, e Ali Ahmeti është duke financuar incizimin e ri të filmit të vjetër që shqiptarët ishin të detyruar ta shikonin dekada me radhë në ish-Jugosllavinë socialiste, filmin që mban titullin “Si ndërtohet bashkim vëllazërimi”, ku dihet kush e luan rolin e vëllait të madh që sundon dhe urdhëron dhe kush atë të vëllait të vogël që duhet të durojë dhe të presë derisa të rritet.
Si do që të jetë, ka vite që ka filluar kjo “modë” e shtruarjes së iftareve publike nga funksionarët shqiptarë të Maqedonisë, “modë” që ka më shumë elementë qesharakë, sesa religjiozë dhe bamirës. Nëse për hiçgjë tjetër, atëherë ngaqë kjo dukuri paraqet shtrembërimin e një tradite të huazuar nga bota islame, e ku shtruarja e iftareve publike ka qëllim dhe domethënie krejt tjetër nga përdorimi politik i tyre. Pra, në botën islame këto iftare shtrohen për skamnorët dhe për ata që nuk kanë me çka të ushqehen gjatë Ramazanit, e jo për të bërë paradë politike. Aq më shumë, në botën islame këto iftare për varfanjakët shtrohen nga donatorë të panjohur, nga ata që nuk kanë nevojë për kamera televizive për ta dëshmuar shpirtbardhësinë e tyre. Apo shtrohen nga të pasurit që e ndjenë se pasurisë së tyre i bie erë djerse varfanjakësh, andaj edhe ndjenë nevojën që një pjesë të saj tua kthejnë atyre që ua kanë borxh.
Pra, tridhjetë ditët e Ramazanit që sapo kaloi, pushtetarët dhe kryesuesit e BDI-së i përdorën për paradë politike. Njësoj siç u përdor ky Ramazan edhe nga disa ligjërues fetarë, të cilët sa nuk u thanë shqiptarëve të këtushëm se për të qenë myslimanë të mirë, duhet sa më shumë t’u ngjajnë arabëve. Pra, sa nuk u thanë shqiptarëve të këtushëm se rruga islame nuk është e shtruar nga besimi dhe devotshmëria ndaj Zotit, por nga “arabazimi” i traditës së shenjtë shqiptare. Me çka, ata edhe nuk linin përshtypjen e shërbëtorëve të fesë dhe të predikuesve të saj, ata nuk ngjanin në njerëz të ditur që e kanë të qartë ku qëndron kufiri që ndan traditën e një populli nga çështjet e fesë, por më shumë u ngjanin komisarëve të dikurshëm komunistë, që ideologjinë e tyre e kishin lidhur për mustaqet e Stalinit dhe thoshin se nuk të vlen gjë gjuha amtare dhe tradita e popullit tënd, pa e ditur rusishten dhe pa mos e sllavizuar vetveten. Me çka traditën shqiptare e helmuan me helmin e traditës sllave dhe e dëmtuan shqiptarinë, aq sa çmimin nga ky dëm shqiptarët e paguajnë edhe sot e kësaj dite.
Tridhjetë ditët e Ramazanit që shkoi, mbetën të shënuara edhe me darkat që shtruan politikanët e këtushëm për të ftuarit e tyre. Në ato darka nuk kishte vend për të varfrit, andaj edhe gjellëve u binte erë djerse skamnorësh. Dhe asnjëri nga ata që shtruan iftare për të ftuarit e vet, nuk tregoi se kush i pagoi harxhimet e bëra për ahengjet me qëllime politike. Ato darka të shtruara edhe nga ateistë të deridjeshëm, dëshmuan vetëm atë që dihet: se disa politikanë të shqiptarëve të Maqedonisë, as vetë më nuk e dinë se cilën e kanë fytyrë e cilën maskë. Andaj nuk do jetë e çuditshme nëse një ditë kërkojnë nga besimtarët që edhe fitrat dhe zeqatën ta paguajnë në arkat e partive të cilave u takojnë. Më në fund, mbase ky popull atë edhe e meriton, ngaqë nuk e shef se me dekada është duke paguar gjobë të lartë për shkak të politikanëve, të cilëve maska u është shkrirë dhe u është bërë fytyrë. Dhe diku nën maskën e këtyre politikanëve fshihet e vërteta, se ka diçka që i bën të ngjashëm mes veti politikanët dhe hoxhallarët e mirë nga ata të këqijtë: politikanët dhe shërbëtorët e mirë të Zotit e sakrifikojnë vetveten për të mirën e popullit dhe të besimtarëve, e ata të këqijtë sakrifikojnë popullin dhe besimtarët për të mirën e tyre.